RESPEKT PËR DORËHEQJEN

Pas nënkryetarit Denar Biba, edhe një anëtare e KQZ-së, Albana Shtylla, njoftohet se ka dhënë dorëheqjen. Arsyeja është e njëjtë: cenim i pavarësisë së institucionit.

Janë akte, veçanërisht i pari, i z. Biba, që meritojnë respekt të jashtëzakonshëm. E theksoj këtë, ngaqë dorëheqja e nënkryetarit ofroi një model dhe një precedent, se si duhet të sillet një zyrtar i lartë, përballë arrogancës të shtetit dhe partitokracisë.

Model të cilin, pa vonesë dhe admirueshëm, shohim ta ketë përqafuar edhe kolegia e Bibës, Shtylla.

Këtu ka vlerë të përmendim edhe se dorëheqja, e të dyve, nuk u bë për arsye personale ose dështimi profesional; por për arsye parimore.

Në thelb, Denar Biba dhe Albana Shtylla vendosën të largohen nga KQZ-ja meqë u ndien të cenuar në pavarësinë e tyre.

Edhe pse të vjen keq që figura me integritet të tillë nuk do të mbikëqyrin më zgjedhjet e tanishme, pse do të zëvendësohen, kushedi, me kolegë më të bindur ndaj diktateve partiake dhe më tolerues ndaj arrogancës, këtë herë, të legjislativit; akti i këtyre duket emblematik, dhe mishëron vullnetin e asaj pjese më të mirë të shoqërisë shqiptare, e cila nuk mund të pajtohet me aritmetikat banale të demokracisë à l’albanaise.

S’na mbetet veç të shpresojmë për efektin ngjitës të dorëheqjes, dhe të dëgjojmë nesër për zyrtarë të tjerë, formalisht të pavarur, që t’u thonë vaffanculo agallarëve të partive në Tiranë.

Është për t’u përshëndetur edhe që këto akte vijnë nga njerëz si Biba dhe Shtylla, juristë të përgatitur, të cilët janë në gjendje t’i artikulojnë mirë arsyet.

Veçanërisht Biba, duke deklaruar që “misioni i parë dhe i fundit i [parlamentit] nuk duhet të jetë ndërtimi i institucioneve të balancuara, por i institucioneve të pavarura”, ia dha një shuplakë të mirë partitokracisë dhe pazareve që bëjnë partitë mes tyre, për ta ndarë mes tyre, si të ishte plaçkë, lirinë e institucioneve dhe të pushteteve, përndryshe të garantuar me Kushtetutë.

Këto dorëheqje janë vota e bardhë që kushedi do t’ua bëjnë të pamundur bajraktarëve të politikës të vazhdojnë të sundojnë siç kanë bërë deri më sot, ose kinse në mënyrë “demokratike.”

Nuk ka komente

  1. Bene mire qe iken ne kohen e duhur se perballe ustait duhen ustallare. Une do propozoja si anetare te rinj, Spartak Brahon, apo Ylli Manjanin dhe nga PS-ja, le ta propozoje Gramoz Ruci kete te doje se ai eshte usta i kategorise se shtate ne bllokim dhe zvarritje procesi. Mundesisht te jete jurist i gjendjes civile ne ndonje bashki, se njeh edhe manovrat me listat.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin