PERSHENDETJA E EDA DERHEMIT

Sjellim për ju përshëndetjen me zë të Eda Derhemit, një prej autoreve dhe bashkëpunëtoreve më të vyera të Peizazhe të Fjalës, dërguar për mbrëmjen festive që u mbajt në Tiranë më  30 qershor. Për arsye teknike nuk arritëm ta përcjellim gjatë aktivitetit, prandaj po e ndajmë tani me të gjithë ju. Gjithashtu e kemi zbardhur, për ata që preferojnë ta lexojnë. 

 

Mirëmbrëma të gjithëve,

Jam Eda Derhemi dhe po ju flas nga Lisbona në këtë moment. Unë nuk jetoj këtu, jetoj në SHBA, Urbana-Champaign, Illinois, por qëllon që jam këtu. Më vjen vërtet keq që nuk jam me ju sot. Do të kisha pasur shumë qejf të festoja 15 vjetorin e Peizazheve aty me Ardin, me Elonën, me të gjithë miqtë e tjerë.

Do doja vërtet që kjo të ishte një festë dhe jam e sigurt që ky është edhe mendimi i të gjithëve. Nuk është një moment për t’i bërë himne Peizazheve se nuk ia kemi bërë kurrë dhe nuk besoj se është nga ato lloj revistash që pret himne dhe lëvdata.  Por, shkurt muhabeti, është një ditë e mirë për t’u dehur dhe për të bërë qejf sepse Peizazhet është një gjë e veçantë edhe një gjë që duhet ta festojmë të gjithë bashkë.

Për mua personalisht Peizazhet është vërtetë një revistë e rëndësishme – blog dikur dhe revistë sot. Në fakt, sido që unë botoj tek Peizazhet, për mua Peizazhet është si shtëpi. Domethënë, unë shkruaj për Peizazhet, nuk është se botoj tek Peizazhet. Unë shkruaj për Peizazhet dhe po të mos ishte Peizazhet ndoshta nuk do të shkruaja hiç.

Sepse vërtetë nëse ke diçka për të thënë, për të shkruar sidomos, ajo është si një dallgë e fortë edhe të vjen edhe duhet patjetër ta hedhësh patjetër në një fare mënyre.  Unë i gëzohem në mënyra të ndryshme mënyrës si e nxjerr atë lloj vrulli të brendshëm.

Njëra prej këtyre mënyrave është ajo e të shkruarit dhe jam e sigurt që Peizazhet është për mua si një penë, si një libër që e kam aty, si një fletë, si një lloj instrumenti që jo vetëm më lejon të shkruaj por edhe më vë përpara një lloj përgjegjësie, për mënyrën se si shkruaj, për mënyrën se si shprehem.

Domethënë është një lloj forumi që jo vetëm më lejon të shkruaj, por edhe më mobilizon të shkruaj dhe si të shkruaj. Dhe më vjen shumë mirë për këtë sepse për diçka të tillë kemi nevojë të gjithë përndryshe plogështohemi si shkrues të gjuhës.  Dhe, sidomos plogështohemi si mendimtarë; si njerëz që e vënë trurin në përdorim, që janë kritikë, që i bëjnë pyetje gjithëçkaje që shohin dhe gjithëçkaje për të cilën duan të shprehin një mendim. Nuk shkojnë thjesht me rrymën, nuk japin një ide sipërfaqësore sa për të thënë apo shkruar diçka, sepse Peizazhet nuk të lejon që ta besh këtë ngaqë në një farë mënyre ne rrimë afër, e lexojmë vazhdimisht.

Tani, se po them Peizazhet, Peizazhet, por kuptohet që ai, personi kryesor që shkruan tek Peizazhet ka qenë Ardi. Por edhe Ardi vetë, jam e sigurt, që ka ndryshuar në këto 15 vjet. Nuk është i njëjti person, i njëjti shkrues, sido që ka shumë gjëra që kanë ngelur njëlloj, ka të tjera në të cilat besoj që ka ndryshuar ide.

Dhe kjo më sjell tek një gjë tjetër që doja të thoja sot. Do kisha qejf që sot, po të isha aty do ta propozoja edhe aty, por ideja ime është që të diskutojmë gjëra të ndryshme sot për Peizazhet. Një nga gjërat që doja të diskutoja është si ka ndryshuar Peizazhet në këto 15 vjet. Thjesht për faktin që dikur shkruhej një herë në dy ditë e jo çdo ditë, dhe tani shkruhet më shpesh, nganjëherë dhe 2-3 në ditë e shohim Peizazhet që të freskojë shkrimet, gjërat interesante që nxjerr. Është çështje dendurie apo është thjesht fakti që dikur ishte vetëm Ardi ai që shkruante ose 2,3,4,5 gjithsej e tani janë bërë shumë më tepër apo ka dhe gjëra të tjera?

Do kisha shumë qejf që si nga ana e lexuesve, si nga ana e Ardit dhe Elonës, të shikohej kjo pjesa e një lloj analize e ndryshimeve që i kanë ndodhur Peizazheve.

Midis këtyre ndryshimeve unë do doja të nënvizoja atë të kalimit nga përdorimi i pseudonimeve në përdorimin e emrave. Unë kam arsyet e mia personale për të cilat kalova nga një pseudonim që e mbaja në mënyrë sistematike dhe rregullisht në emrin tim, sido që tani prapë ndryshoj por shumë pak shkruaj me pseudonime – kryesisht për arsye sociale dhe familjare dhe shumë rrallë shkruaj me pseudonim. Por, ajo për të cilën kam bindje, që të shkruarit me pseudonim dhe të shkruarit me emrin tënd pjellin dy qenie të ndryshme të shkruara.

Jam e bindur, përveç rastit kur pseudonimin ta dinë të gjithë dhe atëherë nuk ka ndonjë rëndësi të madhe, flas për rastin kur shumica e njerëzve nuk e njohin atë pseudonim.  Madje, nuk më kujtohet se ku e pash por para nja dy javësh rastësisht hasa një gjë të shkruar para disa vjetësh në të cilen për herë të parë shfaqet një nga pseudonimet e Ardian Vehbiut – s’më kujtohet se cili, Castigat më duket – dhe mënyra sesi e debatonin dhe si e trajtonin këtë shkrimtarin me këtë emër lexuesit dhe ata që shkruanin, por kryesisht ato që bënin komente, komentuesit e Peizazheve, duke thënë për shembull njeri tha “ky është xhaxhai, patjetër që është xhaxhai/plaku” disa nga pseudonimet që ka përdorur Ardian Vehbiu.  Por shumica e komentuesve thoshin “jo, por është i dobët ky, s’ka se si të jetë Ardian Vehbiu ky, është tmerrësisht i dobët’.

Domethënë ka komente nga më interesantet aty dhe do doja të analizonim ndonjëherë kur të kemi kohë, e para se si ndryshojmë ne që shkruajmë në raport me publikun kur shkruajmë me pseudonim dhe kur nuk shkruajmë me pseudonim, dhe si na perceptojnë. Si e percepton publiku atë që shkruan me një pseudonim që nuk e ka idenë se cili është ky që shkruan dhe kur e njeh ose kur ka një lloj respekti, ose kur është bërë i famshëm. Kjo e ndryshimeve ishte pyetja e parë që doja të bëja.

Pyetja e dytë që doja të bëja është nëse mund të flasim për një llojë baze ideologjike të Peizazhe të Fjalës? Ka një lloj agjende, apo thjesht si fije themelore ideore që drejtojnë Peizazhet – sido që AV ka folur shpesh për këtë kur ka shkruar në mënyrë vetë reflektuese për Peizazhet e ka diskutuar këtë pjesë. Por prap do të ishte mirë dhe sot është një ditë d.m.th. që kjo do ishte me vend që të ritrajtohej apo është thjeshtë, si të thuash thellësia e shkrimit, forca e argumentit, vërtetësia e bazës informative ato që janë themelet/shtyllat më kryesore të kushteve për të shkruar tek Peizazhet.

Një tjetër gjë që doja të pyesja është cili është impakti i Peizazheve sot në Shqipëri. Domethënë për mua si një shkruese relativisht e vjetër e Peizazheve, unë vë re që Peizazhet sot është jashtëzakonisht i lexuar në raport me njëherë e një kohë – ky ndryshim është i jashtëzakonshëm. Peizazhet është bërë një revistë masive sot, sidomos ndër të rinj –  por jo vetëm  ndër të rinj. E lexojnë njerëz që janë 80, 90 vjeçarë – e lexojnë Peizazhet me qejf, e mezi e presin.  Edhe njerëz nga të gjitha qytetet e Shqipërisë e nga të gjitha shtetet e botës ku ka shqiptarë. Është vërtet një fakt shumë i bukur ky.

Por sido që lexohet, cili është impakti që ai ka?  Unë do thoja se përveç faktit që është shumë i lexuar, ai shërben si një shkollë mendimi me një force ndryshuese, d.m.th. krijon lëvizje në mendimin e publikut shqiptar.  Nuk dua të zgjatem shumë në pse-të e kësaj që mendoj, por kujtoj vetëm romanin e fundit të Lea Ypit. Unë jam e sigurt  që një nga gjërat themelore që e bëri Lean vetë me gojën e vet, si dhe shtypin dhe grupe të ndryshme që komentonin për të, që të ndryshonin diskursin lidhur me gjininë e kësaj pune, e volumit e Lea Ypit, ishin pikërisht diskutimi ndër Peizazhet. Sepse erdhën diskutime shumë interesante, shumë objektive, dhe jo dashakeqe nga Peizazhet, por kritike.

Dhe unë besoj që sido që nuk u pranua asnjëherë nga Lea, do të kisha dashur shumë.  Unë nuk e njoh shkrimtaren, por prisja me shumë qejf që ta pranonte këtë pjesë të kritikës, ose ta shikonte më hapur.  Por, sido që nuk e pa hapur, por e pa sikur ishte si një kritikë, një shpim ndaj një arritjeje të saj, si një shkop në rrotat e lëvizjes drejt ngritjes së shkrimtares.  Nuk besoj se ishte ashtu fare sepse ishte argumentuar shumë mire në të gjitha shkrimet –  por prap se prap ndryshoi gjuhën që përdorej për romanin , d.m.th. gjininë, nën gjininë e kështu me radhë.

Edhe një gjë tjetër. Çfarë mund të presim nga Peizazhet? Çfarë do donin drejtuesit e Peizazheve që të ndryshonte dhe ti bënte ndryshe Peizazhe të fjalës?

Para se të iki doja të thoja që mua me vjen keq që komentet e Peizazheve janë kthyer në komente thjesht në FB.  E di që është e vështirë që të jetë ndryshe por komentet e FB nuk kanë vlerën e komenteve të diskutimeve që bëheshin në Peizazhe të Fjalës.

E di hallin. E d si është puna dhe meqë jam në këtë pikë them edhe një gjë tjetër. Ju kujtoj të gjithëve, e di që në këtë pikë as Elona as Ardi nuk do të me përkrahin sepse do të duket sikur po i tradhtoj, por ju lutem të gjithëve nëse mundeni, jepni për Peizazhet.  Është gjëja me e bukur që mund të bëjmë. E lexojmë thuajse çdo ditë, e shijojmë, gëzohemi na e ndryshon ditën. Është e drejtë që të japim të gjithë për Peizazhet. Dhe në qoftë se nuk mundeni thuajini njerëzve që munden. Ka plot shqiptarë që munden por ne nuk jemi bërë akoma njerëz që të mbështesim artin, të mbështesim kulturën, të mbështesim ata që duan të mbeten të pavarur. Kini parasysh një gjë, që në qoftë se nuk i mbështesim, gjithçka ose zhduket ose bëhet e varur, sepse kështu funksionin shoqëria.  Sepse ne të gjithë, në fund të fundit, u nënshtrohemi tensioneve të caktuara që na shtyjnë për të bërë gjërat ashtu siç i do pjesa dominante. Dhe këtë nuk e them si komuniste por e them si një kapitaliste e mirë.

Ju përshëndes të gjithëve, ju uroj një festë të bukur edhe ju përqafoj.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin