KËPUCËT E BURRAVE

Vetëm pak ditë më parë, gjatë një bisede se si mund ta rrëfejmë jetën e përditshme në Tiranën e viteve të mbretërisë, më shkoi mendja se të dhëna sugjestive do të jepnin reklamat e gazetave dhe të revistave të kohës: çfarë produkte reklamoheshin dhe çfarë imazhi promovohej. Kur i kam shfletuar ndonjëherë ato botime, më ka ngacmuar prania e tepruar e produkteve për mirëmbajtjen e flokëve, zakonisht të burrave (a nuk kërkoi edhe Vasil Laçi një krehër?), mjeteve të rrojës dhe produkteve për mirëmbajtjen e këpucëve: gjithfarë furçash, bojërash, dyllërash. Ishin kohëra kur keratina nuk e kish humbur reputacionin… Edhe filmat e Kinostudios më bashkëpunuan në këto përfytyrime – me lustraxhinjtë që i gjeje në çdo cep të qytetit: rrugët ishin vërtet me baltë, por këpucët e burrave duhej të shndrisnin po aq sa edhe brilantina në flokët e lëpirë të personazheve negative, me emra si Nikolin a Ludovik.

Dhe kjo bisedë m’u lidh sakaq me lajmin që pashë mbrëmë, se Kiwi, një markë e njohur e produkteve për mirëmbajtjen e këpucëve, paska lajmëruar se do t’i tërheqë mallrat e veta nga tregu britanik, me arsyen që shumë nga klientët e vet të dikurshëm sot ose punojnë nga shtëpia, ose shkojnë në punë me atlete (Kiwi shoe polish to disappear as UK no longer cares about shiny shoes).

Edhe pse sot e kësaj dite në revistat që gjen njeriu i shkretë te berberi vazhdon të ketë reklama për këpucë të shtrenjta angleze; dhe megjithë urtësinë e vjetër që “burri duket nga këpucët”, duket sikur këpuca prej lëkure ka marrë tatëpjetën dhe e ka humbur luftën me atleten prej gome ose plastike. Kodi tradicional, që i kërkon punonjësit jakë-bardhë të dalin në punë veshur me xhaketë e kravatë, pantallona stofi të hekurosura mirë dhe këpucë të pastra, ka marrë rrugën e arkivit. Siç vërente një ese me këtë temë (Kiwi shoe polish and civilization), shumë prej nesh sot në Perëndim edhe po u shmangen veshjeve me materiale “shtazore”, si leshi ose lëkura, për t’i zëvendësuar me pambuk a fibra të tjera bimore, ose me plastikë.

Unë që shkruaj, i përkas asaj kategorie që, kur më duhet të mbath ndonjëherë këpucë formale, e kaloj pastaj javën pasuese duke mjekuar plagët dhe flluskat: këmbët e mia nuk u binden më urdhrave të atij formati. Shto këtu edhe që ende nuk kam mësuar si ta lidh nyjen e kravatës dhe as e kuptoj mirë pse duhet mbërthyer kopsa e fundit e këmishës. Në NYC veshja casual ka kohë që dikton pamjen e atyre që shkojnë në punë – edhe pse ende e kam ndonjë foto, nga vitet 1990, kur veja në punë me xhaketë e kravatë (nyjen e së cilës ma kish lidhur im atë). Atëherë kolegët në agjenci qeshnin me mua dhe më shpjegonin se duhej të vishesha më lirshëm: kushedi si do t’u jem dukur atëherë, si ndonjë inspektor bashkiak i kaldajave…

E megjithatë, nuk më shpëtojnë rrëmbushjet e miqve sot, sa herë që ndonjëri hedh në rrjet fotografi të gjyshërve të vet: “Ah, sa bukur që visheshin atëherë! Sa elegantë!” Edhe pse vetë, të na paguanin, nuk do të dilnim në rrugë ashtu, sërish i admirojmë zhguajt e shtangët të kamotit, që mbase peshonin edhe më shumë se mishi që mbanin brenda. Ka edhe nga ata, gjithnjë prej nesh, që kur bie muhabeti për ndonjë gjysh tashmë të ikur nga kjo botë, gjithnjë do të kujtojnë me mall xhaketat dhe kravatat e tij, dhe kujdesin që tregonte për të respektuar të tjerët, duke u veshur “mirë” e “me sqimë”.

Brezi im është rritur në një kohë kur “vishu mirë” kish kuptimin “vishu trashë” – ngaqë ngrohja, në dimër, ishte luks; dhe në universitet në fillim të leksionit nuk arrinim dot as të shkruanim, nga gishtat që na kishin ngrirë: këtë mund ta konfirmoj edhe sot, kur shoh si më ndryshonte kaligrafia nga një faqe e shënimeve në leksionet atëherë në tjetrën, teksa qarkullimi në ekstremitetet më normalizohej. Njëkohësisht, shprehja “këpucë të mira” donte të thoshte “këpucë që nuk futin ujë”, kushedi edhe ngaqë atëherë binte shumë shi (!). Por e mbaj mend mirë tim atë, që vihej ndonjëherë të lustronte këpucët e veta me zell të admirueshëm, sepse ia kërkonte mjedisi dhe pozicioni: spitali, salla e leksionit, klinika ambulatore. Burri dukej nga këpucët.

I kam ende dhe sot ca këpucë lëkure “të mira” (sot në kuptimin “të rehatshme”), që më pëlqen t’i vesh kur bën i ftohti i thatë i New York-ut: përndryshe, edhe unë u jam dorëzuar atleteve dhe përdor rregullisht ato që njihen si “zero shoes”, që respektojnë formën natyrore të këmbës, duke të dhënë ndjesinë se po ecën zbathur. Por vlerësimin për lëkurën e mirë nuk e kam humbur dhe as zëvendësuar, për shkak të shqetësimeve ekologjike. Mendoj se, me gjithë atë mish të kuq që konsumohet, lëkurët e kafshëve që theren nuk mund të lihen të shkojnë dëm. Dhe – më duhet ta pranoj – ata që dalin në rrugë me atlete të mëdha të bardha, me gomë të trashë elastike, asnjëherë nuk më bindin plotësisht, pse më duket sikur atletet po u zënë shumë vend në tru.

Po aq më zhgënjejnë fotot që shoh, nga mbledhjet e kolegëve të mi në Tiranë, sidomos gjatë dimrit: atlete sa të fuqishme aq edhe të buta dhe xhupa të fryrë, të vëllimshëm, me siguri të ngrohtë – por të tillë që i bëjnë këto tubime të duken si të ndonjë sindikate të sharrëxhinjve. Këtë e them me respekt të thellë për sharrëxhinjtë, të cilëve jo vetëm ua kërkon puna që të vishen trashë, por edhe tani meritojnë të lëvdohen, sepse ofrojnë një model të suksesshëm të modës urbane. Dhe, njëherazi, më rritet vlerësimi për xhaketën dhe kravatën, jo sepse ka ndonjë gjë speciale te kjo veshje, por ngaqë zgjedhja tregon kujdes për pamjen në sytë e tjetrit.

Dikur njerëzit e letrave dhe të artit, të paktën në qarqe të rafinuara, i dalloje ngaqë visheshin “casual”; të rrethuar nga xhaketat dhe pantallonat prej stofi të së tjerëve, këta binin në sy me xhupat e tyre prej oficeri të marinës, trikot golf të zeza (si Sartre-i), jeans-et ndonjëherë të njollosura, këpucët alpine. Asgjë vetvetiu cool nuk kish në këtë veshje, përveç kontrastit me uniformat “civile” të së tjerëve; kontrast i cili shprehte qasjen rebele, antikonformizmin, në mos edhe dëshirën për të rënë në sy. Por tani të gjithë “i kanë rënë hiles”, në kuptimin që antikonformizmi ia ka zënë vendin konformizmit dhe formaliteti në veshje është katandisur në shenjë të moshës së shtyrë; në kuptimin që kur sheh ndonjë të veshur mirë në rrugë, të duket sikur ka dalë nga ndonjë foto e Marubbit. Aq e vërtetë është kjo, sa sot veshja intelektuale prej Sartre-i mbase u rri më mirë vajzave dhe grave.

Thashë më lart që i kam ende disa këpucë lëkure, madje relativisht të shtrenjta; por nuk mbaj mend t’i kem lustruar ndonjëherë dhe jo thjesht pse i vesh rrallë. Në fakt qyteti këtu nuk t’i bën këpucët pis, përveçse t’i pluhuros, sepse baltë në rrugë zakonisht nuk ka. Për t’u baltosur, më duhet të shkoj në Tiranë dhe të nxjerr mallin e vjetër të llangosjes aksidentale, sidomos kur jam duke shkuar diku. Një qytet tjetër ku bëhesha me baltë është Stambolli – por atje industria e lustrimit të këpucëve nuk besoj se është e rrezikuar, të paktën ende jo.

A shiten ende produkte Kiwi në New York? Në Amazon i gjen lirisht, të ngjyrave dhe të llojeve të ndryshme – të dyllëta, në formë kremi, të lëngshme. Po të duash, mund të blesh edhe lecka këpucësh “profesionale”. Por edhe këtej Atlantikut post-Covid-i e ka goditur tregun e produkteve të look-ut, dhe aq më tepër atë të produkteve të mirëmbajtjes, si boja e këpucëve. Burrat e këtushëm tregojnë më shumë kujdes për makinat që ngasin, se për këpucët – makinat e kanë trashëguar pasionin për lustër, shkëlqim dhe elegancë. Ka një logjikë në këtë mes: edhe të parat, edhe të dytat i shërbejnë lëvizjes në hapësirë. Pa folur pastaj për ato që i quajnë “driving shoes”, të cilat rekomandohen t’i mbash kur në fakt nuk je duke ecur – këto këpucë të bekuara, duhet “të lehtësojnë kontaktin e shputës së këmbës me pedalet”.

© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin