LACANI NË SHQIPËRI: PSE?

Që Lacani pat vizituar Shqipërinë në fillim të viteve 1970, këtë e kam ditur për një arsye fare të rastit – im atë, mjek psikiatër, ish ftuar në darkën e shtruar për nder të tij në ambasadën franceze në Tiranë, dhe u kthye që andej me një libër që Lacani i pat dhuruar: Les quatre concepts fondamentaux de la psychanalyse[1].

Gjithnjë mbaj mend edhe anën melodramatike të kësaj vizite, sidomos të rrëfyer nga ime më, e pranishme në darkë dhe, ngaqë nuk kuptonte frëngjisht, e përjetoi si të ishte film pa titra: pa mbërritur ende mirë në Shqipëri, Lacanin e kishin njoftuar për vdekjen e së bijës, Caroline, në një aksident, prandaj edhe ai e ndërpreu vizitën dhe u kthye menjëherë në Francë.

Carolinën e pat goditur për vdekje, kur po kapërcente rrugën në Antibes, një makinë e ngarë nga një i dehur, më 30 maj 1973 – çfarë edhe më vlen për ta datuar saktë vizitën e Tiranës.

Catherine Millot

Deri më tash, nuk e kisha ditur pse pat ardhur Lacani në Shqipëri – por e gjeta përgjigjen te Life with Lacan (La Vie avec Lacan), Polity Maj 2019, një libër me kujtime nga Catherine Millot, psikanaliste franceze, filozofe dhe e dashura e Lacanit gjatë viteve 1972-1980.

Atje mora vesh se kjo Catherine Millot qenkësh e bija e ambasadorit francez në Tiranë, André Millot – i cili shërbeu në atë detyrë në periudhën 1972-1974. Me sa duket, i intriguar nga ky vend praktikisht i mbyllur ndaj Perëndimit, por ku jetonin prindët e së dashurës dhe mikes së tij e pandarë, Lacani vendosi të shkojë edhe ai në Shqipëri. Shkruan Millot:

“Në korrik, ai [Lacani] vendosi të provojë të vizitojë Shqipërinë. Ishte kurioz për këtë vend ku praktikisht nuk hyje dot, një enklavë e vogël e maoizmit e kontrolluar nga Enver Hoxha.”

Lacan-i shkoi në Tiranë nëpërmjet Budapestit, një qytet që e tërhiqte edhe ngaqë qenë një nga selitë kryesore të psikanalizës në kohën e Freud-it – dhe ku kish jetuar Sándor Ferenczi. Millot, që jo vetëm e kish vizituar disa herë Shqipërinë por edhe kish kaluar vite të fëmijërisë në Budapest (ku i ati pat punuar si atashe po ashtu në ambasadën franceze) dhe ish në gjendje të bënte krahasime, shkruan me admirim për mendjehapjen kulturore që kish gjetur në Hungari: gjatë një takimi me studentë dhe profesorë vendës, ajo u habit sa mirë i njihnin veprat e intelektualëve francezë – Derrida, Deleuze, Foucault, Barthers, Sollers, Kristeva dhe… Lacan në Hungari. Kur i lexon ato rreshta, vështirë të mos të shkojë mendja se çfarë do të kish zbuluar autorja mes studentëve në Tiranë.

Siç e shënon edhe Millot, Lacanin e lidhte me Tiranën sa familja e së dashurës dhe shoqes së tij, aq edhe një farë interesi obsesiv i shumë intelektualëve radikalë francezë për maoizmin në ato vite. Edhe pse ndërroi mendje dhe refuzoi t’i bashkohej grupit të Sollers, Kristevas, Barthesit & Co. në aventurën e tyre të famshme në 1974, Lacani megjithatë vendosi të njihej me dy pandat në kopshtin zoologjik të Vincennes, të cilat ia patën dhuruar kinezët presidentit Pompidou. Këtë detaj e regjistron Millot, e cila shton: në fakt, Lacani ndiente afinitet të veçantë për hipopotamët, ndoshta ngaqë bashkëndante me ta artin e vështirë të gogësimës.

Një tjetër detaj, i përshkruar me gusto nga Milloti, nga shëtitjet e çiftit në Budapest. Autores i pat lënë mbresë të madhe eleganca e grave në rrugë – të cilën nuk e kish pritur, për një vend të kampit të Lindjes. Veçanërisht i kishin mbetur sytë te këpucët me taka të një kalimtareje; me ç’rast i pat thënë Lacanit, jo shumë seriozisht, se do të kish dashur të blinte një palë të tilla. Menjëherë Lacani vrapoi për ta ndaluar gruan dhe, i përkthyer nga kolegu hungarez që i shoqëronte, e pyeti se ku i kish blerë këpucët. Gruaja qeshi dhe i tha se këpucët i kish bërë me porosi, duke kopjuar një palë të ngjashme që i kish parë në revistën Elle!

Një incident që mund të kish ndodhur, tek e fundit, edhe në Tiranë – ku, në fillimvitet 1973, vajzat dhe gratë shpesh e përftonin elegancën duke kopjuar modele nga katalogët që njëfarësoj kontrabandoheshin prej Perëndimit. Nuk di sa e vranë mendjen, Lacani dhe Millot, për këtë praktikë të riprodhimit artistik të një produkti të konsumit të gjerë, siç mund të ishin këpucët. Ai usta hungarez që e kish kopjuar dizajnin nga një fotografi katalogu, kish krijuar një vepër unike – duke e neutralizuar aspektin mekanicist të një produkti industrial për treg që mund të kish pasur i njëjti mall në Francë. Duke ia kthyer, si të thuash, aurën.

Po të kish pasur nge dhe oreks, Lacani do të zbulonte një kontinent të ri të dëshirës, rrugëve të Tiranës në ato vite!

Përndryshe, nëse ka pasur ndonjë impakt çfarëdo vizita abortive e Lacanit në Shqipëri, nuk e them dot; por di që edhe kjo, sado e shkurtër, nuk duhet ndarë nga konteksti i interesit të intelektualëve francezë të kohës për Shqipërinë: që nga Sartre-i te Levi-Strauss-i; dhe që nuk mund të shpjegohet thjesht me maoizmin. Ato vite Franca ishte referenca absolute e Shqipërisë në Europë; dhe ambasadori francez në Tiranë njeriu më i rëndësishëm i Perëndimit në Shqipëri.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi dhe kopjimi pa lejen e autorit.


[1] Im atë pat ndjekur seminarin e Lacanit kur specializohej, në Paris, për psikoterapi, në vitin 1971. Lacani ia pat dedikuar librin kështu: À mon elève trop modeste! Më pas do të përpiqesha ta lexoj atë vepër, por me rezultate të diskutueshme – tepër i vështirë për mua dhe ndoshta për frëngjishten time të mësuar me metodën e Gaston Mauger-së. Për arsye të paqarta, libri sot ka humbur.

1 Koment

  1. Ah! “Ceci explique cela”: Lacani paskerka qene ‘dhendri’ i ambasadorit francez ne Tirane! Prej nga vizita e tij e dikurshme ne Tirane.

    Por kesaj rradhe po habitem me nje tjeter fakt: babai yt paskerka ndjekur seminarin e Lacanit per psikoterapi ne Paris! Jo pak per kohen (po te mendosh qe zyrtarisht, konsiderohej se filozofia m-l zevendesonte cdo forme sociologjie, psikologjie etj etj).
    Por ndofta ka qene më së shumti mungesa e informacionit per psikoterapine (dhe futja e saj ne ‘thesin’ e psikiatrise) qe mund ta kete bere te mundur nje gje te tille…

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin