DEMAGOGU APO AUDIENCA?

nga Ernest Nasto

Një vendim para pak ditësh nga një gjykatë amerikane solli edhe një herë në qendër të vëmendjes rolin e madh të teorive konspirative në disa shoqëri të zhvilluara perëndimore, e mbi të gjitha në Shtetet e Bashkuara.

Me pak fjalë çështja ishte kjo: në dhjetor të vitit 2012 një i ri i armatosur hyri në shkollën fillore Sandy Hook në shtetin Connecticut-it dhe vrau 26 persona, nga të cilët 20 fëmijë, nxënës të klasës së parë, dhe 6 mësues e personel shkollor. Disa kohë pas masakrës konspiracionisti Alex Jones filloi të përhapte idenë, në mediat sociale e në emisionet e tij televizive, se kjo ngjarje ishte tërësisht e sajuar dhe s’kish ndodhur kurrë. Sipas tij, ajo ishte një inskenim nga ana e qeverisë, asokohe administrata demokrate Obama, me qëllim që njerëzit të revoltoheshin e ashtu ta mbështesnin në synimin për të sekuestruar armët e zjarrit në të gjithë vendin. Ai arriti madje të akuzonte prindërit që humbën fëmijët sikur ata ishin aktorë të paguar nga qeveria, që vajtonin kot për fëmijët e masakruar, pasi ata s’kishin fare fëmijë. E gjitha kjo, pretendonte Jones, ishte pjesë e një komploti të madh kundër Amerikës të organizuar nga “elita globale” në bashkëpunim me agjenturën e tyre brenda vendit, alias Partinë Demokrate.

Disa nga prindërit e viktimave ngritën padi kundër Jones, sepse dhimbja që u kish shkaktuar ai me shpifje të tilla në emisionet e kanalit të tij mediatik Infowars ishte po aq e madhe sa ajo e shkaktuar nga humbja e vogëlushëve të tyre. Përpara gjyqit Jones u detyrua të kërkonte falje dhe pranoi se deklaratat e tij ishin gënjeshtra, por përsëri u përpoq të mbrohej duke u justifikuar me të drejtën e fjalës apo lirinë e mendimit. Megjithatë, në përfundim të gjyqit, juria e shpalli fajtor për shpifje, duke e dënuar t’u paguajë prindërve gati 50 milion dollarë.

Kjo është një shumë e konsiderueshme, megjithëse perandoria mediatike e Jones-it, e mbështetur tërësisht mbi përhapjen e lajmeve të rreme e të një varieteti të gjerë konspiracionesh, ka të ardhura që vlerësohen në qindra milionë dollarë. Dhe duke pasur parasysh se një perandori e tillë është ngritur dhe funksionon vetëm mbi një produkt, teoritë konspirative dhe lajmet e rreme, ngjarja sjell detyrimisht në vështrim rolin e së vërtetës dhe të fakteve në funksionimin e shoqërisë së sotme moderne në SHBA, si edhe, sado që në një shkallë më të vogël, në vende të tjera të zhvilluara.

Dhe më e pakta që mund të thuhet është se Jones dhe ndjekësit e tij të shumtë, nga njëra anë, dhe organet e drejtësisë, nga ana tjetër, operojnë në plane të ndryshme të së vërtetës.

Në episodin e mirënjohur të përshkruar në Ungjillin sipas Gjonit (Bibla, Ungjilli sipas Gjonit, 18:37-38) Pilati e pyet Jezusin, të cilin ia kanë sjellë për ta gjykuar: ”Ti, pra, qenke mbret?”. Dhe Jezusi përgjigjet: “Ti thua se unë jam mbret, për këtë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë, që të dëshmoj për të vërtetën; kushdo që është prej së vërtetës, dëgjon zërin tim”. Pilati vazhdon: “Ç’është e vërteta?” e më pas del e u thotë judenjve: ”Nuk gjej asnjë faj tek ai”.

Jezusi dhe Pilati flasin këtu gjuhë të ndryshme, por jo në kuptimin e zakonshëm të gjuhës si mjet komunikimi, sepse me siguri dialogu ishte në aramaikisht ose latinisht. Por është përdorimi i gjuhës që i dallon ata kryekëput: Jezusi po predikon, ndërsa Pilati po gjykon. Jezusi flet për të Vërtetën (me V të madhe, pra në kuptimin filozofik), në një kohë kur Pilati kërkon të përqendrohet tek ana praktike e çështjes. Madje duket se ky mezi pret të shpëtojë nga bezdia e atij procesi krejt të kotë, siç del nga pyetja plot qesëndi se “çfarë është e vërteta”. Mënyrat e tyre të të menduarit s’kanë kësisoj pika takimi.

Ngjashëm me këtë episod mund të përshkruhen edhe pasojat e përplasjes së kulturës së sotme politike amerikane me gjykatat apo organet e drejtësisë në përgjithësi. Pjesëmarrësit në përplasje të tilla, si kjo e Alex Jones-it së fundi, flasin gjuhë të ndryshme në kuptimin e përdorimit të saj në mënyra të ndryshme. Kështu drejtësia përqendrohet tek kuptimi bazë i fjalëve dhe frazave, d.m.th. nëse ato shenjojnë fakte apo opinione, nëse duhen marrë literalisht, pra “fjalë për fjalë” apo në mënyrë figurative etj. Ky kuptim është thelbësor për gjykatën, sidomos në një rast të tillë, që lidhet me veprën penale të shpifjes: diçka mund të jetë shpifje vetëm nëse është e pavërtetë, pra faktikisht e gabuar. Me fjalë të tjera, krejt procesi i gjykimit merret me analiza të tilla dhe bazohet në atë që fjalët kanë kuptime të përcaktuara dhe specifike.

Mirëpo kultura politike moderne amerikane është larguar së tepërmi nga mbështetja në fakte dhe e sheh sot veten të bazuar pothuaj tërësisht mbi emocione. Gjuha përdoret sot nga kjo kulturë në mënyrë tepër krijuese, ashtu si notat nga muzikanti apo goditjet e penelit nga piktori impresionist. Kjo kulturë u krijon tipave, si Alex Jones, kushtet më optimale për të shfryrë në ekran revoltën ndaj qeverisë, sepse ajo p.sh. “hedh në rrjetet e ujit të pijshëm kimikate, që i kthejnë bretkosat në homoseksuale”. E po ashtu edhe politikanëve, si kongresistet Marjorie Taylor Greene apo Lauren Boebert, për të mbushur eterin me lloj-lloj marrëzish në Twitter e në media të tjera sociale. Kësisoj gjuha e politikanëve apo ekspertëve konspiracionistë alla-Jones e humbet pothuaj krejtësisht funksionin e përcjelljes së fakteve nëpërmjet fjalësh me kuptime specifike, dhe reduktohet vetëm në përcjellje ndjenjash dhe qëndrimesh.

Ish-presidenti Trump ishte, dhe vazhdon të jetë, një nga lëvruesit më efektivë të kësaj lloj gjuhe të palidhur me faktet e të pakushtëzuar prej tyre, siç dëshmojnë fjalimet e tij të shumta. Në to gjenden pak pohime faktuale, por, nga ana tjetër, shfryrjet e zemërimit e të inatit janë me bollëk dhe zgjasin me orë të tëra.

E megjithatë, e vërteta ekziston, e vërteta ka rëndësi. Edhe nëse emisionet e Alex Jones-it, e të shumë të tjerëve si ai (fort të pranishëm edhe në mediat shqiptare), janë delire mendjesh apo vullnetesh të sëmura, ato kanë pasoja në botën reale. Sepse kurdoherë ka e do të ketë njerëz që jo vetëm i marrin ato delire si të vërteta, që do të ishte gjysma e së keqes, por edhe veprojnë sikur ato të ishin të tilla. Këtë dëshmuan prindërit e fëmijëve të vrarë ndërsa tregonin shembuj të hidhur e pikëllues të ngacmimeve ndaj tyre të nxitura nga fantazitë e përhapura nga Jones-i. Dhe një shoqëri ku fjalët janë të papërgjegjshme, ku gjuha shërben vetëm për t’i hedhur kundërshtarit sa më shumë baltë, është e zorshme të qeveriset.

Problemi i madh që shtrohet sot në kulturën politike amerikane (përkatësisht në tërë botën perëndimore) është se as gjykatat s’janë të pajisura mirë për t’u marrë me tipa si Alex Jones-i, po as këta, nga ana e tyre, s’janë të aftë të merren me gjykatat. Kjo u pa qartë nga dëshmia katastrofike e kryekonspiracionistit tonë kur u mbrojt në gjyq: Jones-i u përpoq ta vendosë diskursin bombastik brenda kornizave të ligjit, duke shfrytëzuar dallimin midis faktit dhe opinionit. Mirëpo kjo është e pakuptimtë në këtë rast, sepse ai kurrë s’i përdor fjalët në këtë mënyrë. Po të kishte qenë i sinqertë (koncept krejtësisht i huaj për të), ky provokator i klasit të parë mund ta kishte pranuar se përdorimi i fjalëve prej tij ka si funksion të vetëm shprehjen e zemërimit dhe revoltës, d.m.th. të thoshte “unë thjesht dal para mikrofonit dhe deklaroj atë që ndiej”.

Në këtë kuptim, ideja se Sandy Hook ishte një mashtrim s’është veçse një artific fjalësh, një mënyrë për të përcjellë zemërimin dhe revoltën e paepur ndaj politikës, ndaj mediave dhe ndaj vetë modernitetit. T’i kërkosh Jones-it ta mbrojë faktikisht atë artific, apo tërë diskursin e tij, do të ishte njëlloj sikur t’i kërkoje piktorit impresionist të mbronte domosdoshmërinë logjike të kësaj apo asaj lëvizjeje të penelit.

Tashti, pa dyshim duhet që Jones-i të mbahet përgjegjës për pasojat e fjalëve të tij. Ai përdori pohime faktikisht të rreme për të ndërtuar artificin (ose më mirë katrahurën) e tij, dhe ato pohime të rreme patën pasoja të dëmshme për shumë njerëz. Megjithatë, në atmosferën e sotme është zor të thuhet se dënimi i tij, sado i rëndë dhe i argumentuar mirë, do të mund të shërbejë si pengesë ndaj përhapjes së mëtejshme të konspiracioneve e marrëzive të tilla.

Dhe për mendimin tim, pikërisht këtu qëndron thelbi i problemit: Jones-i është jashtëzakonisht i suksesshëm në ligësinë e tij, për arsyen e thjeshtë që një masë e madhe njerëzish e pëlqejnë atë, duan të konsumojnë artificet e tij prej fjalësh, sado të shëmtuara të jenë. Materialet e tij plot urrejtje, frikë e mosbesim duket se gjejnë jehonë tek një numër jo i vogël amerikanësh. Audienca dhe admiruesit e tij, që e gëlltitën tërësisht sajesën konspirative për Sandy Hook-un, nuk e bënë se ajo ishte faktikisht bindëse dhe koherente. Atyre u pëlqeu gjendja emocionale e përcjellë nga ajo sajesë pikërisht sepse përputhej me të tyren. Arsyetimet logjike apo juridike, sado të detajuara e të argumentuara të jenë, janë të pamjaftueshme për t’u ndryshuar mendjen.

Vetëm në këtë vështrim të përdorimit të gjuhës në plane të ndryshme mund të kuptohet dhe vendosmëria me të cilën shumë përkrahës të Donald Trump-it deklarojnë se “ai s’ka gënjyer kurrë, për asgjë”. Kjo s’do të thotë aspak se deklaruesi vërtet beson se Trump-i s’ka bërë kurrë pohime të rreme, të pambështetura në fakte, por vetëm se për deklaruesin përputhja me faktet s’është fare e rëndësishme për të gjykuar mbi vërtetësinë e atyre pohimeve. Për sa kohë që Trump-i me ato që thotë përcjell ndjenja e emocione që pasqyrojnë ato të deklaruesit, ky i fundit mund të shprehet me ndërgjegje të pastër se lideri i tij kurrë s’ka thënë ndonjë gjë të rreme.

Paditë për shpifje, si kjo e Alex Jones, ose si ajo e kompanisë Dominion kundër Sidney Powell-it (Sidney Powell ishte një nga avokatet më të spikatura të fushatës së Trump-it për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të 2020 dhe është paditur për shpifje nga kompania Dominion, prodhuese e makinave të votimit elektronik, ndaj të cilave ajo bëri një sërë akuzash të çuditshme) janë pa dyshim të drejta, dhe viktimave sigurisht që u takon të marrin kompensim, por ato nuk e zgjidhin problemin. Kjo sepse shoqëria dhe sistemi amerikan mund t’u rezistojë demagogëve si të tillë, mirëpo është audienca e tyre ajo që përbën rrezikun më të madh për atë sistem.

Demokracia, në fakt, nuk ofron ndonjë mënyrë për t’u ndrequr e për t’u ripërtërirë vetvetiu nëse një pjesë e konsiderueshme e popullsisë nuk e dëshiron më atë sistem (për arsye nga më të ndryshmet) dhe është e gatshme të lërë fatet e saj në duart e demagogut populist apo të shpëtimtarit të çastit. Amerika duket sikur po i qaset mjaft pranë kësaj pike, e megjithatë shpresa mbetet që një masë e tillë kritike votuesish të mos arrihet kurrë.

© 2022 Ernest Nasto. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin