ÇËSHTJA GAY NË POLITIKË

A mund të interpretohet politikisht çështja gay? Besoj se po, madje do të thosha se leximi politik është i pashmangshëm, meqë propozimi për martesat midis homoseksualëve mori forcë pikërisht në selinë e Kryeministrisë dhe meqë nuk është ndonjë çështje “e shtruar për zgjidhje” për shoqërinë shqiptare.

Së pari duhet nënvizuar se propozimi i mësipërm nuk ishte lëvizje elektorale. Për arsyen e thjeshtë se zgjedhjet sapo kanë mbaruar. Megjithatë nuk më duket se kuota gay, kosnideruar si përqindje, ka ndonjë peshë të madhe elektorale në popullsinë shqiptare. Po të kishte pasur, do të ishte vënë re prej kohësh, të paktën para zgjedhjeve.

Propozimi ligjor për martesat midis homoseksualëve i pështjellon edhe më keq profilet e forcave politike shqiptare. Siç dihet, kampet tradicionale e majtë/e djathtë përkthehen në vendin tonë alla shqiptarçe. Zakonisht, kauza e homoseksualëve ngrihet e valëvitet nga forcat e majta. Në Shqipëri ndodhi e kundërta: flamurin për mbrojtjen e të drejtave të homoseksualëve e mori PD-ja, që deklarohet e qendrës së djathtë. Lëvizja nuk duket pa kuptim, madje inteligjente, po qe se shohim veprime të tjera politike të Kryeministrit Berisha, që kanë pasur gjithnjë si synim t’i rrëmbejnë kampit të Edi Ramës simbolin e modernizmit e të reformizmit, me të cilin ky i fundit ka marrë Bashkinë e Tiranës.

Mos vallë propozimi i qeverisë ishte diversiv? Një farë shashke për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga problemet reale të vendit? Mundet. Shqipëria ka dy sfida madhore që duhet të zgjidhë së shpejti: qeveria dhe kriza ekonomike. Të dyja sfidat nuk janë të lehta, sidomos po të kesh mbi kurriz sytë e qytetarëve. Qeveria PD-LSI nuk e ka kaluar ende provën në parlament, kurse kriza ekonomike pret vendime të shpejta dhe energjike. Në rast se synimi i propozimit ka qenë i tillë atëherë mund të konsiderohet i arritur.

Po Evropa, a hyn këtu? Ka shumë gjasa. Është e vërtetë që kulti i kargove është rrënjosur thellë në shoqërinë shqiptare dhe në klasën drejtuese të saj, por desha të verifikoj sa politikisht i vetëdijshëm është propozimi për martesat gay. Ka mundësi që në debatin e përjetshëm “viza po, viza jo” të hyjë edhe çështja e diskriminimit në bazë të seksit. Me fjalë të tjera, propozimi për martesat gay, përveçse një shkelje syri e diktuar nga psikologjia e kultit të kargove, ka mundësi të jetë kumt dërguar kancelarive perëndimore. Politikisht ky mesazh mund të transkriptohej kështu: “Jemi aq të vendosur për të shkuar drejt Evropës, jemi aq të vendosur për respektimin e të drejtave të njeriut, sa mendojmë edhe për gjëra jo imperative për shoqërinë shqiptare, madje duke pararendur psikologjinë mbizotëruese”. Kështu mund të shpjegohet edhe nxitimi për t’u deklaruar vendi i parë në Ballkan që ligjëron martesat gay.

Në rast se të gjitha hipotezat e mësipërme janë të vërteta, atëherë mund të thuhet se politikisht, pra vetëm në planin ngushtësisht politik, propozimi për t’i ligjëruar martesat gay e kishte një farë kuptimi. Nëse ishte i drejtë ose jo është çështje për t’u diskutuar.

5 Komente

  1. Zhgabe e paske kap alla-amerikance.
    Ne fakt pjesa per homoseksualet eshte vetem nje aspekt i vogel ne nje ligj qe ne te verte i drejtohet te gjithe minoriteteve (etnike, me ngjyre, prirje seksuale) etj.
    Per me teper, Parliamenti Shqiptar ka aprovuar qe me 1995-en nje ligj ku prirjet homoseksuale nuk konsideroheshin me krim, keshtu qe nga ana legjislative kemi qene goxha progresiste per mese 14 vjet.
    Problemi qendron pse nga gjithe ai ligj, homosexualet u vune ne qender te vemendjes, kur nuk kishte asnje lloj debati paraprak, qofte dhe minimal. Eshte thjesht politike
    Nje manovrim mjaft i zgjuar per te hequr vemendjen nga deshtimet e qeverise ne lidhje me procesin e intefrimit (deshtimi i liberazimit te vizave si me i fundit). Martesat gay, sado shokuese, ngelet nje ceshtje margjinale ne teresine shoqerore, jo vetem ne Shqiperi por kudo ne Perendim. Vetem tre shtete e njohin me ligj martesen gay ne Evrope: Hollanda, Belgjika, Norvegjia.
    Vete Sala a justifikoi ligjin per martesen gay si nje kriter i BE-se per integrimin gje qe perben kryekeput nje mashtrim per dy arsyet e mesiperme (ligji gjitheperfshires anti-diskriminues; realiteti i marteses gay ne vete BE-ne)

    Patjeter qe ligji nuk mund te jete elektoral, jove vetem per faktin qe jemi pas zgjedhjeve, por edhe sepse nga pikpamja e zgjedhjeve do te perbente nje vetvrasje politike nese do te propozohej perpara 28 qershorit.
    Ketu nuk llogaritet forca elektorale e komunitetit gay, por humbja e votes nga elektorati hetero qe do te ishte ne kundershtim me martesen gay dhe qe ma ha mendja perben nje perqindje goxha te madhe dhe qe do ta dominonte voten pozitive te komunitetit gay, sado i madh ky i fundit

    Se fundmi, menyra sesi u servir ky ligh, pa asnje lloj debati paraprak si dhe fushata sensibilizuese tek popullsia konservative shqiptare, ka me shume mundesi te demtoje homseksualet sesa ti ndihmoje ata per dy arsye:
    1. Perqasja “fakt i kryer” i Berishes mund te shkaktoje nje reagimin agresiv te koservatoreve macho shqiptare, gje qe mund te ishte shmangur nga nje debat dhe sensibilizim si thashe me larte
    2. Forca zbatuese e ligjit qe ne Shqiperi calon sa te duash dhe rrjedhimisht nuk u ofron dot homoseksualeve mbrojtjen e sugjeruar

  2. Para se te jete ceshtje politike, nuk mund te harrojme dot se kulturalisht si shqiptare ende nuk kemi hapur asnje diskutim, nuk kemi permbyllur asnje botim ne lidhje me homoerotiken ne historine tone. Qendrimet “zyrtare” te establishmentit kulturor me shume se gjithckaje, i ngjajne proklamates “Nuk ka homoseksuale ne Iran” te Ahmedinexhatit ne Kolumbia, kur u pyet per te drejtat e h.s. ne vendin e tij … Paralel me kete, kujtojme nje interviste ne shtypin anglofon, ku Ismail Kadare mbante te njejtin qendrim perballe pyetjes se si i interpretonte ngjashmerite qe gjente (me te drejte a jo) Bayroni midis homoseksualizmit antik helen dhe atij te viteteve 1800 nder burrat shqiptare. Kadare hodhi poshte cdo aluzion per homoseksualizem te mirefillte (orthodox) nder shqiptaret e tradites: Jo, jo, behet fjale per pedofili, pune osmanesh qe abuzojne me kalamaj! Meqe bashkebiseduesja kishte qelluar ca si e informuar dhe insistoi se Bajroni pershkruante lidhje burrash luftetare me mustaqe, Kadareja uli mburojen dhe cedoi -Ne fakt kam shkruar edhe une nje tregim per nje konkurs bukurie burrash ne malesite e fillimit te shekullit XX…

    Per konsum te brendshem, tek te painformuarit, Kadare me traktatin e identitetit tentoi te delegjitimonte cdo lloj diskutimi mbi rivleresimin e “bejtexhinjve”, duke e mbikriminalizuar gjithe korpusin kompleks te vjersherimit shqip me shkronje arabe si thjeshte pedofili letrare, per faj te permases platonike e shpesh edhe sokratike te disa prej “bejtexhinjve”. Megjithese nuk njeh fare klishete letrare dhe kontekstin gjuhesor te kohes, por njeh mire policine anti-homofobike ne Perendim, diskualifikoi jo si homoerotik, por si pedofilik, nje korridor te tere biblioteke, ne te cilen lirizmi brendamashkullor ze nje vend, po jo gjithe vendin, plus qe ka me shume se nje interpretim per ate nese e gjitha kjo lirike mund te lexohet si seksualisht homoerotike (kur ha debat opusi poetik me tematike te njejte i Mikelanxhelos me shoke, pse jo ndonje tjeter?)

    Ja pse ne nje moment kulturor, ku qe nga patriarku Kadare qe perdor substratin e mirenjohur homofobik te shqiptareve per te armatosur cenzuren e re, e deri tek Saliu me 55 Fahrinjte e shpures qe nuk lane rast pa e pikturuar kampin “pink” perbri si nje burlesk politik homoseksualesh, tymuesja e hedhur nga po i njejti Sali eshte komplet diabolike ne hipokrizine e cinizmin e vet.

    Por ama bejme gabim nese rastin nuk e shfrytezojme per te krahasuar guximin, qofte edhe fals e permes kalkulimesh perverse te politikes, te deklarimeve zyrtare si ky per martesat brendagjinise, me qendrimet e komunitetit te kultures (akademia dhe punetoret e krijimit artistik), te cilet u shantazhuan deri ne heshtje gjate “debateve te identitetit” me argumentet homofobike mbi letersine.

  3. Pa hyre ne thellesi per te vertetuar historikisht ekzistencen e homove ne shqiperi ( ne sasi dhe cilesi) une mendoj se propozimi i ketij ligji ka qene nje manover e nje intuite te shkelqyer politike. Aq edhe me e zgjuar qe eshte propozuar direkt pas perfundimit te zgjedhjeve, sepse nese ata do e kishin bere kete “Gafe” perpara, me siguri qe do i kishin humbur zgjedhjet!!!!! Kjo kafshate nuk mund te kaperdihej nga elektorati sepse pervec te tjerave, ky ligj nuk ka asgje te sinqerte ne vetvete… Nuk di cili keshilltar qendron prapa kesaj strategjie por vizioni eshte vertet largpames dhe fitimprupres. Kalkulimi sjell vetem kredite ne favorin politik te te djathteve. Guximi malesor ne kete rast eshte per tu pershendetur!!!!!!!

  4. O rea, kush e ka keshilluar Berishen, duhet pushuar nga puna urgjentisht.
    Politikisht kjo lidhet me ate qe Sh. Rama e quajti ‘Ministria e Lumturise Kombetare’.
    Nje levizje e deshperuar per te mos thene e lajthitur, qe ka synimin qe vitin tjeter kjo ‘qeveri e integrimit’ te deshmoje se funksionon.
    Parimi baze ku qe mban gjalle kete qeveri eshte parimi i integrimit te shpejte e qe te deshmoje se funksionon, duhet nje sukses qe te trumbetohet mire, keshtu qe te hane bashke per gjithe 4 vjecarin.

    Meqe shqiptaret ne janar 2011 presin heqjen e vizave, vitin tjeter Europa duhet ta pranoje.
    Nese kjo qeveri vitin tjeter nuk realizon dot heqjen e vizave, nuk ka me asnje arsye parimore pse te ekzistoje, bie poshte parimi i integrimit te shpejte mbi te cilin u themelua.
    Pakenaqesia do shtohet e nje opozite e zonja arrin ta shfrytezoje e te kerkoje e arrije zgjedhje te parakohshme.
    Ne fakt, pa heqjen e vizave vitin tjeter, kjo qeveri nuk gjen dot asnje cep ku mund te mbahet.

    Atehere cdo mase eshte e mire edhe humbja aktuale e shumices se elektoratit (52% e elektoratit i ka dhene jete qeverise) me kete ligj sharlatan; qe mund te coje pa frike edhe ne gjueti shtrigash ndaj cdo shfaqje te guximshme publike prej pederasteve, duke filluar nga vete policet qe rrahin ke te duan; duhet te jete llogaritur si e kompesueshme vitin tjeter nese ky ligj e ben Europen te leshoje pe.

    Mirepo keto jane llogari te bera pa hanxhiun, dmth Europen. Nuk eshte se Europa i tha, bej kete ligj se e ke te garantuar vitin tjeter… dmth ti nuk po jep per te marre.
    Nga ana tjeter, Europa e di shume mire se ky ligj eshte kot, e di edhe po aq mire se po erdhi ndonje turist pederast e te beje ndonje gje, do ta vjedhin pa nje pa dy e do i kepusin edhe nje te rrahur qe ta mbaje mend.

    Pra e vetmja gje qe Sala nxorri e do nxjerre , eshte egersimi i te majteve dhe humbja e pothuaj te gjithe te lekundurve qe votuan PD-ne.

    Pervec kesaj ky ligj do gjeje mjaft shqiptare te gatshem per ta anulluar me ane te referendumit. Kuorumi per referendumin do arrihet lehte e ne referendum tek nja 99% e votuesve do votojne kunder ligjit. 1% do i marre andej nga ‘Blloku e blloqet’ se gjithe te tjeret qe do votonin pro, gjenden jashte shtetit.

    Mos te harrojme se kushtetuta e garanton sistemin demokratik ne Shqiperi me ane te referendumit.
    Shqiptaret duhet ta shfrytezojne qe te tregojne shpirtin e tyre demokratik, se ne Shqiperi duhet te vendose populli shqiptar e jo ca ‘te rafinuar’ e ‘te sofistikuar’ shqiptare apo europiane.

  5. Hyllin ne fakt e gjithe analize jote perkthen deshiren tende ne interpretimin e ngjarjeve, se si kane ndodhur…si duhej te ishin dhe meqenese ndodhen ashtu sic ndodhen, si duhet te vazhdojne. .. Edhe une do te doja shume te ishte ekzaktesisht ashtu si i paraqet ti gjerat por nje ze perbrenda me thote se kete radhe te djathtet e kane shenuar Golin me koke, e ia kane futur dhe shqiptarve dhe nderkombetarve.
    Druaj se shoqeria jone do te mund te ngrihet kunder kesaj, ku kemi mesuar ne shqiptaret te mobilizohemi e te shprehemi , te denononcojme apo denojme, te mospranojme ato qe bejne politikanet..???Ky luks nuk na perket neve.

    Sa per nderkombetaret, hahahaaaaaa kjo eshte me e bukura fare, I sfidoi sala yne krejt, ua mbyll gojen!!!
    E vertete apo e pavertete, tallje apo ironi , idiotsi apo djallezi apo budallallek, WHO CARES????? Rezultati eshte nje ligj , detyre shtepie e te gjitha shteteve demokratike ne bote , te cilen vetem 3-4 cope kane arritur ta bejne.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin