RRETH ISLAMOFOBISË DHE LAICIZMIT

nga Artan R. Hoxha

Arsyeja pse u ula për të shkruar këtë artikull lidhet me një debat që u bë në “Peizazhe të fjalës” mbi një shkrim të Ben Blushit rreth shamive, debat që është nxehur edhe më shumë së fundmi edhe nga një vendim i qeverisë së Republikës së Kosovës për lejimin e tyre në shkolla mbi moshën 16 vjeç. Më konkretisht, e kam fjalën për një shkrim të autores Gresa Hasa dhe ndërhyrjes së Ardian Vehbiut mbi laicitetin në Shqipëri (Laiciteti ynë). Nisur nga një postim që zoti Ben Blushi bëri në faqen e tij në Facebook mbi kokën e mbuluar të grave të shumta, ku mes tyre kishte edhe adoleshente, të cilat festonin në sheshin qendror të Tiranës Kurban Bajramin, Gresa Hasa botoi një shkrim ku e quan Blushin islamofob dhe mizogjin. Nuk e di nëse këto dy emërtime i shkojnë ose jo autorit të postimit. Veçanërisht jo i sigurt jam për mizogjininë e tij.

Nuk është aspak e gabuar të reagohet mbi anatemimin e njerëzve që mblidhen për të festuar një nga ditët kryesore të kalendarit të tyre fetar. Ata kanë të drejtë po aq sa edhe të tjerët që mblidhen e festojnë nëpër koncertet që organizohen në sheshet qendrore të kryeqytetit. Këta besimtarë nuk mund të stigmatizohen as edhe për kodin e tyre të teshave. E drejta për t’u veshur në përputhje me normat e besimit që ndjekin është po aq e madhe, sa edhe e vajzave që ekspozojnë, pa u druajtur dhe me shumë të drejtë, hiret e tyre rrugëve të qytetit, aq edhe nëpër Facebook, Instagram, TikTok etj., apo e djemve për t’u mburrur ku dhe si munden, me muskujt dhe tatuazhet që u mbulojnë trupin – gjë që e bëjnë po ashtu edhe shumë vajza. E megjithatë – e këtu nuk kam aspak për synim të shfajësoj zotin Blushi – ne nuk mund të mos diskutojmë për këtë dukuri që është po aq edhe e drejta e tij, si edhe e kujtdo qytetari, që të flasë përpara këtyre dukurive shoqërore. Janë të shumtë ata që dënojnë stilin e jetesës së një pjese të rinisë së Tiranës dhe hedonizmin e saj. E megjithatë, askush nuk ngrihet t’i padisë si hedonofobë e mizogjinë.

Përtej kësaj, ka edhe diçka tjetër në veshjen e një pjese të besimtarëve myslimanë, qofshin femra apo meshkuj, që nuk është aspak e shkëputur nga politika. Në fakt, veshja është shpesh, për të mos thënë thuajse gjithmonë, deklaratë politike, shprehje e një ideologjie apo qëndrimi programatik të caktuar. Vetë mbulimi i pjesëve të turpit, që ne i quajmë intime, dhe dënimi me ligj i ekspozimit publik të tyre tregon qartë se veshja nuk është thjesht përgjigje praktike ndaj nevojave të njeriut për t’u mbrojtur nga elementet e natyrës. Ajo rregullohet nga një kod moral dhe norma juridike, që e mbështesin atë. Këtu qëndron edhe çështja e veshjes së mjaft besimtarëve myslimanë, qofshin burra apo gra, të cilët përdorin një kod teshash të ngjashëm me vendet myslimane, qofshin principata apo republika islamike. Në vetvete, ka raste kur ato janë shprehje të heshtura dhe jovokale kundër laicitetit dhe rendit shtetëror ekzistues.

Në Shqipëri nuk mungojnë edhe ata që e thonë publikisht se kanë për objektiv ta kthejnë Shqipërinë në tokë islamike, nisur edhe nga ontologjia e luftës së shenjtë që e ndan botën në Dar-al Islam dhe Dar-al Harb, pra, në tokën e islamit dhe në tokën e luftës, kjo e fundit një hapësirë ku zhvillohet lufta e shenjtë. Është agjenda politike e këtyre individëve dhe e segmenteve që ata përfaqësojnë dhe zëdhënës të të cilave bëhen që përbën shqetësim. Dhe ndaj këtyre dukurive, secili prej nesh ka të drejtën të mos jetë shpërfillës dhe t’i kritikojë. E them këtë pasi tanimë termi “islamofobi” përdoret mjaft shpesh dhe nxirret nga xhepi me shumë lehtësi, sepse një term i tillë krijon frikë për të gjithë ata që duan të jenë korrektë politikisht, saqë është e pamundur për të zhvilluar një debat të shëndetshëm. Nëse akademisë, por edhe opinionit publik u vihen kufij, gardhe, tema tabu, çështje të paprekshme, atëherë si debati akademik, ashtu edhe ai publik atrofizohen. Heshtja e imponuar është hapi i parë drejt diktaturës dhe kjo vendoset e riprodhohet në kushtet kur dyshimi apo e drejta për të ngritur pikëpyetje dhe hapur diskutime vritet ose mbytet.

Nuk kam për qëllim të polemizoj me znj. Gresa Hasa, por në shkrimin e saj kishte edhe disa pasaktësi, ndër të cilat njërën e konstatoi edhe Klejdi Këlliçi, i cili vuri në dukje se nuk ishin italianët ata që e hoqën ferexhenë, madje zbutën disa prej masave të miratuara nga Ahmet Zogu në vitin 1937. Pas 7 prillit, italianët diku e lejuan vënien e saj dhe diku e ndaluan, por për qëllime praktike, që lidheshin kryesisht me gjendjen e luftës. Me rritjen e qëndresës kundër tyre, ata donin të ishin të sigurt që poshtë turbanëve nuk fshiheshin komunistë apo të tjerë njerëz, kryesisht meshkuj, që kryenin veprimtari kundër tyre. Pra, ishin masa që kishin të bënin me çështjen e sigurisë. Gresa Hasa e quan Zogun diktator dhe me këtë zhbëhet dhe humb legjitimitetin masa e tij për heqjen e ferexhesë. Në fakt, problemi i heqjes së ferexhesë daton shumë më herët, qysh në vitet ’20 dhe ka qenë i mbështetur nga segmente të gjera të të arsimuarve në Shqipëri. Nuk ishte thjesht dhe vetëm një vendim i Ahmet Zogut. Pra, përpara se të jepen përfundime, duhet, së pari, një informim më i kujdesshëm historik. Përtej kësaj, dhe këtë e di mirë, pasi merrem me qëmtimin e së shkuarës, gjendja e gruas shqiptare deri në kohën e Zogut nuk ka qenë aspak e lakmueshme. Për këtë mjafton të lexosh romanin e Haki Stërmillit “Sikur të isha djalë”. Vrasjet, grabitjet, përdhunimet dhe shitja e grave si mall tregu ishin në rend të ditës, deri në kohën kur Zogu forcoi autoritetin e shtetit që drejtonte. Ky dhe të gjithë modernizuesit shqiptarë nisën, sidomos pas vitit 1925, fushata të ethshme për të ndaluar këto dukuri, të cilat preknin gjerësisht edhe të miturit e të dyja gjinive.

E mbi të gjitha, mbulimi i gruas nuk tregon aspak lirinë e saj. Përkundrazi, është shënjues i inferioritetit dhe statusit të saj të nënshtruar në shoqëri patriarkale, të cilat jo rrallë justifikohen edhe ideologjikisht nga feja. Fundja, thuajse gjithmonë, përkrah grave të mbuluara, sheh meshkuj me pantallona të shkurtra me kanotiere apo me T-shirt. Thua vetëm burrat kanë vapë? Dukshëm burrat kanë më shumë autonomi në ndjekjen e modës që është më e rehatshme për ta. Trajtimi i gruas si një subjekt i burrit nuk është karakteristikë e islamit, por e feve monoteiste dhe e besimeve politeiste përpara tyre. Nënshtrimi i gruas është pjesë e një rregulli më të gjerë brenda të cilit lindi edhe feja islame. Edhe mbulimi dhe segregimi i tyre nuk është aspak një tipar i islamit, por daton herët, të paktën qysh në Athinën e vjetër. Trupi dhe kontrolli mbi të, dhe sidomos ai i gruas, me të cilin është lidhur edhe nocioni patriarkal i nderit, ka qenë një sine qua non thuajse i të gjitha qytetërimeve. Këtu e ka zanafillën edhe vetë etika e veshjes dhe mbulimi. Moderniteti e shndërroi trupin dhe bashkë me të edhe çështjen e turbanit, shamisë së kokës – traditë kjo aspak e izoluar në Lindjen e Mesme, por e gjithëpranishme në gjithë Euroazinë, në një nga fushëbetejat kryesore të tij. Në historinë njerëzore – dhe këtu me histori kam parasysh periudhën historike nga lindja e shkrimit – momenti kur gratë kanë pasur më shumë liri daton në shekullin XX dhe ka qenë kryesisht i përqendruar në vendet e Europës dhe të Amerikës, si dhe pjesërisht në vendet e industrializuara të Lindjes së Largët. Regjimet politike të vendeve myslimane, me pak përjashtime, si për shembull Tunizia sot, apo Iraku i Sadam Huseinit dhe Irani i Pahlavi Rezës dje, i janë kundërvënë emancipimit dhe barazisë së gruas. Nëse këto gjëra vihen në dukje, kjo nuk të bën islamofob, sikundër mëtohet.

Për t’iu kthyer historisë, dikur, mbulimi i grave nuk ishte edhe aq shprehje e vullnetit të lirë të tyre. Vetë ideja e vullnetit të lirë nënkupton të drejtën për të vendosur, pra individualizëm, gjë e pakonceptueshme atje ku kolektiviteti fisnor ishte parametri bazë i identifikimit dhe ku njeriu nuk i përkiste vetes, por grupit. Dhe grupi identifikohej me kreun e tij, me atë që kishte pushtetin dhe garantonte vijimësinë e ushtrimit të asaj tradite dhe hierarkish gjinore dhe breznore, që riprodhonin modelin shoqëror së cilës i përkisnin. Nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë se gratë e kanë refuzuar mbulimin. Pasi pranohen vlerat dominuese, hierarkitë gjinore normalizohen dhe pranohen si të mirëqena, derisa vjen një moment kur, si pasojë e ndryshimeve të gjera shoqërore, ekonomike, teknologjike, ideologjike, kulturore që prekin në mënyrë rrënjësore jetën e përditshme, vlerat dominuese vihen në pikëpyetje. Ndaj, duhet bërë kujdes me përfundime të tilla, që heqja e ferexheve nga Zogu rridhte prej faktit se ai ishte diktator. Problemi është më i ndërlikuar sesa një thjeshtëzim i tillë. Këtu kemi një rivalitet të shtetit modern kombëtar dhe qendrave tradicionale të pushtetit, përfshirë këtu institucionet fetare dhe ato fisnore patriarkale. Enver Hoxha do ta vazhdonte këtë luftë, që kulmoi me Revolucionin Kulturor dhe të mos harrojmë që një nga synimet kryesore të tij ishte edhe emancipimi i gruas. Nëse Enver Hoxha dhe Ahmet Zogu ishin diktatorë, po aq ishin edhe burrat e moçëm dhe pater familias me të rinjtë dhe gratë në shtëpitë e tyre. Mund të ishte më mirë të thuhej se kjo ishte një betejë mes satrapësh, ku nga pikëpamja utilitariste shumë gra mund të mendojnë fare mirë se ato përfituan më shumë nga triumfi i tiranëve të Tiranës. Ndaj nuk duhen projektuar mbi të shkuarën disa vlera të së tashmes, pasi ato e shtrembërojnë atë përmes një akti të pastër imperializmi të së sotmes mbi të djeshmen. Në të njëjtin gabim bien shumë historianë, përfshirë këtu edhe mjaft syresh në Shqipëri, vend ky ku strehohen një numër i rëndësishëm rekordmenësh të këtij zhanri.

E thashë edhe më sipër se veshja ka karakter ideologjik, përfshirë këtu edhe minifundet dhe dekoltetë, të cilat nuk janë të pafajshme dhe të padiktuara. Përkundrazi, iu përgjigjen konteksteve të caktuara të diskurseve, shijeve dhe formave estetike, që gjenerohen si në formë të padukshme përmes hegjemonisë kulturore, aq edhe të imponuara prej pushtetit të shtetit. Kështu që edhe aty ku ka spontanitet, ky i fundit nuk është edhe aq i vetvetishëm. Çështja është se sa autonomi kanë individët të zgjedhin dhe sa të diktuara janë ato nga familja, shoqëria dhe nga të gjitha qendrat që kontrollojnë pushtetin politik, ekonomik dhe ideologjik. Personalisht nuk do ta merrja për të mirëqenë se mbulimi i kokës apo mbajtja e veshjeve me prejardhje nga vendet e Gjirit Persik apo vende të tjera ku sundon sheriati është në të gjitha rastet një zgjedhje pastërtisht e lirë e subjekteve myslimane që jetojnë në Shqipëri. E po ashtu, vështirë se mund të thuhet se të rinjve që vishen sipas mënyrës perëndimore iu është imponuar stili i petkave të tyre nga familjet apo autoritete të tjera. Për të mos thënë se ata mund të kenë pasur edhe konflikte me prindërit lidhur me zgjedhjet që kanë bërë. Sikundër di edhe raste kur vajzat që janë mbuluar, kanë pasur tensione të mëdha me familjet për shkak të zgjedhjeve të tyre. E megjithatë, këtu ka një dallim në shkallën e ushtrimit të pushtetit në diktimin e parametrave estetikë.

Ka edhe njerëz që hierarkitë e rrepta gjinore dhe identifikimin e mëkatit me gruan, pra, me mollën e Evës apo të Havasë, i quajnë normale dhe i pranojnë, por, nga ana tjetër, ka edhe nga ata që nuk i pranojnë dhe e cilësojnë diskriminim gjinor në cilëndo formë qoftë ai, përfshirë këtu edhe veshjen si të padëshirueshme. Këta kanë po aq të drejtë të shprehin shqetësimin dhe parapëlqimet e tyre dhe, duke bërë këtë, nuk shprehin domosdoshmërisht fobi kundrejt ndonjë feje të caktuar. Në këtë pikë, nuk mund të anashkalohen dhe të lihen në heshtje xhamitë e ndërtuara pa leje që janë jashtë kontrollit të komunitetit mysliman, ku klerikët e tyre marrin financime nga burime të dyshimta, që jepen në shkëmbim të agjendave politike. Jo rrallë fondet vijnë nga sektorë të caktuar të vendeve të Gjirit Persik, që kanë agjenda të qarta fetare dhe politike dhe që kërkojnë zbatimin e formës së tyre të islamit, gjë që shprehet edhe në stilin e veshjes. Suksesi i tyre tregon zhveshur problemet e mëdha që po kalon vendi pas rënies së komunizmit, varfërinë e madhe, mungesën e shpresës për të ardhmen, migrimin masiv nga fshatrat e thella në qytet, alienizimin, këputjen e solidariteteve shoqërore, që kishin mbajtur në këmbë bashkësitë e ndryshme rurale, ballafaqimin traumatik me ekonominë e tregut, brishtësinë e njerëzve të papërgatitur për të konkurruar në një treg global, mungesën e mekanizmave shtetërorë dhe dështimin e qeverive shqiptare për të garantuar siguri etj. Këtu ndihmat e ardhura nga Lindja e Mesme janë shoqëruar jo rrallë me detyrime të karakterit fetar dhe ideologjik. Asgjë nuk jepet për asgjë!

Ringjallja e fesë nuk është një dukuri shqiptare, por globale, dhe thuajse në të gjitha rastet ato janë pasoja të situatave konkrete të krijuara në kontekstin neoglobal. Sikundër edhe feja ka shërbyer si një llaç lidhës për të gjithë emigrantët dhe imigrantët, që kanë lënë masivisht bashkësitë e tyre dhe janë zhvendosur si brenda kufijve të shtetit-komb, ashtu edhe jashtë tij. E pra, këtu kalojmë nga utopia dhe ideali i zgjedhjes së lirë të adoleshenteve të pafajshme të abuzuara nga Ben Blushi, te vajzat e pafajshme, zgjedhjet e të cilave mund t’i kenë marrë të tjerë, nën maskën e lirisë, në një strukturë të caktuar socio-ekonomike dhe ideologjike. Nuk duhet të jemi edhe aq të sigurt se këto vajza adoleshente që sot mbulohen, në kushte të tjera, në një Shqipëri që do të kishte qenë ndryshe, apo në një vend tjetër, do të kishin marrë të njëjtin vendim. Dhe kjo jo për shkak të islamofobisë së shoqërive ku do të ishin, por për shkak të rrethanave të tjera ekzistenciale në të cilat ato dhe familjet e tyre do të ndodheshin. As nuk ka pse të pranohet pa asnjë diskutim se adoleshentet besimtare e kanë marrë vendimin për t’u mbuluar në liri të plotë, pa imponimin e familjes apo të tjerëve njerëz që kanë pushtet mbi to.

E këtu kalojmë te problemi tjetër, tek ai i laicizmit dhe funksionimi i tij në një shoqëri të lirë, gjë që nënkupton edhe mirëpranimin e një kontrate sociale, e cila bëhet e vështirë në kushtet kur ka rryma të shumta që e kundërshtojnë atë dhe që, duke përfituar nga liria e shprehjes, polarizojnë shoqërinë shqiptare. Kjo bëhet sidomos e vërtetë për raportin ndërmjet islamit dhe shekullarizmit dhe shtetit laik. Si ata që argumentojnë se islami e ka të vështirë, në mos të pamundur të pranojë laicizmin, që shihet si perëndimor, si ata që argumentojnë kundër, gabojnë qysh në pikënisje. Islami nuk është një gjë, nuk është një send dhe asnjë dukuri e vetme monolitike. Vendet me popullsi praktikante myslimane shtrihen nga Atlantiku në Oqeanin Indian, nga Azia Qendrore deri në Afrikën Juglindore. Nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, shoqëritë që kanë përqafuar këtë besim ndryshojnë shumë, e bashkë me to edhe mënyra se si ato e praktikojnë këtë fe. Ka shumë islam, si edhe ka shumë krishterime. Ndaj përdorimi i njëjësit është i gabuar, sikundër nuk është i saktë edhe përdorimi i termit laik dhe shekullar. Në Ballkan ka qenë praktikuar një islam sinkretik, që ndryshonte nga ai i vendeve arabe dhe afrikane. Po përdor kohën e shkuar. Sot, situata është më komplekse, sepse bota nuk është më ajo e një shekulli më parë, madje nuk është më as ajo e përpara 30 viteve.

E them këtë sepse laicizmi i Shqipërisë nuk duhet marrë si një gjë e mirëqenë dhe themelimi i saj si një shtet laik ka qenë i diktuar nga rrethanat ndërkombëtare dhe modeli dominues i kohës që vepronte në Europë, ku edhe Shqipëria ndodhet. Jashtë këtij konteksti, rezultati nuk do të ishte medoemos i njëjti. Përpos kësaj, edhe modeli i shtetit laik nuk ka kaluar i pasfiduar. Përkundrazi, që nga kryengritja e Shqipërisë së Mesme në vitin 1914, te peticionet e nënshkruara në Korçë dhe Shkodër në vitin 1921 për autonomi krahinore dhe fetare, te Republika e Mirditës, te rezistenca e klerit katolik ndaj qeverisë së Tiranës, të gjitha këto ndodhën në tre dhjetëvjeçarët ndërmjet Shpalljes së Pavarësisë dhe Luftës së Dytë Botërore. Vendosmëria dhe manovrat e Ahmet Zogut për të shtypur dhe negociuar këto prirje centrifugale dhe më pas vareja komuniste që i sheshoi ato, krijuan një situatë konkrete në një botë që ndryshonte nga ajo e jona. Vendosja e epërsisë së pushtetit tokësor mbi atë qiellor nuk ka qenë aspak një proces historik linear dhe pa tensione. Për këtë mjafton t’u referohemi përvojave të Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Sot, situata nuk është më e njëjta dhe vlerat dominuese ndryshojnë. Për këtë duhet të jemi të vetëdijshëm. E po ashtu, të mendosh se realiteti shqiptar është i fiksuar me një esencë të tijën të pandryshueshme, bie në gabimin e ahistoricizmit të problemit. Përtej kësaj, regjimet politike që kanë qeverisur Shqipërinë nga viti 1925 deri në vitin 1990 ishin shumë xheloze e të vëmendshme ndaj çdo financimi që vinte nga jashtë dhe kundrejt kujtdo individi që kryente veprimtari që kërcënonte apo vinte në dyshim autoritetin e tyre dhe rendin politik ekzistues. Nëse dikush guxonte, pasojat ishin të menjëhershme dhe aq të rrepta, sa në më të shumtën e rasteve pendesa ishte e sigurt. Vendet e Gjirit Persik nuk ishin të pasura si sot dhe ndodheshin nën kontrollin e fuqive europiane. Kalifati u tret bashkë me shembjen e Perandorisë Osmane. Më pas, rivali i demokracive laike perëndimore ishte një shtet fundamentalist shekullar, që ngriti një filozofi materialiste në rangun e fesë dhe që, pavarësisht mëtimeve të tij të ndarjes së shtetit nga feja, në fakt u kthye në një model thuajse teokratik. Sot, nuk jetojmë më në një botë eurocentrike dhe modeli perëndimor po sfidohet gjithnjë e më shumë. Modeli i shtetit-komb, që deri dje synonte homogjenizimin e shoqërisë brenda një kulture të vetme, sot është zëvendësuar nga paradigma e multikulturalizmit.

Të mos harrojmë se nuk ishte thjesht toleranca e hamendësuar fetare e shqiptarëve, por edhe modeli i shtetit shekullar, ai që krijonte mundësinë për harmoni fetare të mbështetur mbi barazinë përpara ligjit. Për arsye të hapësirës dhe qëllimit të këtij punimi, ku nuk mund të qëmtohet me hollësi problemi i tolerancës fetare në Shqipëri, thjesht po kufizohem të them se nuk duhet menduar se kjo është një cilësi e lindur e shqiptarëve. Kanë qenë rrethana të shumta që krijuan hapësirën për bashkëjetesë fetare, që jo gjithmonë ka qenë pa tensione. Me ndryshimin e këtyre rrethanave situata mund të ndryshojë katërcipërisht. Në vend që të biem në vetëkënaqësi dhe të ngremë mite mbi veten, duhet të shqyrtojmë me vëmendje historinë. Kritika, shpesh e shoqëruar me prapashtesën “fobi” nga të gjithë ata që nuk u pëlqen ajo, i shërben pikërisht synimit për të qenë syçelët. Laicizmi, ashtu si është zbatuar në Shqipëri, i është përmbajtur traditës humaniste, që njeh individin si subjekt universal. Sa herë identiteti i grupit ka marrë përparësi mbi atë të individit, qoftë në regjime të udhëhequra nga ideologji shekullare me shtysë mesianike, si nazizmi, komunizmi, apo regjime politike me karakter fetar, ka krijuar rezultate të trishta, nga racizmi, gjenocidi, spastrimi etnik, përndjekja fetare e deri te lufta e klasave. Edhe në Shqipëri shteti e ka njohur identitetin e grupit, por ky parim është aplikuar sidomos në përputhje me kategorinë shekullare të kombit, duke ia nënvendosur këtij të gjitha format e tjera identitare kolektive, të kujtdo forme qofshin ato. Ndërsa regjimi komunist e riformuloi identitetin e grupit duke futur si parim bazë “klasën”. Në secilin rast, abuzimet mbi “tjetrin” nuk kanë munguar. Vetë përvoja jonë historike na mëson se sa e mundur është që, edhe te ne, grupi që ka pushtetin, shtyp grupin apo grupet e tjera, që nuk konformohen me kornizën ideologjike të tij. Siguria e rreme se te ne gjërat funksionojnë ndryshe, ka shtyrë jo pak veta në Shqipëri të mendojnë se jetojmë në një kapsulë të qelqtë, ku nuk ndodh asgjë nga ato që ngjajnë tjetërkund, dhe harrojnë se ku jetojmë. Laicizmi në Shqipëri dhe toleranca fetare nuk janë thjesht produkt i kushteve të brendshme. Ekuilibrat ekzistues nuk janë domosdoshmërisht edhe aq të qëndrueshëm sa mendohet. E thënë ndryshe, shteti laik që kemi sot në Shqipëri duhet të ruhet dhe ushqehet, mirëmbahet dhe brenda tij të gjithë të jetojnë pa u kërcënuar për identitetin e tyre, besimet, apo orientimet që duan të ndjekin në jetë. Dhe kjo bëhet përmes ruajtjes së shpirtit kritik, të drejtës për të thënë mendimin pa u trembur se dikush do të zemërohet, pa u druajtur se kritika merret si fyerje.

“Na shpëto, o Allah, nga deti i emrave!”, shkruante poeti arabo-andaluzian Ibn’Arabī diku nga fillimi i shekullit XIII. Dhe me të vërtetë, kurthet e gjuhës nuk na lënë të lirë, por na fusin në disa kallëpe, prej të cilave është mjaft e vështirë të dalësh. Duket se njeriu gjendet i mbërthyer në darën e emrave, emërtimeve, përkufizimeve, të cilat ndodh të përdoren për të sulmuar dhe heshtur këdo që shpreh diçka që nuk pëlqehet. Emrat, në fakt, janë fryt i pushtetit; ata mund të thonë shumë, si të vërteta, aq edhe të pavërteta; aq sa dëshmojnë, aq edhe fshehin shumë. Për këtë arsye, mendoj se duhet bërë sa më shumë kujdes në përdorimin e tyre, pasi shpesh krijohet efekti i kundërt nga ai që synojnë autorët. Shqipëria duhet të ketë vend për të gjithë shtetasit e saj dhe karta e viktimizimit ose fobisë nuk duhet të shërbejë si mjet për t’u mbyllur gojën atyre që nuk janë dakord me agjendat e njërit apo tjetrit grup. Ndryshe secili prej nesh mund të ketë fatin e Salman Ruzhdies. Nëse inkuizitorët përndjekin “heretikët” në emër të mësimeve të Enver Hoxhës apo ndonjë udhëheqësi radikal fetar modern, kjo ka pak rëndësi.

© Artan Hoxha. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin