AFGANË QË IKIN

Po bëhen me këmbëngulje krahasime mes afganëve që qeveria e Ramës po dëshiron t’i strehojë (përkohësisht) në Shqipëri dhe refugjatëve/emigrantëve shqiptarë në fillim të viteve 1990, që morën rrugët e Europës, ndonjëherë edhe si mizëri në anije transporti.

Krahasimi nuk qëndron. Me përjashtim të dykorriksave, vetëm një pjesë papërfillshëm e vogël e shqiptarëve të atëhershëm e lanë vendin për t’u shpëtuar përndjekjeve politike nga regjimi në Tiranë.

Me sa thuhet në media, Perëndimi – me SHBA në krye – po përpiqet të nxjerrë nga Afganistani njerëzit “e vet”: elitat që kish kultivuar gjatë këtyre njëzet vjetëve, teknokratët, shoqërinë civile laike, punonjësit e mediave dhe artistët, mësuesit e shkollave.

Dhe më tej, të gjithë ata afganë që bashkëpunuan me forcat e NATO-s, dhe që sot kanë frikë se do të përndiqen dhe likuidohen nga talibanët.

Ndryshe nga refugjatët shqiptarë të para 30 vjetëve, këta që duan të ikin nuk janë “populli” afgan, por elita. Populli mbështet talibanët, siç i ka mbështetur gjithnjë. Dhe këta që tani duan të largohen nga Afganistani, sepse janë të rrezikuar për vdekje, në fakt dështuan në misionin e tyre kryesor, që të “laicizojnë” shoqërinë afgane.

Mund të përfytyrojmë një skenar – apokaliptik – në Shqipëri, kur pushtetit kushtetues t’i kërcënohet një fuqi e verbër, e zezë, anti-progres, anti-Perëndim, anti-degjenerim, e ushqyer me paranojat ksenofobe dhe, pse jo, edhe fetare dhe konspiraciste që përhapen nga mediat.

Është skenar ende i pagjasë, por le ta përfytyrojmë për të kuptuar se kush do të rrezikohej, në Tiranë, nga ajo përmbytje e errët; dhe kush do të “shpëtohej” nga aleatët e sotëm të qeverisë dhe të regjimit kushtetues.

Ashtu do ta kuptojmë, shpresoj, se krahasimi me 1990-ën shqiptare nuk qëndron madje krijon imazhe dhe pritje të gabuara. Dhe kjo, edhe ngaqë orientimin pro-Perëndimor, në Shqipërinë e fillimviteve 1990, nuk e solli as James Baker-i, as Rayerson-i dhe as Sali Berisha. Nuk e transplantoi kush; e shumta, pati shumë, sikurse ka edhe sot, që parazituan mbi të.

Nga Afganistani do të ndihmohet të ikë vetëm ajo shtresë që sot ndihet e papajtueshme me Talibanët dhe metodat e tyre politike dhe sociale. Nuk do të ikin, sepse nuk do të mund të ikin, të skamurit, të uriturit, të dalët nga burgjet, të papunët, rrënjëdalët, të paushqyerit.

Më mirë t’i mendojmë, pra, mysafirët që do të na bujnë si një grup i madh – shumë i madh – OJQsh nga Azia, që kanë dështuar në misionin e tyre si OJQ.

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin