KU QËNDRON NË TË VËRTETË KONFLIKTI?

 nga Kaon Serjani

Në dy artikujt e mi të fundit të botuar te Peizazhe të Fjalës kam mbrojtur dy teza. Në artikullin e parë (që mund të lexohet këtu), unë mbrojta pikëpamjen se ideja e konfliktit midis shkencës dhe teizmit të krishterë është një mit, i cili filloi në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe është ndërtuar mbi rrejshmërinë logjike të përdorimit të provave të paplota. Në artikullin e dytë (i cili mund të lexohet këtu) unë mbrojta idenë se, jo vetëm që krishterimi nuk e ka penguar shkencën, por sipas shumicës së historianëve të shkencës në dekadat e fundit, aktorët kryesorë të Revolucionit Shkencor (shek. 16-të dhe 17-të) filluan të zhvillonin metoda shkencore për shkak se përqafuan presupozime intelektuale që rrjedhin nga teologjia e krishterë. Në këtë artikull do të mbroj mendimin se, në fakt, ka një konflikt, por ndryshe nga opinioni popullor, konflikti nuk ekziston midis krishterimit dhe shkencës, por midis ateizmit dhe shkencës.

Pak libra kanë kontribuuar vitet e fundit mbi marrëdhënien midis krishterimit dhe shkencës sa libri Ku qëndron në të vërtetë konflikti: Shkenca, feja dhe natyralizmi (Where the Conflict Really Lies: Science, Religion, and Naturalism) i filozofit të shquar amerikan, Alvin Plantinga, botuar në vitin 2011 nga Universiteti i Oksfordit. Në një analizë kritike ndaj librit në fjalë, filozofi amerikan Tomas Negëll (Thomas Nagel) u shpreh kështu: “Një nga gjërat që ateistët priren të besojnë është se shkenca moderne është në anën e tyre, ndërsa teizmi është në konflikt me shkencën: …. Alvin Plantinga, … e kthen përmbys këtë kundërshtim të supozuar.”[1]

Alvin Plantinga, i cili është dalluar për kërkimet dhe analizat e tij në fushën e filozofisë së religjionit, e hedh poshtë tezën se ekziston një konflikt midis teizmit të krishterë dhe shkencës dhe propozon që, në fakt, konflikti i vërtetë ekziston midis natyralizmit (kupto ateizmit) dhe shkencës. Teza e librit të Plantingës përmban dy pjesë: (1a) Ka një konflikt sipërfaqësor midis fesë teiste dhe shkencës, por (1b) një harmoni të thellë mes tyre, dhe ka (2a) një harmoni sipërfaqësore mes natyralizmit dhe shkencës, por (2b) një konflikt të thellë mes tyre.[2]

Me frazën “fenë teiste” Plantinga ka parasysh veçanërisht teizmin e krishterë; jo ndonjë traditë të veçantë të tij, por ato besime bazë që Si Es Luis (C. S. Lewis) (1898-1963) i quajti “thjesht krishterim” (“Mere Christianity”).[3] Me fjalën Shkencë Plantinga kupton studimin e botës fizike përmes asaj që quhet metoda shkencore, por kjo nuk duhet ngatërruar me shkencizimin, që është një filozofi e cila pretendon se shkenca natyrore është burimi i vetëm se si mund të marrim dije dhe të formojmë besime.[4] Ndërsa me natyralizëm këtu Plantinga nënkupton një prej rrymave të ateizmit, siç do të shpjegohet më poshtë.[5]

Do të ishte një ndërmarrje pothuaj e pamundur të shpjegohej mirë në një artikull përmbajtja e librit të Plantingës–përveçse e lodhshme për lexuesin– ndaj, qëllimisht po shmang trajtimin  e dy prej nënpikave të tezës kryesore: posaçërisht, (1a) që ka një konflikt sipërfaqësor mes fesë teiste (të krishterë) dhe shkencës dhe (2a) që ka një harmoni sipërfaqësore mes natyralizmit dhe shkencës. (Për një trajtim shterues, lexuesi ka mundësinë ta lexojë të plotë librin duke e gjetur në platformën Amazon). Ky shkrim do të fokusohet në dy nënpikat e tjera të tezës së tij. Fillimisht do të shpjegojë përmbledhtazi se ka një (1b) harmoni të thellë mes teizmit të krishterë dhe shkencës dhe pastaj do të shpjegojë me më shumë detaje se  (2b) ekziston një konflikt i thellë midis natyralizmit dhe shkencës.

Presupozime

Duhet vënë në dukje se ka të paktën dy presupozime që shkencëtarët marrin për të mirëqenë kur ndërmarrin një aktivitet studimor të natyrës. Së pari, shkencëtarët marrin të mirëqenë se ka një përputhshmëri mes aftësive njohëse (cognitive faculties)[6] të njeriut dhe kushteve që ofron natyra për ta njohur atë, dhe për rrjedhojë, i konsiderojnë aftësitë njohëse të besueshme.[7] Me fjalë të tjera, shkencëtarët, jo vetëm që nuk e vënë në dyshim se ata kanë aftësi njohëse që i mundësojnë të dinë diçka rreth botës, por, në të njëjtën kohë, ata besojnë se natyra i plotëson kushtet që duhen në mënyrë që aftësitë njohëse të jenë efektive për t’u dhënë atyre njohuri. Kjo do të thotë se, nëse natyra do të ishte ndryshe nga ç’është, aftësitë njohëse të shkencëtarëve mund të mos u hynin në punë për të njohur natyrën. Për shembull, thotë Plantinga, nevojitet një masë drite dhe rrezatimi elektromagnetik me gjatësi vale të duhur në mënyrë që perceptimi ynë vizual të funksionojë. Nëse errësira do të ishte më e dendur, sytë tanë nuk do të na sillnin dobi për të parë. Po kështu, në mënyrë të ngjashme mund të flitej për aftësinë tonë dëgjuese, e kështu me radhë për aftësitë tona të tjera përmes të cilave ne perceptojmë natyrën.[8]

Së dyti, shkencëtarët presupozojnë se ka një rregullsi në natyrë që është e kuptueshme nga mendja njerëzore. Pa bindjen se kjo rregullsi ekziston në natyrë, shkencëtarët nuk do t’i hynin punës studimore. Siç tha filozofi dhe matematikani Alfred North Uajthed (Whitehead) (1861 –1947), “Nuk mund të ketë shkencë të gjallë nëse nuk ka një bindje instinktive se ekziston një Rregullsi e Gjërave. Dhe, në veçanti, një Rregullsi e Natyrës.”[9] Edhe Albert Ajshtajni (siç e kemi parë në artikullin e fundit) pranonte se shkenca mund të bëhet vetëm nga ata që besojnë se “rregullsia e botës” është racionale, “pra,e kuptueshme për arsyen.[10]

Meqenëse këta dy presupozime janë kaq të rëndësishëm për shkencën, dhe meqë merren të mirëqenë nga shkencëtarët, pyetja që Plantinga ngre në libër është se cili botëkuptim i përligj më mirë ata, teizmi i krishterë, apo natyralizmi. E thënë ndryshe, cili nga këta dy botëkuptime ofron një bazë më të mirë për t’i besuar arsyetimit njerëzor në studimin e natyrës? Për këtë arsye, do ta fokusojmë shqyrtimin nëse ka harmoni mes shkencës dhe teizmit të krishterë, apo mes shkencës dhe natyralizmit vetëm në këtë pikë: se cili prej këtyre botëkuptimeve ofron një themel racional për të kryer veprimtari shkencore.

Adequatio[11]

Për të hetuar nëse ka harmoni të thellë mes teizmit të krishterë dhe shkencës do të shohim nëse përligjen apo jo brenda botëkuptimit të krishterë presupozimet e mësipërm (pra, që ka një rregullsi në natyrë që është e kuptueshme dhe se aftësitë njohëse të njeriut janë të besueshme).

Së pari, si përligjet besimi te rregullsia e natyrës brenda teizmit të krishterë? Plantinga shkruan se të mendosh se Zoti “e qeveris botën në mënyrë providenciale në një mënyrë të tillë që të sigurojë atë lloj stabiliteti dhe rregullsie” është një besim thelbësor në krishterim.[12] Këtë ide, për shembull, e gjejmë të shprehur në Katekizmin e Haidelbergut, në të cilin shkruhet: “Providenca është fuqia e plotfuqishme dhe gjithmonë e pranishme e Perëndisë me të cilën Ai mban, si me dorën e Tij, qiellin dhe tokën dhe të gjitha krijesat..të gjitha gjërat, në fakt, nuk vijnë te ne rastësisht, por nga dora e Tij.”[13]

Së dyti, çfarë i bën të besueshme aftësitë njohëse të njeriut brenda botëkuptimit të krishterë? Sipas Plantingës, kjo gjen shpjegim shterues në doktrinën biblike se njeriu është krijuar në imazhin e Perëndisë (imago dei). (Libri i Zanafillës kreu 1, vargu 27 shkruan: “Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.”)

Plantinga thotë se një pjesë e rëndësishme e të qenit të krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë konsiston në atë që, ashtu si Krijuesi, edhe ne njerëzit kemi kapacitet intelektual dhe mund të njohim.[14] Në veprën Summa Theologiae, teologu i krishterë i mesjetës, Thoma Akuini (1225 -1274), e shpalosi kështu doktrinën Imago Dei: “Meqenëse njeriu thuhet se është shëmbëlltyra e Perëndisë për shkak të natyrës së tij intelektuale, ai është më i ngjashëm me Perëndinë në atë që ai mund ta imitojë më mirë Perëndinë në natyrën e tij intelektuale.”[15]

Në ç’kuptim e imiton njeriu Zotin në natyrën e tij intelektuale? Për shembull, thotë Plantinga, ne na pëlqen kur diçka është e qartë dhe jo kur është e ngatërruar; ne na pëlqen kur diçka është e rregullt dhe jo kur është kaotike (rrëmujë); ne na pëlqen e bukura dhe jo e shëmtuara. Tani, duke qenë se kemi ngjashmëri intelektuale me Zotin, nënkupton që ashtu si ne, edhe Ai, me siguri i vlerëson këto cilësi (qartësinë, rregullsinë dhe të bukurën).

Duke e çuar këtë mendim akoma më tej, meqë është Zoti krijuesi i natyrës, është e arsyeshme për ne njerëzit që të presim të shpalosen këto karakteristika në botën që Zoti ka krijuar.[16] Dhe, në të vërtetë ashtu ndodh; ne e shikojmë që bota ka njëfarë rregullsie dhe është relativisht e kuptueshme.

Për më tepër, brenda teizmit të krishterë është e arsyeshme që shkencëtari të besojë se rregullsia e natyrës është e kuptueshme dhe njëkohësisht të besojë se aftësitë njohëse të tij janë të suksesshme në perceptimin e saktë të natyrës, pasi të dyja, mendja e njeriut dhe natyra, janë krijuar nga e njëjta Inteligjencë.[17] Nuk është rastësi që Uajthed ia atribuoi bindjen e shkencëtarëve modernë në rregullsinë e botës “këmbënguljes mesjetare për racionalitetin e Zotit.”[18]

Pra ekziston, si të thuash, një adequatio intellectus ad rem[19] (lat. përputhja e intelektit me realitetin), i cili përshtatet shumë mirë me teizmin e krishterë dhe atë judaik për shkak të doktrinës biblike të Imago Dei (me sa di unë, ideja që jemi krijuar në shëmbëlltyrën e Zotit nuk gjendet në teologjinë islame), por nuk përputhet me kuptimin natyralist të botës, siç do ta shpjegoj më poshtë.

Ndonëse Plantinga parashtron në libër disa shembuj, për qëllimin tonë këtu ne do të mjaftohemi vetëm me këtë përputhje, e cila ilustron harmoninë e thellë midis teizmit të krishterë dhe shkencës dhe shërben si një themel për të përligjur besimin e shkencëtarit te arsyetimi i vet në të bërit shkencë.

Argumenti i Plantingës për të provuar se ekziston një konflikt i thellë midis natyralizmit dhe shkencës njihet tashmë në literaturë si argumenti evolucionar kundër natyralizmit.

Argumenti evolucionar kundër natyralizmit

Para se të shtjellojmë argumentin, është e nevojshme të bëjmë disa shpjegime paraprake për natyralizmin dhe lidhjen e tij me evolucionin dhe shkencën.

Së pari, mbase natyralizmi mund të shpjegohet në mënyrë të përmbledhur me frazën “Kozmosi është gjithçka që është, ose ka qenë, ose do të jetë.”[20] Kjo deklaratë i atribuohet astronomit dhe popullarizuesit të shkencës, Karl Sagan (Carl Sagan) (1934-1996), i cili e bëri atë në një serial televiziv amerikan të vitit 1980 dhe që konsiderohet një gur kilometrik për dokumentarët shkencorë.[21] Me fjalë të tjera, natyralizmi është një sistem filozofik që thotë se gjithçka që ekziston mund të shpjegohet me shkaqe natyrore dhe, për rrjedhojë, mohon ekzistencën e të mbinatyrshmes.

Sipas Plantingës, natyralizmi është diçka më tepër sesa ateizmi. Domethënë, dikush mund të jetë ateist edhe pa përqafuar premisat e natyralizmit, i cili synon t’u japë përgjigje pyetjeve më të rëndësishme të jetës njerëzore (njësoj siç merr përsipër një fe) dhe pretendon se njeriu është thjesht një kafshë tjetër që ka një mënyrë të caktuar jetese.[22] Pra, dikush që është natyralist është domosdoshmërisht edhe ateist, por e anasjellta mund të mos jetë e vërtetë.[23]

Së dyti, duhet shpjeguar lidhja midis natyralizmit dhe evolucionit.[24] Natyralizmi bazohet në biologjinë evolucionare, përmes së cilës shpjegohet i gjithë realiteti i organizmave të gjallë dhe specieve, përfshirë njerëzit. Në botëkuptimin natyralist, evolucioni është procesi i zhvillimit të specieve nga ato njëqelizore tek ato shumë më komplekse, i cili ndodh përmes përzgjedhjes natyrore dhe mutacioneve të rastësishëm. Pra, natyralizmi pohon se evolucioni është një proces i padrejtuar dhe ndodh pa ndonjë qëllim. Natyralizmi nuk është e njëjta gjë me evolucionin, por është një botëkuptim filozofik që ka për bazë teorinë e evolucionit.

Këtu mund të vërejmë, siç komenton filozofi Uilliam Lejn Kreg (William Lane Craig), se pretendime të tilla, që procesi evolucionar është i padrejtuar dhe që ndodh pa ndonjë qëllim, “nuk janë pjesë e vetë teorisë biologjike [të evolucionit], por janë një shtesë filozofike, një pohim ekstra-shkencor.”[25] Ky dallim na ndihmon të kuptojmë se jo çdo evolucionist është ateist, pasi ka teistë që nuk shohin ndonjë kontradiktë midis teorisë së evolucionit dhe besimit në Zot. Por, ndryshe nga evolucionistët natyralistë, evolucionistët teistë pranojnë se përzgjedhja natyrore dhe mutacionet ndodhin nën drejtimin e një Mendjeje Inteligjente që drejton të gjithë procesin dhe se ky proces ka një qëllim përfundimtar të paravendosur nga kjo Mendje Inteligjente.

Së treti, duhet vënë në dukje lidhja midis natyralizmit dhe shkencës. Një natyralist gjithmonë e paraqet botëkuptimin e vet në terma shkencorë. Sipas Plantingës: “Natyralistët zotohen për besnikëri ndaj shkencës; ata gozhdojnë flamurin e tyre në direkun e shkencës; mbështillen me mantelin e shkencës siç mbështillet politikani me flamur. Ata pohojnë me besim se natyralizmi është pjesë e ‘botëkuptimit shkencor’ dhe se ardhja e shkencës moderne e ka ekspozuar të mbinatyrshmen si një ind bestytnie, që ndoshta ka qenë i pranueshëm dhe i nevojshëm në një epokë parashkencore, por tani nuk nevojitet më.”[26]  Mirëpo, vazhdon Plantinga, natyralistët zakonisht kënaqen vetëm me pretendimin se natyralizmi është shkencor, ose që ai mbështetet mbi shkencën, por ata zakonisht nuk shpjegojnë pse e besojnë këtë.[27]

Tani që kemi bërë këto shpjegime paraprake, mund të rrekemi të kuptojmë argumentin evolucionar kundër natyralizmit.

Shkurtimisht, argumenti i Plantingës pretendon këtë: Nëse evolucioni, siç kuptohet nga natyralistët –si një proces i padrejtuar dhe pa ndonjë qëllim – është i vërtetë, atëherë probabiliteti që aftësitë tona njohëse të jenë të besueshme është shumë i ulët dhe, për rrjedhojë, kemi një provë kundërshtuese për të pranuar si të arsyeshëm natyralizmin si botëkuptim, por edhe evolucionin si teori shkencore.

Me fjalë të tjera, argumenti evolucionar kundër natyralizmit nuk synon të vërtetojë se natyralizmi është i rremë. Është më tepër një argument për të treguar se as natyralizmi, as teoria e  evolucionit dhe as rezultatet e aktivitetit shkencor në tërësi, nuk mund të pranohen në mënyrë të arsyeshme, duke marrë parasysh implikimet e procesit evolucionar brenda botëkuptimit natyralist.

Pretendimi

Plantinga pretendon se në botëkuptimin natyralist, që bazohet në një proces evolucionar të rastësishëm dhe të padrejtuar, besueshmëria e aftësive njohëse njerëzore është jashtëzakonisht e ulët. Për cilat aftësi njohëse është fjala?

Në listën e aftësive njohëse njerëzore Plantinga rendit kujtesën (me anë të së cilës ne dimë diçka nga e kaluara jonë),  perceptimin (sipas të cilit ne dimë diçka për mjedisin tonë fizik); intuitën a-priori (në bazë të së cilës ne njohim të vërtetat e aritmetikës dhe logjikës elementare); simpatinë (e cila na mundëson të dallojmë ndjesitë dhe emocionet e njerëzve të tjerë), vetë-reflektimin (me anë të të cilit ne njohim jetën tonë të brendshme mendore); dëshminë (me të cilën ne mësojmë nga të tjerët); induksionin (me anë të së cilës ne mësojmë nga përvoja); sensin moral (sipas të cilit ne dallojmë të drejtën nga e gabuara); dhe sensus divinitatis, (që është një koncept i Zhan Kalvinit, përmes të cilit njeriu njeh diçka për Zotin; për ata që besojnë).[28]

Pranohet gjerësisht se ndërthurja e aftësive të sipërpërmendura bën të mundur formimin e besimeve apo bindjeve që ne i pranojmë si të vërteta, duke filluar nga njohuritë bazë të jetës së përditshme e deri tek ato më komplekse dhe abstrakte. Sipas Plantingës, edhe për të bërë shkencë është e nevojshme që shumë nga këto aftësi të punojnë së bashku, veçanërisht kujtesa, dëshmia, perceptimi, intuita a-priori, induksioni dhe simpatia.[29]

Çfarë do të thotë që aftësitë tona njohëse të jenë të besueshme në një masë të konsiderueshme ose të mjaftueshme? Sipas Plantingës, “ne zakonisht mendojmë se aftësitë tona njohëse janë të besueshme, sa herë që ato funksionojnë siç duhet, kur nuk ka keqfunksionim të njohjes, ose çrregullim, ose mosfunksionim. (Për shembull, nëse dehem apo vuaj nga delirium tremens,[30] perceptimi im do të dëmtohet dhe, për rrjedhojë, të gjitha mundësitë që ai të jetë i besueshëm zhduken).”[31] Në këtë kontekst ngrihet pyetja: si mund të jemi të sigurt që aftësitë tona njohëse funksionojnë siç duhet kur ato nxiten nga procese të pakontrolluara dhe të rastësishme, siç nënkuptohet nga evolucioni natyralist?

Plantinga na inkurajon të bëjmë një eksperiment mendor. Supozo për një moment, thotë ai, se ti je një natyralist që pranon procesin evolucionar si bazë shpjeguese dhe mohon ekzistencën e Zotit (pra, ti nuk je i krijuar sipas Imazhit të Tij). Prandaj, si natyralist, ti beson se aftësitë e tua njohëse janë fryt i përzgjedhjes natyrore të padrejtuar dhe të rastësishme. Nëse aftësitë e tua njohëse i përfton në këtë mënyrë, atëherë mbi çfarë baze racionale do të thoshe se ato janë përgjithësisht të besueshme?[32]

Për ta ilustruar më konkretisht mund të pyesnim: A mund t’i besojmë kujtesës sonë në kontekstin e një procesi evolucionar të padrejtuar dhe të rastësishëm? A prodhon kujtesa jonë (që në këtë rast është thjesht fryt i reaksioneve të rastësishëm të trurit) besime të vërteta për ngjarjet e kaluara? Në çfarë raporti duhet të jenë të vërteta besimet e mia të së kaluarës–krahasuar me besimet e rreme–që unë ta konsideroj të besueshme kujtesën time? Këto pyetje vështirë se marrin përgjigje të mira në kontekstin evolucionar natyralist. Ky arsyetim mund të bëhet për secilën nga aftësitë njohëse dhe përfundimi do të ishte i ngjashëm. Besueshmëria e këtyre aftësive njohëse do të rezultonte jashtëzakonisht e ulët.

Për këtë arsye, Plantinga përfundon se: “nëse besoj edhe natyralizmin, edhe evolucionin, kam një provë kundërshtuese për supozimin tim intuitiv se aftësitë e mia njohëse janë të besueshme. Por, nëse kam një provë kundërshtuese për atë besim, atëherë kam një provë kundërshtuese për çdo besim që mendoj se prodhohet nga aftësitë e mia njohëse. Kjo do të thotë se unë kam një provë kundërshtuese për besimin tim se natyralizmi dhe evolucioni janë të vërtetë. Pra, besimi im se natyralizmi dhe evolucioni janë të vërtetë më jep një provë kundërshtuese pikërisht për atë besim; ai besim pret degën në të cilën qëndron vetë dhe është jokoherent në lidhje me veten e vet; prandaj nuk mund ta pranoj racionalisht. Dhe nëse dikush nuk mund të pranojë si natyralizmin, ashtu edhe evolucionin, atë shtyllë të shkencës aktuale, atëherë ka një konflikt serioz midis natyralizmit dhe shkencës.”[33]

Duhet thënë se, nëse një ateist nuk pranon evolucionin dhe natyralizmin në të njëjtën kohë, ky argument nuk do të ishte për atë kategori ateisti.

Gjetja e së vërtetës dhe natyralizmi evolucionar

Në mbështetje të argumentit evolucionar kundër natyralizmit, Plantinga na jep komentet e disa ateistëve që pranojnë se, nëse ekzistenca e Zotit përjashtohet nga skena, është logjike të dyshojmë nëse arsyetimi ynë na çon në gjetjen e të vërtetës. Ai fillimisht i referohet filozofit gjerman, Fridrih Niçe (1844-1900), i cili shkruan:

“Është e padrejtë ndaj Dekartit që ta quajmë joserioze thirrjen e tij ndaj besueshmërisë së Zotit. Në të vërtetë, vetëm nëse supozojmë ekzistencën e një Zoti që është moralisht i ngjashëm me ne mundet që ‘e vërteta’ dhe kërkimi i të vërtetës të jetë diçka kuptimplote dhe të premtojë sukses. Në mungesë të këtij Zoti, na lejohet të ngremë pyetjen se mos të qenit i mashtruar është një nga rrethanat e jetës.”[34]

Këtë qëndrim e gjejmë edhe tek ateistët bashkëkohorë, siç është rasti i filozofit Tomas Negëll që cituam më sipër. Në librin e tij Pamja nga askund (The View From Nowhere – 1989) Negëlli shkruan: “Nëse do të besojmë se aftësia jonë për të njohur teorinë objektive [besimet e vërteta, p.sh.] është produkt i përzgjedhjes natyrore, kjo do të përligjte një skepticizëm serioz rreth rezultateve të saj.”[35] Edhe një filozof tjetër ateist, Beri Straud (Barry Stroud) (1935-2019), pranon se “Ka një absurditet të turpshëm në [natyralizëm] që zbulohet sapo natyralisti reflekton dhe pranon se ai beson në botëkuptimin e tij natyralist. Dua të them se ai nuk mund ta thotë atë dhe ta konsiderojë si të vërtetë në mënyrë konsistente.”[36]

Patrisia Çërçlend (Patricia Churchland), një filozofe e shquar natyraliste, e cila ka dhënë kontribut të rëndësishëm në neurofilozofi[37], shpjegon se sistemi nervor, në botëkuptimin evolucionar natyralist, vepron në atë mënyrë që çon pjesët e trupit aty ku duhet të jenë në mënyrë që organizmi të mund të mbijetojë. Konkretisht, thotë Çërçlendi, në narrativën evolucioniste sistemi nervor vepron për të përmbushur katër qëllime: të ushqehet, t’i arratiset rrezikut, të luftojë, ose të riprodhohet.[38] Dhe, sipas saj, gjetja e së vërtetës nuk është ndër këta katër qëllime. Me fjalë të tjera, mekanizmat e trurit nuk synojnë të na udhëheqin në gjetjen e të vërtetës, sepse gjetja e të vërtetës nuk është e rëndësishme për mbijetesën. Pra, nga perspektiva e evolucionit natyralist, meqë funksioni bazë i aftësive tona njohëse nuk është të na sigurojë besime të vërteta, por të nxisë gjymtyrët e trupit tonë të bëjnë veprimin e duhur për të garantuar mbijetesën, rrjedhimisht, ne nuk kemi një themel racional për t’u besuar aftësive tona njohëse.

Vetë themeluesi i teorisë së evolucionit, Çarls Darvini (1809-1882), shprehu skepticizëm për besueshmerinë e arsyetimit të mendjes njerëzore në kontekstin evolucionar. Ai shkroi: “…tek unë gjithmonë lind dyshimi i tmerrshëm nëse bindjet e mendjes së njeriut, e cila ka evoluar nga mendja e kafshëve më të ulëta, kanë ndonjë vlerë, apo nëse janë të besueshme. A do të besonte dikush në bindjet e mendjes së një majmuni, nëse ka ndonjë bindje në një mendje të tillë?”[39]

Të gjithë këta ateistë, Niçja, Negëlli, Stroudi, Çërçlendi, si dhe vetë themeluesi i teorisë së evolucionit, Darvini, pajtohen se evolucioni natyralist “jep arsye për të dyshuar nëse aftësitë njohëse njerëzore prodhojnë, në pjesën më të madhe, besime të vërteta.”[40]

Duke marrë parasysh analizën e mësipërme, më duket e arsyeshme ta quaj të suksesshme tezën e Plantingës. Së pari, ka një harmoni të thellë midis teizmit të krishterë dhe shkencës, sepse, siç pamë, brenda teizmit të krishterë shkencëtari ka një bazë racionale për të besuar në aftësitë e tij njohëse për shkak se, si mendja e tij, edhe natyra që ai studion, janë krijuar nga e njëjta Inteligjencë. Gjithashtu, brenda teizmit të krishterë shkencëtari ka arsye t’u besojë aftësive të tij njohëse, pasi ai është i ngjashëm në dimensionin intelektual me Krijuesin e tij, siç shpjegohet përmes doktrinës Imago Dei.

Së dyti, duke marrë parasysh se natyralizmi bazohet në biologjinë evolucionare si një proces i padrejtuar dhe pa ndonjë qëllim, natyralisti nuk ka një bazë racionale për ta pranuar botëkuptimin e tij si të arsyeshëm, për shkak se besueshmëria në aftësitë e tij njohëse është jashtëzakonisht e ulët. Pra, vetë natyralisti nuk ka një bazë racionale të mjaftueshme për ta besuar si të vërtetë natyralizmin, dhe as teorinë e evolucionit. Natyralizmi, si të thuash, pret degën në të cilën qëndron. Kjo nuk tregon se natyralizmi nuk është i vërtetë si botëkuptim, por që nuk mund të besohet në mënyrë racionale për shkak se bazohet mbi biologjinë evolucionare.

Dhe si përfundim, meqenëse një shkencëtar natyralist nuk ka arsye të forta për t’iu besuar aftësive të tij njohëse, ai nuk ka një themel racional për t’i konsideruar të besueshme edhe rezultatet e veprimtarisë së tij shkencore. Rrjedhimisht, kjo tregon se ekziston një konflikt i thellë midis natyralizmit dhe shkencës.[41]

(c) 2024 Kaon Serjani. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Shënim: kopertina është realizuar me Midjourney.


[1]  Thomas Nagel, Philosopher Defends Religion: Alvin Plantinga’s ‘Where the Conflict Really Lies: Science, Religion, and Naturalism’ https://www.nybooks.com/articles/2012/09/27/philosopher-defends-religion/

[2] Alvin Plantinga, Where the Conflict Really Lies: Science, Religion, and Naturalism, (Oxford University Press, 2011), 307.

[3] C. S. Lewis, Mere Christianity (New York, NY: HarperCollins, 2001).

[4] Plantinga, Where the Conflict Really Lies, xi-xii.  Për nocionin e shkencës shih Cambridge Dictionaryhttps://dictionary.cambridge.org/dictionary/english/science. Aksesuar më 12 mars 2024.  Për dallimin midis shkencës dhe shkencizmit shih James Porter Moreland, Scientism and Secularism: Learning to Respond to a Dangerous Ideology (Wheaton: Crossway, 2018).

[5] Shih https://www.britannica.com/topic/naturalism-philosophy. Aksesuar më 2 prill 2024.

[6] Tani e mbrapa, sa herë që do të përdor frazën“aftësitë njohëse”, kam në mendje “cognitive faculties”.

[7] Plantinga, Where the Conflict Really Lies, 270.

[8] Po aty.

[9] Whitehead, Science and the Modern World (Nju Jork: McMillan, 1925), f. 3–4. Siç citohet nga Plantinga, Where the Conflict Really Lies, 272.

[10] Albert Einstein, “Science and Religion” in Nature (No. 3706, Nov. 9, 1940), fq. 605.

www.nature.com/articles/146605a0.pdf. Aksesuar më 4 mars 2024. Pjerrësia e shkronjave është e imja.

[11] Lat. Përshtatshmëria, përputhja, mjaftueshmëria.

[12] Plantinga, Where the Conflict Really Lies, 272

[13] Lord’s Day Ten, Question and Answer 27. Shih https://www.heidelberg-catechism.com/en/lords-days/10.html. Aksesuar më 28 mars 2024.

[14] Plantinga, Where the Conflict Really Lies, 312.

[15] Thomas Aquinas, Summa Theologiae, Question 93. Shih. https://www.newadvent.org/summa/1093.htm . Aksesuar në 20 shkurt 2024.

[16] Plantinga, Where the Conflict Really Lies, 299.

[17] Shih paragrafin “Natyra është e kuptueshme” https://peizazhe.com/2024/03/25/origjina-e-krishterë-e-shkencës-moderne/.

[18] Whitehead, Science and the Modern World (Nju Jork: McMillan, 1925), fq. 13.

[19] Nga kjo frazë mendohet se e ka origjinën ajo që tani njihet si “teoria e korrespondencës së të vërtetës”, shih https://philosophy.stackexchange.com/questions/90252/who-first-defined-truth-as-adæquatio-rei-et-intellectus. Aksesuar më 7 Prill 2024.

[20] “In Sagan’s Own Word: In Memory of Carl Sagan 1934-1996” në Skeptic Magazine, https://www.skeptic.com/reading_room/in-the-words-of-carl-sagan/. Aksesuar më 23 shkurt 2024.

[21] Seriali quhej Cosmos: A Personal Voyage dhe u shfaq nga Public Broadcasting Service. Shih https://topdocumentaryfilms.com/cosmos/. Aksesuar më 23 shkurt.

[22] Plantinga, Where the Conflict Really Lies, ix-x.

[23] Një ateist mund të jetë, për shembull, një materialist. “Materializmi shkon një hap më tej se natyralizmi bazë dhe pretendon se të vetmet gjëra që janë reale janë objektet materiale, të përbëra nga atome dhe grimca nën-atomike. Kjo pikëpamje u zëvendësua përfundimisht nga fizikalizmi më i sofistikuar”.  Julian Baggini, “What is atheism?” in Oxford Academic (Gusht 2021). https://academic.oup.com/book/35408/chapter-abstract/303147055?redirectedFrom=fulltext. Aksesuar më 23 shkurt 2023. Një ateist mund të jetë gjithashtu një ekzistencialist, ose një nihilist. Për një ndryshim midis këtyre rrymave të ateizmit shih James W. Sire, The Universe Next Door: a Basic Worldview Catalog 5th ed., (Downers Grove.: InterVarsity Press, 2009).

[24] Për lidhjen midis natyralizmit dhe evolucionit shih Stephen Law, “Naturalism, evolution and true belief”, Analysis, Volume 72, Issue 1, January 2012, 41–48, https://doi.org/10.1093/analys/anr130. Artikulli është shkruar si një kundërvënie ndaj argumentit të Plantingës, por këtu shërben si një mbështetje që natyralistët pranojnë se natyralizmi bazohet në evolucion.

[25] William Lane Craig, “Alvin Plantinga’s Where the Conflict Really Lies: Science, Religion, and Naturalism”, Philosophia Christi 14 (2012): 473-7.

 

[26] Plantinga, Where the Conflict Really Lies, 308.

[27] Po aty.

[28] Po aty, 312.

[29] Po aty.

[30] Delirium Tremens (DTs) është sindroma më e rëndë që shoqëron lënien e menjëhershme të alkoolit, e manifestuar nga konfuzioni total dhe hiperaktiviteti i sistemit nervor simpatik, gjendje e cila mund të kalojë deri në kolaps kardiovaskular. Shih https://emedicine.medscape.com/article/166032-overview?form=fpf. Aksesuar më 23 shkurt 2024.

[31] Plantinga, Where the Conflict Really Lies, 312.

[32] Po aty.

[33] Po aty, 314.

[34] Friedrich Nietzsche, Writings from the Late Notebooks (Cambridge Texts in the History of Philosophy), ed. Rüdiger Bittner, tr. Kate Sturge (Cambridge: Cambridge University Press, 2003), Notebook 36, June-July 1885, fq. 26.

[35] Thomas Nagel, The View From Nowhere (Oxford University Press, 1989), fq. 79.

[36] Barry Stroud, “The Charm of Naturalism” in Naturalism in Question, ed. Mario De Caro and David Macarthur (Cambridge: Harvard University Press, 2004), fq. 28.

[37] “Aplikimi i koncepteve neuroshkencore në çështjet tradicionale filozofike” Për një shpjegim shterues shih Bickle, John, Peter Mandik, and Anthony Landreth, “The Philosophy of Neuroscience”, The Stanford Encyclopedia of Philosophy (Fall 2019 Edition), Edward N. Zalta (ed.), URL = <https://plato.stanford.edu/archives/fall2019/entries/neuroscience/>.  E aksesuar më 23 mars 2024.

[38] Patricia Churchland, Journal of Philosophy LXXXIV (October 1987), fq. 548.

[39] Charles Darwin, Letter to William Graham, Down, July 3rd, 1881. In The Life and Letters of Charles Darwin Including an Autobiographical Chapter, ed. Francis Darwin (London: John Murray, Albermarle Street, 1887), vol. 1, pp. 315–16. Shih edhe Darwin Correspondence Project, “Letter no. 13230,” https://www.darwinproject.ac.uk/letter/DCP-LETT-13230.xml Aksesuar më 20 mars 2024.

[40] Plantinga, Where the Conflict Really Lies, 316.

[41] Plantinga dallon tipare të natyralizmit që mund ta kategorizojnë atë si fe. Ai shkruan: “Natyralizmi i shërben njërit prej funksioneve kryesorë të një feje: ai ofron një metanarrativë, ai u përgjigjet pyetjeve të thella dhe të rëndësishme njerëzore. Immanuel Kant identifikoi tri pyetje të mëdha njerëzore: A ekziston një person i tillë si Zoti? A kemi ne, qeniet njerëzore, liri të konsiderueshme? Dhe a mund të presim ne, qeniet njerëzore, jetë pas vdekjes? Natyralizmi u jep përgjigje këtyre pyetjeve: nuk ka Zot, nuk ka pavdekësi, dhe argumenti për lirinë e vërtetë është në rastin më të mirë i rremë. Natyralizmi na tregon se si është në fund realiteti, ku përshtatemi me universin, si jemi të lidhur me krijesat e tjera dhe si ndodh që kemi ardhur në ekzistencë. Prandaj, natyralizmi është në konkurrencë me fetë e mëdha teiste: edhe nëse ai vetë nuk është fe, ai luan një nga rolet kryesore të një feje. Ndoshta mund ta quajmë një “thuajse-fe”.”  Plantinga, Where the Conflict Really Lies,  311. A do të dështonte teza e Plantingës nëse natyralizmi përcaktohet si fe? Për të, nëse do ta pranonim natyralizmin si fe, atëherë mund të thoshim: “Po, ka një konflikt mes fesë dhe shkencës, por ky konflikt është mes shkencës dhe fesë së natyralizmit, dhe jo mes shkencës dhe fesë teiste [të krishterë].”

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin