STANDARDI YNË DHE PLANIFIKIMI GJUHËSOR III

nga Eda Derhemi

Pjesa 1 – STANDARDE DHE REGJIME GJUHËSORE

Pjesa 2 – STANDARD DHE IDEOLOGJI POPULLORE

 

Kanale të ndryshme ku diskutohet për nëntema të shqipes standard

U bë disa javë që Peizazhe të Fjalës mban një peshë kombëtare që nuk po e mbajnë institucionet në diskutimet që janë ringjallur për letrarishten që u formësua pas Kongresit të Drejtshkrimit të 1972-shit. Të pafinancuar për një debat të kësaj rëndësie, drejt tyre kanë gravituar në mënyrë të paorganizuar gjuhëtarë e të interesuar që kanë nevojë të thonë diçka ose që mendojnë se rëndësia e asaj që po ndodh nuk i le dot më në heshtje apo të plogët. Më vjen mirë edhe që mendimet që janë shtjellë, shpleksur e ripleksur tek Peizazhet, nuk janë të njëjta, dhe shpesh shpalosin anë të ndryshme të problemit. Sa herë vjen diçka e re, shtyhem të qartësoj a çapitem më tej. Është një diskutim ku japim e marrim pa qenë dakord në gjithçka që diskutojmë, por duke dashur të ruajmë e të ndërtojmë atë që në këtë çast është e pasigurt, pa përdorur gjendjen jo të mirë në përdorimin e gjuhës së përbashkët, për të dhënë shkelma institucionalë. Por – për të prodhuar kuptim konstruktiv, që pastaj të drejtojë te një praktikë me bukë.

Unë vetë, do doja të dija më shumë për konferencën e Kosovës dhe atë në Akademinë e Shkencave në Tiranë, mbajtur për këtë temë. Jo edhe aq për “rëndësinë” e Kongresit ’72 apo “tinëzinë” e tij, se sa për çfarë propozohet të ndryshohet dhe si duhet bërë që shqiptarët të mund të realizohen më mirë gjuhësisht në standardin e vet, si të shkruajnë pa pengesat që vërehen në jonormativitetin e shkrimit masiv. Për mua kjo nuk është çështje drejtshkrimi, edhe pse e lidhur me të; është çështje e zhvillimit të një arsyetimi koherent dhe lirie shprehëse tekstuale me përmasë kombëtare, që në këtë çast është e lënduar dhe pa njësi të hijshme e të besueshme në përdorim – gjuha e njësuar letrare shqipe sot përdoret shatra-patra. Dialektet përdoren edhe më keq. Ndaj informimi rreth këtyre debateve institucionale (si para, si pasi të ndodhin) duhet të jetë i plotë, se edhe kur nuk kuptohen apo analizohen krejt prej njeriut jo-specialist, ato i interesojnë fort edhe jo-specialistit që është në fakt ai nëpërmjet të cilit gjuha, në çfarëdo forme, bëhet realitet. Siç janë shkrimet të lira për t’u konsultuar në Peizazhe, duhet të kishim mundësinë të lexonim kur donim edhe sa u tha në kumtesat e konferencave që përmenda. Facebook-u mund të përdoret si një ndër rrugët që lejon përhapje të kumtesave, por është kundërproduktive që ky informim t’i lihet ekskluzivisht Facebook-ut të individëve, ku gjasat janë të denigrojë në informacion të keqkuptuar e -interpretuar, ose në disinformacion për gjithfarë larje hesapesh personale apo historish me konspiracion brenda. Kjo bëhet edhe më e nevojshme në një situatë kur televizionet, medium i ndjekur fort në Shqipëri, janë të paaftë të ndërtojnë emisione që divulgojnë shkencën, dhe gazetarët nuk kanë përgatitjen që të dallojnë ekspertin nga dordoleci. Kujtoj para një jave vënien përballë prej Euronews Now, të Rami Memushajt, një profesor gjuhëtar në pension që ka një jetë që merret me studimin dhe analizën e letrarishtes, me një krejt të paditur të fushës, i prezantuar si gjuhëtar – Agron Dalipaj. Edhe nga rruga të ish intervistuar një njeri i rastit, do kish qenë më i saktë. Ia qava hallin Ramiut si nuk e dha hiç veten para kamerave, teksa dëgjonte broçkulla.

Ndërkaq A. Vehbiu, që ka sjellë analiza kritike për standardin në PtF qëkurse ky medium iu hap publikut, vijëson në masën e diskutimeve të fundit një linjë lidhëse që herë paraprin, herë ndjek spontanitetin e tematikës dhe të shtjellimeve. Kjo linjë ka krijuar tri grupime tematike të shkrimeve lidhur me standardin: 1. A duhet dhe përse duhet standardi 2. A duhet/volet të ndryshojë dhe si/çfarë duhet të ndryshojë në standard, dhe  3. Përse nuk po rezulton i suksesshëm përdorimi i standardit. Kjo ese e imja që ndjek dy të mëparshme mbi standardin si koncept teorik dhe si përjetim popullor, kontribuon në grupimin e tretë tematik. Vehbiu përsiat dhe ndjek këto mundësi: a ka një problem në mënyrën e përpilimit të rregullave të drejtshkrimit që i bën shqiptarët të mos shkruajnë mirë? Këtë e mbështet me një argument që popullsi të tjera e shkruajnë më mirë gjuhën e vet nga ç’e shkruajmë ne tonën. Besoj këtë argument e bazon në eksperiencat e veta me gjuhë të ndryshme të hasura prej tij, që mendoj se janë gjuhë që janë shkruar si të kodifikuara prej qindra vjetësh, që kanë një elitë dhe tërësi popullore shkruese shumë më të mirë-mësuar sesa ne në Shqipëri, për mirëmbajtjen normative të të cilave kujdeset po prej shekujsh një grup i kualifikuar vëzhguesish që ndjek jetën e varianteve, dhe derdhet para e vazhdueshme institucionale. Një tjetër mundësi që Vehbiu ndjek është: a e nxënë sa- e si duhet gjuhën e përbashkët shqiptarët. Ai merret më shumë me të parën ndër këto dy mundësi. Unë dua sa ta cik të parën, por kryesisht do merrem me të dytën.

A e shkruajmë dot?

Besoj duhet të nisim nga pyetja “a e kemi shkruar dot ndonjëherë?”. Gjatë jetës sime shkollore që ka zgjatur thuajse e gjitha gjatë periudhës së standardit (unë e nisa klasën e parë pesë vjeç e gjysmë, më 1 shtator 1969) kam parë njerëz plot që e kanë shkruar dhe madje edhe folur shumë mirë standardin, sido që jo aq sa duhet të kishin qenë. Unë i takoj një brezi që bënte “gjuhë” si lëndë edhe në gjimnaz, dhe pastaj duke qenë ajo dega që mora, nuk u shkëputa më. Përpjekjet për ta shkruar mirë “standardin” i kam parë të kurorëzuara jo keq mes atyre që kam pasur përreth. Por mënyra si standardi ”mësohej”, së shumti kufizohej në lëndë specifike dhe reduktohej në mësim rregullash, sido që të gjitha tekstet ishin të shkruara në standard. Kam takuar shpesh veriorë me shqipen standard të bukur. Dhe këtu nuk e kam fjalën për Rexhep Ismajlin që, nëse do, askush s’e merr vesh që është i lindur me gegnisht dhe as Kosovar, por për një emigrant nga Kosova që bënte gjermanisht në të njëjtin grup me mua në Volkshochschule në Köln në 1993, dhe që vinte nga një fshat i thellë përtej Pejës, por që fliste një shqipe standard si ta kish mësuar gjithë jetën në Shqipëri. Vinte e më pyeste për rregulla shkrimi e qahej se s’kish mundur kurrë ta mësonte në shkollë; kish bërë disa kurse, por kryesisht punonte vetë. Edhe për plot veriorë e jugorë që i kam takuar në shkollë e nëpër fshatra larg shkolle. Edhe për Arbëreshë që i janë futur me zellin e vet. Sapo iu referova grupeve që janë larg së marri një edukim të mirë shkollor sistematik në gjuhën standard. Janë të gjithë një kategori që do kenë shfaqur probleme e pasiguri më pas. Çfarë i bashkon të gjithë këta, është dëshira për të mësuar gjuhën standard; dhe kjo jo për një interes të veçantë. Por gjuhët standard nuk mësohen dot masivisht nga qejfi ose dashuria për gjuhën kombëtare. Nuk mund t’u lihen në dorë individëve, sido që lëvizjet më të frytshme janë ato ku mobilizimi ndodh nga poshtë e jo nga lart. Folësit nga të gjithë krahët rrymojnë drejt standardit, sepse u krijohen kushte, si edhe detyrime institucionale për këtë. Ca detyrime, tek ne ka pasur (për një kohë), por, sa për kushtet, këto kanë qenë gjithnjë të mangëta, sidomos pas vitit 1990, kur shkolla e niveleve të ndryshme, edhe pse u lirua nga burgosja ideologjike, degradoi si proces dhe metodë mësimdhënieje. Lufta për ekzistencë e pasuri e nxori në plan të 179-të mënyrën e shprehjes me gojë e shkrim. Para se të flas për shkollimin, që për mua është shkaku themelor i pasigurive në përdorimin e standardit tek ne, dua të përmend si e shpjegon Sue Wright, një specialiste në planifikim gjuhësor (e njohur si pro-minoriteteve gjuhësore), si kryhet natyrshëm rendja pas standardit dhe përvetësimi i tij në shtetin-komb.

Sue Wright[i] (2016: 47-52) e shpjegon këtë me tri arsye: Gjuha standard që bëhet medium themelor i komunikimit politik dhe ekonomik, teksa demokracia hedh hapa e forcohet, ka së pari një rol utilitar: qytetarët trajnohen në sistemet e tyre të edukimit që të bëhen të aftë në përdorimin e gjuhës dhe që të lejojnë përhapjen e saj. Ata e zotërojnë standardin, sepse krejt çfarë nxënë në shkolla u vjen nëpërmjet tij, dhe shpresohet që interesi personal do i bindë të pranojnë konvergimin dialektor, ose edhe shmangien drejt një tjetër varianti, gjersa kjo nënkupton për ta avancim shoqëror dhe punësim në fashën qendrore të shoqërisë. Së dyti, është vlera simbolike: një gjuhë e njësuar besohet se krijon kohezion ndër përdoruesit, dhe kjo i ndihmon qytetarët të bashkëndajnë po atë kulturë. Ndjenja e të përkiturit i lidh përdoruesit e standardit dhe i bën të ndihen pjesë e kombit. Së treti, nëse mund të dëshmohet se gjuha e grupit është po ajo, sido që mes shumë varietetesh, dhe e ndryshme prej gjuhëve fqinje, kjo është edhe prova që kemi të bëjmë me një komb më vete.

Motivimet 2 dhe 3 për përdorimin e standardit përpiluar prej Wright më sipër, janë treguar motorë të fuqishëm për shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni. Por folësit dhe shkruesit në Shqipëri, pak ose aspak kanë shfaqur përkushtim për to pas 1972-shit, sido që ne qartësisht kalonim atëherë, dhe mbetemi ende sot, në një proces formues të shtetit-komb. Por faktori i parë duhet të mbetej fort motivues edhe tek ne. Wright, po aty, shpjegon: standardi u rrënjos sepse ligjet kombëtare e bënë atë të detyrueshëm, dhe sistemet shkollore dhe ushtria e bënë të vetin. Dhe u përhap, sepse, kush qe ambicioz, mësoi gjuhën e pushtetit dhe të rritjes shoqërore, ndërveprimi më i shpeshtë mes qytetarëve i ndryshoi praktikat gjuhësore, sepse gjuha e shkruar u njësua nëpërmjet shtypit industrial dhe alfabetizimit (shkrimekëndimit) masiv, e sidomos sepse ideologjia kombëtare e bindi shumicën e grupit që ta pranonte standardin.

Pra mbetemi gjithnjë të varur dhe me sytë nga motivimi nr. 1: roli utilitar i standardit dhe detyrimi që nëpërmjet shtetit dhe shkollimit pritet të jetë ngjitës. Që të dy kanë qenë historikisht mungesorë, dhe mbeten sot e gjithë ditën pa aq të mangët në Shqipëri, për arsye krejt të shpjegueshme. E para, shkolla jonë është ende e re dhe problemet e saj si e tillë janë inherente – ajo ende vuan për metodologji moderne, për mësues të përgatitur, dhe për traditë e prestigj, për një sistem modern provimi e vlerësimi të nxënësve. Unë mbaj mend në të gjitha nivelet e shkollimit (pra para vitit 1990) mësues që bënin gabime në shkrim, edhe kur e njihnin lëndën e vet. Sot cilësia e shkollimit të vazhdueshëm nëpërmjet standardit ka rënë, siç ka rënë vetë roli i shkollës dhe i nxënies në të. Cilësia e atyre që shkollohen në mësuesi është ndër më të ulëtat historike, lidhur edhe me rënien drastike të notës mesatare që është kusht joshës por jo garantues cilësie hyrjeje në këto shkolla. Edhe këtu mund të them prapë se njoh mësues të rinj të cilëve u mungojnë njohuritë bazë të të shkruarit normativ. Por ata vijojnë të punësohen. T’u shtojmë këtyre kushteve faktin që Shqipëria është një vend me përbërje të thellë e të gjerë fshatare, ku qyteti dhe kryeqendra si hapësirat ku standardi bëhet i fuqishëm dhe thith më kollaj individin, janë edhe sot të dobëta. T’i shtojmë sidomos edhe përzierjen e madhe të pas 1990-ës dhe rritjen e diversitetit etno-gjuhësor në qendrat qytetare që e destabilizuan edhe më fort normativitetin e standardit, që e ka thelbin e vet të lidhur me qytetin dhe modernitetin global, e që ndërkaq gjithsesi kishte përdorim të lëkundur. E njëjta gjë ndodh me shkruesit nëpër institucionet shtetërore, përveçse shkollës. Është po ky material njerëzor, tipikisht mediokër, shpesh i futur me mik, që sigurisht lë gjurmën e vet në mënyrën si shkruhet dokumenti zyrtar. Në lëmin e mediave nuk është gjendja ndryshe, sidomos me kërpudhëzimin e televizioneve dhe mungesën e një kodi të fortë praktike gjuhësore në to.

Përveç gjithë këtyre mangësive që lidhen me praktikën e standardit tek ne, dhe natyrën e pashmangshme preskriptive e sistematike të mënyrës si ai mësohet të shkruhet vit mbas viti duke ndjekur norma e rregulla, dua të shtoj çfarë më duket mua një problemi i madh i përgatitjes së përdoruesve të standardit në shkollën tonë. Ne nuk praktikojmë sa duhet shkrimin nëpër shkolla, dhe jo shkrimin mekanik si diktim apo si kopjim teksti, por si një organizim i lartë tekstual relativisht i gjatë, logjik e kulturor prej individit. Këtë kisha parasysh në hyrje të kësaj eseje, kur thoja që “për mua kjo nuk është çështje drejtshkrimi, edhe pse e lidhur me të; është çështje e zhvillimit të një arsyetimi koherent dhe lirie shprehëse tekstuale”. Kjo mangësi (e imja) më ka bërë përshtypje së pari kur erdha në USA. Nuk dija ta organizoja idenë time me shkrim që prej parashtrimit fillestar të asaj që doja të shkruaja, e më pas të kaloja në disa faza dhe të ndërtoja një strukturë të qëndrueshme faktesh dhe argumentesh që të më çonin qartë dhe pastër në një përfundim të provuar me logjikë të mjaftueshme. Dhe nuk e kam fjalën për shkrimin shkencor, por çfarëdo shtjellimi me shkrim i një teksti të plotë e të mëvetësishëm. Aq e aq hartime kishin qenë thjesht kuturisje estetike me shumë zbukurime dhe emocione, me figuracion të admirueshëm, por me ndërtim klishe e të pafuqishëm. Shkruanim mjerisht ato tema të mjera, pa ide paraprake si duhej ndërtuar një tekst, pa komente ndihmuese, pa kritikë. Por edhe hartimet patën mbaruar herët. Ne nuk e njihnim esenë, nuk e njihnim atë që amerikanët në shkollën e mesme dhe universitet e quajnë ‘paper’, nuk njihnim forma të domosdoshme të organizimit të idesë në të shkruar që janë bazë për të mbaruar një shkollë e për të mësuar vërtet si shkruhet. Kjo praktikë e munguar do bënte që pastaj standardin të mos e kishim si mësim mekanik rregullash, përjashtimesh e domosdoshmërish, por si praktikë që rrënjosej e që lidhej me funksione të prekshme që na vlenin. Fatkeqësia është që ende sot është po kështu. Shkrimi mekanik dhe jo kritik mbizotëron në çdo nivel; universiteti ende ka si masë bazë vlerësimi provimin me gojë; gjimnazistëve u kërkohet të japin një provë moderne të të shkruarit në fund të shkollës, pa u mësuar kurrë si shkruhet në mënyrë koherente dhe argumentative. Sigurisht që pjesa më e madhe e gjimnazistëve e shohin veten keq në atë provë me shkrim! Në këto kushte, njohja e standardit – në kuptimin që i jep shumica, pra si rregulla drejtshkrimi – duket halli më i vogël që kemi.

Ka edhe diçka që nuk mund të mos konsiderohet si faktor: sa vonë nisëm ne ta shkruajmë gjuhën në masë, sa vonë patëm një standard që u bë i detyrueshëm masivisht, sa boshllëqe kemi ende ngado që përdorimi i standardeve do merrte fuqi. Ndaj nuk më duket e guximshme të pohoj se arsyeja e lëkundjeve në standard, ndryshe prej përdoruesve që kanë norma dhe kultura shkrimi disa-qindra vjeçare, sisteme shkollimi po aq të vjetra, dhe popullsi që nuk nisën të ballafaqoheshin me dijen e shkruar dje, nuk janë rregullat problematike të kodit, por arsye të tjera që do donin shumë më tepër mobilizim kolektiv e individual, dhe pa dyshim edhe mobilizim institucional, për të sjellë rezultat. Thënë këtë, nuk thashë që rregullat e shkrimit normativ të shqipes nuk ka nevojë të preken. Them, thjesht se nuk janë normat që mbajnë barrën e mëkatit. Sido që anglishtfolësit kanë një njohje të normave të shkrimit me të cilat punohet fort që në kopsht, më ndodh jo rrallë të shoh studentë lindur në Amerikë, që bëjnë gabime në të shkruar; plot herë pastaj ndër të rritur të paedukuar mirë. Ndërsa im shoq, që ka nivel njohjeje të anglishtes shumë më të lartë se i imi, bën shpesh gallatë me mënyrën si gabohet në ortografi (madje edhe në sintaksë) nëpër mediat qendrore amerikane. Frekuenca dhe llojet nuk kanë të krahasuar me gjendjen e keqe të Tiranës, sidoqoftë. Pa pasur një studim për t’iu referuar, do thoja që Italia, që ka një standard ndër më të gdhendurit, dhe gjimnaze më të serta se ato amerikane, ka edhe më shumë probleme sa Amerika në shkrimin normativ.

Implementimi i standardit dhe planifikimi gjuhësor – status, korpus, edukim, dhe prestigj

Arrij kështu në arsyetimin e fundit që dua të shpreh në këtë ese, dhe pyetjen e fundit që hedh për konsiderim prej lexuesve: sa përkon implementimi i standardit tek ne me modelet teorike ngritur mbi praktikat e mëparshme dhe ato bashkëkohore? E bëj këtë pyetje për të mbërritur tek çfarë nuk shkon me procesin e përdorimit të Standardit tek ne para dhe pas 1990-ës; përse rizgjohet fort çështja e standardit sa herë arrijnë vite që mbarojnë me dysh; dhe si mund ndryshohet gjendja për më mirë, tash dhe përtej në kohë.

Desha t’i rri larg një tjetër modeli teorik – planifikimit gjuhësor[ii], tejet të njohur e të përdorur ndër gjuhëtarë dhe sociologë, si edhe politika-ndërtuesve të një shteti-komb, në lidhje me zhvillimin e standardit gjuhësor. Por pa e sjellë atë në vija të trasha, nuk do mund të flas për mënyrën si u krye ky në Shqipëri.

Ndër kryesorët[iii] që hodhën themelet e teorisë moderne të planifikimit gjuhësor (dhe që përdorën në mënyrë konsistente termin) janë Haugen (1959 dhe 1966)[iv] dhe Kloss[v] (1969). I pari përshkroi fazat themelore të planifikimit të standardit në një shoqëri tradicionale (një-gjuheshe): seleksionimin e kodit që duhet zhvilluar, kodifikimin (formimin e normës në subsistemet gjuhësore), përpunimin e funksioneve për t’u përdorur në fusha të ndryshme, dhe arritjen e pranimit të standardit prej komunitetit (komuniteteve) folës (-e), dhe rritjen e prestigjit të tij. Ndërsa Kloss ripërdori emrin ‘planifikim’ dhe krijoi dy ndarjet e mëdha që vazhdojnë të mbizotërojnë ende sot: planifikimi i statusit dha ai i korpusit gjuhësor. Haugen u referohej fazave të planifikimit, ndërsa Kloss e vështronte nga perspektiva e niveleve themelore si volum pune. Si këta, si të tjerë pas tyre, kanë këmbëngulur të thonë se ndarjet janë më shumë për lehtësi perceptimi teorik, dhe se në realitet ato janë të ndërlidhura dhe me efekte të panumërta mbi njëra-tjetrën. Duhet të shtoj se, nëse në vitet kur terminologjia u shfaq në botë, ajo lidhej me gjuhën standard, me kohë, planifikimi gjuhësor u zgjerua të lidhej me qëllimin dhe përpjekjet për të ndryshuar gjendjen e një gjuhe/varianti (në lidhje me të tjerat përreth) dhe sjelljet gjuhësore të folësve. Planifikimi i statusit ka të bëjë me legjitimimin e gjuhës nëpërmjet funksionesh shoqërore të reja e më qendrore që bëhen të detyrueshme dhe I japin rol të ri shoqëror variantit që diskutohet – në rastin e standardit, ky bëhet i detyrueshëm nëpër shkolla dhe gjithë institucionet shtetërore. Dhe, më pas, ndiqet përdorimi i tij i rregullt në këto institucione. Planifikimi i korpusit është “modelimi i trupit” të standardit në të gjitha nivelet gjuhësore (të kodit) që nga drejtshkrimi e drejtshqiptimi, vendosja e normave gramatikore, tek ndërtimi i trupit leksikor të gjuhës e modernizimin (korpusit të fjalëve), tek rregullat e përdorimit, tek ndërtimi i fjalorëve dhe manualëve që pasqyrojnë dhe katalogojnë modelin e krijuar. Planifikimi i korpusit, do llërët e gjuhëtarëve dhe historianëve të gjuhës. Por, për një standard të qëndrueshëm, duhet edhe që të jenë jo vetëm njerëz që njohin mirë gjithë lëvizjet historike dhe psetë e elementeve gjuhësore, por që kanë një sens të hollë të kapin logjikën e lidhjeve mes varianteve, psikologjinë dhe sjelljen e komuniteteve folës, imazhin kolektiv të kombësisë së grupimeve të ndryshme popullore, nevojat kulturore, ekonomike, demografike e socio-gjuhësore të momentit, raportet mes varianteve, dhe lidhjen e tyre me njerëzit dhe shkrimin; pa duhet të jenë edhe njerëz me mendje të hollë e të hapur, të aftë të balancojnë mes historikes që jeton dhe asaj që vdes, mes komplekses dhe ekonomikes, mes paluhatjes dhe tolerancës – që, që të dyja, mund të jenë qëndrimet e duhura sipas rastit. Ndaj edhe Hogan-Brun[vi] e konsideron planifikimin gjuhësor si ndër ato procese tejet të ndërlikuara, që do kishin nevojë të zgjidheshin nëpërmjet aplikimit të metodologjive të fushës së kompleksitetit.

Pas klasikëve të fushës, Kooper [vii](1989) duke përmbledhur një nevojë që evidentohej gjithnjë e më shumë në diskutim, shtoi edhe formalisht një fazë të rëndësishme në planifikim që ish injoruar si e mëvetësishme më parë, dhe që në rastin e shqipes paraqitet me rëndësi të veçantë shpjeguese: atë të planifikimit të nxënies së standardit[viii] (apo të të mësuarit), për disa, edhe planifikimi i “gjuhës në edukim”. Sipas gjuhëtares Hogan-Brun[ix] që në punën e vet 10-vjeçarin e fundit është përqendruar në ‘planifikimin e gjuhës në edukim’, ky planifikim merret me tipat e përdoruesve të gjuhës, si dhe shpërndarjen e aftësive në shkrim-lexim në variante të ndryshme të këtyre përdoruesve, dhe lidhet fort me planifikimin e statusit dhe korpusit (dhe situate e e shqipes standard sot, është provë e vërtetësisë së këtij nënvizimi të Hogan-Brun-it).

Që të mbyll qarkun e teorizimeve bërë për planifikimin gjuhësor po përmend edhe një ndarje të fundit me peshë në planifikim (sido që në literaturën shkencore hasen edhe të tjera): planifikimin e prestigjit të standardit (ose të një varianti gjuhësor çfarëdo). Haarmann (që prej 1984-ës por më qartë në 1990[x]) e përdor termin duke rimarrë një element përmendur që prej Haugen-it, por edhe që të krijojë një ndarje të qartë mes asaj që arrihet nëpërmjet planifikimit të statusit, dhe asaj që nuk arrihet dot thjesht nëpërmjet tij. Statusi rrit peshën politike, legale e funksionale të gjuhës, por imazhi pozitiv i gjuhës, pranimi i lirë apo entuziast i saj, nuk arrihen dot vetëm nëpërmjet sigurimit të statusit. Prestigji është pëlqimi i një varianti gjuhësor mbi të tjerët krah tij, është edhe besimi se ai variant është “më i bukuri”, “më i sakti”, “më i merituari”. Personalisht, eksitimet gjuhësore dhe krenaria emocionale për thellësinë dhe bukurinë e gjuhës sate apo popullit dhe atdheut tënd, më fusin pashë nën dhe nga skuqja, prej distancës që ky reagim shpreh ndaj reagimit shkencor ndaj gjuhës. Por çdo gjuhë që të jetojë duhet të vlejë dhe të duhet. Malli për gjuhën është i njohur kur je larg një grupi folësish, dhe reagimi pozitiv është i kuptueshëm. Normalisht ky lloj reagimi lidhet me gjuhën e shtëpisë. Por mund të ekzistojë shumë mirë edhe për gjuhën e përbashkët. Ekzaltimi individual i prishtinasve kur dëgjojnë shqipen standard është ndër më të njohurit për mua, si shembull i prestigjit që ka shqipja e përbashkët – ende edhe sot kur gjërat kanë ndryshuar ndër elitën kosovare – në atë krahinë. Ajo është “më e bukur”, “më e saktë”, “më e fisme”, “si në ëndërr”. Këto lloj reagimesh dihet që kanë arsye historike, por në rastin e folësve brenda Shqipërisë, edhe pse nuk pritet ekzaltim, pritet pranimi dhe besimi në normativitetin e saj, si më funksionali. Por nuk dyshoj se, nëse duam të kemi një standard shqip, mbështetja ndaj tij duhet të jetë masive. Edhe në çështjen e prestigjit, gjendja e standardit sot tek ne do ishte një rast i mirë studimi. Janet Byron[xi] në 1976 shkroi një vlerësim kritik të njërës fazë të standardit të shqipes, asaj të seleksionimit. Duhen situr e krahasuar vështrime të tjera të balancuara shkencore që të bien prirjet për rinisje nga zeroja (se pse kjo prirje është pa bukë, e kam shpjeguar në pjesën 1 të këtij cikli esesh për PtF, dhe jo vetëm unë).

Si mbyllje

Nga të gjitha nivelet e planifikimit ndjekur e shpjeguar më lart, ajo që vërtet u krye në 1972 dhe u implementua autoritarisht në vitet më pas, ka të bëjë me ndërtimin e statusit dhe korpusit të standardit shqip. Nga sa kam lexuar, thuajse të gjithë ata që i mbahen standardit, janë për një sistem më të hapur dhe për ndryshime në disa prej normave, pa e shkoqur dhe hallakatur atë që mezi është realizuar. Për natyrën sa të padrejtë aq edhe të domosdoshme të standardeve kam shkruar në pjesën e parë. Po ashtu idetë për vlerën dhe kujdesin për ‘dialektet’, i kam diskutuar edhe në të parën edhe në të dytën pjesë. Standardi më fatlum jep e merr me ‘dialektet’. Po ashtu E. Kapia solli në PtF një shkrim të veçantë për këtë temë. Në pjesët më sipër të kësaj eseje unë kam shpjeguar sa më të rrënjosura e të mirëtrajtuara janë standardet e disa gjuhëve që shpesh i marrim si pika referimi, dhe sa e papërgatitur ishte masa shqiptare për të shkruarin normativ.

Janë në fakt dy të fundit nivele të planifikimit gjuhësor, që, tek ne, ose janë kryer pjesërisht, ose aspak: planifikimi i nxënies ka qenë gjithnjë i mangët për arsyet që kam shpjeguar që në krye të herës në shkrimin e sotëm; ai i rritjes (së pjesshme) në prestigj është kryer më parë, kryesisht, nëpërmjet statusit të forcuar. Mënyrat e tjera, me përjashtim të rritjes instinktive që ka ardhur nga vepra poetësh e prozatorësh të dashur për publikun që përdorën gjuhën letrare, ka qenë e neglizhuar ose krejt e panjohur. Pas 1990-ës të dy nivelet kanë dëshmuar një rënie të lirë në cilësi dhe në vëmendje. Është qesharake që kemi që në 1944, kur vramë e rrënuam ata pak të ditur e të kulturuar që kishim kultivuar, që vazhdojmë të lajmë mëkatin, duke lypur mësues e njerëz të ditur që nuk i kemi ose na ikin. Asgjë nuk i duhet tani Shqipërisë më shumë se mësuesit e mirë: mungesa e tyre thjesht doli në pah me diskutimin e standardit, por tek ne ajo është simpotomë e një kulture dhe etike kombëtare që shkon teposhtë me kryet lart e buzagaz.

Prestigji i letrarishtes pas 1990-ës nuk ra vetëm se coha shoqërore shqiptare u shpleks e u përpleks, përmbysja e bukur për shumë dhe e shëmtuar për ca, s’la qelizë të familjes, ekonomisë a kulturës pa prekur. Ra shpejt edhe pse standardi u qëllua frontalisht, sepse nuk u pa thjesht si gjuhë e përbashkët me rreguallat e veta që janë forcuese e shpesh preskriptive, me marrëdhëniet tipike të padrejta që ka “me dialektet”, si një mjet që u poll në socializëm, por që s’qe njëlloj me të. Ai u fut në qerthullin e gjithë produkteve kombëtare që socializmi i shëmtoi dhe deformoi, duke i ngurtësuar prej yshtjes me një ideologji të ngurtë totalitare. Dhe, në fakt, standardi u barazua me vetë ideologjinë komuniste, regjimin dhe diktaturën. Në vend që institucionalisht të kryhej një “planifikim i prestigjit”, ata që ishin për standardin u vunë në pozita mbrojtëse. Ata që përpiqeshin për të, u etiketuan si enveristë ose spiunë. Mbrojtësit e standardit – mbrojtës për arsye të ndryshme e shpesh utilitare, e herë-herë sepse ia njohim koston dhe pamundësinë shkatërrimit dhe ringritjes nga e para të një projekti që nuk do qe detyrimisht më i mirë – edhe sot janë të palidhur, shpesh të vjetër e të mbyllur nëpër konferenca të vogla që sikur bëhen që mos i marrë vesh kush. Rezultati i ulët me të cilin ndeshemi, duam s’duam, në përdorimin e standardit, lidhet kryesisht me mangësi në këto dy nivele të planifikimit, e në mefshtësinë tonë kulturore dhe letrare si  dhe në atë të shkollës sonë kombëtare, mefshtësi për të cilën ka aq e aq arsye jashtë-gjuhësore, ca të dëshmuara që prej fillimit të shkrimit të sotëm. Vështirësitë që standardi shqip has ende sot në përdorimin prej njerëzve që standardin e njohin praktikisht mirë, vjen pikërisht nga ky ngushtim i tematikave dhe qasjeve të përdorimit të standardit përgjatë viteve ‘80, si edhe nga moskujdesja ndaj pasurimit e zhvillimit të tij në vitet 90 e më pas, kur shteti kaloi prej një ndërhyrjeje agresive, në mungesë totale mbikëqyrjeje e përkujdesjeje, sidomos ato nëpërmjet shkollës. Hogan-Brun në të njëjtin shkrim të cituar thotë se sa e lehtë është të gjuash për status në vend të planifikimit të pranimit (acceptance planning) të një kodi. Një ligj futet në fuqi në pak muaj, thotë ajo; gjuha do shumë vjet shkollimi që të mësohet. Do thoja që rritja në prestigj pas shkundjesh të mëdha do donte edhe më shumë kohë të kryhej.

Sue Wright (2016: 49), veç arsyeve për të pranuar apo mos-pranuar standardin që kam përmendur në esenë nr. 1, sjell edhe një tjetër arsyetim me vlerë për analizimin e rastit të shqipes. Një nga kushtet që standardi të jetë i suksesshëm, shpjegon ajo, varet edhe se sa janë të përçueshme ose poroze elitat, dhe sa janë ato të gatshme të përqafojnë një përkufizim të gjerë se ç’do të thotë të jesh pjesëtar i një kombi. Atje ku qendra pranon etni – tradicionalisht anësore apo jo-qendrore, të hyjnë në networket e pushtetit, gjuha e përdorur në qendër shpesh pranohet dhe mësohet më kollaj, vazhdon ajo duke iu referuar studimeve në fushë. Atje ku grupet periferike u mbajtën larg qendrës, u rritën kollaj ndjesi ndarjeje dhe hakmarrjeje. Për suksesin e standardit, përfundon Wright, duhet edhe që elita që e flet, apo qendra shoqërore, të mos barazohet me një grup të caktuar etnik, e madje as ajo vetë të mos e ketë këtë ndjesi. Do thoja që sot Tirana dhe Shqipëria janë një rast tipik ku qendra është e përzierë dhe nuk mund të thuash kurrsesi që folësit e standardit sot ndihen si t’i takonin nënndarjes toske. Madje ajo ndarje në toskërishte e gegnishte që përçohet prej shtysave kundër dhe sharjeve ndaj “standardit”, nuk ka ekzistuar as gjatë socializmit, e jo më sot që lëvizja e shpejtë demografike është gjendja e natyrshme e materies sociale. Asnjëherë një person nga Kapshtica, Kelmendi, Kërçova, Krusha e Vogël apo Kurveleshi nuk i kanë thënë vetes Gegë e Toskë; i thonë vetes, sot e gjithë ditën, shqiptarë.

Dasia gjuhësore dhe shtysat për të prishur standardin e për të ndërtuar një të ri apo për të pasur dy standarde ashtu si shqiponja ka dy krerë, nuk kanë bazë sociale e kulturore. Të ftosh proliferimin gjuhësor (si ai që ndodhi mes gjuhëve në ish-Jugosllavi), si më demokratik është shumë e thjeshtë, por e marrë dhe e ligë, dhe kundër të gjitha interesave jetike të individëve që flasin shqip, si edhe komuniteteve që ata formojnë gjithkund. Por është një mundësi që vetë folësit do e vendosin. Ndarja në dy variante simotra në Jug e Veri është sipas meje marri që nuk e lypin as kushtet e shqipes, as ato të komuniteteve folëse. Do ish edhe një portë për armiqësi mes grupesh, po pastaj edhe ekonomikisht dhe kulturalisht shkatërrimtare. Por teorikisht dhe praktikisht nuk është e pamundur. Gjasa pastaj e krijimit me kohë të dy gjuhëve të ndryshme, do ishte po ashtu e madhe dhe me shumë precedentë. Është rruga që ka marrë p.sh., kroatishtja dhe serbishtja, por kroati e serbi i kanë thënë gjithnjë vetes kroat dhe serb; shqiptarët i kanë thënë vetes shqiptar, dhe jo gegë e toskë.  Ai standard që kemi u ngjiz nga njerëz të ditur, sido që u përdor me masha partiake. Për ta bërë më të përdorshëm, duhet planifikim prestigji dhe përdorimi më i mençur, me vullnet të mirë dhe hapje, si edhe shmangie nga inatet e lufta klanore… dhe ajo klasore.

 

[i] Wright, S. 2016. “Language Planning in State Nations and Nation States”. In: Language Policy and Language Planning. Palgrave Macmillan, London.
[ii] Për arsye fokusi në një temë, nuk diskutoj këtu ndryshimin mes ‘planifikimit gjuhësor’ dhe ‘politikës gjuhësore’.
[iii] Më duket e padrejtë që këtu të mos përmend Joshua Fishman-in dhe Bernard Spolsky-n, por kjo ese nuk ka për qëllim të bëjë historinë e fushës.
[iv] Haugen, E. 1959. “Planning for a standard language in Norëay”, Anthropological Linguistics, 1(3), 8–21Haugen, E. 1966. Language Conflict and Language Planning: The Case of Modern Norwegian. Cambridge, Mass.: Harvard University Press.
[v] Kloss, H. 1969. Research Possibilities on Group Bilingualism: A report. Quebec: Quebec International Center for Research on Bilingualism.
[vi] Hogan-Brun, G. 2013. “Language planning as a complex issue” In Current Issues in Language Planning. Volume 14, Nos. 3-4. 359-362.
[vii] Cooper, R. L. 1989. Language Planning and Social Change. Cambridge: Cambridge University Press.
[viii] Termat në anglisht janë: “Language acquisition planning” dhe/ose “Language in education planning”
[ix] Hogan-Brun, G. 2013. Si bashkëautor në dy kapituj të enciklopedisë The Encyclopedia of Applied Linguistics, edited by Carol A. Chapelle. Blackwell Publishing Ltd.
[x] Haarmann, H. 1990. “Language planning in the light of a general theory of language: A methodological framework”. International Journal of the Sociology of Language 86, 103–26.
[xi] Byron, J. 1976. Selection Among Alternates in Language Standardization: The Case of Albanian. Paris: Mouton.

 

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin