FYTYRA E VITIT TË RI

Kam këtë ndjesi, që nuk më ka braktisur kurrë. Ndjesinë që çdo Vit i Ri ka një fytyrë të vetën, një lloj peizazhi që merr formë në bazë të asaj çka prej vitit të vjetër mbetet e patretur, ose farë e re për t’u ujitur të nesërmen. Dikur, simbol rezistent i hershëm i fëmijërisë sime ishte ai i teze Fluturës, që para çdo fund viti sillte me vete nga Tirana recetat e kopjuara nga revista të huaja, franceze mendoja unë, po edhe hungareze ndoshta. Dita e fundit na jepte uratën me gatime thuajse të pamundura gjatë vitit. Nga gjeldeti në furrë, tek rostot e viçit me vezën e zier brenda si sy krokodili, nga bakllavaja e kadaifi, tek majoneza, me patjetër e gatitur në shtëpi. Me këtë të fundit merrej, pikërisht, teze Flutura, e zonja të thyente 10 kokrra radhazi, ndërsa zhbirilonte recetën me ato syzet e rrumbullakëta mbi hundë dhe këndonte me zë të ulët “Les feuilles mortes”. Na tregonte një herë, gjatë këtij procesi të ëmbël e yndyror, se si Yves Montand-i na paskësh qenë i dashuruar me Edith Piaf, por që pasionin e flaktë, atë përvëluesin fare, e paskësh konsumuar me Simone Signoret. Zakonisht tezja mbërrinte në Durrës me dy kushërinjtë tanë në mëngjesin e vonë të 31-shit. Por kishte raste edhe kur i binin derës andej nga muzgu. Më 31 dhjetor, në shkollë, orët na i bënin të shkurtuara e të qurravitur nga i ftohti, bënim për në shtëpi para mesditës. Ndërsa i aviteshim pallateve lakuriqe e mërdhacake, na çaheshin hundët e akulluara prej aromave të forta që vinin nga dritaret gjysmë të hapura të të gjitha kateve. Është e vërtetë, ta zëmë, që mund të konsumonim më shpesh pulën në ca të diela të veçanta, por gati kurrë gjelin e detit. Madje, një shpend i tillë gjynahqar, qafëgjatë e lafshëkuq, blihej në të gjallë, shumë ditë më parë. Mëkohej e mbahej me pekule deri në të gdhirë të 31-shit, për ta gjetur veten, pabesisht, fytprerë, brenda një kusie gjigande. Mua më ngjante se askush nuk u jepte rëndësi syve të tij zgurdulluar, e ç’është e vërteta në shtëpinë tonë gjeli i detit, së gjalli, ka hyrë një herë të vetme, mbyllur në banjë. Kjo përvojë qe e llahtarshme për mua, por edhe për vëllain tim të vogël. Sa herë i duhej të përdorte tualetin, ulur në bide, shkëmbente më të vështrime mallëngjyese, gjë që e bënte të mos konkludonte gjë hiç, e të tërhiqte derën pas vetes si meit me sy të përgjëruar për nga ime më, e vetmja që mund t’i shpëtonte kokën gjelit. Ç’është e vërteta, mua nuk ma ha mendja që në familjen tonë të ishte dikush i zoti t’i përdridhte zverkun një gjeli. Por fqinja jonë zemërmirë në krah të djathtë, Fatimja, si pothuaj të gjitha gratë aty, në sheshin e vogël të pallatit vinte një kazan me ujë të përvëluar e brenda avujve të rëndë që pluskonin përmbi, me një lëvizje fshikulluese, i këpuste kokën së pari gjeldetit të vet, mandej tonit. Me ato duart e mëdha e plot muskuj vihej pastaj t’ua shkulte puplat e pendët një për një. Prej këtij riti makabër, në ato ditë, në hyrje të pallatit bëheshin e zhbëheshin re puplore ngjyra – ngjyra. Gjithsesi, duke marrë fillin e bisedës së kapërcyer më sipër, në familjen tonë, me të ardhur ora 13, fëmijët urdhëroheshin të shkonin të binin në gjumë deri më 17 e 30. Të rriturit duhet të kishin hapësirë për të gatuar e për të rregulluar pjatancat e mëdha me vezë të ziera, llokma viçi të tymosura, kofsha pule të tiganisura e qofte mishi të llangarosura me erëza të forta. Kështu, pra, ne degdiseshim në shtretërit e dhomës sonë kallkan e përpiqeshim të flinim me zor, përpjekje që nuk na linte thuajse kurrë sythatë. Më tej, s’di se si, errësira ngjante t’ia behte në çast, e zgjimi vinte prej dritës verdhacuke që lëshohej nga kuzhina në korridor, e prej andej, mbi xhamat qorre të derës së dhomës. Kjo ishte një dritë që kundërmonte të skuqura e të ziera, çokollatë e qumësht i djegur, dafinë e kanellë. Në dhomë, zërat e mbytur të të mëdhenjve vinin të dashur e të ngrohtë, e me pizhame prej basme, shpejtonim drejt dritës, drejt sobës, drejt tezes nga Tirana, që dinte të gatuante me mjeshtëri gjellëra franceze. Kjo hare, që ia niste me zullumnajë përtypjesh, kullufitjesh, bisedash zëlarta, stërpikjeve mbi faqe, të shumëllojshme e të ndërsjella, vinte e shuhej diku rreth orës 23 e 30, për të rimarrë sërish hov, pak para orës magjike të mesnatës, kur dera binte e hapej vetë, e para nesh, shfaqej si bredh gjigant Babagjyshi. Një Babagjysh me mustaqet e bardha borë, që ngjanin mu si pambuk i ngjitur dosido mbi buzë, me një kapuç lëshuar mbi çaçkë të kokës si buding i shpërbërë, një Babagjysh ky kaq i dashur, sa na dukej edhe familjar, tëpkë si burri i tezes. Ngarkuar mbi kurriz me një thes bojëkafe, mbushur me qeska celofani. Çdonjërit prej nesh i takonte qesja e vet, që nuk ishte fort ndryshe nga të tjerat. Dy-tre gështenja të pjekura, dy-tre bajame e arra, ndonjë mandarinë, ndonjë mollë starkinge, një shegë xhuxhe e dy- tre biskota.

Të nesërmen, tek ne, Viti i Ri, që nuk e kishte luksin të merrte vesh sekretet nga viti i vjetër, e gjente banjën tonë gjithmonë të zënë, babin tim gjithmonë në shtrat duke dëgjuar në radio muzikë klasike, ne ende në gjumë, shtruar përtokë, mbi dyshekë të sajuar, jorgan mbi jorgan, pa këllëf. Këmbën e njërit nën hundën e tjetrit.

* * *

U ndesha ditë më parë me fundin e makthët të Fation Dapit, të një bashkëqytetari rom kavajas, që paska lënguar gjatë e paska dhënë shpirt, pa mundur të shpëtojë jetën e tij, që edhe mund ta shpëtonte, e pa mundur t’u sigurojë një ndihmë sado të vogël familjes që ka lënë pas. Ky është një shembull i përkryer kur (cit.):

“Të jesh një grua e varfër, pa burrë, me 6 fëmijë të mbetur jetimë, pa asistencë sociale e kurrfarë të ardhurash për frymë, e sëmurë, në një dhomë pa ngrohje të mjaftueshme, mbi një kodër ku rreh era, në periferi të qytetit, nuk mjafton për të marrë vëmendjen e shtetit, të Bashkisë Kavajë, në këtë rast, dhe të kryetarit të saj, z. Redjan Krali.”[1]Smeralda Çaça

Duket një histori banale, e papërshtatshme për shijet tona të latuara. Duket edhe një pohim po aq banal, por pak janë që përsiaten në të: të gëzosh Vitin e Ri, nuk është një rit ngazëllues për të gjithë. Jo të gjithë fëmijëve u troket në derë një Babagjysh. Jo të gjithë fëmijët gjejnë nën shtretërit e tyre “qese celofani” të mbushura përplot. E, pra, sikur nga të gjitha “qeskat” tona të hiqnim “një biskotë”, vetëm “një biskotë”, e shteti e bashkitë tona të bënin punën e tyre pa qenë nevoja të shndërrohen në babagjysha, ndoshta, Fation Dapi, do të gëzonte këtë fundvit me gjashtë fëmijët e tij, e do të argëtoheshin duke i ardhur rrotull ndonjë bredhi plastik e vocëlak. Kujtimet e mia të fëmijërisë mbeten histori po aq vocëlake e vezulluese për njerëzit me fat. Dikur, për ne të vegjlit, ngrënia e një pjate gjelle të ngrohtë ishte një proces normal. Do të thoshte që prindërit tanë e kishin gatuar për ne. Mendjet tona nuk hallakateshin shumë. Ngopeshim me arsyetime të thjeshta. Ne nuk e vrisnim mendjen asokohe se si, për të ngrënë e për të gatuar, është e nevojshme të bëhet pazar. Për të bërë Pazar, duhet të kesh të ardhura. Që të kesh të ardhura, duhet të jesh i punësuar. Që të jesh i punësuar, duhet të të punësojnë. E nëse kjo mundësi nuk të jepet, e nëse ti katandisesh t’u përplasesh zyrave që të nëpërkëmbin, shoqatave bamirëse që të anashkalojnë, të njohurve që të kthejnë kurrizin, atëherë, ndoshta fytyra e vitit tënd të ri do të jetë e përçudnuar, si çdo fytyrë e përçudnuar, e diskriminuar, në Shqipëri e gjetkë, nëse je “pabuks” e “jevg”.

© 2022 Gentiana Minga. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

References

References
1 Smeralda Çaça

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin