TRI LLOJE TË KRITIKËS

nga Umberto Eco[1]

Le të pyesim se çfarë kuptojmë me kritikë (të artit a të letërsisë), edhe pse këtu për lehtësi po mjaftohem të flas për kritikë letrare.

Besoj se para së gjithash, duhet dalluar mes diskursit rreth veprave letrare dhe kritikës letrare. Për veprat letrare mund të thuhen gjithfarë gjërash, dhe vepra mund të zgjidhet si objekt i një hulumtimi sociologjik, si dokument për një histori të ideve, si dëshmi psikologjike a psikiatrike, si pretekst për një varg konsideratash morale.[2] Ka qytetërime, veçanërisht ai anglo-sakson, ku – të paktën deri sa nuk kish mbërritur New Criticism – diskursi rreth veprave letrare ishte në radhë të parë diskurs moral. Të gjitha këto regjime diskursive janë në vetvete legjitime, por le të mbajmë parasysh se, mu në momentin kur parashtrohen, ato parakuptojnë, implikojnë, sugjerojnë dhe i referohen një gjykimi kritik-estetik që dikush tjetër, nëmos autori vetë gjetiu, e kanë formuluar tashmë.[3]

Ky i fundit është ai i kritikës në kuptimin e vet të mirëfilltë, që mund të artikulohet në tri regjime – edhe pse le të jetë e qartë se këto tri regjime janë “zhanre të kritikës”, tipa idealë, dhe shpesh ndodh dikush të ndjekë një zhanër ose regjim, por pastaj të ofrojë shembuj të shkëlqyer të ndonjë regjimi tjetër, ose edhe të përziejë – për mirë a për keq – të tri regjimet së bashku.

Do ta quajmë të parin recension, në të cilin lexuesve u flitet për një vepër që ata ende nuk e njohin.[4] Një recension i mirë mund edhe të angazhojë modalitete më komplekse, si ato dy të tjerat për të cilat do të flas, por ai mbetet i lidhur fatalisht me pandërmjetësinë, me hapësirën e vogël që ndërfutet mes daljes së veprës, leximit dhe parashtrimit vlerësues. Në rastet më të mira, recensioni mund të mjaftohet t’u japë lexuesve një ide të përmbledhur të veprës që këta ende nuk e kanë lexuar, dhe pastaj t’u imponojë gjykimin (shijen) e kritikut. Funksioni i tij është detyrimisht informues (thotë që ka dalë një libër që është kështu dhe kështu) dhe diagnostik-në-mirëbesim: lexuesit i besojnë recensuesit ashtu siç i besojnë mjekut i cili, pasi i ka ekzaminuar, u thotë se kanë bronkit dhe u parashkruan një shurup. Ky “recension” diagnostik nuk ka fare të bëjë me analizat biokimike ose me ato eksplorime me sondë, që i njëjti pacient sot mund t’i ndjekë në ekran dhe gjatë të cilave ai vetë e sheh dhe e kupton se çfarë ka dhe pse trupi po i reagon në një mënyrë të caktuar. Në recension (si gjatë vizitës në shtëpi të mjekut të familjes) lexuesi nuk e sheh veprën, por vetëm sa dëgjon të flitet për të nga dikush tjetër.

Regjimi i dytë i kritikës (historia letrare) flet për tekste që lexuesi i njeh ose të paktën duhet t’i njohë, sepse ka dëgjuar tashmë të flitet për to. Këto tekste shpesh vetëm sa i përmenden dhe ndonjëherë i përmblidhen, edhe me ndihmën e ndonjë citati ekzemplar, pastaj grupohen, u caktohen rrymave, renditen kronologjikisht. Një histori e letërsisë mund të marrë formën e një manuali, por ndonjëherë vlen njëkohësisht si vlerësim i veprave dhe i historisë së ideve – le të mendojmë Storia-n e De Sanctis. Në rastet më të mira, ajo çon në vlerësimin përfundimtar dhe tërësor të një vepre, orienton pritjet dhe shijen e lexuesit, i hap para syve panorama të pacak.[5]

Të dy këto regjime mund të praktikohen sipas dy linjave që, Croce-ja do t’i përkufizonte si ajo e artifex additur artifici (“artisti që shkruan për artistin”) dhe ajo e philosophus additus artifici (“filozofi që shkruan për artistin”). Në rastin e parë kritiku, nuk na e shpjegon aq veprën, sa ç’na jep ditarin e emocioneve që ka përjetuar gjatë leximit[6] dhe pa e kuptuar as vetë kërkon të kapërcejë – në zotësi – objektin e përkushtimit të vet të përvuejtun, kapërcim që ndonjëherë edhe ia arrin ta realizojë, meqë njohim faqe të shkruara për letërsinë që janë më të bukura, letrarisht, se letërsia për të cilën flasin, njëlloj siç janë tejet muzikore faqet që ka shkruar Proust-i për muzikën e keqe.

Në rastin e dytë, kritiku rreket të na tregojë, nën dritën e disa kategorive dhe kritereve të gjykimit, pse është e bukur vepra. Por në rastin e recensionit ai nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të na thënë, me themel, si është e ndërtuar vepra (dhe, pra, për të na treguar funksionimin e stilit të saj), ndërsa në rastin e një historie të letërsisë duhet ta mbajë analizën në një nivel përgjithësimi të detyruar. Për fat të keq, për të zbuluar stilin e një faqeje duhen ndonjëherë një qind faqe, dhe në një histori të letërsisë raporti është fatalisht i përkundërt.

Le të vijmë tani te regjimi i tretë, kritika e tekstit: atje kritiku duhet të niset nga premisa se lexuesi nuk di asgjë për veprën, qoftë kjo edhe Komedia Hyjnore. Duhet të bëjë, pra, që lexuesi ta zbulojë veprën për herë të parë. Nëse teksti nuk është i shkurtër, aq sa të sillet në vështrim i tëri, i ndarë në paragrafe a copëza, kritiku duhet të supozojë se lexuesi e ka diku ndoresh, meqë synimi i këtij diskursi është që ta bëjë lexuesin të zbulojë, hap pas hapi, si është i ndërtuar teksti dhe pse funksionon ashtu siç funksionon. Ky diskurs mund të parashtrojë konfirmimin (“po ju tregoj pse të gjithë e konsiderojnë të mrekullueshëm këtë tekst”), rivlerësimin ose edhe shkatërrimin e një miti. Janë të panumërta mënyrat si mund të tregohet ndërtimi i tekstit (dhe pse teksti është ndërtuar mirë dhe pse nuk mund të ishte ndërtuar veçse kështu dhe pse duhet konsideruar i shkëlqyer pikërisht ngaqë është i ndërtuar kështu). Sidoqë të artikulohen këto qasje, kjo lloj kritike nuk mund të jetë veçse analizë semiotike e tekstit.[7]

Pra, nëse të bësh kritikë të mirëfilltë është të kuptosh dhe t’ua shpjegosh të tjerëve si është ndërtuar një tekst, dhe nëse recensioni dhe historia letrare, si të tilla, nuk mund ta bëjnë këtë në mënyrë të plotë, e vetmja formë e kritikës është leximi semiotik i tekstit.

Në atë masë që kritika e mirëfilltë duhet të na bëjë ta kuptojmë tekstin në të gjitha aspektet dhe mundësitë e tij, leximi semiotik i tekstit i ka ato cilësi që fatalisht i mungojnë kritikës recensionale dhe kritikës historike: ai nuk i parashkruan regjimet e kënaqësisë së tekstit, por na tregon pse teksti mund të përftojë kënaqësi.[8]

Për shkak të funksionit të saj rekomandues, kritika recensionale nuk mund të heq dorë – përveç ndonjë rasti burracakërie të paparë – nga shqiptimi i një gjykimi për atë çfarë thotë teksti; kritika historike mundet, e shumta, të na tregojë se një vepër ka pasur pritje të ndryshme dhe ka ngjallur përgjigje po aq të ndryshme.

[Pastaj Eco-ja ankohet gjerë e gjatë për ftohjen dhe shmangien, në Italinë e viteve 1990, nga angazhimi kulturor për një kritikë formaliste-strukturale-semiotike, e vetmja sipas tij që mundësonte qasjen ndaj tekstit në tërësinë e vet dhe në nivelet e tij të ndryshme, për të vazhduar:]

Pse po e harrojmë këtë dhe po u mësojmë të rinjve se, për të folur për një tekst, nuk ka nevojë për ndonjë aparat teorik solid dhe përgatitje serioze, dhe po na sillet, si ideal i vetëm kritik, ai i një mendjeje të lirë që reagon lirisht ndaj stimujve rastësorë që i vijnë prej tekstit?

Personalisht shoh te kjo prirje një pasqyrim të asaj çfarë ndodh në sektorë të tjerë të komunikimit, dhe pikërisht konformimin e kritikës ndaj ritmeve dhe masës së investimit të aktiviteve të tjera, që kanë rezultuar fitimprurëse. Pse të shkruash një recension, që kërkon lexim të librit, nëse shet më shumë një koment, në faqen kulturore, rreth një interviste që autori i ka dhënë një gazete tjetër? Pse të vësh në skenë Hamletin në televizion, siç bëhej në vitet 1960, kur mund ta shumëfishosh publikun duke ftuar në të njëjtin talk show, idiotin e fshatit dhe idiotin e këshillit shkencor të fakultetit? Dhe pse të lexosh një tekst për vite me radhë, nëse mund të arrish ekstazën e sublimes duke përtypur një dorë gjethesh?

Po luftohet, këtu, një betejë e hapur mes kujt e dashuron një tekst, dhe kujt nuk ka kohë për të humbur.[9]

© Përkthimi është imi (A.V.), por mund të përdoret lirisht. Mbani parasysh se e kam ndërmarrë pa pretendime të posaçme dhe falas, thjesht për kënaqësinë time dhe tuajën si lexues të interesuar.


Shënime të përkthyesit:

[1] Fragment nga fjala e mbylljes, në Convegno dell’Associazione Italiana di Studi Semiotici, “Lo stile – Gli stili”, botuar në Carte semiotiche, 3, shtator 1996. Lexuar në Eco, Umberto, Sulla letteratura, Tascabili Bompiani, 2008.

[2] Deri më sot, pjesa më e madhe e çfarë prezantohet si “kritikë letrare” në botën shqip i përket kësaj kategorie – ku autorët i përdorin veprat letrare për synime historiografike, sociologjike, ideologjike dhe biografike. Kjo përfshin edhe përzgjedhjen e veprave, në historitë e letërsisë, në bazë të profilit ideologjik dhe moral të autorëve të tyre dhe vlerësimit pozitiv të tyre nga ideologjia sunduese.

[3] Me fjalë të tjera, ky lloj diskursi pseudo-kritik e merr për të mirëqenë vlerësimin pozitiv mirëfilli kritik të veprës, madje edhe – për të mos thënë sidomos – kur ky vlerësim mungon.

[4] Recensioni në botën shqip sot ka përfunduar në qokë. Nuk mbaj mend të kem lexuar, vitet e fundit, një recension negativ për një vepër.

[5] Neve na mungon ende kjo lloj historie letrare. Ajo e Robert Elsie-t mund të jetë një fillim i mirë, por jo më shumë. Çfarë po rreket të bëjë Akademia e Shkencave më duket e rrezikshme, sepse e tunduar fort nga afshi për kodifikim ideologjik.

[6] Hapni çdo revistë letrare shqip sot dhe do të gjeni të tilla me bollëk. Këto kritika Eco-ja i quan përdëllime, “që na rrëfejnë përjetimet e kritikut si lexues, deri në atë shkallë sa, një faqe kushtuar autorit A, e ribotuar gabimisht në librin kushtuar autorit B, nuk do të kapej prej redaktorëve.” Por t’i lëmë këta kritikë orgasmatikë në qejfin e tyre, vazhdon Eco-ja, që s’i bën kujt dëm, dhe që, në analizë të fundit, tregon se ata, në çdo angazhim me veprën, “nuk bëjnë gjë tjetër veç dashurisë me veten.”

[7] Eco-ja nuk e thotë, por unë nuk rri dot pa e thënë: për të bërë analizë semiotike të tekstit duhet të dish ta bësh: duhet studim, kualifikim, njohje, kompetencë teknike dhe profesionale. Prandaj është më kollaj të pozicionohesh sikur kjo lloj kritike “nuk vlen (më)”, dhe të vazhdosh me anekdota (shpesh apokrife) nga jeta e autorit të veprës.

[8] Kjo e parashkrimit meriton vëmendje, veçanërisht në kontekstin tejet të rënduar ideologjikisht, të kritikës letrare shqip.

[9] Teksti më lart është i Eco-s, por unë do ta nënshkruaja pa ngurrim. Ndryshe nga shumë të tjerë, unë luaj me letra të hapura dhe gjithnjë i deklaroj mësuesit e mi, pikat e mia të referimit, burimet e mendimit tim publik.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin