VOLTERËT JAPIN E MARRIN

nga Panajot Barka

Ndihem i respektuar për mikpritjen kohë pas kohe të artikujve të mi tek “Peizazhe të fjalës”! Sot nuk kam të njëjtën ndjesi, pasi po ju dërgoj një përgjigje të imponuar prej shkrimit “O Volter, të jeshe gjallë…”, të autorit Dhori Qiriazi, publikuar në hapësirën e kësaj reviste, më 16 shtator 2022. Artikulli më adresohet personalisht mua dhe librit tim për qytetin e Gjirokastrës “Perëndimi i Lindjes”, Athinë, 2021.

KONSTATIME TË ETIKËS

Paraprakisht mendoj se në një periodik kulturor aq serioz si ”Peizazhe të fjalës”, nuk mund të zënë vend shkrime me pretendim “akademik”, që nuk respektojnë, së paku, etikën civile dhe më tej atë akademike e shkencore. (Shkrimi i atakuar mbështetet në cilësime denigruese, ironizuese fyese). Ndodhemi para një rasti ekstrem kur artikullshkruesi nuk vlerëson librin për atë që thotë, por për ato që duhet, sipas tij, të përmbante.

Etika të imponon që, kur merr përsipër vlerësimin e një vepre, të evidentosh ndër të tjera dhe vlerat pozitive, sado pak qofshin ato, apo pavarësisht se pajtohesh me to. Vreri pa doganë, mendoj, nuk ka asnjë lidhje me etikën dhe kulturën akademike. Aq më tepër që bëhet fjalë për një libër të veçantë në llojin e vet për Gjirokastrën. Besoj se askush nuk mund të përdorë hapësirën e kësaj reviste të respektuar për të marrë poza dhe kërkuar role patriarku apo autokrati shkencor për çështje të caktuara, për të imponuar bibliografinë që duhet t’i referohesh, apo tezat e tij në veprën tënde etj.

ARSYET E PËRGJIGJES SË IMPONUAR

Pavarësisht se është hera e dytë që artikullshkruesi përdor hapësirën e “Peizazheve të fjalës” për një asgjësim primitiv timin, unë sërish nuk do t’i përgjigjesha. Jo se thjesht i përkas parimit se reklama negative është më përfituese se ajo pozitive. Apo se njeriut tënd mund t’i hash mishin, por jo kockat. U angazhova në përgjigje se me shqetësim të madh vë re abuzimet e artikullshkruesit, që nuk janë thjesht tendencioze ndaj meje dhe librit tim. Nuk nisen nga mentaliteti i tij se nuk pranon ide të reja apo të tjera, sidomos ato që bien ndesh me bindjet e tij dhe qëllimeve që u shërben. Rasti i shkrimit në fjalë paraqet një vijimësi metodologjike, që unë vlerësoj se është me pasoja, në radhë të parë, për diakroninë e identitetit të komunitetit të cilit i përkasim, i njohur sot si minoritet etnik grek në Shqipëri, por dhe për historinë dhe realitetin shoqëror e kulturor midis popullit shqiptar dhe atij grek.

Megjithatë, sipas parimit volterian, është e drejta e tij t’u shërbejë ideve dhe qëllimeve të tij dhe unë, po sipas Volterit, përkrah të drejtën e shprehjes së tyre. Por, pa ia mohuar të njëjtën të drejtë vetes.

Në një plan ndryshe, më endogjen, fakti që artikullshkruesit i mungon toleranca që kërkon deklarimi e të qenët homogjen, por konsumohet në një monolog denigrues në një publik “të huaj!” (shqiptar) për çështje të brendshme, “helene” (homogjene), tregon se artikullshkruesi, Qiriazi, ka arsye më të forta për t’iu nënshtruar logjikës për sfida publike nëpërmjet abuzimeve, për të zëvendësuar dialogun dhe ballafaqimin e ideve me arrogancën. (Rasti me ekstrem u regjistrua në një kongres ndërkombëtar në Universitetin e Gjirokastrës para katër vjetësh, në të cilin, arroganca e tij si drejtues seance për të imponuar idetë e veta, detyroi dy profesorë të njohur amerikanë të largohen nga salla në shenjë proteste.)

Po ashtu, objektiviteti shkencor i tij tregon se udhëhiqet nga parimi i të përkëdhelurit të veshëve të palës pritëse (greke apo shqiptare). Në një veprimtari shkencore të organizuar nga një organizatë homogjene në korrik të 2021-it në Athinë, Qiriazi demonstroi të njëjtin rrëfim të mbajtur edhe në një veprimtari shkencore në Shqipëri, me dallimin se në Athinë helenët e sotëm të Shqipërisë ishin pasardhës të drejtpërdrejtë dhe të denjë të grekëve të lashtë, ndërsa në mjedisin shqiptar “vërtetonte” se prania helene këtu shkon deri pas shek. XIII pas Krishtit. Por, gjenden, sipas tij dhe gjurmë më të hershme të gjuhës greke. Le të kuptohet se janë të rralla dhe të së njëjtës natyrë me ato sllave. Rrjedhimisht nuk garantojnë për grekët e Shqipërisë vijimësi helene që nga lashtësia. Ose, në mjedisin shqiptar afirmon vrulltazi teorinë e gjuhës lingua franca për greqishten, madje, edhe në Voskopojë, edhe në Epir. Në mjedisin grek gjuha greke përbën për të veshjen e thelbit të helenizmit…

“SHQETËSIMI” I VËRTETË I ARTIKULLSHKRUESIT PËR LIBRIN TIM

Agresiviteti i artikullshkruesit ndaj librit tim përbën në fakt garanci për vlerat e tij. Sulmet denigruese të Qiriazit dhe pa minimum etike lidhen me faktin se tezat e mia, sidomos për origjinën e qytetit të Gjirokastrës dhe natyrën e tij multikulturore dhe multietnike, vënë në pikëpyetje therëse idenë e artikullshkruesit në mjedisin shqiptar, se grekët e sotëm, të paktën në Shqipëri, nuk kanë lidhje vijimësie me grekët e lashtë. Pra, janë të ardhur. Siç dhe më lart e thamë, sipas tij, gjuha greke në Jugun e sotëm shqiptar nuk përbënte element kombësie por një lingua franca dhe lingua sacra… Për këtë arsye ngul këmbë Qiriazi, “Jugu (i sotëm) shqiptar ka qenë më i ekspozuar ndaj ndikimit të greqishtes dhe prandaj ruan më shumë gjurmë të saj”.

Përpjekjet për të argumentuar me fakte dhe analizë faktesh të kundërtën e pretendimit të artikullshkruesit karakterizohen nga shkarje, herezi, diletantizëm, absurditet. Në indin e tij shkencor pulsojnë të gjalla konstatimet e bibliografisë “shkencore” të periudhës komuniste se komuniteti i minoritetit etnik grek në Shqipëri është i ardhur këtu shumë vonë dhe përbëhet nga 100 fshatra çifçinjsh (levantlerësh), për të cilët Qiriazi pretendon postin e përfaqësuesit shkencor, por pa ndryshuar linjë përmbajtjesore të sistemit komunist, pavarësisht nga forma.

(Megjithatë, unë besoj se artikullshkruesi nuk e beson këtë që thotë vetë, por do të isha shumë i interesuar t’i shpaloste këto ide për diakroninë helene dhe për gjuhën greke në Epir, në mjedisin grek.)

QIRIAZI THËRRET NË NDIHMË VOLTERIN…, PËR T’I HAPUR RRUGËN BELULIT …

Që në titull, artikullshkruesi përdor për mburojë të etikës së tij arrogante parimin demokratik volterian, që thotë se nuk pajtohem me mendimin tënd, por jam gati të sakrifikohem për ta mbrojtur atë. Nga ana tjetër e shfrytëzon këtë risi emblematike të respektimit të mendimit ndryshe për të promovuar dhe imponuar mendimin dhe idetë e tij sipas parimit: doni më për Belulin! Totalisht, jashtë objektit të librit tim që mori përsipër ta gjykojë dhe ta dënojë me vdekje dhe po aq në kundërshtim me qëndrimet e mia të deklaruara, sidomos në raport me bibliografinë, Qiriazi, për të treguar “erudicionin” që sipas tij i garanton postin e “patriarkut shkencor” të minoritetit, Shqipërisë e Greqisë, sjell në shkrimin e tij një lumë citimesh bibliografike, mosreferimi i të cilave në librin tim e bën atë të pa vlerë, sipas tij.

Pra, për autorin e shkrimit parimi volterian zbatohet vetëm nëse i referohesh atij dhe mendimeve të tij, nëse mbron idetë e tij, nëse përdor bibliografinë e rekomanduar prej tij. Thotë artikullshkruesi “…volterian edhe unë, kam të drejtën t’i kërkoj ta pasqyrojë e ta hedhë poshtë me argumente mendimin alternativ”, kuptohet, të tij (!) (Për paralelizëm jo të titullit të shkrimit, por mentalitetit të mësipërm të tij, do të shënonim “O Enver, që je gjallë, o Enver, o lule…”)

Sqaroj lexuesin e “Peizazheve të fjalës” se në librin tim “Argjyrokastro-Gjirokastra, perëndimi i Lindjes”, Athinë, 2021, në shqip, deklarohet se ai i afrohet më fort sprovës shkencore (sidomos për sa i përket referimit bibliografik) sesa një studimi të mirëfilltë shkencor. Po ashtu, për të eliminuar sa më shumë interpretimet keqdashëse, që aq shumë rreken pas çdo botimi tim në Shqipëri, me ndërgjegje të plotë shmanga në libër deri në ekstrem, literaturën dhe bibliografinë greke (artikullshkruesi kërkon llogari për këtë mungesë!) dhe i mëshova bibliografisë shqiptare, qoftë shkencore qoftë letrare, qoftë përvojës biomatike personale e kolektive.

OBJEKTI I LIBRIT DHE SHMANGIA E QËLLIMSHME E VËMENDJES PREJ TIJ NGA QIRIAZI

Libri nuk ka për objekt gjuhët apo të folmet në Gjirokastër dhe marrëdhëniet gjuhësore midis greqishtes dhe shqipes, siç pretendon pa asnjë të drejtë autori i shkrimit. Gjykimi i tij cedon kur kërkon të imponohet aq dhunshëm për mënyrën e qasjes sime të objektit të librit dhe të realizimit të qëllimit në përmbajtje. Po ashtu, nuk përbën objekt të mirëfilltë të librit krahina e Dropullit si e tillë, as historia e gjuhës greke në Dropull, e as punimet e ndryshme doktorale me objekt periudhën otomane, të rekomanduara prej artikullshkruesit, por që i përkasin bibliografisë “së përjashtuar” në libër. (Bën përshtypje në shkrimin e Qiriazit fakti se këmbëngul në promovimin e autorëve me kontribute të njëvleftshme me të, të tillë që “zbulojnë” dokumente të shek. XVIII, sipas të cilave grekët e Pogonit i kërkojnë Patriarkanës një prift shqiptar, (!) kur dihet se gjuha e meshës në kishën ortodokse dhe për shqiptarët ishte gjuha greke deri në vitet ‘30-‘40 të shekullit të kaluar. Apo rekomandon autorë që variantin me “a” të fjalës “manastir” e trajtojnë si ndikim të shqipes mbi greqishten dhe jo si ndikim edhe mbi shqipen i së folmes popullore në Epir që në kohën e Bizantit!)

Dropulli është trajtuar në libër në funksion të vërtetimit të kohës së themelimit të Argjyrokastros dhe të rolit të tij diakronik në jetën e qytetit. Kështu që është totalisht e paarsyeshme kërkesa me tone denigruese e artikullshkruesit se “Në rastin e Dropullit ekzistojnë fakte dhe prova gjuhësore, që autori i librit “Perëndimi i Lindjes…”, a më mirë, “Perëndimi i Arsyes”, nuk i mori parasysh.” (!!)

KADAREJA DHE OBJEKTI I LIBRIT

Objekti i studimit në libër fiksohet që në titull “Perëndimi i Lindjes” në Gjirokastër dhe është sintetizim i kundërvënies së ashpër të Kadaresë ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit në qytet. Sipas shkrimtarit të madh, Gjirokastra nuk ka kulturë orientale, por ka, o ka kulturë bizantine, o kulturë perëndimore. Këtë qëllim libri synon ta arrijë përmes një qasjeje socioantropologjike dhe sociologjike të historisë dhe realitetit (aspak mirëfilli të gjuhësisë, siç këmbëngul Qiriazi). Duke u mbështetur tek burime bibliografike të përmendura, libri ofron një qasje të re për kohën e themelimit të qytetit, organizimin komunitar (civil), urban e arkitektonik të tij. Libri e kërkon madhështinë e sotme dhe shekullore të qytetit në marrëdhëniet multikulturore midis etnive, komuniteteve fetare, krijuar përmes marrëdhënieve të shumëfishta dhe në shumë nivele të tolerancës e bashkëjetesës. Raportet të mirëfillta gjuhësore jepen në libër përmes një kapitulli “të huazuar” nga puna e shkëlqyer, për mua, e profesoreshës Mimoza Karagjozi-Kore, në monografinë e fundmit të saj për Gjirokastrën.

Në këtë frymë të mbrujtjes së magjisë së qytetit tim, deklaroj në libër se mbetem i hapur për vlerësime, gjykime dhe kontribute të tjera, të ndershme e të çliruara nga paragjykimet.

PARIMI VOLTERIAN DHE GJYKIMI I “KRONIKËS SË DROPULLIT”

Për autorin e shkrimit, thelbi i cenimit të parimit volterian qëndron tek mungesa e referencës në librin tim të mendimit të tij në lidhje me “Kronikën e Dropullit” të shek. XVIII dhe përkrahjes së idesë së shprehur të tij se Kronika është “një roman historik me vulë savante”, ku për autorin ka vlerë vetëm fjala “roman.”

Në aspektin formal, i bëj me dije Qiriazit se kur ai “shpalosi” pikëpamjet e tij në lidhje me “Kronikën e Dropullit”, po tek “Peizazhe të fjalës”, në shkurt të 2021-it, libri im për Gjirokastrën kishte dalë në qarkullim. Nga ana parimore, siç më lart e theksova, nuk besoj se ekziston ndonjë e drejtë morale, etike, shkencore apo akademike që më obligon mua si autor libri t’u referohem ideve dhe mendimeve të dikujt tjetër, kushdo qoftë ai.

PËRSE KAQ LUFTË, VRER E NERVA PËR NJË LIBËR ROMANTIK TË SHEK. XVIII?!

Në fakt problemi është më i thellë dhe unë ndiej përgjegjësinë dhe obligimin disaplanesh për ta sqaruar dhe argumentuar. Ose, së paku, të shpreh qëndrimin tim. Çështja e “Kronikës së Dropullit”, faktet dhe tezat që ajo mbart, përbëjnë një argument shumë të fortë, kundër qëndrueshmërisë së pretendimeve (të karakterit romantik) se grekët-helenët e Shqipërisë, janë të ardhur në trojet e tyre të sotme diku në shekullin XVIII-XIX, si argatë. Qiriazi, pavarësisht se nuk shprehet drejtpërdrejt, është përkrahës i kësaj teze (se janë të ardhur). Por ai, ndërsa nuk mund të pajtohet me tezën e ardhjes së vonë të tyre, mbron këtë tezë duke kërkuar korrigjimin e saj në kohë…, spostimin e datës së konstatimit të helenëve në këto troje, aty nga shek. XIII- XV!!!. Për t’u bërë më bindës, por më shumë për t’u bërë koncesione përkrahësve të variantit të parë, ai krijon dhe për homogjenët e tij (me përjashtim të vetes) përshtypjen e të qenët të rendomtë në disa fshatra.

Kjo është “rruga e mesme” e Qiriazit për të cilën shprehet në artikull, duke synuar, me sa duket, të rehabilitojë veten dhe të mënjanojë reagimet që vijnë, si nga përkrahësit e tezës se grekët erdhën në trojet e sotme në Shqipëri shumë vonë, por sidomos nga ata, nga homogjenët, që nuk i heqin asnjë presje tezës së vazhdimësisë nga grekët e lashtë.

Në këtë këndvështrim, mohimi apo në fakt injorimi i rëndësisë së “Kronikës”, përbën levën e Arkimedit për artikullshkruesin për të mbështetur teorinë e tij migratore të vonë të helenëve (“minoritarë”) në trojet e sotme dhe për të eliminuar lidhjet dhe vijimësinë nga grekët e lashtë, prania e të cilëve është aq e dukshme në rajonin ku “minoritarët” banojnë dhe sot.

STANDARDI I DYFISHTË I QIRIAZIT NË LIDHJE ME “KRONIKËN E DROPULLIT”

“Kronika” e shkruar nga autorë anonimë në fillimet e shek. XVIII njofton se grekët e Dropullit e kanë origjinën nga dy fise atikase të vendosur në trojet e tyre të sotme diku pas luftës së Trojës, pasi u dëbuan nga Athina.

Historianë dhe studiues të saj, si S. Dhaskalopoullou e N. Vernikos, e konsiderojnë një vepër që i paraprin iluminizmit perëndimor në angazhimin e tij për të rithirrur në realitetin e kohës, botën dhe kulturën greko-romake si rrugëdaljen e vetme nga obskurantizmi mesjetar dhe për krijimin e komb-shteteve në Evropë. Kuptohet që autorët anonimë të “Kronikës së Dropullit”, në realizimin e këtij qëllimi, thërritën në ndihmë qasjen romantike të historisë për të krijuar një etnogjenezë sa më të lashtë dhe më të ndritur për komunitetin e tyre. Kanë meritën se nuk kërkojnë origjinën e tyre dhe heronjtë që garantojnë të ardhmen as te aktualiteti (P. Otomane), as te Bizanti e as te periudha grekoromake. Por, vetëm te grekët e lashtë. Nga ky këndvështrim, do të përbënte marrëzi enveriste nëse një libër të shek. të XVIII ta gjykosh me filtrat e sotëm shkencore, siç pretendon Qiriazi.

Dihet gjithashtu, se kjo metodologji u bë në kohët e mëvonshme, sidomos para e pas mesit të shek. XIX, domosdoshmëri për kultivimin e ideologjive dhe kulturave kombëtare tek popujt nën sundimin otoman dhe jo vetëm. Në këtë plan, literatura e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, me paradigmë traditën e afërt greke me qendër në Janinë, u mbështet tek trajtimi romantik i historisë, për të gjetur një etnogjenezë të ndritur për popullin shqiptar. Është po ashtu e njohur se këto trajtesa romantike të historisë nga rilindësit shqiptarë u shndërruan në vijim dhe deri në ditët tona në të vërteta të pamohueshme shkencore.

Autori i shkrimit “O Volter, të jeshe gjallë…” përbën sot një nga levat kryesore në formalizmin shkencor, në favor të idesë kombëtare shqiptare, të literaturës romantike të autorëve të Rilindjes, sidomos të asaj pjese që lidhet me autorë grekë. Dihet se shumë prej tyre, në emër të idesë së një shteti dyadik greko-shqiptar, sidomos në Epir (kur shteti i ri grek nuk mendonte për Epirin para interesave në Maqedoni dhe Egje), mbështeten gjerësisht me trajtesa, po romantike, mendimin romantik të Rilindjes shqiptare për të promovuar atë përbashkësi historike e kulturore, që do të lejonte bashkimin për çlirimin e Epirit nga pushtuesit otomanë.

Çuditërisht, qëndrimi i Qiriazit është totalisht i kundërt në rastin e “Kronikës së Dropullit”. Pranon se është “një roman me vulë sevante” por pa informacion historik të vlerësuar shkencërisht. Dhe për të “desevantizuar” vlerën shkencore të njoftimeve  të “Kronikës,” u referohet burimeve bibliografike që mbështesin idenë e tij. Ndërkohë, siç përmendet dhe në librin tim, ekzistojnë dhe plot burime të tjera që e vlerësojnë lart kontributin e “Kronikës” për njoftimet e sjella. Nga ana tjetër, debati mbi dyshekullor për këtë vepër dhe larmia kaq e gjerë bibliografike pro dhe kundër “Kronikës”, përbën de facto një tregues të vlerave që ajo mbart.

Megjithatë, qëllimi im në libër nuk ishte aspak qëmtimi dhe ballafaqimi i kësaj bibliografie, në formë shteruese, siç më kërkon Qiriazi. Qëllimi ishte që duke e krahasuar përmbajtjen e “Kronikës” me burime të tjera, arkeologjike, historike, gjuhësore, të kulturës popullore etj., të arrija të përvijoja një trase të re në gjenealogjinë e Gjirokastrës. Dhe kjo përbën risinë e librit, pasi prek dhe prish shumë tabu dhe hap, mendoj unë, shtigje për të ecur më tej. Në rastin më të thjeshtë, është një mendim ndryshe. Ndaj është shumëfish e papranueshme kazma dhe lopata në duart e Qiriazit, sidomos atij, për ta groposur me dhunë këtë shteg që synon të hapë libri.

Ndërkohë, është fakt se studiues të ndryshëm, sidomos shqiptarë, por edhe grekë, në punën e tyre kërkimore e studiuese në rajonin e Dropullit, kishin si orientues pikërisht të dhënat e “Kronikës”. Gjithashtu, rezultatet e arritura prej tyre i vërtetojnë informacionet e “Kronikës”. Përmendim Evangjelidhin në gjetjen e Dropullit të lashtë, që gabimisht e kujtoi për Antigonenë, Budinën, Cekën, Komatën, Baçen, Dilon e shumë të tjerë.

“Kronikën” e vërteton harta arkeologjike e Dropullit, pjesërisht të eksploruar, të dhënat historike për marrëdhëniet e perandorëve bizantinë me Dropullin dhe Pogonin të përmendur në Kronikë. Të dhënat e “Kronikës” janë vërtetuar me kohë për sa u përket fillesave të ndërtimit të kalasë së Argjyrosë dhe fazave zhvillimore të saj deri në periudhën otomane. E vërtetojnë “Kronikën” doktoraturat e shumta me objekt kulturën e Dropullit, të përmendura në shkrimin e Qiriazit si bibliografi e rekomanduar për librin tim.

Janë pikërisht gjithë këto të dhëna e të tjera të pathëna, si Kodikët e parë të Bizantit të hershëm në rajon, që krijuan bindjen tek akademiku Shaban Sinani, se Gjirokastra, si qytet, nuk arriti të adaptojë kulturën e Dropullit, sidomos atë fetare. Këtë fat e kishte fillimisht Bylisi dhe në vijim Berati. Kjo do të thotë se Dropulli ishte gjithmonë një krahinë sevante e sevantesh.(!)

“FALËNDERIME” PËR ARTIKULLSHKRUESIN

Së fundi, mua më duhet ta falënderoj artikullshkruesin Qiriazi. Dhe e bëj këtë pa u shtirur, as për të vënë në dukje vlerat volteriane të miat. Autori i shkrimit, mbështetur tek parimi i tij, “Doni më për Belulin”, pra, për të treguar erudicionin e tij dhe për shmangur vëmendjen nga përmbajtja e vërtetë e librit, gjurmon në të “lajthitje gjuhësore”, siç thotë. Në fakt pasuron argumentet pro tezave të mia.

Në libër, për të treguar shtresimet dhe mbishtresimet e ndryshme që promovuan natyrën multikulturore, multifetare dhe multietnike të komunitetit gjirokastrit, por me nënshtrat helen, sjell shembuj nga fusha të ndryshme. Një i tillë është rasti i familjes së Topullarajve. Në libër sillen fakte dhe argumente se i pari i familjes, greku Vasili Mavromati (Syziu, në përkthimin shqip), erdhi nga Suli. Madje, më 1773, sipas Kodikut të Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, një pjesëtar i kësaj familjeje, Paraskevas, ishte anëtar i Këshillit të Episkopatës së Gjirokastrës. Në vijim mavromatët helenë u myslimanizuan dhe mbiemri u bë Karagjozi (syziu, në turqisht). Pas 1810-ës, në Gjirokastër merr dhenë një histori që ka lidhje me topat e Ali Pashës në kala dhe me familjen Karagjozi, histori gojore e cila normalisht qarkullon në shumë variante. Nga kjo marrëdhënie u ngjiz mbiemri Topulli në familjen Mavromati-Karagjozi. Pa vënë re se artikullshkruesi anashkalon në shkrimin e tij origjinën e Topullarajve- Karagjozi -Mavromati, unë e falënderoj atë, jo vetëm se shton një variant tjetër të së njëjtës histori për mbiemrin Topulli, por se më thotë se edhe prapashtesa -ulli, është me origjinë greke.

Po ashtu, për të evidentuar nënshtratin helen në qytetin e gurtë, iu referova burimeve të ndryshme për emrat grekë të disa lagjeve të vjetra (dhe të sotme) të qytetit. Artikullshkruesi, për të rrëzuar variantet e mia etimologjike, shton nga një apo dy variante të tjera po greke. Kuptohet, siç e thashë, nuk ishte ky qëllimi im në libër, që të merresha me detaje shteruese gjuhësore, për elemente të veçanta historike, arkitektonike, shoqërore, antropologjike, sociologjike, se do të më duheshin vëllime të tëra dhe, po ashtu, kuptohet se del jashtë kompetencave profesionale personale. Por gjithsesi dua ta falënderoj artikullshkruesin për këtë kontribut në favor të tezave të mia në libër.

NË MBYLLJE …

Dua t’i kujtoj publikisht artikullshkruesit se unë u përmbahem fort premtimeve që jap. Ndoshta edhe ai, me ndërgjegje apo i imponuar, respekton rigorozisht obligimet që nga koha e shkollimit. Gjithsesi, rruga e tij “shkencore” gjithnjë e më shumë po bëhet më e dukshme. Epiri, sidomos në periudhën e Rilindjes ka plot shembuj të ngjashëm…!

© 2022 Panajot Barka. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: Titulli është i redaksisë. Titulli i shkrimit origjinal: “O VOLTER, TË JESHE GJALLË…”, APO O ENVER QË JE GJALLË …!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin