MENTOR IKJA

Në një shkrim të publikuar te BallkanWeb me titullin “Dua të iki, më është shpifur çdo gjë nga këtu. A është kjo arsye për azil?”, më datë 2 dhjetor 2015, Mentor Kikia, drejtues i edicionit informativ të lajmeve në Top Channel, plot mllef, zhgënjim e dëshpërim shpreh ato fjalë që njeriu

mesatar i cili jeton në Shqipëri mund t’i thotë të paktën disa herë në ditë, ngado të përplaset dhe me të drejtë sepse shoqëria shqiptare është një shoqëri që funksionon në drejtim të kundërt me çfarë konsiderohet e drejtë, vlerë, përgjegjësi, ideal, etj.  Megjithatë shoqëria shqiptare është një shoqëri për të cilën janë përgjegjës Mentor Kikia po aq sa edhe unë e kushdo tjetër që jeton këtu.

“Sot, shumë shqiptarë kanë ikur, e po ikin, duke kërkuar azil në Perëndim. Disa janë kolegë të mitë, gazetarë që kanë sajuar ca histori kërcënimesh me kriminelë e ISIS-ra.Të tjerë shqiptarë ikin e thonë se janë homoseksualë e se në Shqipëri i persekutojnë. Disa sajojnë një copë letër sikur janë në hasmëri gjakmarrjeje. Disa sajojnë edhe persekutime politike. Ca të tjerë ikin “me kismet të dalë ç’të dalë”.

[…]

“Nuk jam as i kërcënuar, as i ngujuar, as homoseksual, as i persekutuar…thjesht nuk dua të jetoj më këtu!”,

shprehet zoti Kikia në shkrimin e tij dhe liston arsyet për t’u larguar, për këtë të fundit si e vetmja zgjedhje.

“Unë dua të iki sepse nuk e duroj më dot këtë klasë politike shfrytëzuese.”

“Ma ka shpifur klasa e biznesmenëve që pasurohen me paratë e popullit duke bërë shoqëruesin e dhëndrit (kryeministrit sipas radhës) të cilit i mbërthejnë zinxhirin sa herë pshurroset nëpër botë.”

“Ma kanë shpifur edhe ata, shqiptarët e thjeshtë, ata që shqyhen e çirren mes tyre kur zihen për partitë.”

“Ma kanë shpifur edhe ata, të paedukatët që pëllasin rrugëve, që u bien borive të makinës edhe kur semafori është mbyllur, edhe kur këmbësori ecën tek vijat e bardha.”

Epo z.Kikia, edhe mua më është shpifur! Më ka ardhur në majë të hundës (edhe) nga media e shitur sa në njërin kah politik po aq edhe në tjetrin; nga media që sipas interesit, rastit e kohës, i çon ujë njërit bandit e tjetrit dhe e topit akoma më shumë këtë popull trushpërlarë dhe pasi e ka kryer masën e lavazhit politik, na servir pornografi në formën më pështirosëse. Më ka ardhur në majë të hundës nga media që i vihet pas kriminelëve të vegjël dhe përkëdhel pa kurrfarë turpi e përgjegjësie kriminelët e mëdhenj.

Më ka ardhur në majë të hundës edhe se si trajtohet gruaja në ekran e jashtë tij – se si diskriminohet, përdhunohet, pështyhet, rrihet masakrohet dhe vritet!

Ashtu si dhe ty, më ka ardhur në majë të hundës nga kasta politike që na qeveris. Nuk e pranoj që tarifat e universitetit tim do të rriten! Nuk e duroj dot që Lana mban erë të qelbur; kur njerëzit i flakin plehrat nga ballkoni apo kur institucionet shtetërore më vjedhin e s’më mbarojnë asnjëherë punë! Më është shpifur që dëgjoj ende Sali Berishën tek flet për dekriminalizimin apo të shoh Edi Ramën që më shkarravit pa turp gjithçka s’qe i aftë të përmbushte gjatë këtij mandati, që inaguron ekspozita personale kur populli është në gjendje kritike apo kur bredh në takime artistike në Europë pa shfaqur as interesin më minimal ndaj kampeve ku ndodhen refugjatët shqiptarë. Nuk e duroj dot Ilir Metën që të gjithë e njohin për mafioz, në krye të parlamentit.

Po, të gjithë duan të ikin, të shporren, jo domosdoshmërisht nga kjo Shqipëria allasoj por nga përgjegjësitë vetjake. Askush nuk dëshiron të qëndrojë – askush nuk provon të organizohet, të protestojë, të denoncojë, ta kryejë punën saktë e të bëjë të mundur sadopak të ndryshojë kushtet e mjera të jetesës në këtë vend.

Është dëshpëruese kur këto fjalë plot pesimizëm e mllef e kjo nxitje për t’i bërë marmeladën vendit ku na ka rënë për hisé të jetojmë, vijnë nga dikush që i përket një sfere profesionale kaq të rëndësishme si televizioni.

Z. Kikia, unë jam studente dhe nuk dua të iki nga ky vend ngaqë gjërat e jeta këtu është disfunksionale; ngaqë shkollat e spitalet, transporti, gazetat, parlamenti e thuajse çdo gjë nuk funksionojnë, por deklarata të tilla si kjo juaja të presin krahët e të shqelmojnë përjashtë!

A është ikja e vetmja zgjidhje?! Unë njoh plot njerëz idealistë e me vullnet të brezit tim por edhe tëndit që janë inteligjentë, plot gjallëri dhe dëshirë për punë e mësim. Sikur këto pika të forta të tokeshin me njëra-tjetrën do mund të bënim ç’të donim NE, jo ata!

Kij durim z.Kikia! Mos ik por eja na jep një dorë kur duhet! Dhe nëse s’mundesh e vërtetë gjykon që ikja është zgjidhja e vetme e më e volitshmja, atëherë të lutem largohu, pa potere mundësisht e lërna t’ia gjejmë anën kësaj Shqipërisë ku jetojmë, për sa mundemi, për sa dimë.

2 Komente

  1. Gresa, hartimi yt neglizhon dicka. Ndoshta nga vrulli per te rregulluar memedhene: Kikia nuk eshte njeriu mesatar, sepse detyra qe ka, sidomos me kete pushtet qe eshte ne Shqiperi, ia hap ca dyer. Ku ti dish motivimet e nje shkrimi xhanem? Ja ti shkruan dhe une perceptoj se ti ke rene ne dashuri me Shqiperine. Dhe me te dashuruarit eshte e veshtire te flitet. Po kaq. Mundet te kete arsye edhe me te thella.

    Sa per median ke te drejte disi. Disi, sepse kjo media eshte e konkurueshme ne kushtet e tanishme teknologjike dhe eshte e pakuptueshme se perse idealistet e shumte qe ka vendi yne, preferojne te bejne perhere opinionistin, apo komentuesin anonim, kur fare mire mund te benin investiguesin dhe gazetarin e vertete. Dhe keshtu punet vijne ne vije. Sa per ate media qe perfaqeson Kikia, jo TCH, por ate kategori medieje, mendoj se ajo rrezikon te mbetet institucioni i vetem solid ne nje vend ku edhe pushteti po rreshqet me shpejtesi ne tabanin me rere qe ka ndertuar. Sepse eshte kaq nevojtar tani per nje fjale te mire, ose per te mos folur keq, saqe vallahi moj Gresa, mund te besh leke sa te duash. Kuptohet nese zgjedh keshtu. Dhe ky piktori qe permend ti qenka fare fare i dobet. Gjynah qe nuk krijoni nje parti se sinqerisht ne krye te dy viteve do ju kishte bere oferte.

  2. Nuk kam fare pershtypjen se eshte nje hartim. Eshte nje shkrim mjaft i mire qe arrin te ngrihet mbi komoditetin e gjykimit bardhe i zi. Bashke me Kikine ajo fut edhe veten te pergjegjesit e kesaj gjendjeje. Kete e ben per oportunizem, se pergjegjesit e vertete jane Kikia dhe rraca e tij militante, qe nuk kane rruge tjeter veçse te hipin te barka e dikujt tjeter per te qendruar mbi uje.
    Ajo qe sjell te re ky shkrim eshte se “megjithate ky vend mund te behet i jetueshem”. Ngado qe ta sjellesh, sido qe ta shohesh kete pune, ky eshte gjykimi me racional. Nuk ka rruge tjeter veçse midis loteve dhe deshperimit, te ngresh kryet, e te gjesh te ngjashmit e ty e te vazhdosh te rezistosh e mundesisht te ecesh perpara.
    Nese me Gresen hyn ne skene nje brez me kete nivel e vizion gazetaresh te tjere, atehere do te ngushtohet hapesira e pallogjikeshme qe zene ne sferen e opinionisteve Kikite me shoke dhe jeta e politikaneve nuk do te jete aq komode dhe e kollajeshme sa eshte sot.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin