ABORTI I ABORTUAR: GJYKATA APO SHOQËRIA?

nga Dr. Ernest Nasto

Të premten e fundit të qershorit Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara me shumicë të ngushtë 5-4 rrëzoi vendimin e vitit 1973 (Roe v Wade) që u njihte grave të drejtën kushtetuese për abort. Kjo do të thotë se rregullimet ligjore të kësaj procedure u kthehen tashti legjislaturave dhe organeve gjyqësore të secilit shtet të veçantë. Vendimi ka ngjallur reagime të shumta sepse e drejta e abortit ka qenë gjatë gjithë këtyre viteve çështja më e debatuar dhe më kontroversiale në Amerikë, prandaj do përpiqem t’i paraqes këtu lexuesit një vështrim të plotë për një kuptim më të qartë të saj.

  1. Moraliteti i abortit

Moraliteti është padyshim pika e nisjes për një kuptim të tillë, dhe këtu duhet theksuar se tradita kristiane, baza e qytetërimit perëndimor, e ka quajtur atë të gabuar qysh nga fillimi. Kjo sepse Perëndia i zbuluar në Bibël dhe në personin e Jezu Krishtit shfaqet si krijues dhe mbështetës i së mirës dhe përsosmërisë në çdo aspekt të jetës njerëzore në të gjitha fazat e saj, pavarësisht se Shkrimet e Shenjta nuk e përcaktojnë qartë momentin kur embrioni konsiderohet “i gjallë”. Ajo traditë është mbajtur nga kisha katolike gjatë tërë historisë së saj dymijë vjeçare dhe përbën një arsye kryesore të ndalimit me ligj të abortit në Europë deri në shekullin XIX. Aspekti juridik i çështjes është kësisoj shprehje e tensionit ndërmjet cilësimit të abortit si akt imoral dhe të padëshirueshëm dhe njëkohësisht pranisë së tij si dukuri e përhershme në të gjitha kohët e vendet.

  1. Një vështrim i shkurtër historik

Edhe në Shtetet e Bashkuara rrugëtimi i procedurës dhe i opinioneve rreth saj ka qenë më i ndërlikuar se ç’mund të mendohet. Rregullimet ligjore përkatëse kanë shkuar krahas evolucionit të besimit fetar dhe të praktikave kulturore, që rezultuan me kohë edhe në ndalimin e kontraceptimit, të aspekteve të caktuara të jetës seksuale private, si dhe të veprimeve të turpshme.

Kështu, në kohën e miratimit të Kushtetutës në fund të shekullit XVIII aborti ishte i ligjshëm në të gjitha shtetet përpara momentit kur gruaja ndjente lëvizjen e fetusit, dhe gjysma e tyre e lejonin edhe më pas. Për më tepër, edhe në ato që e ndalonin ndjekjet penale ishin mjaft të rralla.

Gjatë periudhës së ripërtëritjes së besimit kristian, të njohur si Zgjimi i Dytë i Madh, në fillim të shekullit XIX deri në vitet 1840, u miratuan një sërë ligjesh rreth moralitetit, si p.sh. mbyllja e tregtoreve të dielën që qytetarët të ndiqnin shërbesat fetare, ndjekja penale e blasfemisë dhe e veprimeve të turpshme, etj. Gjithmonë e më shumë protestantë po bindeshin se jeta fillon në momentin e konceptimit, dhe popullarizimi i kësaj pikëpamjeje përkoi gjithashtu me atë që në dokumentet e kohës SHBA filluan të cilësoheshin si “vend dhe komb kristian”.

Këtë pozicion adoptoi asokohe edhe Shoqata Mjekësore Amerikane që ishte krijuar më 1847. Anëtarët e drejtuesit e kësaj shoqate ishin padyshim besimtarë të devotshëm, por nuk mund të përjashtohen edhe disa arsye praktike për atë qëndrim (1), sepse mjekët kërkonin të eklipsonin mamitë e ashtu të kontrollonin krejt procesin e lindjes. Kjo pati një ndikim tepër të rëndësishëm, sepse ishte hera e parë që përfaqësuesit e profesionit deklaronin zyrtarisht se aborti, qysh në momentin e konceptimit, ishte asgjësim i një jete njerëzore. Dhe mesazhi tjetër, po aq i fortë, ishte se grave s’u duhej besuar, se gjykimi i tyre gjatë shtatzënisë ishte i mangët, dhe gjithashtu fëmijët e lindur pas një aborti do të ishin me të meta mendore. E gjithë kjo krijoi bazën për Ligjet Comstock (1873), të cilat ndalonin kontraceptimin, si dhe shitblerjen e materialeve pornografike dhe artikujve seksualë(2). Për pasojë shtetet miratuan ligje të ngjashme, duke ndaluar abortin dhe kontraceptimin, një ndryshim i madh ky krahasuar me kohën e hartimit të Kushtetutës, si dhe duke nxjerrë praktikisht jashtë ligjit pothuajse çdo gjë të lidhur me seksin.

Më vonë, nën presionin e imigracionit masiv në kapërcyell të shekujve XIX-XX situata filloi të ndryshojë, ngaqë shumë prej të ardhurve s’kishin të njëjtat opinione, si dhe nga një faktor ekonomik me rëndësi siç ishte zhvendosja drejt qyteteve. Ndërsa më parë preferohej të kishe sa më shumë fëmijë për të punuar në fermën familjare, kjo doemos do të ndryshonte me ardhjen në qytet. Ndalimi i kontraceptimit po bënte që familjet të kishin më tepër fëmijë se ç’dëshironin, dhe kjo ishte një arsye e fortë për ta legalizuar atë ashtu si edhe abortin.

Mes ndryshimit të vazhdueshëm të opinioneve dhe megjithë debatet e forta ndërmjet përkrahësve dhe kundërshtarëve të abortit, ajo që binte në sy në vitet ’40-’70 ishte se çështja i kishte shpëtuar politizimit. Kjo sepse besimtarët kristianë s’kishin preferenca të veçanta për njërën apo tjetrën parti, dhe sidoqoftë s’e konsideronin abortin si tiparin përcaktues të angazhimit të tyre politik, gjë që vlen edhe për partinë republikane si shprehëse e interesave të elektoratit konservator. Në të vërtetë politikanët e kësaj partie kishin qenë nismëtarë të mjaft prej përpjekjeve të para për liberalizim, madje për këtë ishte edhe idhulli i konservatorëve, Barry Goldwater (3), pavarësisht se e quante një veprim imoral. Edhe platforma republikane, d.m.th. programi zyrtar i partisë që miratohet çdo 4 vjet, s’e përmendte fare abortin më 1972, ndërsa më 1976 mjaftohej ta deklaronte si një nga çështjet “më të vështira e më delikate të kohës sonë”.

Ndërkaq, me rritjen e presionit të lëvizjes feministe dhe me ndërgjegjësimin për rrezikun e procedurave të paligjshme të abortit që shpesh përfundonin në tragjedi, prirjet liberalizuese u shtuan, madje Ronald Reagan, asokohe guvernator i California-s, nënshkroi më 1967 ligjin për lejimin e abortit në rast dhune dhe incesti. Vetëm kisha katolike vijonte të ishte kundër çdo lloj aborti në përputhje me qëndrimin e saj tradicional dhe logjikën konsistente “pro-jetë”. Një qëndrim i tillë nuk përqafohej nga grupet protestante të cilët ishin të mendimit se aborti sipas dëshirës ishte mëkat i rëndë, por e konsideronin të pranueshëm për arsye terapeutike. Kështu p.sh. konventa e Pagëzorëve Jugorë (Southern Baptists), konfesioni më i madh protestant i vendit, miratoi më 1971 një rezolutë që bënte thirrje për liberalizimin e abortit në rastet e përdhunimit, incestit, defekteve të rënda të fetusit dhe rrezikut për shëndetin e nënës, qëndrim që u përsërit edhe më 1974 e 1976.

Mund të themi, pra, se gradualiteti i ndryshimit dhe shumëllojshmëria e pozicioneve që përmendëm dëshmojnë se para mesit të viteve ’70 pakkujt do t’i kish vajtur mendja që brenda një kohe të shkurtër do të ndodhte një përmbysje aq e thellë dhe aq transformuese për dy grupe kryesore aktorësh të sistemit politik amerikan: për një pjesë të madhe të besimtarëve kristianë aborti do të kthehej në shënjuesin absolutisht primar të angazhimit politik, dhe partia republikane do të vendoste në flamurin e saj me shkronja të mëdha pikërisht nxjerrjen jashtë ligjit në mënyrë tërësore të asaj procedure.

  1. Vendimi i vitit 1973 dhe politizimi i çështjes

Në këtë situatë u shpall më 22 janar 1973 vendimi i Gjykatës së Lartë që e shndërroi sakaq abortin në një të drejtë kushtetuese e cila u mbivendosej rregullimeve të mëparshme nga secili shtet. Kushtetutshmëria e vendimit është konsideruar prej atëherë e në vazhdim si jo fort e bazuar, sepse mbështetej tek e drejta e privatësisë, e cila nuk cilësohet specifikisht në ligjin themeltar. Këtu s’është natyrisht vendi për argumentim juridik të kësaj të drejte prandaj le të mjaftohemi me kaq: për mbështetësit, e drejta e privatësisë rrjedh prej Amendamentit IX (4) dhe përbën bazën edhe të shumë të drejtave të tjera gjithashtu të paspecifikuara si p.sh. ajo e kontraceptimit, e marrëdhënieve dhe e martesës homoseksuale, e martesës mes racave të ndryshme, etj. Ndërsa kundërshtarët janë të mendimit se aborti duhet përjashtuar prej këtyre të drejtave, sepse ndryshe nga to, sjell asgjësimin e jetës njerëzore.

Pasoja më praktike e Roe ishte ndërprerja, në njëfarë kuptimi e panatyrshme, e procesit gradual të liberalizimit shtet pas shteti: grupet liberale e arritën objektivin e tyre në shkallë vendi dhe s’kishin më ndonjë shtysë të ndjeshme për ta vazhduar veprimtarinë pas atij momenti.

Reagimet politike ndaj Roe ishin po aq të larmishme sa edhe qëndrimet që përshkruam më lart. Duhet theksuar këtu se kisha katolike dhe grupet e ndryshme të atij besimi e dënuan vendimin në mënyre unanime dhe të palëkundur, ndërsa reagimet protestante ishin larg një qëndrimi të tillë, i cili megjithatë u konsolidua brenda pak vitesh. Kjo sepse aborti ende konsiderohej si një “çështje katolike” dhe ndër grupet që reaguan pati mjaft që e konsideruan si diçka pozitive, bile “një hap përpara për drejtësinë, lirinë e besimit dhe barazinë njerëzore”.

Mirëpo çështja e abortit arriti të transformohej relativisht shpejt në parullën kryesore politike të evangjelikëve dhe fundamentalistëve, dhe këtu duhet të mbajmë parasysh se gjatë viteve ’70 këta besimtarë ishin të shqetësuar nga fryma e liberalizimit në mbarë shoqërinë amerikane, nga rritja galopante e numrit të aborteve pas Roe, si edhe nga rritja e rolit të qeverisë, e jo veç në fushën ekonomike. Dhe shtysa vendimtare për organizimin politik të tyre s’erdhi nga Roe, por nga vendimi i administratës Ford më 1976 për t’i hequr privilegjin e mospagimit të taksave Universitetit Bob Jones, një institucion fundamentalist i arsimit të lartë. Shkollat e larta në Amerikë konsiderohen në fakt institucione jofitimprurëse dhe si të tilla përjashtohen nga taksat, me kusht që t’u përmbahen ligjeve në fuqi. Por për institucionin në fjalë administrata arriti në përfundimin se nuk respektonte ligjet kundër diskriminimit racial dhe kështu ja shfuqizoi atë privilegj. Kuptohet që një mobilizim i hapur i masave të besimtarëve nën parullën e mbrojtjes së diskriminimit racial do të ishte problematik, kështu që u zgjodh aborti si një parullë e tillë mobilizuese (5).

Kësisoj është plotësisht e vërtetë se kërkesa për miratimin i një amendamenti kushtetues që ta nxirrte atë procedurë jashtë ligjit në mënyrë të plotë e të pakthyeshme ka qenë prej atëherë kërkesa më themelore e grupimeve politike konservatore dhe sidomos i së Djathtës Fetare (6, 7). Dhe si pasojë e aleancës strategjike të kësaj organizate me partinë republikane, edhe kjo e fundit pësoi një transformim po aq të shpejtë: vetëm 8 vjet pas pozicionit centrist të platformës së 1976, republikanet shpallën në atë të vitit 1984 se “fëmija i palindur ka të drejtën themelore të individit për jetë, e cila nuk mund të preket”. Ky formulim ka qenë i pranishëm në platformat e mëvonshme duke mos njohur të drejtën e abortit as për raste përjashtimore si përdhunimi, incesti apo jeta e nënës.

  1. Polarizimi i skajshëm si pengesa madhore e zgjidhjes së problemit

Prej asaj kohe debati në Amerikë, edhe në këtë çështje ashtu si në shumë të tjera, është katandisur fatkeqësisht në një debat etiketash, “pro-jetë” dhe “pro-zgjedhje”, kur në fakt kjo veç nxit polarizimin pa dhënë ndonjë kontribut për zgjidhje. Të dy palët s’i kanë shpëtuar politikës “për inat të tjetrit” të shprehur në mungesën e dëshirës për bashkëpunim në krijimin e kushteve për uljen e numrit të aborteve. Besnikëria ndaj vijës politike s’i lejon ato të shohin kontradiktat e e hapura të vetë pozicioneve që përqafojnë.

Nuk mund të ketë asnjë besueshmëri parulla “pro-jetë” nëse veprimtarët dhe politikanët e djathtë janë të parët që nxitojnë të hedhin poshtë çdo masë që do ndikonte në pakësimin e ndjeshëm të aborteve. Gjatë këtyre 50 viteve ka pasur dhjetëra propozime për lehtësimin  e përdorimit të kontraceptivëve, shtrirjen dhe përmirësimin e edukimit seksual, garantimin e lejes së paguar të lindjes, sigurimin shëndetësor universal për nënën dhe fëmijën, rritjen e ndihmave sociale, apo masa të tjera të ngjashme. Në të gjitha këto aspekte jo vetëm që SHBA në tërësi janë larg niveleve të vendeve të tjera të zhvilluara perëndimore, por edhe shtetet “pro-jetë” janë larg shteteve “pro-zgjedhje”. Dhe masa të tilla kundërshtohen vendosmërisht, siç thamë, nga politikanët “pro-jetë” edhe në legjislaturat e shteteve. Le të kujtojmë këtu kalimthi edhe faktin se i njëjti krah i spektrit politik ka qenë tradicionalisht përkrah ndërhyrjeve të armatosura amerikane kudo në botë (p.sh. Iraku më 2003) dhe po ai që shprehet për liri të pakufizuar në përdorimin e armëve, madje për armatosje të qytetarëve gjer në dhëmbë. Nga këto duket se pozicioni i tyre mund të karakterizohet më saktë jo si “pro-jetë”, por thjesht “pro-lindje”.

Në anën tjetër diskursi i së majtës progresiste është po aq hipokrit dhe i papërgjegjshëm, sepse injoron tërësisht shqetësimet e grave konservatore dhe i quan këto të fundit vegla të “sistemit shtypës patriarkal”. Me deklaratat dhe veprimtarinë e saj e majta pretendon të jetë në favor të të drejtave të grave dhe në përkrahje të masave ekonomike kundër varfërisë, e megjithatë nuk përmend askund çështjen e martesës. Të gjitha studimet tregojnë, në fakt, se garancia më e fortë e mbrojtjes nga varfëria për gratë është të mos kenë fëmijë para martesës, pastaj të martohen dhe të shmangin divorcin. Kjo sepse familjet me dy prindër kanë nivele shumë më të ulëta varfërie dhe shanse shumë më të larta që fëmijët e tyre të jenë të suksesshëm në shkollë e në jetën profesionale. Por ky aspekt s’bën pjesë, siç thamë, në fjalorin e së majtës, e madje disa organizata prominente si Black Lives Matter (BLM) shpallin hapur në objektivat e tyre “destabilizimin e institucionit të martesës monogame”, sepse e konsiderojnë “instrument të supremacisë së bardhë” për përjetësimin e shtypjes së grave dhe pakicave me ngjyrë. Çfarë besueshmërie mund të ketë një diskurs i tillë? Ose çfarë qëllimi, përveç acarimit të tensionit, mund t’i shërbejnë gjeste si ai i demokratëve në asamblenë e shtetit New York të cilët pritën me brohoritje e klithma gëzimi kalimin e një ligji për abortin në faza të avancuara të shtatzënisë?

Këto e shumë të tjera tregojnë se asnjëra palë s’është e interesuar për kompromis, por vetëm e vetëm për dehumanizimin dhe poshtërimin e palës kundërshtare.

  1. Pasojat e shfuqizimit të Roe

Në këto kushte politizimit të çështjes s’i shpëtoi as vendimi i 24 qershorit. Pasoja primare e tij do të jetë thellimi i përçarjes ndërmjet dy Amerikave, urbane dhe rurale: ato duken se janë mjaft të ndara e me epistemologji (d.m.th. mënyra si perceptojnë realitetin) krejt të ndryshme, dhe vendimi i fundit vetëm sa e ngre më tepër tensionin në shoqëri. Me këtë dua të them se Gjykata kishte edhe rrugë të tjera të mundshme, si p.sh. të linte në fuqi ligjin e Mississippi-t për  ndalimin e abortit pas javës 15 të shtatzënisë, por të mos shfuqizonte Roe. Ky pozicion i “maturisë gjyqësore” ishte ai i kryetarit të Gjykatës, John Roberts, por s’u përkrah nga shumica e kolegëve të tij. Kështu, më tepër se triumf i një teorie ndaj një tjetre, vendimi ishte triumf i njërës parti ndaj tjetrës, i mundësuar në fund të fundit nga fakti që 6 gjyqtarë janë të emëruar nga republikanët kundrejt vetëm 3 të demokratëve.

Vendimi do të minojë padyshim autoritetin e Gjykatës në opinionin publik, sepse historikisht, kur ajo ka njohur të drejta të tjera të paspecifikuara, ato kanë qenë në favor të grupeve të pambrojtura, ose të paprivilegjuara. Pra, përmbysja e Roe shënon edhe shkelje të precedentit (stare decisis), e krijon po ashtu precedentin e ri të heqjes së një të drejte mbrojtëse ndaj një kategorie të tillë (grave): vendimi favorizon pra haptazi të drejtën e jetës potenciale (embrionit) ndaj asaj aktuale (nënës).

Një pasojë me rëndësi do të jetë edhe shqetësimi për të drejta të tjera të paspecifikuara në kushtetutë, të cilat kanë rrjedhur nga po ajo bazë juridike si Roe. Dhe në fakt ka arsye të mendohet se përderisa një e drejtë u hoq, edhe të tjera të ngjashme mund të pësojnë të njëjtin fat. Fjala është për të tilla si kontraceptimi, martesat midis racave te ndryshme, martesat homoseksuale etj. Fakti që gjyqtari më konservator, Clarence Thomas, përmendi nevojën e rishikimit të tyre mjafton për ta bërë edhe këtë shqetësim pjesë të debatit, përndryshe tejet të ndezur. Zor se mund të gjendet një motivacion tjetër për një veprim të tillë nga ana e Thomas.

Ndërkaq duhet thënë se as hiperbolizimi nga ana e së majtës s’i shërben uljes së tensionit, sidomos deklarata të tilla absurde që e cilësojnë vendimin e fundit si “shkelje të rëndë të demokracisë”. Ai vendim në fakt është i rëndësishëm dhe mund të analizohet nga shumë e shumë pikëpamje, por vetëm “shkelje e demokracisë” s’mund të jetë. Kjo sepse vendimi e zbret trajtimin e çështjes nga niveli federal në atë të shtetit, d.m.th. një hap më afër elektoratit dhe organeve të zgjedhura të çdo shteti të veçantë.

Si përfundim mund të themi se përgjegjësia për këtë situatë bie tërësisht mbi klasën politike amerikane, sepse ajo ka preferuar prej shumë kohësh ta shmangë zgjidhjen e problemeve nga Kongresi, që është organi më legjitim, i zgjedhur drejtpërdrejt nga votuesit, e që duhet të përfaqësojë kësisoj interesat e vërteta të shoqërisë. Zgjidhjet po përqendrohen gjithmonë e më tepër tek Gjykata e Lartë, paçka se kjo është më jodemokratikja nga të tri degët e pushtetit (8). Kjo klasë politike abortoi më në fund edhe zgjidhjen e problemit të abortit, duke dhënë kështu një dëshmi të mëtejshme të mosfunksionimit të procesit legjislativ të demokracisë amerikane.

© 2022 Ernest Nasto. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

================

(1) https://commons.lib.jmu.edu/cgi/viewcontent.cgi?article=1023&context=jmurj

(2) Kjo është arsyeja që në vitet ’50 televizioni s’mund të tregonte çifte në shtrat, edhe pse të martuar.

(3) Senator nga Arizona në vitet 1969-1987 dhe kandidati presidencial republikan në zgjedhjet e 1964. Fushata e tij përballe presidentit demokrat L. Johnson konsiderohet si momenti i ringjalljes së lëvizjes konservatore amerikane që çoi më në fund në fitoren e Ronald Reagan më 1980.

(4) Amendamenti IX shpall se specifikimi i disa të drejtave në Kushtetutë s’mund të interpretohet si mohim i të tjerave d.m.th. atyre që s’janë specifikuar.

(5) https://www.politico.com/magazine/story/2014/05/religious-right-real-origins-107133/

(6) https://peizazhe.com/2017/03/06/gjeneza-e-se-djathtes-fetare-ne-shba/

(7)  Roli absolutisht përcaktues i politikës, dhe jo ndonjë “revoltim moral ndaj Roe“, në vendosjen e abortit në një rol të tillë dëshmohet më së miri nga fakti se themeluesi dhe personaliteti kryesor i së Djathtës Fetare, pastori Jerry Falwell, e mbajti predikimin e parë kundër abortit vetëm më 1978, pra plot 5 vjet pas Roe.

(8) Gjykata cilësohet e tillë sepse anëtarët e saj janë vetëm 9, emërohen nga presidenti (me miratimin e Senatit) dhe janë të përjetshëm në atë detyrë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin