PRINDËRIT

nga Joseph Brodsky

Jetonim tre vetë në atë dhomë e gjysmë që na takonte: im atë, ime më dhe unë.[1] Një familje tipike e atyre kohëve. Fill pas luftës[2], kur pakkush mund t’ia lejonte vetes më shumë se një fëmijë. Disa madje nuk ia lejonin dot vetes as edhe që ta kishin babanë të gjallë a të pranishëm: në qytetet e mëdha, veçanërisht në timin, u kishin paguar haraç viteve të terrorit të madh[3] dhe luftës. Ashtu mbase duhej ta quanim veten me fat, meqë ishim edhe hebrenj. Që të tre i kishim mbijetuar luftës (them “që të tre” sepse edhe unë kisha lindur para luftës, në 1940); por prindërit e mi u kishin mbijetuar edhe Viteve Tridhjetë.

Besoj se ata e mbanin veten me fat, edhe pse nuk e thoshin këtë kurrë hapur. Në përgjithësi, nuk kujdeseshin shumë për veten, përveçse kur erdhi pleqëria dhe filluan t’i mundojnë të hequrat e moshës. Por edhe atëherë nuk flisnin për vete dhe për vdekjen në mënyrë të tillë që të tmerronin atë që i dëgjonte, ose t’i ndillnin mëshirë. Mjaftoheshin të murmurinin me vete ose të ankoheshin për shëndetin pa iu drejtuar kujt personalisht ose të diskutonin gjatë meritat e këtij apo atij ilaçi. Lëshimi më i madh që bënte ime më, kur hapnim muhabete të këtij lloji, ishte të tregonte me gisht një servis porcelani, gjë tejet delikate, duke thënë: “Ky do të jetë yti kur të martohesh ose kur…” dhe pastaj e linte menjëherë fjalën përgjysmë. Dhe mbaj mend si, një ditë, foli në telefon me një mike të largët, të sëmurë: më kujtohet nëna që doli nga kabina telefonike dhe u kthye në rrugë, atje ku e prisja unë, me një shprehje jo shumë familjare në ata sy aq familjarë, pas syzeve me skelet briri. U përkula drejt saj (isha tashmë goxha më i gjatë) dhe e pyeta se ç’kish thënë ajo mikja, dhe nëna m’u përgjigj duke shikuar përpara, në boshllëk: “e di që po i vjen vdekja dhe qante në telefon.”

E pranonin gjithçka si gjënë më të natyrshme: sistemin, pafuqinë e tyre, varfërinë, birin e tyre harrakat. Kërkonin të sistemoheshin ashtu siç mundeshin – që të kish gjithnjë ushqim në tryezë (dhe që ushqimi, pavarësisht se ç’ishte e nga vinte, të mund të hahej); të kapnin fundin e muajit; dhe, sidoqë gjithnjë na duhej ta shtynim nga një rrogë tek tjetra, përpiqeshin të hiqnin ndonjë rubël mënjanë për djalin e tyre, si për kinema, vizita në muze, libra, gjëra të shijshme. Pjatat, orenditë, rrobat, të linjtat, gjithçka që kishim ishte gjithnjë e pastër akull, e hekurosur, e arnuar, e kollarisur. Mbulesa e tavolinës ishte gjithnjë pa njolla dhe e freskët, abazhuri i llambës me pluhurat të fshira, parketi llamburitës, pa një grimcë pluhuri.

Çfarë më habiste, ishte që nuk mërziteshin[4]. Ishin vërtet të lodhur, por jo të mërzitur. I shihja gjithnjë në këmbë, gjithë kohën që kalonin në shtëpi: duke gatuar, duke larë dhe në vajtje-ardhje midis kuzhinës së përbashkët dhe dhomës sonë e gjysmë, duke u marrë me ndonjë send çfarëdo nga të shtëpisë. Natyrisht, uleshin për të ngrënë, por nënën time pastaj e mbaj mend në karrige vetëm kur punonte në makinën qepëse, një Singer me pedal, të kërrusur, duke rregulluar fustane, duke kthyer mbrapsht jaka këmishësh të vjetra, duke riparuar ose përshtatur xhaketa të kamotshme. Sa për tim atë, ky e përdorte karrigen vetëm për të lexuar gazetën ose kur ulej të punonte në tryezë. Ndonjëherë, në mbrëmje, shihnin një film ose një koncert në televizorin tonë të vitit 1952[5]. Edhe atëherë uleshin… Tim atë ashtu, në karrige, në mes të dhomës e gjysmë tashmë bosh, e gjeti fqinji tim vdekur, një vit më parë.[6]

Trembëdhjetë muaj më parë i kish vdekur e shoqja. Ajo kish kapur 78 vjeçët, ai tetëdhjetat, por unë kalova me ta vetëm tridhjetedy vjet. Nuk di pothuajse asgjë për takimin e tyre të parë, për fejesën; nuk di as në ç’vit u martuan. As di si i jetuan ato 11-12 vjet të fundit të jetës, kur nuk më kishin. Meqë nuk do ta marr vesh kurrë, ma ka ënda të mendoj se mbase e shtynin edhe më mirë se kur më kishin mua: ngaqë u mbeteshin më shumë para, por edhe pse nuk u duhej të shqetësoheshin më mos më arrestonin sërish.[7]

Vetëm se unë nuk i ndihmova dot në pleqëri; vetëm se unë nuk isha atje, para se të vdisnin.[8] E them këtë jo aq ngaqë ndihem me faj, por edhe sepse një bir do të donte, mbase edhe në mënyrë pak egoiste, t’i ndjekë prindërit e vet në të gjitha fazat e jetës; sepse çdo bir, në një mënyrë a në një tjetër, e përsërit shtegun e prindërve të vet. Mund të them edhe se, tek e fundit, duam të marrim vesh prej prindërve edhe të ardhmen tonë, mënyrën si do të plakemi, mbase edhe të përfitojmë prej tyre mësimin e fundit: si të vdesim.[9] Por edhe sikur të mos dojë njeriu t’i marrë vesh këto gjëra, dihet se prej prindërve gjithnjë mëson, edhe pa dashur. “A do të dukem edhe unë kështu kur të plakem? Ky çrregullim i zemrës – ose i ndonjë lloji tjetër – të jetë vallë i trashëgueshëm?”[10]

Nuk di dhe nuk do ta marr kurrë vesh se çfarë ndien ata gjatë atyre viteve të fundit të jetës. Sa herë patën frikë, sa herë u u kujtuan gati për të vdekur, çfarë provonin pastaj, kur vdekja nuk vinte, si u kthehej shpresa se një ditë do të bashkoheshim prapë, të tre. “Biri im,” më thoshte nëna në telefon, “e vetmja gjë që dua nga kjo jetë është që të të shoh prapë. Është e vetmja gjë që më mban në këmbë.” Dhe një minutë më pas: “Çfarë po bëje para pesë minutash, para se të më merrje në telefon?”[11] “Ma, të them të vërtetën, po laja enët.” “Ah, sa mirë. Është gjë e bukur, të lash enët. Ndonjëherë bën mirë për shëndetin, është terapeutike.”

 


Nxjerrë nga eseja “In a Room and a Half” (1985), botuar në përmbledhjen Less than one, Farrar Straus Giroux, 1986. Përkthimi dhe shënimet shoqëruese janë të miat.

[1] Shumë familje në qytetet e mëdha sovjetike jetonin në apartamente kolektive, me kuzhinë dhe banjë të përbashkët, dhe dhoma private. Shkruan Brodsky gjetiu te kjo ese: “Reduktimi i hapësirës së jetesës, çuditërisht, jep koherencë më të madhe. Është i organizuar më mirë dhe mund të marrë disa emra: nevojtore, qeli burgu, varr.” Familjes Brodsky, në Leningrad, i kish qëlluar të jetonte në “një dhomë e gjysmë”. Sërish Brodsky: “Në BRSS çdo qytetar ka të drejtë për një minimum prej 9 metrash katrorë. Ne si familje patëm fat sepse, falë formës së pazakonshme të hapësirës që na patën dhënë, përfituam gjithsej 40 metra katrorë.” Apartamenti ku jetonte familja Brodsky kishte gjashtë dhoma dhe këto ishin ndarë në mënyrë të tillë, që të mund të jetonin vetëm katër familje, dhe gjithsej njëmbëdhjetë vetë. Brodsky përmend nevojtoren e përbashkët dhe kuzhinën kolektive. Rrobat e lara i ndernin në dy korridoret që lidhnin dhomat me kuzhinën. Sërish Brodsky: “është si është apartamenti i përbashkët, ka edhe ndonjë gjë të mirë: e redukton jetën në diçka esenciale, duke rrëzuar çdo iluzion për natyrën njerëzore. Nga zhurma që bën pordha, mund të gjesh se kush është në nevojtore, çfarë ka ngrënë për drekë ose për darkë. I njeh zhurmat që bëjnë në shtrat dhe e di se kur u vijnë grave periodat… Ka diçka tribale në këtë kavernë të errët, diçka primordiale – është një moment në historinë e evolucionit, po të duam ta quajmë kështu; tenxheret dhe tiganët rëndojnë mbi furnelat me gaz si daulle të mundshme tam-tamesh.”

[2] Luftës II Botërore.

[3] Brodsky e ka fjalën për spastrimet masive të viteve 1930, vitet e terrorit stalinist.

[4] “Mërziteshin” me kuptimin “nuk u vinte në majë të hundës.”

[5] Kjo lë të kuptohet se televizori ishte model shumë i vjetër.

[6] Babai i vdiq Brodsky-t në 1984, ndërsa e ëma në 1983. Në asnjë nga herët nuk Brodsky u lejua të merrte pjesë në funeral. Eseja, pjesë të së cilës janë përkthyer këtu, u shkrua një vit pas vdekjes së të atit. Një përmbledhje relativisht e detajuar e biografisë së Joseph Brodsky-t mund të lexohet këtu.

[7] Kur jetonte në Leningrad, Brodsky përndiqej nga policia, për rrugaçëri dhe parazitizëm; edhe e patën arrestuar dhe dërguar me mjekim të detyruar në një klinikë psikiatrike; dhe pastaj e dënuan me internim dhe punë të detyruar.

[8] Pasi e dëbuan nga Bashkimi Sovjetik në 1972, autoritetet nuk do ta lejonin Brodsky-n që të kthehej për të vizituar prindërit e mbetur në Leningrad, sikurse nuk do t’i lejonin prindërit e tij që të shkonin ta shihnin të birin në SHBA, madje edhe kur ky iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale serioze ne zemër në 1978.

[9] Shkruan autori gjetiu në këtë ese, pas vdekjes së prindërve: “E vetmja vdekje në familje që tani mund të më ndodhë është me gjasë imja, edhe pse kjo do të thotë që të ngatërroj mikrofonin e telefonit me receptorin.”

[10] Brodsky kish pasur gjithnjë probleme me zemrën.

[11] Kjo me gjasë i referohet viteve kur Brodsky ende nuk e kish fituar Nobelin letrar dhe çonte një jetë të rëndomtë prej intelektuali në SHBA.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin