KUR TË EMANCIPON TJETRI (I)

Historia e Shqipërisë, për vitet 1945-1990, ka qenë edhe kronikë e izolimit progresiv të shoqërisë shqiptare nga bota mbarë, të shprehur si kufizim dhe ndërprerje marrëdhëniesh njerëzore, kulturore, ekonomike, politike, ideologjike, tregtare, teknologjike, akademike, artistike dhe punësimi.

Nëse në krye izolimi ndaj Perëndimit, ose botës kapitaliste, do të kompensohej nga një hapje zemërgjerë ndaj Lindjes komuniste, duke filluar nga Jugosllavia dhe duke vazhduar pastaj me kampin socialist, të organizuar rreth Bashkimit Sovjetik, pas vitit 1960 dhe ndërprerjes së marrëdhënieve me sovjetikët dhe satelitët e tyre, Shqipëria praktikisht ua mbylli dyert të gjithëve, duke ruajtur vetëm marrëdhënie relativisht të ngushta me R.P. të Kinës, të cilat kushtëzoheshin gjithsesi nga largësia e madhe gjeografike dhe kulturore që i ndante të dy vendet.

Gjatë viteve 1960-1980 izolimi ndaj Perëndimit e ndihmonte regjimin komunist për të ruajtur autoritetin e institucioneve dhe efikasitetin e marrëdhënieve sociale të krijuara rishtas, si dhe për t’u dhënë ‘kuptim’, në mos ‘domethënie’ privacioneve dhe sakrificave të shqiptarëve, të cilët po ndërtonin ‘të vetmin vend socialist në botë.’

Izolimi nuk do parë, pra, si efekt anësor i paparashikuar i totalitarizmit, por si kusht i nevojshëm që sistemi të mund të mbijetonte duke u riprodhuar dita-ditës.

Ky lloj distancimi nga bota ishte i rreptë, por jo hermetik; gardhi ishte i lartë, por jo i papërshkueshëm, në asnjërin prej të dy kaheve.

Perëndimi i zhvilluar komunikonte me Shqipërinë sidomos në lëmin teknologjik – disa nga veprat industriale madhore, që u ndërtuan në atë periudhë, shfrytëzonin teknologji të blerë drejtpërdrejt në Perëndim, ndonjëherë edhe me paratë e kredive ose të ndihmave kineze.

Teknologjia kërkonte edhe një elitë ekspertësh, në gjendje për ta kontrolluar; dhe kjo elitë nuk mund veçse të përgatitej në Perëndim gjithashtu.

Në përgjithësi, elitat teknokratike dhe politike në Tiranë i ruajtën disa kontakte me Perëndimin, të cilat kontakte edhe shërbenin drejtpërdrejt si shënjues të vetë përkatësisë së kontaktuesit në elitat. Të shkoje në Perëndim për t’u specializuar jo vetëm që do të ta ngrinte statusin për shkak të ekspertizës së fituar, por edhe në vetvete do të mjaftonte si provë e statusit më të lartë të fituar.

Masat, nga ana e tyre, komunikonin me botën e jashtme nëpërmjet mediave: radios në fillim, televizionit më pas (një nga ato raste kur mediat shërbenin edhe si mediume, për të komunikuar me të përtejmen); dhe regjimi nuk arriti dot kurrë që ta disiplinonte këtë lloj komunikimi njëkahësh, gjatë të cilit mesazhe të krijuara për një publik tjetër, përfundonin të dekoduara dhe të përdorura, me efekte të paparashikuara, nga publiku në Shqipëri.

Kishte edhe mënyra të tjera komunikimi: libra të vjetër dhe të rinj, revista të kontrabanduara, mallra në tregun e zi, kontakte me shqiptarët e mërguar, kontakte me shqiptarët në Kosovë dhe gjetiu në Jugosllavi, etj.; dhe të gjitha këto mënyra, duke qenë të kufizuara dhe rreptësisht të kontrolluara nga regjimi, do të krijonin një shtresë shqiptarësh, jo doemos elitare, që shërbente si ndërfaqe e komunikimit të Shqipërisë me botën.

Për shkak të izolimit të ashpër por jo total, Perëndimi merrte, për shqiptarin e zakonshëm, trajtat e një vendi mitologjik të bollëkut dhe të kënaqësisë, materiale dhe shpirtërore; një hapësire ku ligjet e veprimit dhe të kundërveprimit social ishin pezulluar dhe ku individi ishte me përkufizim i lirë për t’u realizuar, si mishërim i dëshirave të veta.

Ky Eden ishte njëkohësisht i pranishëm në mendjet tona dhe i paarritshëm; një dyzim që e bënte të paprekshëm nga çdo lloj përgënjeshtrimi dhe zhgënjimi me burim nga realja.

Shqipëria ishte vendi i vetëm në Europë (dhe një nga vendet e pakta në botë, krahas Kinës së Maos, Koresë së Veriut dhe Kamboxhias së Pol Potit), që e vuajti për disa dhjetëvjeçarë këtë gjendje izolimi të imponuar ose prej rezervati social, pikërisht në kohën kur planeti mbarë ishte duke u shndërruar, falë rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe të informacionit masiv, në një fshat global.

Sikurse e dimë, izolimi erdhi duke u zbutur gjatë gjysmës së dytë të viteve 1980, pas vdekjes së Enver Hoxhës (edhe pse ndoshta me Enver Hoxhën si autoritet total në krye të punëve hapja ndaj Perëndimit do të ishte kryer me siguri më shpejt dhe me përfitime ekonomike të mëdha); dhe pas përmbysjes së regjimit komunist, të gjitha barrierat që kishte vendosur shteti shqiptar ndaj botës u shembën, për t’u zëvendësuar nga barriera të tjera, më soft, që ia vuri përpara bota, dhe veçanërisht Europa Perëndimore, Shqipërisë dhe shqiptarëve të lëshuar nga zinxhiri.

Shumë gjëra kanë shkuar mbrapsht, në Shqipërinë e viteve 1990-2010, që nga shkatërrimi masiv i pasurisë publike, në degradimin e ekonomisë dhe të mjedisit, eksodin biblik drejt Perëndimit, zhvendosjen e pashembullt të popullatës drejt bregdetit dhe sidomos drejt Tiranës, katastrofën e shoqërive financiare të Piramidave dhe ‘viti i mbrapshtë’ 1997, krizën e autoritetit, pabarazitë sociale, dobësinë e institucioneve demokratike dhe paaftësinë e sistemit të ri politik për të funksionuar normalisht.

Protagonistë të këtyre mbrapshtive kanë qenë, në masën më të madhe, shqiptarët e formuar intelektualisht në vitet e izolimit totalitar, pavarësisht nga orientimi i tyre ideologjik dhe qëndrimi i tyre ndaj botës.

Përshkrimi i arsyetuar i efekteve të izolimit shqiptar; dhe i efekteve të hapjes dramatike të Shqipërisë ndaj botës në fillim të viteve 1990, ka nevojë për një model teorik, i cili deri tani ka munguar.

Nuk ka dyshim se, çfarë ndodhi pas shembjes së regjimit komunist në vend, shkaktoi një shock social dhe kulturor të pashembullt, meqë shoqërisë shqiptare, të kultivuar prej kohësh në inkubatorin ideologjik totalitar, i mungonin pothuajse krejt antitrupat për të përballuar kontaktin me botën përtej.

Nga ana tjetër, dekadat e kontaktit me intensitet të dobët, por të pandërprerë me Perëndimin, në trajtat e ecejakeve të elitave dhe të valëve radiotelevizive, kishin krijuar një imazh mitologjik për Perëndimin në vetëdijen kolektive të shqiptarëve, i cili ishte i tillë që të kushtëzonte, pas hapjes së dyerve, qëndrimet e miliona njerëzve ndaj botës së re përballë.

Kjo botë e re, tashmë e arritshme për të gjithë, ishte bota e një qytetërimi që shqiptarëve iu paraqitej si superior ndaj të tyrit në të gjitha pikëpamjet: këndej kishte skamje, andej pasuri; këndej shëmti, andej bukuri; këndej uri, andej bollëk. Epërsia e Perëndimit shfaqej vetvetiu në teknologji, në ekonomi dhe në kulturë; por edhe në politikë dhe në ideologji.

Brenda pak muajsh, shqiptarët filluan ta shihnin veten si nën-njerëz, ose si pariah-ët e Europës.

Krenarisë imbecile për socializmin ‘me forcat e veta’, vendin e vetëm socialist në botë, shtetin e vetëm të punëtorëve dhe të fshatarëve ia zuri vendin vetëdija se Shqipëria e viteve 1945-1990 kishte dështuar tashmë e tëra; dhe sakrificat e njerëzve paskëshin qenë jo vetëm të jashtëzakonshme, por edhe të kota.

Në të njëjtën mënyrë, paranojës totalitare dhe kompleksit qesharak të superioritetit, të viteve 1960-1980, ua zuri vendin nënshtrimi oportunist dhe servil ndaj çdo lloj agjencie të pushtetit të Jashtëm.

Tabloja e zhvillimeve gjatë 20 vjetëve të fundit mund të interpretohet, dhe në fakt është interpretuar si shembëllzim i përplasjes së kulturave, prej të cilave njëra është tepër inferiore ndaj tjetrës në lëmin teknologjik. Antropologët prej kohësh kanë treguar se këto përplasje kulturore, sa herë që kanë ndodhur në historinë botërore, kanë çuar në rrëgjimin, rrënimin dhe deri edhe zhdukjen e kulturës teknologjikisht më të prapambetur.

Janë shkruar me miliona faqe për efektet e kobshme të kontaktit midis fuqive europiane, si Spanja, Franca, Portugalia, Britania e Madhe, Holanda, etj. dhe kulturave anembanë globit; efekte që i ilustron më së miri katastrofa e qytetërimit aztek, në Meksikën e sotme, menjëherë pas kontaktit me spanjollët e forcës ekspedicionare të Hernan Cortés-it.

Ky lloj modeli vuan nga disa mangësi themelore: (1) së pari, shoqëria shqiptare e kishte një imazh për Perëndimin, edhe pse më shumë mitologjik sesa funksional; ndryshe nga aztekët ose amerindianët e tjerë, të cilët shfaqjen e europianëve në horizontin e tyre historik nuk mund ta interpretonin veçse si vërtetim të një profecie ose përsëritje të diçkaje që u kish ndodhur tashmë në të kaluarën e tyre mitologjike; (2) së dyti, shoqëria shqiptare ishte mbajtur vetëm pak dekada e izoluar nga bota dhe përndryshe ajo kishte ruajtur edhe një kujtesë kolektive për lidhjet e saj të dikurshme me Perëndimin, ndonëse statusi i të gjithë shqiptarëve, në raport me Europën, kish qenë liminal edhe në të kaluarën, për shkak të përkatësisë së tyre disashekullore në botën osmane; (3) së treti, shqiptarët e kërkuan kontaktin me Perëndimin shumë më fort se ç’e kërkoi Perëndimi kontaktin me Shqipërinë, në kuptimin që situata është e pangjashme me çfarë ka ndodhur, si rregull, gjatë kolonizimit të kulturave joeuropiane, gjatë shekujve të ekspansionit gjeografik; (4) së katërti, Perëndimi u përpoq madje vazhdon të përpiqet, me mënyra të ndryshme, që t’i qëndrojë larg përqafimit shqiptar, meqë interesi kryesor i Perëndimit, sa u përket shqiptarëve dhe Shqipërisë, ka qenë dhe mbetet që këta të mos lihen të rrezikojnë në ndonjë farë mënyre stabilitetin dhe paqen në rajon; duke u ndihmuar të ngrihen në këmbë dhe t’u dalin vetë zot punëve të tyre, por edhe duke u penguar, nëse është nevoja; (5) së pesti, hapja e dyerve ndaj Perëndimit (ose ‘ulja e brekëve’, në rastin më të keq) pas izolimit 30-40 vjeçar ndodhi në një kohë kur proceset sociale, anembanë botës, po varen në mënyrë kritike nga teknologjia e konsumit dhe mass mediat; dhe ku nevoja për konsumatorë po shfaqet si më e ngutshme se nevoja për krah të lirë pune ose hapësirë për të kolonizuar.

Në këto rrethana, kur konflikti midis shqiptarëve dhe botës (Perëndimit) përthyhet në trajtat e konfliktit midis Perëndimit si imazh mitologjik dhe Perëndimit si agjenci reale (historike),  duhet të eksplorojmë mundësinë e një modeli tjetër, me fuqi shpjeguese më të madhe sesa modeli i kontaktit kolonial klasik.


Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin