LAICITETI YNË

Gjatë debatit që shoqëroi shkrimin e Gresa Hasës, më bëri përshtypje që disa nga pjesëmarrësit shartuan atje teza dhe kundërteza me prejardhje nga debate të ngjashme për marrëdhëniet e Islamit me laicitetin në Perëndim. Kjo ndodh edhe ngaqë është më kollaj t’i marrësh argumentet të gatshme nga forume ku këto debate zhvillohen prej kohësh, se të nisesh nga analiza të rrethanave sociale dhe kulturore reale, në Shqipëri dhe veçanërisht në qytete si Tirana, ku konflikti mes Islamit dhe laicitetit mund të perceptohet më fort.

Mirëpo në vendet Perëndimore si Franca, Islami si princip organizues i jetës komunitare dhe publike ka hyrë relativisht vonë, kryesisht përmes imigrantëve dhe të ardhurve nga ish-kolonitë; duke u vendosur në një shtrat kristian ose, e shumta post-kristian. Ka autorë (islamikë) që deri edhe laicitetin perëndimor e shohin si produkt të evoluimit të brendshëm të Krishterimit, dhe ashtu argumentojnë se Islami nuk ka lidhje me të as duhet ta marrë parasysh.

Ky nuk është rasti i Shqipërisë, një shtet i cili, që në themelimin e vet, u krijua si laik – duke u vendosur në një hapësirë të “liruar” prej komuniteteve fetare të shqiptarëve; nga myslimanët, që ishin aso kohe shumica dhe që me gjasë mbeten ashtu, te të krishterët ortodoksë dhe ata katolikë. Prandaj në Shqipëri laiciteti nuk mund të shihet si produkt i evoluimit të Krishterimit, por më tepër si marrëveshje për të garantuar institucionet, përfshi edhe atë të hapësirës publike.

Ata që thonë se Islami është i papajtueshëm me modernitetin, e sjellin këtë tezë nga realitete të ndryshme prej atij tonit. Në fakt, idenë ua dëgjon deri edhe filozofëve dhe teologëve myslimanë, kur shpjegojnë se qytetërimi islamik, në esencën e vet, nuk është doktrinalisht i asimilueshëm në laicitet, meqë procesi i shekullarizimit i përket historisë së Krishterimit dhe Iluminizmit në Perëndim – histori e karakterizuar, këto shekuj të fundit, nga një betejë mes besimit dhe arsyes, religjionit dhe shkencës.

Nëse Islami dhe Perëndimi mund të bashkëjetojnë në laicitet, këtë do ta tregojë historia e atyre vendeve që e përjetojnë si problem. Unë veç po dua të theksoj se shqiptarët – të paktën në Shqipëri – nuk ka pse ta bëjnë këtë problem të tyrin, meqë laiciteti tek ne nuk ka dalë aq nga reformimi dhe evoluimi i shoqërisë dhe mendësisë publike të krishterë, sa ç’ka dalë nga një kompromis i detyruar mes palëve konstitutive të shtetit.

Vërtet, shumë nga institucionet e shtetit shqiptar të 1912-ës u kopjuan dhe u replikuan nga institucione të ngjashme të vendeve Perëndimore – meqë Shqipëria edhe atëherë dëshironte t’i përkiste Europës. Forma të tilla politike dhe sociale, si kushtetuta, zgjedhjet e përgjithshme, parlamenti, pushteti lokal, gjykatat, kodi penal, shkolla publike u morën nga vende të tjera, me shpresën (shpesh cargo-cultiane) se do të funksiononin edhe te ne njëlloj si në origjinë. Por Shqipëria e sapo-formuar ishte e ndarë sipas feve dhe krahinave, por edhe sipas zonave të influencës të fuqive që kërkonin ta kontrollonin. Laiciteti ishte e vetmja mënyrë e shtetit për të mbijetuar.

Le të kujtojmë edhe se ky laicitet që kemi sot, edhe pse i ushqyer ndonjëherë me zor prej modeleve perëndimore, reflekton në masë të madhe sterilizimin që iu bë hapësirës publike, gjatë regjimit totalitar, përfshi këtu edhe ndalimin e institucioneve dhe praktikave fetare dhe neutralizimin e traditave social-kulturore. Kjo do të thotë se edhe fetë, që u rikthyen pas vitit 1990, nuk ishin të njëjta me ato që regjimi totalitar gjeti në vitin 1945; dhe se një pjesë e mirë e zhvillimeve në institucionet fetare, gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit, mund të shpjegohen edhe si efekte të “restaurimit”. Me mbylljen e institucioneve fetare, Shqipëria e Hoxhës u pat kuturisur në një eksperiment social të pashoq; por edhe restaurimi i institucioneve dhe praktikave (ritualeve) të ndërprera, i cili vijon të ndodhë, ka qenë dhe mbetet ndoshta po aq eksperimental.

Madje unë kësaj anomalie do t’ia faturoja edhe disa fenomene të jetës fetare që, të para me syrin e një laiku si unë, duken të ekzagjeruara – që nga urrejtja sakrale për Tjetrin, te adoptimi i fesë si tipar identitar ekskluziv. Tsunami totalitar, dhe përpjekjet restauratore shpesh cargo-cultiste që e pasuan, e kanë rrezikuar kështu seriozisht laicitetin e jetës publike në Shqipëri. Në këtë kontekst mbase mund të shpjegohet më mirë edhe pse disa laikë, përfshi edhe përfaqësues të elitave intelektuale, e shohin të arsyeshme të tregojnë me gisht Islamin si faktor të prapambetjes dhe të izolimit të Shqipërisë nga Europa; sikurse mund të shpjegohet edhe pse disa islamistë shqiptarë e identifikojnë Perëndimin dhe laicitetin si burim të së keqes sociale, duke i shpallur luftë.

Ka tek ne një traditë të kundërvënies folklorike ndaj Islamit, duke e identifikuar këtë me “turkun” dhe duke fajësuar turkoshakët, anadollakët dhe “orientalët” për gjithçka që nuk shkon në Shqipëri; traditë që i ka rrënjët në kulturën pseudo-rilindëse të disa qarqeve ekstreme të komuniteteve katolike dhe të krishtera-ortodokse, që para se Shqipëria të themelohej si shtet. Çfarë çudit, është që ky folklor të përqafohet akoma, si tehu i mprehtë i modernitetit dhe i filo-oksidentalizmit, nga disa liderë të opinionit publik tek ne, të cilëve u vjen aq lehtë të pozicionohen si kryqtarë në debatet dhe të alienojnë edhe ata përfaqësues të Islamit, që duan të marrin pjesë në mirëmbajtjen e laicitetit në Shqipëri.

Këtyre të fantaksurve u duhet sqaruar – me durim – se laiciteti tek ne ka qenë dhe është produkt edhe i bashkëpunimit të komunitetit mysliman, çfarë e dallon Shqipërinë, ta zëmë, nga Franca, Zvicra, Suedia ose Gjermania, vende në të cilat Islamit i duhet të artikulojë një qëndrim të vetin, në raport me laicitetin lokal. Prandaj edhe nuk ka shumë kuptim që t’i kërkohet Islamit, tek ne, të angazhohet seriozisht me laicitetin; sa kohë që Islami në Shqipëri është palë konstitutive e këtij laiciteti.

E njëjta problematikë, e përmbysur, shfaqet edhe në sjelljet dhe qëndrimet e disa liderëve të komunitetit mysliman, të cilët importojnë në debate dhe në mësimet e tyre teza nga një Islam tjetër, që nuk i përket traditës shqiptare të bashkekzistencës së feve dhe që e konsideron laicitetin si të huaj për Islamin, përfshi këtu edhe laicitetin e Shqipërisë. Meqë Shqipëria është vend europian dhe institucionet e saj politike janë gjithashtu europiane, këtyre liderëve u vjen më për mbarë të huazojnë mendime dhe opinione të kolegëve të tyre në Perëndim.

Sa më lart, nuk pretendon ta shterojë problematikën e konfliktit mes Islamit dhe laicitetit në Shqipëri; por vetëm të tregojë se një pjesë e këtij konflikti i ngjan një teatri, ku aktorët riprodhojnë role që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me jetën e tyre dhe konfliktet që ata vetë përjetojnë jashtë teatrit. Një angazhim më i drejtpërdrejtë në debate, me argumente të nxjerra nga jeta reale jo nga konfliktet gjetiu, veç do t’u ndihmonte të gjitha palëve.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Bibliografi:

Ky debat në Le Temps mund të ndihmojë për t’i kornizuar disa nga çështjet që dalin te shkrimi më lart, sa i përket Islamit në Europën perëndimore:

Islam et laïcité, nga Pierre Kunz
Islam et laïcité, entre doctrines et vivre-ensemble, nga Hani Ramadan
Mais de quel minaret a chuté Hani Ramadan?, nga Yves Scheller
Laïcité et religion, qui est ouvert et qui est fermé?, nga François Garaï

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin