MERRNI FRYMË THELLË

Gjergj Erebara botoi dje një artikull me titull “Një gjuhë që nuk ndryshon, është një gjuhë që nuk vlen”, duke i shtuar benzinë zjarrit të përplasjeve “të forta” për standardin – edhe pse artikulli thjesht tregon se autori, gazetar që e çmoj edhe si penë edhe për kurajën civile që ka treguar në vite, nuk e ka përgatitjen e nevojshme për të shkruar për këtë temë.

Erebara refuzon ta kuptojë se çfarë është shqipja e njësuar ose “standardi”, pretendon prej kësaj atributet dhe virtytet e një gjuhe të zakonshme, dhe pastaj provon se standardi nuk mund të funksionojë si gjuhë e zakonshme, prandaj edhe “nuk vlen”; madje jo vetëm – por edhe është kërcënim, sepse i persekuton disidentët e vet.

Pyet autori: Po sikur të lejojmë që njerëzit të flasin ashtu siç ua ka mësuar gjuhën prindi i vet, çfarë ndodh? Mos vallë do përçahemi, do të na pushtojë armiku?!

Pyetja lë të kuptohet sikur standardi sot u manifestohet folësve si shtrëngim (koercion); por sa e vërtetë është kjo?

Në fakt, standardi i duhet shtetit dhe institucioneve publike qendrore që të komunikojnë me qytetarët anembanë; sikurse u shërben qytetarëve anembanë për të komunikuar mes tyre dhe për të marrë pjesë në politikë.

Standardi – si një formë artificiale e shqipes e krijuar dhe e mirëmbajtur pikërisht si “zhargon” i qytetarisë – mundëson funksionimin e shtetit ligjor.

Ose pikërisht atij shteti që u ka munguar dhe vazhdon t’u mungojë shqiptarëve, të cilëve u kërkohet me ngulm që të mësohen tani me ato surrogato të shtetit, që janë manifestimet e përditshme të pushtetit.

Standardi është shqipja me të cilën shkruhen ligjet, duke filluar nga kushtetuta. Falë standardit, ligjet janë univoke dhe garantojnë barazinë e qytetarëve para ligjit.

Standardi është shqipja e sallës së gjyqit – ku gjykatësi, prokurori, mbrojtja dhe ekspertët e thirrur për dëshminë duhet të shprehen njëlloj, në mënyrë që të mund të komunikojnë njëlloj.

Kjo “njëlloj”, në paragrafin më lart, ka kuptimin “me të njëjtin sistem gjuhësor normativ” dhe nuk ka lidhje me ligjërimin e veshur me uniformë, të shtetit totalitar.

Shqipja e raporteve që përbëjnë dosjen e një krimi.

Standardi është shqipja e vendimeve të qeverisë, e raporteve të komisioneve parlamentare hetimore; është shqipja e “Gazetës zyrtare”. Është shqipja e procesverbalit të shtetit.

E fletëve të votimit.

Standardi është shqipja e kontratave, e cila njëlloj si ajo e ligjeve duhet të jetë e qartë, univoke dhe e saktë edhe në formë.

Është shqipja e dokumentacionit shtetëror, ose e burokracisë; si ligjërimi që prodhojnë institucionet publike dhe private.

Shqipja me të cilën shkruhen propozimet për projekte dhe projektet vetë.

Standardi do të mundësojë – shumë shpejt – përkthimin e legjislacionit masiv të BE-së në shqip, gjithë duke vendosur kritere të reja, më të larta, në shqipen ligjore.

Në standard përpilohen formularët që plotësojmë në zyra dhe pyetësorët që mbushim sa herë që duam të fillojmë një marrëdhënie me një institucion.

MS Office tanimë i ka siguruar instrumentet e shqipes standard, si të dhjetëra e dhjetëra gjuhëve të tjera – duke ofruar madje edhe një kontrollues drejtshkrimor falas. Por edhe vetë ligjërimi i MS Windows, me mijëra e mijëra radhë të “ndërfaqes së përdoruesit”, është përkthyer tashmë në standard, në kuptimin që kompjuteri – po të duam ne – mund të na “flasë” në shqipen standard.

Shumë telefona celularë ofrojnë tani UI (user interface) në shqipen standard.

Në standard sot gjen të përkthyera UI të gjithfarë softuerëve që përdoren nga kompanitë shtetërore dhe private – dhe që mundësojnë funksionimin kapilar të shtetit.

Nëse një kompani e madhe vendos nesër të ndërtojë një qendër kontinentale të shpërndarjes së mallrave në Shqipëri, pjesë e atij investimi do të shkojë për një softuer të inventarizimit dhe të leximit të bar code-ve në shqipen standard. Jo në shqipen e Fishtës, as në shqipen e Kadaresë, por në shqipen e njësuar të shtetit.

Në standard shkruhen udhëzimet e përdorimit të pajisjeve të vogla dhe të mëdha – nga preservativët te tanket e helikopterët.

Dhe më e rëndësishme akoma: në standard hartohet gjithë dokumentacioni që shoqëron mallrat e tregtimit me shumicë dhe me pakicë nga origjina në destinacion. Sa për një shembull: certifikatat (dëftesat) e sigurisë materiale-teknike (MSDS) të cilat shpesh përmbajnë edhe udhëzime të hollësishme dhe kritike për trajtimin e kimikateve, magazinimin, mbrojtjen në rast aksidentesh si zjarri ose përmbytja, mbrojtjen e mjedisit, etj.

Këtu mbase duhet të përmend edhe fletët e udhëzimeve të barnave, të cilat duhet të shoqërojnë, me ligj, çdo produkt farmaceutik që shitet në Shqipëri.

Standardi krijon mundësinë që shqipja të arrijë të përballojë, pa u shthurur si sistem leksikor dhe si sistem morfologjik, trysninë e madhe të terminologjisë së re teknike-shkencore, që kërkon të hyjë në përdorim; sepse vendos rregulla në pranimin, trajtimin dhe disiplinimin e termave të rinj, sipas rastit edhe duke i zëvendësuar me terma të krijuar në tavolinë.[1]

Ashtu zhvillohet dhe trajnimi për punë – i punëtorëve që vijnë nga të katër anët e Shqipërisë. Alternativa është që trajnimet t’i organizojë dhe t’i mbikëqyrë Instituti i Dialektologjisë dhe i Folklorit të Aplikuar.

Në standard shkruhen tekstet shkollore, përfshi edhe tekstet universitare. Dhe arsyeja që mësimdhënia e standardit është pjesë madhore e misionit të shkollës publike, lidhet me atë që shkollës publike i duhet të përgatitë qytetarë adekuatë të Republikës (të tillë që të mos u rrijë ngushtë roli i qytetarit); dhe qytetarit i duhet që të përdorë standardin, për të qenë i tillë.

Nxënësve u duhet të mësojnë një shqipe të tillë që t’i përgatitë për të komunikuar më pas lirisht me instrumentet e mësipërme: të lexojë dhe të kuptojë një ligj, të marrë vesh se për çfarë krimi po e akuzojnë, të mësojë si ta përdorë veglën e vet të punës, kompjuterin e vet dhe telefonin; të dijë të plotësojë saktë një formular dhe një anketë; të përvetësojë profesionin e vet në hollësi; të kuptojë teknologjitë e votimit dhe të pjesëmarrjes në jetën publike; të kuptojë formularët e taksave; të kuptojë tekstet e atyre dhjetëra në mos qindra kontratave ku përfshihet dhe vendos firmën e vet.

A shtrëngon standardi? Natyrisht që shtrëngon. Çdo sistem gjuhësor shtrëngon (çdo sistem rregullash shtrëngon), dhe aq më tepër një sistem artificial – i krijuar në tavolinë, me synime specifike. Por standardi shtrëngon ashtu siç e shtrëngon bisturi kirurgun, peneli piktorin ose vargu poetin – duke ia mundësuar qenien në një nivel tjetër, më kompleks, më të lartë.

Standardi nga njëra anë vërtet e kufizon lirinë e “shprehjes” gjuhësore, por e bën këtë që qytetari të ketë liri më të madhe vetjake, në komunikimin e përditshëm me shtetin; liri që qytetari e realizon si pjesë e një kolektiviteti qytetarësh sovranë, të bashkuar në Republikë.

Një pjesë e atyre që kanë ndërhyrë tani në diskutimet për standardin, ngatërrojnë këtë – le ta quaj kështu, shqipe të shtetit – me gjëra dytësore, duke filluar nga theksi gjeografik në të folur i kujt vjen nga provinca, te vështirësia që ka një fëmijë “për t’u shprehur”, kur gjendet përballë koercionit të normës gjuhësore.

Këta kolegë nisen nga interpretimet dhe zbatimet e gabuara që u janë bërë (ndonjëherë në keqbesim) funksioneve të standardit, për t’i përdorur këto si argumente për zhvlerësimin e standardit vetë. Dështimin e sistemit arsimor duan ta shesin si dështim të një modeli gjuhësor-pragmatik, i cili parakupton nevojën që komunikimi brenda një sistemi shumëfish, si ai i qytetarëve të një shteti, të ketë një nivel rigorozisht të njësuar (të rregulluar njëlloj për të gjithë qytetarët).

Standardi nuk është kënaqësi, si ligjërimi poetik. Nuk mund të pretendosh prej manualit të instalimit të një sensori të tymit, që të ofrojë edhe dëfrim të natyrës estetike dhe të ketë formën e një soneti të Ndre Mjedës. Por mund dhe duhet të pretendosh, prej atij manuali, që të shpjegojë si ta vendosësh sensorin, në mënyrë që ai të funksionojë në mënyrë optimale. Siç duhet të pretendosh, prej një sistemi të kirurgjisë me laser, që ky të kuptohet dhe të përdoret prej të gjithëve njëlloj, pa ekuivoke, dhe në mënyrë të tillë që kur nesër kirurgu të gabojë dhe ta verbojë pacientin, të mos ngrihet avokati i tij në gjyq dhe të argumentojë se fajin për këtë e kishin gabimet gjuhësore në manualin e sistemit.

Shumë nga ne që kemi interes për këto punë veprojmë në fusha të kulturës dhe të mediave, ku fjala shqipe përdoret në mënyrë specifike. Edhe artikulli i Erebarës ndalej në një numër shembujsh që kishin të bënin me integrimin e elementeve jo-standard, si theksi dialektor, në mass media. Dhe ashtu harrojmë se theksi i një deputeti në Parlament – ku ai thirret në skenë të aktrojë vetveten – ngre fare pak peshë, në krahasim me katrahurën gjuhësore të ligjit që ai deputet po bën gati. Një parlament që funksionon si festival cjepërish folklorikë nuk na jep arsye për t’u mburrur, por një shtet që katandiset në muze etnografik nuk ka shans për të mbijetuar dhe as për t’i shërbyer qytetarit.

Nëse qytetarët e Shqipërisë duan të jetojnë bashkë dhe të kenë marrëdhënie të shëndetshme me shtetin e tyre, atëherë ruajtja dhe mirëmbajtja e standardit është domosdoshmëri elementare; sepse edhe vetë qytetarët, me të drejtat e tyre, nuk mund të realizohen plotësisht, në raport me shtetin dhe përballë tij, veçse duke zotëruar një formë komunikimi të njësuar, bashkë me rregullat e përdorimit të saj (pragmatikën, e cila t’i trajnojë përdoruesit se kur, në cilat rrethana dhe situata, duhet të ndërrojnë kod dhe të kalojnë në standard dhe anasjelltas; njohja intuitive e situatave ku nuk kërkohet standardi është edhe ajo pjesë e zotërimit të standardit).

Këtë lloj kompetence pragmatike nuk e pengojnë aq mangësitë reale a të supozuara, të sistemit të adoptuar të rregullave (normës së vitit 1972) – sa ç’e pengon, le ta themi edhe një herë, paaftësia jonë për të kuptuar se qytetaria është një “teori” e sjelljes dhe e angazhimit publik që duhet mësuar e përvetësuar me përulësi dhe ngulm, për të mirën e gjithkujt dhe tonën në tërësi.

 

(c) 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

P.S. Sugjerimet e mia si mund të ndërhyhet në standard (me hapjen ndaj dysorëve, tolerimin e paskajores “gege”, reformimin e shkrimit të emrave të huaj) i kam formuluar tjetërkund dhe në hollësi. Shkrimi më lart, që fokusohet në FUNKSIONET SOCIALE të standardit gjuhësor, synon kryesisht të korrigjojë disa keqperceptime që më duken të rrezikshme, dhe nuk është për t’u marrë si manifest i qëndrimeve të mia ndaj problematikave të standardit. Nuk e kisha menduar se do të më duhej ta shkruaja ndonjëherë.


[1] Ndesha këto ditë një term në anglishten kompjuterike: sandboxing – një lloj karantinimi i një pjese të softuerit brenda një sistemi, për të reduktuar rrezikun e gabimeve ose të maluerit. Nuk di si mund të përkthehet në shqip, nuk di nëse duhet përkthyer, apo mbase mund të lihet siç është. Por di që autoriteti i standardit do të mundësojë që zgjidhja të zbatohet pastaj kudo ku flitet shqip në territorin e republikës.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin