SËRISH PËR BIOGRAFIZMIN

Edhe një herë për si e gjykoj unë qasjen biografike në kritikat dhe analizat letrare:

Nuk jam purist i metodave formale dhe as përjashtues i qasjeve alternative. Nëse një kritik letrar mendon se biografia e autorit e ndihmon për ta analizuar dhe interpretuar veprën, atëherë zgjedhja e tij nuk mund të qortohet “teorikisht”.

Unë vetë, në analizat e mia letrare, ka pasur raste kur u jam referuar gjerësisht të dhënave biografike – si në artikullin monografik kushtuar romanit Dimri i vetmisë së madhe të Ismail Kadaresë. Përkundrazi, në artikuj të tjerë monografikë, si ai për romanin Ura me tre harqe të po atij autori, ose ai për romanin Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo biografitë e autorëve nuk më kanë interesuar seriozisht.

Çfarë kam kundërshtuar dhe do të vazhdoj ta kundërshtoj, është që JETA e autorit, e hartuar dhe e mirëmbajtur si tekst, të zëvendësojë VEPRËN. Kjo po ndodh relativisht shpesh dhe unë e shoh si të dëmshme për letërsinë, lexuesit dhe kulturën. Sa bojë është derdhur, 30 vjetët e fundit, për JETËN publike dhe private të Ismail Kadaresë, marrëdhëniet e tij me regjimin dhe Enver Hoxhën, dosjet dhe kundërdosjet, denoncimet dhe deponimet, disidencën e tij politike reale a të supozuar? Sa pyje e kanë pësuar nga sëpata grafomane?

Njëkohësisht, jam kundër asaj që profili i lartë moral (i mirëfilltë ose i supozuar) i një autori të shërbejë si kriter për përfshirjen e tij/të saj në panteonin letrar. Kultura dhe historia e letërsisë nuk janë hagjiografi dhe as duhet të marrin si model jetën dhe jetëshkrimet e shenjtorëve; virtytet e individëve do t’i studiojë publicistika dhe historiografia, edhe kur nuk janë objekt i biografive të llojeve të ndryshme. Heronjtë që kemi pasur dhe mbase kemi janë gjithnjë në pritje të Plutarkëve shqiptarë.

Pra, biografia e një autori le të merret në vështrim nga kritiku si element plotësues, dytësor, për analizën e veprës, por jo si KRITER për lartësimin e saj. Një vepër letrare është e mirë (e realizuar artistikisht) në vetvete ose në eksperiencën E LEXUESIT, jo ngaqë autori i saj ka çuar jetë ekzemplare dhe moralisht të admirueshme. Një poezi është e mirë për arsye poetike (ata që e gjykojnë si të mirë, duhet ta argumentojnë pse), jo sepse është shkruar në burg ose në spital, dhe as sepse i kushtohet flamurit.

Përndryshe, kur autorët u zënë vendin veprave dhe biografitë e tyre analizave letrare, atëherë kemi dalë nga letërsia, për të hyrë në një sallon interesash familjare, fisnore, krahinore, politike dhe ideologjike, ku zakonisht kultivohen interesa pa lidhje me letërsinë. Kultura i dorëzohet deontologjisë së tabloidëve dhe talk show-ve.

Ne si brez u patëm mësuar që historinë e letërsisë ta studionim dhe ta ndërtonim mbi baza ideologjike – në totalitarizëm, u jepej përparësi atyre autorëve që kishin simpati për “vegjëlinë”, “popullin”, argatin” dhe mbuloheshin me heshtje ose stigmatizoheshin autorët “e kullës së fildishtë” ose ata me fillesa të forta fetare ose “reaksionare”; pa folur për autorë që kishin bërë zgjedhje ideologjike në kundërshtim me enverizmin.

Ashtu në shkolla merreshim me Memo Meton, por jo me Gjergj Fishtën.

Mjerisht, kjo prirje ideologjizuese vazhdon e fortë sot e kësaj dite, edhe pse e përmbysur. Listat e autorëve “të historizueshëm” janë hartuar nga e para dhe me emra të tjerë, por kriteret jashtëletrare e kanë ruajtur përparësinë ndaj atyre brendaletrare. Veçanërisht, po merret si i mirëqenë kriteri që shkrimtarët e mirë, ata që meritojnë të kenë kryet e vendit në historitë e letërsisë shqipe, duhet të kenë qenë – mes të tjerash – PATRIOTË të mirë, ose të kenë krijuar “për këtë flamur, për këtë dhé, për këtë atdhé.”

Ideologjia totalitare u pat bërë padrejtësi të frikshme të gjithë atyre shkrimtarëve të traditës që i pat shpallur armiq – çfarë e pat përçudnuar rëndë tablonë e letërsisë shqipe në shekuj në sytë e brezave të rinj. Historianëve të sotëm të letërsisë u bie barra që ta korrigjojnë këtë padrejtësi, dhe t’i kthejnë vlerat e keqtrajtuara në vëmendje të lexuesve, por gjithnjë duke mbajtur parasysh që kjo të mos bëhet me kritere ideologjike. Në kuptimin që Fishta dhe Prennushi të mos vlerësohen lart ngaqë kanë qenë dënuar nga regjimi totalitar, por ngaqë LETRARISHT E MERITOJNË të vlerësohen lart.

Vëmendje të veçantë kërkon statusi i VEPRAVE TË MBETURA NË DORËSHKRIM, për arsye të censurës totalitare, frikës, pamundësisë për botim, ose vetë statusit të autorëve, të damkosur si armiq nga regjimi. Para se të shpallen si “kryevepra” nga të gjithë ata që ua admirojnë autorët për virtytet e tyre morale, këto tekste kanë nevojë të gjykohen nga pikëpamja mirëfilli letrare: për fat të keq, disa prej tyre mund të vlejnë fort si dëshmi biografike dhe historike, ose si akt-akuza për regjimin totalitar, por kjo nuk i bën ipso facto të promovueshme si vepra letrare, ose të paktën jo pa u konfirmuar vlerat e tyre LETRARE, nga kritika profesioniste.

Doemos, këtë lloj vlerësimi profesional mund të bëjnë vetëm kritikët profesionistë dhe me autoritet, që respektohen nga lexuesit; por koha është e tillë, që kritikët nuk kanë as nxitje, as interes, as stomak dhe as kënaqësi, të angazhohen në punë të tilla delikate; pa folur për atë masë anonimësh në rrjetet sociale, që e përçmon brutalisht autoritetin e profesionit (të çdo profesioni) dhe as arrin të reagojë normalisht, ndaj mendimit ndryshe (këta janë trashëgimtarët dhe bijtë e enverizmit, pavarësisht si duan të duken); çfarë i bën të mendohen dy herë edhe ata që përndryshe do të kishin thënë diçka të tyren. Ngaqë shpesh mikrofoni qarkullon në katakombet e vetëdijes kolektive, intimidimi është kthyer në metodë dhe flamur të kritikës së kritikës.

Për sqarim: unë NUK JAM kritik letrar, punë që kërkon jo vetëm kompetencë profesionale (që besoj se e kam) por edhe shumë investim dhe përkushtim dhe lëkurë të trashë. Kam botuar tek-tuk ndonjë shkrim që mund ta konsideroj si kontribut “vullnetar” në këtë fushë, por le të mos kemi iluzione – kritika letrare duhet paguar mirë, sepse përndryshe do të mbetet në duart e qokatarëve, përfituesve dhe amatorëve.

© 2022 Ardian Vehbiu dhe Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin