ZMBRAPSJA NGA NJË E DREJTË E VYER

nga Liri Kuçi

Titulli origjinal: Çfarë i jehon botës dhe grave të varfra zmbrapsja e SHBA-ve nga e drejta e abortit 

 24 Qershor 2022: Gjykata e Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmbysi Roe v. Wade, vendimin i cili qëndronte në fuqi prej 22 Janarit të vitit 1973, mbi të drejtën për qasje në abort për 46 shtete. Përreth 50 vjet prapakthim.

Kohë të palavdishme për gratë dhe përpjekjet permanente për të drejtat bazike njerëzore.

Të drejtat e njeriut dhe toka e premtuar

Nëse do të gërvishtim paksa mbi sipërfaqen e mitit “Amerika = toka e ëndërruar”, lustra që vesh përmbajtjen do të fillojë të hiqet copash me lehtësi, duke zbuluar nën të një shtrat të fabrikuar gënjeshtrash e të vërtetash bashkë. SHBA-të në thelb një projekt kolonizues, janë mbajtur në këmbë dhe orientuar nga interesa ekonomike që amplifikojnë ndikimin në një fushë sa më të gjerë veprimi duke përdorur si masha ideologjike kahun konservator dhe liberal.

Amerika ka shërbyer si shtrat klasik i prodhimit të teorive mbi lirinë e individit dhe demokracinë, çuar përpara me mendimin liberal, që prej Locke e Rawls kultivuan traditën e lëvrimit të tyre në rrafshin e demokracive liberale. Ky mjedis bëri vend për diversitet dhe përfshirje jo si rrjedhojë e letrave dhe filozofisë liberale per se, porse vetëm kur erdhi nga nevoja për qëndresë. Përrallat me oaze demokracie janë një nevojë e yshtur pikërisht për të zbehur prapavijën problematike të SHBA-ve me të drejtat e njeriut, këtu kryesisht: gratë, emigrantët, racat zezake, kafe, afrikane, latine, etj.

Rezistenca shpeshherë mori emrat e përveçëm të atyre tyre që u vetëflijuan për të ngjizur përnjëmend në popull idenë e çlirimit, dinjitetit dhe barazisë. Fred Hampton e vrau shteti amerikan në emër të luftës anti-raciste dhe klasore, si dhe në po ato vite përndoqi dhe burgosi pamëshirshëm aktivisten dhe mendimtaren Angela Davis, e cila fatkeqësisht sot është dëshmitare e ortekut të të drejtave dhe dinjitetit njerëzor që rrezikon jo vetëm Amerikën. Idetë e saj mbi gratë, klasën dhe racën i flasin sot një bote që nuk i ka kaluar sfidat e viteve ‘80 kur ajo botoi dhe librin e saj profetik “Women, Race & Class”.

Si e tillë, siç dëften dhe historia politike në zhvillim të së cilës jemi dëshmitarë dhe ne, zor se mund të themi se projektime të tilla udhëhiqen prej premisash të larta me strukturë themelore të drejtën qytetare si busull shtetpërbërëse. Çka kemi parë të ndodhë është katërçipërisht e kundërta e saj. Flakadani i të drejtave të njeriut është fik-ndezur në mënyrë konstante në SHBA: nga odiseja historike e ratifikimit të ERA-s (Equal Rights Amendment) që nis në 1972 dhe ende vijon sot e panjohur prej 12 shteteve – ku Gloria Steinem aktivistja dhe gazetarja e shquar asokohe në ballë të fushatave, sot ende jeton për të dëshmuar agoninë që vjen prej luftës së papërfunduar për barazi e drejtësi shoqërore.

Për të përmendur më pas vazhdimësinë e lëvizjes Black Lives Matter që rigjenerohet me vrasjet e civilëve zezakë, deri te qasja e pakontrolluar në armë, si dhe së fundmi përmbysja e vendimit për të drejtën e abortit. Në historikun e palavdishëm të të drejtave të grave në Amerikë, është e rëndësishme të nënvizojmë se ato janë përndjekur jo vetëm moralisht dhe shoqërisht, por edhe penalisht – ngulur pas hekurave në momentin që kishin ndërlikime shëndetësor, pasojë të dhunës, aksidente apo kushte të tjera që u pamundësonin vazhdimin e shtatzënisë pavarësisht dëshirës për ta zhvilluar fetusin. Këto gjyqe publike dhe ligjore nuk kanë ndodhur vetëm përpara legalizimit të abortit, por edhe vitet e fundit (përpara se të shfuqizohej sërish). Lista vazhdon me plot nisma e skandale jo më pak të dëmshme e të këndshme se më lart, sidomos përgjatë lidershipit famëkeq super të djathtë të dekadave të fundit, nga Donald Trump – peshqesh i politikave të së cilit është edhe ndalimi i të drejtës së abortit. Premtim i bërë që në periudhën e fushave së bashku me një tufë dokrrash të tjera mizogjiniste dhe raciste. Largimi i tij nga karrigia presidenciale nuk qe zgjidhje dhe as e keqja më e vogël, sikundër nuk rezulton të jetë as shpresa e përfaqësimit dhe diversitetit nëpër pozita hierarkike vetëm për hir të përligjjes së kulturës së përfshirjes, për sa kohë nuk ka njëherazi prapavijë thelbësore, edukuese, kritike dhe profesionale të garantimit të të drejtave.

Zhvillimi teknokratik i vlerave kinse demokratike është veçse një instrument i mirëpërdorur për të mbajtur lart imazhin hegjemon e për pasojë për të vjelë në mënyrë të sigurtë përfitimet që vijnë prej të gjitha anëve. Shpeshherë, këto mite janë nevojë jo vetëm e kolonizatorëve për vetëjustifikim, por edhe njerëzve që në njëfarë forme përmes tyre të shpërblejnë mundin e sakrificën për të përkitur brenda tij – pavarësisht realitetit tëhuajsues.

Andaj për t’i vënë fre të logjikshme tronditjes e skandalit të shkaktuar këtyre ditëve në kontekstin amerikan, duhet të gërmojmë ca më shumë se cipa e ambalazhit “demokratik” që bën shitje të majme nën markën e ashtuquajtur të “të drejtave të njeriut” në tregun ndërkombëtar.

Cilat janë pasojat e kufizimit të abortit?

Këtë tablo e përbëjnë dhe e jetojnë në pësore së shumti gra të cilat vijnë nga kontekste më pak të privilegjuara në baza edukimi, qasje në sistemin shëndetësor – në terma klase, race, etnie e sidomos nëse janë emigrante dhe/apo persona trans. Mbi to, barra (fjalë për fjalë) do të rëndojë e disafishtë. Tronditja e jetës së grave për të drejtën për të vendosur mbi trupin, shëndetin, sigurinë dhe mënyra sesi do të ripërcaktohen pavullnetshëm marrëdhëniet e tyre – është e kobshme. Kufizimi dhe kriminalizimi i abortit të sigurtë si pjesë e kujdesit shëndetësor të garantuar me ligj, do t’i shtyjë drejt kryerjes së zgjidhjeve të rrezikshme për jetën e tyre. Marrja e pilulave për ndërprerjen e abortit në kushte shtëpiake (FDA) ndonjëherë mund të rezultojë fatale në varësi të ndërlikimeve, ndaj nevojitet dhe këshillohet paralelisht mbikëqyrje e specializuar. Megjithatë edhe më e dëmshme se kaq është pezullimi i qasjes në këto pilula si zgjidhje alternative dhe e sigurtë për të ndërprerë shtatzëninë në kushte vetëkujdesi.

Sakaq kriminalizimi i abortit do të jetë një barrë e cila inkriminon edhe mjeke/ët, që do të vendosin ta kryejnë abortin në kushte të jashtëligjshme, qoftë edhe për t’i ardhur në ndihmë dikujt që metoda e kujdesit shtëpiak nuk i ka rezultuar e suksesshme – mund t’i çojë në përndjekje penale dhe potencialisht t’i ngjeshë pas hekurave.

Ndërkohë shtetet më të afërta ku aborti është i lejuar, do të kthehen në “atraksion”. Gratë do të duhet të gjejnë para për të udhëtuar drejt klinikave që do të kthehen në vitrina reklamash për të shitur ofertën më të mirë. Duke iu nënshtruar marrëdhënieve të tregut do të shndërrohen në bankomate që në konkurrencë me njëra-tjetrën do të tregëzojnë shërbim vetëm për të paktat.

Megjithatë edhe ato të cilat në rastin më të mirë, mund të përballojnë biletën e udhëtimit, prej kërkesës së lartë për “thertore” do të telendisen nëpër lista pritjesh, sa ndoshta do të jenë fatlume nëse dita e kryerjes së abortit iu përkon brenda 12-javëshit të lejuar e nuk ua vë në rrezik procesin e jetën më vonë. Qameti do të ktheheshin në zinxhir tregtimi të mishit të freskët, nga thertorja e drejt për në kompaninë e funeralit që me gjasë do ta kenë mbyllur ujdinë me vakt.

Detyrimi ligjor për të mbartur shtatzëni të padëshiruara ka si kundërshembull përfytyrues këto raste që u përngjajnë skenarëve të filmave horror dhe kështu i vihet kapak edhe dalldisë për autonomi, kontroll, zotërim të trupit, jetës, vetes. Kontrolli mbi trupat e grave, siç parashikon dhe Silvia Federici, ekzekutohet si plan ashtu siç është nisur në Evropën e shek. të 16-17, me gjueti shtrigash. Edhe njëherë trupi si vendkontroll e ushtrimi pushteti. Long live America!

A mund të flasim për një efekt domino?

Ndonëse Shtetet e Bashkuara te Amerikës nuk kanë dëshmuar ndonjë historik të nderuar të arritjes, mirëmbajtjes dhe avancimit të të drejtave të grave, gjithsesi mungesa e konsistencës në kohë rrëzon mite e krijon potencial për pikëpyetje të mëdha strukturore. Sidomos kur bëhet fjalë për një kontekst të atillë që krenarinë më të madhe e trumbeton prej forcës institucionale, shtetit ligjor e demokracisë burokratike. Martesa me mendësinë patriarkale bëhet pothuajse e pakthyeshme teksa edhe kur flasim për një superfuqi ekonomike si konteksti amerikan me një industri të zhvilluar farmaceutike, dhe mbi të gjitha pavarësisht gjithë reagimit madhështor qytetar, ende nuk është bërë pjesë e diskutimit publik si zgjidhje potenciale pilula kontraceptive e testuar për burrat.

Ndalimi i qasjes në abort pas rreth 50 vitesh legalizim është dekurajues edhe në jehonën që mund të marrë në pjesën tjetër të botës. Nuk është larg mendsh që efektet prapakthyese në të drejtat e shëndetit riprodhues të ndihen edhe në vende të tjera. Ujërat kanë filluar të trazohen që në ditët e para të kriminalizimit të abortit nga SHBA-të. Ky vendim përbën precedent të rrezikshëm për vendet me historik më të brishtë dhe problematik në të drejtat e njeriut dhe shëndetit riprodhues (jo se Amerika e ndriti – por dhe pikërisht prej këtij fakti tashmë dhe ndikimit potencial që ushtron ky dështim).

Pavarësisht protestave të forta prej së paku dy viteve të fundit në Poloni, ndihmuar edhe nga “trendi” i ri në qarkullim, parlamenti polak para pak ditësh, sërish votoi kundër rregullimit të së drejtës së abortit duke mbajtur në fuqi vendimin e kufizimit të tij vetëm në rast se përbën rrezik për shëndetin e nënës. Gjithashtu në Gjermani përtej zhurmës pozitive që ndërmori rrëzimi i aktit 219a, gjithsesi aborti nuk lejohet dhe kjo vijon të kritikohet nga organizatat e të drejtave të grave edhe pas bujës që kërkon të shuajë zërat përmbi faktin që aborti ngelet ilegal. Sakaq në Itali ku ligjërisht aborti lejohet, situata bëhet edhe më “interesante”, pasi në praktikë është pothuajse e pamundur të kryhet për shkak se nuk ka mjekë/e që e marrin përsipër. Teksa në valën e vëmendjes që po merr sërish çështja, në Itali dukshëm kanë lulëzuar qarqet konservatore dhe të ekstremit të djathtë, të cilët kanë dalë publikisht në duartrokitje të vendimit amerikan të kriminalizmit të abortit.

Po me bishtin e kavallit?

Në këto kushte ku influenca qartazi ushtrohet në pozita pushteti e fuqie gjeo-politiko-ekonomike, ku duket sikur plani po shkon sipas një axhende e cila po shtyhet përpara me sukses – është pak të thuash naive a retorike pyetja që mund të ngresh për vendet e dorës së tretë. Vendet e pazhvilluara që mund të jenë edhe potencialisht në listën e peshkimit të lehtë, janë në anën tjetër ato që përballen me mungesë akute të edukimit seksual, qasjes në shëndetësi cilësore, papunësi të lartë e të ardhura të paqendrueshme për familje.

Në lidhje me kontekstin në Indi Dr. Veena JS, aktiviste dhe profesoreshë e mjekësisë ligjore thotë se fatkeqësisht mund të parashikohet një ndikim i ngjashëm edhe aty “Do të detyrohemi të rrisim fëmijë që nuk i mbajmë dot.” Ajo shpjegon më tej se sipas hulumtimeve të fundit “Gratë të cilat detyrohen të lindin kundër dëshirës së tyre, zhvillojnë psikoza e depresion që ndikojnë si në cilësinë e jetës dhe shëndetit mendor tyre, gjithashtu dhe fëmijëve të ‘padëshiruar’.”

Shqipëria po ta marrim si shembull, ndonëse ligjërisht e lejon abortin që prej vitit 1995, në anën tjetër mbahet në këmbë prej institucionesh kukulla në dorën e qeverive në pushtet. Të gjitha qeveritë post viteve ‘90-të në një shumatore të përbashkët dalin a priori dashnorë të ëndrrës amerikane, apo në version pak më të sofistikuar, ithtarë të llojit të demokracisë që proklamohet s’andejmi. Mirëpo në këtë rast ndryshimet autentike të kontekstit indian nga ai shqiptar që mund të përcaktojnë edhe shkallën e ndikimit, lidhen me popullsinë. Në kushtet që vendi ynë po shpopullohet me shpejtësi, pavarësisht legjislacionit aktual, nuk do të ishte çudi që situata e re botërore të mund të sjellë edhe momentin oportun për një rrëshqitje drejt favorizimit të kriminalizimit të abortit. Fundja, liderët tanë nuk dallohen për ndonjë konsistencë të hatashme politike a respektimi të të drejtave të njeriut, e sidomos njerëzve me mitër (gjysmës së popullsisë – grave!) që po vriten në shifra marramendëse prej dhunës e pasigurisë së jetës. Deviza: Të shumojmë ç’ka ngelur. Mbi të gjitha në situatën e një vendi me opozitë pothuajse inekzistente, gjithçka lehtësohet. Në këtë farë mjedisi hobsian, nuk përbëjnë më çudi panelet e mbushura me burra të cilët, marrëzinë e të ftuarit në cilësinë e adaptëve për të folur për abortin, e zbatojnë mu si kasapë. Polarizimi i debatit në një vend me abort të legalizuar prej dekadash në këtë formë është kanosje e drejtpërdrejtë e ushtrimit të kësaj të drejte, respektimit dhe garancisë së saj.

Posaçërisht në kushtet e Shqipërisë kjo do të rezultonte fatale, teksa marrim parasysh mjedisin historik të pamundësisë së ngjizjes së një lëvizjeje të konsoliduar e të zëshme feministe, potenciali që mund të përcillej edhe në terma të përveçëm u luftua prej regjimit të Shqipërisë staliniste, u izolua, shkëput dhe atomizua deri në pikën sa të mos mund të linte trashëgimi solide të organizimit feminist. Mbaresat e një mungese të tillë sot janë të reflektuara e projektuara edhe në rrafsh pushteti, pozicione qeverisëse e parlamentare, çka përthyhet më pas në mosprani akute në edukim, retorikë, politika, ligje, nisma feministe. Në këtë mjedis djerrë, inkurajimi i vetëm vjen prej dekadës së fundit në organizimin e një strukture feministe nga poshtë, çka është për t’u nënvizuar se vlen si njëfarë katalizatori që na mban toruan dhe njëkohësisht i vlen frymës së rezistencës së përbashkët. Mandej, në kushtet e një kanosjeje globale si kjo e shtrëngesës së të drejtës së abortit, duke mbajtur parasysh ngërçin e trashëgimisë historike të një lëvizjeje sociale të fortë, vakumi i së cilës mund të përkthehet në forcë mobilizuese të pamjaftueshme për qëndresë e presion thelbësor organizativ. Mospengesa e ekzekutimit të nismave regresive të këtilla  paralajmëron efekt të drejtpërdrejtë në jetët e grave dhe cilësinë e jetës së tyre e fëmijëve të pamundur për t’i pasur. Aplikimi i metodave popullore për ndërprerjen e shtatzënive të padëshiruara, do të rrezikojë thelbësisht jetën e njeriut, përveç ushtrimit të dhunës për lirinë e zgjedhjes dhe uzurpimin e autonomisë mbi trupin e personit që shtrëngohet ta mbajë shtatzëninë.

Gratë e familjet e varfra do të vijojnë të jenë vatrat ku mjerimi rehatohet. Në zonat e paurbanizuara, ekonomia e dobët shkrihet me mungesën e edukimit dhe informacionit mbi kujdesin e shëndetit seksual, ku së bashku shoqërohen me mungesë infrastrukture për ta ofruar e qasur si të mirë publike – do të prodhojnë krizë e do të mbivendosin një barrë të re në rrafsh individual, shoqëror, e shtetëror gjithashtu. Kështu, mentaliteti patriarkal do të ketë martesë të shëndetshme me shtypjen e legjitimuar përmes strukturave të pushtetit – ku në çdo rast do të pjellin fëmijë të padëshiruar me mbiemër mjerimin. Synimi është i qartë, riprodhimi i këtij cikli me çdo kusht. Riprodhimi e prodhimi i zinxhirëve që e sigurojnë jetën, fundja do të vijojnë ngelen gjithnjë “markë” që vetëm më të paprivilegjuarat e kanë si veçanësi për ta siguruar, për veten dhe masën.

Cili është skenari optimist?

Historia e vështirë e organizimit feminist siç na mëson çmagjepsjen nga bota, teoria apo praksisi, ndonjëherë, na tregon se fill pas pesimizmit mund të gjejmë optimizëm dhe arsyetimin mbi të – ardhur nga kthjelltësia e nevojës për rezistencë. Teksa edhe në vende të zhvilluara dhe me njëfarë tradite më të konsoliduar të zbatimit të të drejtave të njeriut, debati mbi abortin ia del të marrë valencë problematike bashkëkohore – është fakt sa shkurajues aq edhe ka potencë për revoltë masive. Paradigmën e Simone de Beauvoir se “Këto të drejta nuk duhen marrë për të mirëqena. Duhet qëndruar në gatishmëri përgjatë gjithë jetës”, na duhet ta kthejmë në refren qëndrese.

Vendimi i përmbysjes së Roe v. Wade nuk është pritur pa potere dhe me bisht ndër shalë. Përkundrazi, reagimi kolektiv e solidarizues ka qenë i menjëhershëm në rrugë e sheshe publike po aq sa edhe në mediume virtuale. Jeta dhe prindërimi nuk mund të bëhen me komandë nga lart, porse mund të vijnë kur piqen bashkë dëshira dhe mundësitë. Andaj, lipset që në këtë moment t’i mëshojmë diskursit feminist përmbajtesor që jo vetëm nuk i komprometon të drejtat e arritura mes përpjekjesh vetëmohuese në histori, por i bën ato mburojë për të kërkuar garantimin e sigurisë mbi jetën, shëndetin e zgjedhjen e lirë. Forcimi i organizimit kolektiv dhe aleancave feministe duhet të kulmojë me kërkesa të përbashkëta për qasje falas në kujdesin shëndetësor dhe prioritizimin e shëndetit riprodhues, nxitja e shkencës për metodat kontraceptive që nuk përmbajnë hormone për gratë dhe hyrje në qarkullim për përdorim në masë të pilulës kontraceptive për burrat, bashkëndarjen e zgjeruar të kujdesit dhe lejes prindërore, cikle progresive të edukimit falas dhe qasje në mensa.

Nga dallga e madhe që rrezikon të kthejë një faqe të zezë në historinë e të drejtave të grave, mund të krijohet potenciali i një tsunami rezistence transnacionale. Kur i merr njëherë të drejtat dhe mëson të jetosh me to, sado e vështirë qoftë do t’i rrëmbesh sërish. Në këtë moment në kohë kemi nevojë për një përgjigje të organizuar feministe. Robëria nuk mund të shërbejë kurrë si alternativë. Dhe ndoshta këtë herë po na japin arsye të mjaftueshme për ta rrokur historinë e rezistencës kolektive feministe në përmasa të tjera.

© 2022 Liri Kuçi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Rreth Autorit

Liri Kuci është bashkëthemeluese dhe kryeredaktore e revistës “Shota.al”. Ajo ka kryer studimet Master në Universitetin e SOAS në Londër (2022). Prej vitesh është angazhuar në çështjet e drejtësisë shoqërore, duke u thelluar në analizën ndërthurëse të diskursit politik feminist, arsimit dhe punës.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin