NËNË TEREZA E SHPËRDORUAR (II)

Veprimtaritë kremtuese të 100 vjetorit të lindjes shënuan një kthesë në kultivimin e figurës së Nënë Terezës në kulturën shqiptare. Deri më 2010 veprat përkujtimore për të Shenjtën tonë u drejtoheshin, edhe pse në mënyrë implicite, kryesisht të huajve, e vetëm si refleks i drejtoheshin publikut të brendshëm. Nuk është e rastit që aeroportit të Rinasit, pra pikës kryesore të kontaktit me të huajt, iu dha emri i saj.

Madje edhe kur veprimtaritë kulturore, me në qendër Nënë Terezën, kishin si marrës qytetarët shqiptarë, ndihej prania e heshtur e publikut ndërkombëtar, nëpërmjet riskatos legjitime të shqiptarëve përballë stigmatizimit ndërkombëtar të identitetit të tyre kombëtar.

Duhet pohuar se në kushtet e një imazhi negativ mediatik për shqiptarët kudo në botë, nuk ka asgjë të gabuar, në përdorimin e emrin të saj, si reagim i induktuar, për t’i treguar botës se në hapësirat shqiptare kanë lindur personalitete të mëdha planetare. Nga kjo pikëpamje kuptohen më qartë flamurët kuqezi dhe emigrantët e shumtë shqiptarë në sheshin San Pietro të Romës, ku u bë lumnimi i Nënë Terezës më 19 tetor 2003. Për hir të së vërtetës duhet shtuar se kahu i kultivimit kulturor të figurës së Nënë Terezës nga jashtë brenda, dhe nga lart poshtë, është diktuar nga historia, pra ishte si të thuash një shteg i detyrueshëm. Së pari, regjimi komunist nuk e lejonte fenë, palé aktivitetin e një murgeshe katolike. Në kohën e totalitarizmit, për atë ekzistonte një blak-out i plotë informativ. Së dyti, Nënë Tereza ishte figurë botërore, mediatikisht e lindur dhe e rritur jashtë shtetit, pikërisht në agimet e globalizimit, kontaktet me të cilin Shqipëria i kishte nëpërmjet elitës së vet.

E pra, festimet e vitit 2010 patën si objektiv kryesor përcjelljen e mesazheve të shenjtores shqiptare pranë qytetarëve shqiptarë. Shembujt janë të shumtë, nga banderolat nëpër rrugë me citatet e saj, deri tek koncerti “Rruga e jetës sime” në Teatrin e Operas dhe Baletit (me recitimet në shqip nga aktorja Roza Anagnosti), ekspozita “Nënë Tereza midis qiellores dhe tokësores”, pa përmendur projektin “Rruga e Paqes”, albumin muzikor, apo meshën e posaçme në Vaun e Dejës. Nga pikëpamja e publikut, përhapja e veprës së Nënë Terezës, pati një farë riekuilibrimi, çka dëshmon edhe një pjekuri e përgjegjësi në përdorimin e figurës së saj. Ajo nuk i prezantohet më botës vetëm si kartëvizitë e kombit, zbukurim folklorik kombëtar, apo si makijazh i imazhit të keq. Paraqitja e shenjtores e drejtpeshon planin ikonik, figurativ, instrumental, për t’u fokusuar më tepër drejt kumtit e thelbit të veprimtarisë së saj.

Më kuptimplotë si veprim kulturor rezulton emetimi i pullës postare në tri shtete njëkohësisht (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni) me imazhin e shenjtores. Pulla është një nga ato mjete komunikimi figurativ që u drejtohet si shtetasve të vendit, ashtu edhe të huajve. Përveç kësaj duhet regjistruar, për herë të parë, akti kooproduktiv midis tri vendeve, çka simbolikisht nënkupton kapërcimin e kundërshtive lidhur me prejardhjen e shenjtores. Natyrisht, duhet pranuar fakti se filatelia nuk e ka pushtetin e dikurshëm monopolist të komunikimit. Gjithsesi, mbetet një nga mjetet më efikase të shpërndarjes së informacionit historik, kulturor, gjeografik, identitar. Pullat, gjithashtu, fotografojnë çastet më të rëndësishme historike të një vendi, por ndryshe nga fotografitë që kyçen në albumin e radhës, ato përcillen anembanë botës. Ato shndërrohen në vend kujtese e jo rrallë kanë fatin të vlerësohen në koleksionet e pasura të filatelistëve.

Kultivimi i figurës së Nënë Terezës duhet të kalonte pashmangshmërisht nga një proces laicizues, për arsye se kultura shqiptare, për vetë tiparet e saj historike, e ka më të lehtë t’i metabolizojë personazhet që nuk njëjtësohen vetëm me një fe të caktuar. Nga ana e vet, katolikët shqiptarë mund ta adhurojnë kultin e Nënë Terezës sipas kanoneve fetare, duke kaluar edhe nga faltoret, por ky model nuk mund të transferohet në kulturën kombëtare. Ngjashmëritë midis Skënderbeut e Nënë Terezës duhen parë edhe në aftësinë e këtyre figurave për t’u “kombëtarizuar” përtej identiteteve fetare. Nënë Tereza vërtet nuk i jetoi aventurat e heroit kombëtar, duke kaluar nga një fe në tjetrën, por vepra e saj bamirëse u realizua kryesisht në vende pa shumicë katolike. Figura e saj sintetizon elemente ekumenike e ndërfetare, që dallohen lehtë jo vetëm në kredon e veprimtarisë së saj, por edhe në veshjen karakteristike. Katolicizmi i Nënë Terezës nuk perceptohet në Shqipëri në mënyrë të njëtrajtshme, por vlerat njerëzore që ajo përfaqëson perceptohen njëlloj. Ata që e metonimizojnë katolicizmin e saj për t’iu kundërvënë nga pikëpamja e dasive fetare, tradhtojnë dashakeqësi në rastin më të keq, e keqkuptim të figurës së saj në rastin më të mirë.

Nga ana tjetër, figura e Nënë Terezës i huazohet më së miri kombëtarizimit, në atë masë që iu huazua ndërkombëtarizimit, sepse ajo vetë u rrit si figurë botërore në një realitet plurifetar dhe fitoi jehonë mediatike planetare falë mishërimit të vlerave më të mira njerëzore. Dallesa midis kombëtarizimit dhe nacionalizimit, në rastin tonë, është thelbësore. Procesi i parë e ngulit dhe e kultivon figurën e Nënë Terezës në kulturën e sotme shqiptare, pa e nacionalizuar ose më mirë pa e privatizuar në nivel kombëtar. Ndryshe nga i dyti, procesi i parë nuk i kërkon ekskluzivitetin Nënë Terezës, por përpiqet sinqerisht që shoqëria t’ia përvetësojë vlerat, jo famën. Orvatjet e fqinjëve, ose të dikujt tjetër, për të na lënë në llucën e debatit të origjinës, kanë shije sabotuese, sepse synojnë ta ndalin procesin e kultivimit të saj në kulturë. Gracka është e përkryer për ne ballkanasit, që jemi edukuar që në djep me obsesionin e prejardhjes etnike. Kjo grackë na detyron të mbetemi “vend numëro” nga pikëpamja kulturore, sepse na bllokon në një stad zhvillimi fëmijëror. Pa kujtuar faktin se shenjtorja e pati deklaruar qartë prejardhjen e vet, gjithsesi mjaftueshëm sa të na lejonte të mos rrinim me kokën mbrapa. Në këtë kuadër, diskutimet nëse dinte shqip apo jo, nëse ishte shqiptare apo jo, zbrazen automatikisht e bëhen pa kuptim.

Edhe tentativat çmitizuese, që kanë synuar t’ia nënvizojnë karakterin artificial kultivimit të figurës së Nënë Terezës, njëlloj siç patën bërë me Skënderbeun, duhet t’i ndajnë planet e debatit. Sepse nuk ka asgjë të “natyrshme” në ndërtimin e një figure kombëtare, në të gjithë botën, në të gjitha kulturat. Procesi “artificial”, d.m.th. kulturor, pra njerëzor, mund të shpjegohet fare mirë nga studiuesit, por kjo nuk mund të shndërrohet në një delegjitimim, ose aq më keq me mospërfillje snobiste, të figurave që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar. Sepse forca e gravitacionit mund të shpjegohet shkencërisht, por pastaj edhe duhet respektuar po nuk deshe të jetosh në hënë, ose në orbitë. Këto tentativa janë të ligjshme, në atë masë që respektojnë bindjet e tjetrit; janë emancipuese, në atë masë që zbulojnë iluzionin kulturor; por nuk mund t’i aplikohen çdo lloj projekti a figure. Tjetër gjë janë debatet e frytshme e konstruktive, që prekin aspekte sociokulturore detyrimisht përbërëse të këtyre proceseve të ndërlikuara.

Keqkuptimi që ka shtyrë, ndoshta në mënyrë të vetvetishme, orvatjet dekonstrutive, e ndoshta debatet e tjera, ka lindur si reagim ndaj përpjekjes për instrumentalizimin e figurës së Nënë Terezës. E jo vetëm nga ana e politikës. Mirëpo këtu po kalojmë nga fusha e përdorimit tek ajo e instrumentalizimit, çka i ndan një hendek i stërmadh. Nga të gjitha llojet e instrumentalizimit, ai me karakter politik shkakton më shumë reagime. Spektakli shijakeq i klasës politike shqiptare, që iu paraqit qytetarëve e përçarë gjatë kremtimit të fundit, dëshmoi se nuk ekziston ndonjë projekt i përbashkët kulturor për Nënë Terezën. Dëshmoi gjithashtu se vetë palët politike e institucionale dyshojnë tek njëra tjetra për instrumentalizim të figurës së shenjtores, ndërkohë që duhet të kishin punuar së bashku për një laicizim të figurës së saj edhe nga pikëpamja politike. Nga ana tjetër, ky instrumentalizim urrehet nga publiku, sepse ky e percepton lehtë hipokrizinë e thellë, ngaqë vepra e Nënë Terezës është diametralisht e përkundërt me çka bën një pjesë e politikës dhe e klasës drejtuese shqiptare. Përdorimi i keq i shenjtores shqiptare nga ana e politikës, në trajtë vetëpromovimi publicitar ose steme në xhaketë, pra për arsye të ngushta, është i papranueshëm etikisht dhe i dënueshëm fetarisht.

Jo vetëm instrumentalizimi, por edhe dizomogjeneiteti i veprimtarive, përmbajnë rrezikun e retorikës, që e gërryen nga brenda figurën e saj, duke ia lënë statujën pa bazament. Vetë kremtimet do të shndërrohen në ritualitete boshe në rast se mungon vijueshmëria dhe projekti kulturor, por më shumë vullneti për t’i çuar përpara vlerat e saj. Katedralet mediatike që ngrihen me pompozitet në rast kremtimesh janë më të rrezikshme se heshtja vetë. Kjo e fundit, të paktën nuk ofron alibinë e vëmendjes, as gjethen e fikut për krizën e tmerrshme të njeriut. Në qoftë se ideja është që Nënë Tereza të bëhet ikonë e shqiptarizmës moderne, kjo duhet të vijë natyrshëm, nga “shenjtërimi” i saj në shoqëri, nga përbrendësimi dhe respektimi i vlerave të saj. Përndryshe, do të kemi një ikonë të mangët, pa përmasën e tretë, pa idealet të cilave ajo u kushtoi gjithë jetën.

Rrëfejnë se kur një gazetar amerikan, duke e parë Nënë Terezën tek lante një njeri plot plagë në trup, thërriti: “Unë s’kisha për ta bërë as për një milion dollarë!” Ajo iu përgjigj duke qeshur: “As unë!”. Për dikë me mendësinë e gazetarit amerikan, pra për shumicën e njerëzve, veprimtaria e Nënë Terezës është mister, sepse nuk shpjegohet me terma materiale, nuk ka prapaqëllime, nuk ka leverdi. Në Shqipërinë e sotme, ku mbizotëron kulti i parasë dhe materializmi i skajshëm, është akoma më e vështirë të kuptohen aktet e dhurimit ndaj tjetrit, dashuria pa kushte për tjetrin. Për t’ia shpjeguar këto koncepte shoqërisë shqiptare, duke filluar në shkolla, mund të përdoret p.sh. vepra e Shenjtores sonë, çka do të na e falte edhe vetë Nënë Tereza, por shpërdorimin e pasurisë që ajo përfaqëson nuk do të na e falte askush.

Nuk ka komente

  1. Me gjithe respektin per kohen e shpenzuar duke i dedikuar shkrime pas shkrimesh figures se Nene Terezes, a mendoni (Xha xha) se mos eshte tepruar disi me kete subjekt ne blogun tuaj?.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: