PËRSHËNDETJA PËR 15-VJETORIN

(fjala ime në takimin kushtuar 15-vjetorit të revistës)

Zonja dhe zotërinj,
Kolegë, mbështetës, miq, dashamirës dhe lexues të revistës sonë “Peizazhe të fjalës”
Falemnderit që na jeni bashkuar në këtë mbrëmje festive të 15-vjetorit!

Përvjetorët të ftojnë të shohësh mbrapa, të kujtosh arritjet dhe dështimet, të bësh bilance dhe të interpretosh shifra.
15 vjet më parë, kur e nisëm blogun “Peizazhe të fjalës”, që më pas do të rritej në revistë, mjedisi i mediave shqip – tradicionale dhe elektronike dhe sociale – ishte tjetër nga ky i sotmi.
Sfida jonë ndoshta më e madhe, gjatë kësaj periudhe jo fare të shkurtër për një media, ka qenë që të mbijetojmë dhe të bëjmë përpara, gjithë duke ruajtur identitetin dhe synimet tona, por edhe duke u kujdesur që të mbetemi relevantë.

Kur shoh emrat e atyre që kanë shkruar dhe shkruajnë për ne, nuk di nëse duhet të shqetësohem apo të ngazëllehem, nga qarkullimi i dendur i autorëve. Krahas disa pak emrave fiks, që kanë qenë me ne qysh në fillim, shumë kolegë e kanë nisur bashkëpunimin me ne vonë – sikurse ka edhe, për fat të keq tonin, të tjerë që na janë larguar.
Aq sa ndonjëherë revistën më vjen ta krahasoj me një ekip sportiv, të cilit i ndërrohen lojtarët, trajnerët, menaxherët dhe tifozët – por e gjitha kjo maskohet nga iluzioni i emrit që mbetet i njëjti.

Çfarë është tani 15-vjeçari “Peizazhe të fjalës”? Disk i ngecur, shënjues tashmë i zbrazur nga kuptimi, sigël e lodhur e debatit publik në botën shqip, apo premtim gjithnjë i gjallë për lexuesin, që ta zbulojë rishtas a të vazhdojë të gjejë aty çfarë kërkon dhe më shumë?

E patëm nisur si një faqe ku do të debatonim ide, do të merrnim në pyetje ideologjitë dhe do të problematizonim temat kulturore në ligjërimin publik shqip. Vinim nga realitetet e forumeve virtuale, ku liria e fjalës dhe e mendimit materializohej në forma herë të vrazhda dhe herë eksperimentale. Shpresonim se kish ardhur koha që ky lloj fermenti të kalonte në mainstream, dhe këtë transferim ta kryenim ne: ose edhe ne.

Ecuria e revistës sonë nuk mund të ndahet nga historia e Internetit shqip; paçka se ne jemi një nga ato të paktat media jo-tradicionale, që i ka përjetuar të dy fazat e këtij Interneti – para dhe pas ekspansionit të shfrenuar të rrjeteve sociale.
Një pjesë nga ju sot kanë ardhur te Peizazhet nëpërmjet Facebook-ut dhe Instagram-it dhe ndoshta e kanë të vështirë të përfytyrojnë që revista e tanishme i ka rrënjët te një blog; dhe vetë blogu nuk ishte veçse roitje e një liste diskutimesh online.
Dëshira jonë, si themelues dhe autorë kryesorë të blogut-pastaj-revistës ishte që të ruanim frymën kritike të Internetit të dikurshëm, duke e integruar në Internetin e ri të kontakteve horizontale dhe bashkëndarjes. Gjykonim, dhe ende gjykojmë, se kjo qasje kritike do t’u shërbente të gjithëve, edhe autorëve edhe lexuesve edhe komentuesve, për të kultivuar lirinë e fjalës dhe të mendimit.

Si autor, unë e kam nisur jetën te një mjedis idesh ku liria e fjalës mund të kushtonte shtrenjtë; dhe ku ligjërimi publik zyrtar synonte që ta privonte fjalën individuale nga instrumentet që i duheshin për t’u realizuar si e lirë. E kuptoj, megjithatë, se shumë nga autorët dhe lexuesit që përftojnë tani ekosistemin e “Peizazheve” kanë një përjetim tjetër të lirisë së fjalës, duke e bashkëlidhur me mundësinë për t’u dëgjuar, në mes të kakofonisë.

Në të dy rastet, bëhet fjalë për forma të censurës; me të cilat revista jonë është përballur – censura si shurdhim, censura si denoncim, censura si shpërfillje (injorim). Kjo lloj inercie, ose rezistence e masës së ideve të vdekura, na ka penguar, por edhe na ka bërë të vetëdijshëm për rolin që mund të kryejmë.

15 vjet nuk janë pak, për një ekip të vogël, si ky që drejton revistën dhe që kujdeset sa për marrëdhëniet me bashkëpunëtorët, ashtu edhe për faqosjen e shkrimeve dhe promovimin e tyre në rrjetet sociale. Unë jam ndoshta autori më produktiv në revistë – por kurrë nuk kam dashur që t’i kthej “Peizazhet” në një vitrinë të veprës sime. Përkundrazi, misionin tim në krye të revistës gjithnjë e kam menduar si përkushtim ndaj ruajtjes së integritetit të saj intelektual dhe etik, duke mos lejuar instrumentalizime dhe mercenarizëm.

Ka qenë fat i madh për ne, që kemi bashkëpunuar në vite me mendjet ndoshta më të ndritura të botës shqip, të cilat na kanë nderuar duke na besuar shkrimet dhe reputacionin. Dhe njëlloj u jemi mirënjohës të gjithë atyre që, në rrjedhë të viteve, e kanë mbështetur revistën tonë financiarisht me dhurime, duke e vlerësuar atë që bëjmë dhe duke na e lehtësuar barrën e punëve të përditshme.

Gjatë këtyre 15 vjetëve shumë media të ngjashme me tonën kanë dalë nga skena dhe qarkullimi, pse drejtuesit e tyre e kanë humbur interesin dhe mbështetjen, ose i kanë shpenzuar fondet. Që ne jemi ende këtu, kjo u detyrohet politikave tona të mbajtshme, ose – për ta thënë me një shprehje popullore – asaj që i kemi shtrirë këmbët sa kemi jorganin.

“Peizazhe të fjalës” sot e kësaj dite mund të shfrytëzohet falas online, nga kushdo. Arkivi ynë prej mijëra shkrimesh, analizash, esesh dhe artikujsh mbetet në dispozicion të studiuesve dhe të studentëve. Çdo ditë motorët e kërkimit sjellin te ne qindra përdorues, që kërkojnë informacion – dhe ne, drejtuesit e revistës, mund t’ia lejojmë vetes një moment vetëkënaqësie dhe të mendojmë se po u japim të tjerëve, qofshin këta vizitorë, qofshin kureshtarë, e qofshin studentë e studiues, një informacion ku mund të mbështeten. Çfarë nuk do të ishte pak, në epokën kur Interneti po përdoret si platformë mashtrimesh dhe manipulimesh të mëdha.

Ju falemnderit edhe një herë që erdhët, duke ju uruar nga zemra që t’ia kaloni sa më bukur këtë mbrëmje!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin