STANDARD DHE IDEOLOGJI POPULLORE

nga Eda Derhemi

Pjesa e parë këtu.

Dy anekdota

Shënim: U kërkoj ndjesë lexuesve të Peizazheve të Fjalës (para se të nisin leximin) për këtë pauzë anekdotike që nuk është pikërisht pjesa e dytë që u pata premtuar. Kam pasur dy javë tejet të ndërlikuara, dhe shkrimin e premtuar do e sjell këtë fundjave, si pjesë e tretë. Kjo e sotmja do ndihmojë për një lexim më të qartë të së tretës që do të ketë natyrë disi teorike.

1. Xhaxhi Xhiku i Dërhemve dhe standardi

Më kujtohet aq mirë xhaxhi Xhiku, një Dërhem nga vllaznia në lagjen ku u rrita, që, kur e shihja në rrugën Qemal Stafa dhe i thoja ‘Mirëmbrëma, xhaxhi Xhiku!’, më kthehej vrikthi, dhe më bërtiste në vesh: “Çer the?! Mos ta nigjoj mo! Ç’osht kjo “mir-mbrëma”?” Dhe kur thoshte fjalën “mirëmbrëma”, spërdridhej pak duke ekzagjeruar tingujt dhe lëvizjet trupore, e duke i bërë më femërore e artificiale. “As jot om që vje pri Kalonje, s’thot mo ‘mirëmbrëma’” – prapë me spërdredhje këtu. Pastaj qeshte, më përqafonte, dhe largohej duke ma përsëritur “‘Mirmroma!’ “Ho, mër xhaj, se s’je pri Gjinokastre ta thush ashtu si puna ktyne! Mos ta nigjoj mo!” Ky muhabet ku xhaxhi Xhiku tallej me “Ç’osht kjo tosknishte m’zemër t’Tironës, mi Lila! Torb, për Zotin! Torb!” – mes nesh vazhdoi edhe më pas, edhe deri vonë para se të vdiste, kur unë e kisha thyer paq gjuhën e folur, dhe goja më ishte hap aq sa mund ta bëja me turp xhaxhi Xhikun po ta lija vardha si me miqtë moshatarë. Kur isha e vogël i thoshte tim eti: “Beqiro, mos e lej gocën t’foli ‘gjuhën letrare’ – a e shef si fol kjo apo jo?! S’ka lidhje me no!” Babi qeshte dhe i thoshte: “Po Xhiko, po. T’ishim un e ti sa gjymsa ksaj m’shkoll! Shkruje ti ate që po thu, e shkru dot?!” Dhe xhaxhi Xhiku: “shkolla, po, po; shkolla komunistave (prapë duke u spërdredhur pak – asnjëherë s’e mora vesh kë imitonte tamam ashtu- nganjeherë mendoja se imitonte gratë toske të udhëheqësve në një imazh që ishte vetëm i tiji—dhe pastaj me zë të ulët – po ke kjo shkolla që thu ti i msojn ktyne ‘ideologjinË komuniste’ (edhe këtë, prapë duke dredhur zërin dhe me Ë-në e kallëzores të theksuar tejet), që i dhjefsha racën i dhjefsha!” Xhaxhi Xhiku nuk thoshte më ‘kamunsit’ si i ati – thoshte ‘komunist’. Gjuha letrare kish nisur të hynte edhe në të folmen e tij, me gjithë luftën që i bënte. Në lagje si e imja, të ishe tironas do të thoshte mos kishe anëtar partie as në lagje, as në farefis, as në shoqni. Ajo që i inatoste më fort tironasit e asaj lagjeje nuk ishin komunistët me origjinë nga, fjalavjen, Vlora a Skrapari, por të tjerë Tironas që ishin bo si ato “që pruni m’Tiron Enveri”. Të ishe anëtar partie aty, ishte praktikisht sikur të ishe sigurims. I vetmi ndryshim ishte se po të ishe tironas komunist (gjë e rrallë gjatë viteve të socializmit), lagjja ime e bënte një shënim të vogël në tru, se mund t’u duhej t’i trokisnin në derë në ndonjë ditë të keqe. Ndërsa fuksat pastaj, shiheshin më keq se plenat vetë.

Por gjuha ime nuk kish grimcë tingullore prej lagjes ku jetoja. Ishte, si thoshte xhaxhi Xhiku “Poooo. Fol me drejtshkrim ti. Ashtu si na ka mësuar shoku Enver” – këtu në fund e merrni me mend si e deformonte rishtaz zërin në tallje me pjesoren me -uar dhe Enverin. Unë qeshja dhe i thoja se Enverin e doja po aq fort sa ai. Dhe në fakt kur vdiq, e festuam secili m’shpi t’vet: unë në standard, dhe ai në tironase. Mbaj mend se nga vitet e gjimnazit (ende socializëm- vazhdoi derisa u bëra 27 vjeç), se nga u gjet në shtëpi një shirit i regjistruar nga fëmijëria ime e largët. Nuk e besoja dot që isha unë: një e folme tironase e butë dhe e paprekur nga të shkruarit, sikur të dëgjoje nonën time me zë kalamani. Dhe s’do mend: në ato vite nuk kisha shkuar ende në shkollë (e as në kopësht), jetoja gjithë ditën me nonën, dhe flija me të. Ato shenja fonetike të lagjes sime u rikthyen tek unë vonë, si lule të fjetura që kishin pritur të plota e me hir të duruar në tru, një ditë kur do çelnin, ashtu papritur, dhe do ndërtonin burbuqe që unë sot i hedh e i pres me gaz. Edhe sot, mund të flas ende pa asnjë grimcë gjeografike në tingull: njerëzit s’e gjejnë dot nga jam, se nuk gjejnë dot asnjë element të tjetërkundit gjeografik. Nona, im atë, xhaxhi Xhiku, dhe plot njerëz që më mbushnin ditët kur rritesha, ma dhanë atë që duhej të më jepnin. Dhe jam me fat që e kam brenda vetes “dialektin” (tironas e kolonjar), si nga njëra anë, si nga tjetra.

2.

Poezi, përkthim dhe standard

Në formë prologu: Facebook-u për mua është një log aktivizimi minimal. Jo në kohë, se kohë ai i shkreti të merr kur je brenda. Por në peshë e mobilizim: nuk i ve rëndësi, nuk e konsideroj serioz, dhe nuk dua që ta përdor për të reklamuar punën time. E kam vendosur që ta kem hapësirë ku diskutoj informalitete, festa, gatime, gallata e peizazhe fotosh… rrallë e tek, disa udhëtime. Ashtu është edhe gjuha që përdor në të: informale dhe shpesh e pakujdesshme. Unë e kuptoj dhe e admiroj variantin gjuhësor të familjes, kur ky del në facebook. E shoh si hapësirë loje të nevojshme për komunikim të relaksuar. Ndërhyj seriozisht veç kur mendoj se facebook kthehet në armë – kur dikush prej atyre që kanë vendosur ta përdorin për qëllime më serioze se të miat, si avancim karriere profesionale apo si ndikues të opinionit publik, shtrembërojnë me dashje apo pa dashje fakte, dhe interpretojnë ligësisht dhe stërlirisht ngjarje me një farë rëndësie, që sipas meje rezultojnë në keqtrajtim individi apo grupi lexuesish. Do doja aq shumë që njerëzit të ishin dakord me mua për një gjë: në një hapësirë ku kujtdo që i duket vetja i ditur i bëhet e mundur ta shesë publikisht diturinë e vet, për atë që vërtet di diçka rreth asaj që thotë, nuk ka vend. Mendoj se “tregu i lirë” i ideve të lira fatkeqësisht nuk ka në facebook një aleat të vetin. (Do thoni ju… pse, a ka ndonjë hapësirë ku e ka?!) Por e di që këtu s’bie dakord me shumë, dhe e pranoj pa keqardhje.

Pra, ja kështu, në po këtë fb, një ditë prej ditësh, kur m’u duk sikur një përkthim poezie postur prej dikujt çalonte diku, e postova të ripërkthyer në faqen time, duke qenë me atë timin po ashtu e pakënaqur, dhe duke hapur derën për variante të tjera përkthimesh ku fjalë të caktuara të përktheheshin më saktësisht se prej meje. Poezia origjinale qe shkruar në standard. Varianti im ishte në standard. Më bëri përshtypje ardhja e poezive të përkthyera në gegnishte të ndryshme … sipas përkthyesve: gegnishte të trashëguara e të tjera të përqafuara në moshë madhore. Përkthyesit ishin shkrues (si edhe folës) të aftë të letrarishtes. Kuptohet që të përkthesh një poezi në një variant jo-standard, është sikur ta përkthesh atë në një tjetër gjuhë: të çmuara dhe po aq legjitime edhe variantet jo-standarde. Por ajo që vura re më lart është tendencë dhe jo rastësi. Problemi është se, në këtë kapërcim, ka elemente të përkthimit në kuptimin e transmetimit të poezisë prej një gjuhe te tjetra, që abuzohen. Në çdo repertor gjuhësor të gjitha variantet apo kodet e përdorura (standarde apo jo) i rrinë njëri-tjetrit në një lidhje a pozicion shumë të saktë me pasoja të forta stilistike, kuptimore dhe emocionale, që lexuesi nativ i ndien menjëherë dhe ndaj të cilave reagon instinktivisht. Sjellja e një poezie në një variant të caktuar që nuk ish pjesë e ekuilibrave stilistikë e kuptimorë në origjinal, cënon fort përcjelljen e saktë të poezisë në gjuhën target, dhe turbullon idetë e lexuesit, edhe kur ai mund të kujtojë të kundërtën, se po e ndien fort dhe ashtu si duhet poezinë. Ndaj gegnishtja në këto raste nuk mund të përdoret thjesht se përkthyesit i pëlqen më shumë apo e ka më familjare. Kjo analizë që po bëj, më kujton një episod identik në të kundërtën e vet, në një konferencë në NYU të New Yorkut para shumë vjetësh. Diskutoja që standardi shqip nuk është më i keq se të tjerë, dhe se nuk e kemi mundësinë ta zëvendësojmë apo zhdukim. Atëherë një dëgjues emigrant shqiptar nga veriu ynë, më bën një pyetje: dmth ju thoni që Fishtën tani duhet ta kthejmë në standard? S’e kisha menduar kurrë, se kjo pyetje mund të ndiqte pozicionimin tim. I thashë, se kjo do ishte sikur të mos e lexoje Fishtën në origjinal. Por ideologji të tilla janë normale, individualisht të pafajshme, dhe domethënëse për mënyrën si shihen variantet gjuhësore të një repertori në një komunitet.

Për mua personalisht, pa lidhje me ekuilibrat e domosdoshëm që përmenda më sipër, leximi në gegnisht ka një lezet të veçantë. Më pëlqen dhe më emocionon tingulli i poetëve dhe prozatorëve të Veriut. Por nuk kam menduar kurrë se kjo mund të kryhet vetëm në gegnisht. Ndoshta për një gjini a lloj muzikor të kënduari, gegnishtja do ishte më e përshtatshme, dhe kjo do shpjegohej kollaj e shkencërisht. Por kjo nuk mund të përgjithësohet. Dhe as mund të thuhet se gjuhët standard nuk mund ta luajnë këtë rol. Në letërsi fiction, edhe më qartësisht, përderisa mundet kollaj fare të thyhen në variante të tjera, e në të folme më të shkrythëta e të pakonsumuara sesa standardi. Ashtu si ka pasur dikur grupe që me zor a me dashni përqeshnin “dialektin” si vulgar dhe i lidhur me defekte tipike (madje gjenetike) të grupit folës, që e konsideronin brendësisht të paaftë të shprehte ide të caktuara a të përdorej në hapësira specifike të dijes, ashtu ka sot grupe që i janë vënë standardit dhe përdorin për të sharje sikur t’i drejtoheshin një njeriu që duan ta shuajnë nga faqja e dheut me arsyetime që e kanë humbur ekuilibrin. Sepse, në fakt, nuk ka luftë mes gjuhësh apo variantesh; ka vetëm luftë mes njerëzish, apo më mirë të themi luftë kundër njerëzish. I tillë ishte edhe largimi i gegnishtes kur ndodhi.

Ashtu si shumica e varianteve gjeografike (ose dialekteve) kanë pamundësira shprehëse në domene a stile të caktuara – jo se janë lindur batalle, por sepse nuk kanë zhvilluar mjetet e nevojshme që vijnë vetëm nëpërmjet përdorimit — ashtu edhe standardi mund të sakatohet e të ketë nevojë për “ajër e shërim”, nëse nuk përdoret mirë. Është përdorimi që e rrit gjuhën. Por, nga ana tjetër të thuash që standardi nuk hyn në punë fare apo se ky që kemi duhet zëvendësuar me një tjetër që do ta kemi, është papërgjegjësi morale dhe mosnjohje. Këtë ide e kam sqaruar mirë në pjesën e parë, dhe është shprehur fort e shpesh në plot shkrime në Peizazhe të Fjalës. Doja vetëm të them se retorika e fundit kundër standardit më sjell në mend një drejtim që është larguar e rikthyer disa herë në Amerikë: ai lidhur me vernakularin afro-amerikan vs. standardit. Duke mbrojtur legjitimitetin e variantit afro-amerikan — dhe këtu u duhet dhënë hak plotësisht — kish gjuhëtarë dhe politikanë që nxitnin popullsinë afro-amerikane të braktisnin studimin e standardit (ka ende edhe sot që e bëjnë këtë), dhe të fokusoheshin tek gjuha e vet. Me të drejtë kundërshtarët, sidomos brenda vetë komunitetit folës, e panë këtë lajthitje si një ide që do thellonte edhe më fort diskriminimin e popullsisë zezake, pamundësinë e të rinjve të ecnin përpara në edukim e prosperitet nëpërmjet shkollimit dhe punësimit. Vetëm pak njerëz, madje shumë pak, kanë privilegjin të zgjedhin dialektin në vend të standardit si njohje apo si përdorim. Ndaj ky lloj privilegji nuk i tundet në fytyrë të papunit të cilit i duhet tamam ai kod që do t’i jepte punë. Pasi kjo të jetë zgjidhur, flasim për çfarë kodi tjetër të doni.

Dhe së fundmi, dua të shkruaj me gërma të dukshme, se të gjitha këto sherre dhe vendosje të folësve me ‘shpatlla mas murit’ – standardi s’bën; zgjidh gegnishten! Gegnishtja s’vlen para standardit! – s’janë tjetër veç pjella vështrimesh që ishin dominante para një shekulli, kur mbretëronte bindja se njeriu ka vend në tru për vetëm një gjuhë a variant, dhe se të dytin do e ketë me siguri të gjymtë. Një folës me standard, dialekt, gjuhë të huaja, dhe akoma mbi to edhe të tjera kode, është një realitet po aq normal sa njeriu. Dhe është një realitet më i gëzuar dhe më i realizuar njerëzor.

© 2022 Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat janë të autores.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin