LEHTËSIA E KEQINFORMIMIT

Lexoj sot në mëngjes, në një nga “portalet” e panumërta (thonë se janë me qindra), këtë titull lajmi:

Formulimi i titullit ngre shumë pikëpyetje. Që një jaht fundoset, kjo mund të përbëjë lajm; por sintaksa e fjalisë sikur përsiat një lidhje midis distancës së ankorimit dhe fundosjes. Veç kësaj, fundi i titullit, “ja kujt i përkiste”, përfaqëson një klishe të shtypit tabloid tek ne, madje ia lajmëron atë lexuesit. “Ja kujt i përkiste” supozon se lexuesi do të bëhet kurioz dhe do ta vazhdojë leximin, për të marrë vesh emrin e të zotit të jahtit të mbytur.

Këtë teknikë e kanë quajtur clickbait – supozohet se pronari i faqes do të fitojë diçka, sa herë që dikush klikon mbi një link atje. Por, edhe brenda kësaj logjike të diskutueshme, formuluesi i titullit gjithnjë mund të vendosë se ku ta orientojë kuriozitetin e lexuesit, duke u përpjekur të marrë me mend se çfarë do ta tërheqë këtë te lajmi. E megjithatë, kur fundoset një anije, lexuesi do të dojë të dijë nëse ka pasur viktima, dhe më tej se çfarë e shkaktoi këtë katastrofë; që portali ka gjykuar se ky lexues do të interesohet, para së gjithash, të marrë vesh se i kujt ka qenë jahti, flet shumë për pritjet e autorëve të këtyre lajmeve dhe, në analizë të fundit, për përdoruesit e portaleve.

Ekziston një bindje, mjaft e përhapur mes vëzhguesve dhe studiuesve të mediave online, se lexuesit janë bërë kaq të shpërndarë dhe të paduruar, sa titujt e lajmeve detyrohen të konkurrojnë mes tyre, për të fituar vëmendje; çfarë bën edhe që titullin ta përcaktojë jo aq përmbajtja e lajmit, sa modeli që përdorin redaktorët e një faqeje a të një portali, për të parashikuar sjelljen e lexuesve të tyre.

Para pak ditësh lexoj te faqja online e një gazete mjaft të ndjekur, një shkrim të prof. Emil Lafes, të titulluar kështu:

Meqë tema të tilla më interesojnë drejtpërdrejt dhe unë kujdesem t’i ndjek debatet që i shoqërojnë, m’u duk i çuditshëm implikimi i titullit; dhe pikërisht, që autori i shkrimit u drejtohej – për t’i sqaruar – cave që, si z. Fatos Lubonja, mendokëshin se “gegërishtja është pasuri”.

Pozicionin e prof. Lafes në debatet lidhur me standardin gjuhësor të shqipes besoj se e njoh mirë; dhe këtë ma konfirmon edhe teksti i lajmit në fjalë, ku asgjëkund nuk polemizohej me (pseudo)tezën se “gegërishtja është pasuri.”

Përkundrazi, Lafe haptazi kundërshton në shkrimin e vet një ide tjetër, dhe pikërisht atë se dy standarde të shqipes do të ishin pasuri.

Ashtu siç është formuluar, titulli sikur kërkon të provokojë drejtpërdrejt të gjithë ata që kërkojnë sot e kësaj dite, kryesisht në media dhe në rrjetet sociale, që të vënë në vend padrejtësinë që i është bërë “gegnishtes” nga standardi.

Argumenti i tyre është se imponimi forcërisht i standardit në vitet 1970, me qëllim ose me nxitje drejtpërdrejt politike, i shurdhoi e i fundosi vlerat kulturore tashmë të krijuara nga variantet letrare të gegnishtes (shkodranishtja, elbasanishtja, kosovarishtja) dhe ua zuri fjalën në fyt të gjithë atyre që e kishin përqafuar gegnishten letrare si mjet shprehës, ose që do ta kishin përqafuar më pas – duke ua hequr të drejtën e botimit rishtas.

Ky argument qëndron. Mbetet e hapur për diskutim nëse kjo katastrofë kulturore mund të zhbëhet sot, nëpërmjet reformave të drejtshkrimit ose miratimit të një standardi të ri në Kosovë. Lafe është mbrojtës i bindur i standardit ekzistues dhe arsyetimet e tij duan vëmendje, edhe nga kundërshtarët, qoftë edhe vetëm sepse ai mban gjallë një debat të vyer për gjuhësinë, kulturën dhe politikën.

Kush e lexon me kujdes tekstin e lajmit, e sheh menjëherë se titulli nuk mund të ketë qenë i autorit, por do të jetë vënë nga ndonjë redaktor i faqes. Dhe ky redaktor, kushedi për ç’arsye, e ka thjeshtuar debatin, duke ia përshtatur një kundërvënieje tashmë klishe të rrjeteve sociale – asaj midis standardit dhe “gegërishtes”.

Për nga natyra e tyre, rrjetet sociale riprodhohen nëpërmjet disa “konflikteve” të përjetshme – që në rastin tonë janë ato mes gegëve dhe toskëve, vendësve dhe të ardhurve, shqiptarëve dhe të huajve, qytetarëve dhe fshatarëve, burrave dhe grave, Ramës dhe Berishës, të krishterëve dhe myslimanëve… Debatet rreth temave të tilla zakonisht nuk prodhojnë asgjë më shumë, përtej identiteteve.

Ato media online që duan ta ruajnë ose ta zgjerojnë bazën e lexuesve të tyre, shpesh zgjedhin ta bëjnë këtë duke e reduktuar informacionin që përcjellin, në mënyrë të tillë që t’ua përshtatin kundërvënieve ekzistuese. Kështu ato nuk informojnë më, dhe as kontribuojnë në avancimin e temave të debatuara – por mjaftohen të konfirmojnë pozicionet e lexuesve.

Nëse është apo jo “e pasur” gegërishtja, kjo është pseudo-temë; dhe jo vetëm ngaqë askush nga specialistët nuk e vë në dyshim. Përkundrazi, është një kategori lexuesish, zakonisht tejet të papërkulshëm në pozicionet e tyre, që ka interes t’i kundërvihet një polemizuesi imagjinar, për të cilin gegërishtja “nuk është e pasur.”

Këtë reduktim, shumë media e arrijnë nëpërmjet mënjanimit të nuancave. Një debat për dobinë e bashkëjetesës së dy standardeve gjuhësore do të kërkonte shumë mund edhe nga moderatorët, edhe nga redaktorët, edhe nga lexuesit – sepse tema vjen vetvetiu e ndërlikuar. Prandaj edhe redaktori tundohet që ta riderdhë debatin, në kallëpet e një polemike klishe: gegërishte apo toskërishte?

Kjo teknikë reduktimi e përçudnon edhe vetë efektin e debatit publik, në opinionin e lexuesit – sepse nuk lejon që argumentet të ndjekin njëra-tjetrën dhe as të shtjellohen në kohë; duke parapëlqyer riprodhimin e identiteteve të grupeve dhe duke i bërë jehonë mendimit të thjeshtuar dhe bullizmit polemizues.

Është normale që mass mediat të kujdesen për lexuesit e tyre dhe të operojnë në bazë të modeleve që ato vetë ndërtojnë për këta lexues. Por shumë nga operatorët dhe hartuesit e lajmeve, përfshi ata që hartojnë titujt, priren të harrojnë se edhe lexuesit edhe janë produkt i modeleve që kanë adoptuar mediat. Kësisoj, presupozimi se lexuesi ka nevojë që lajmi t’i jepet i distiluar dhe i ripërtypur, ndihmon për të mbajtur gjallë dhe riprodhuar një lexues dembel, i cili e sheh botën bardhezi.

Këto ditë, Gjykata e Lartë e SHBA-ve mori një vendim të rëndësishëm, duke shfuqizuar të drejtën kushtetuese të grave të atij vendi për abort dhe duke aftësuar, në praktikë, shtetet veç e veç, që të ndalojnë me ligj disa lloje të caktuara aborti, ose edhe abortin si të tillë. Ky vendim, që pati jehonë të madhe edhe në botë, nuk mund të kuptohet dhe as të interpretohet, pa pasur një ide për sistemin amerikan aq të ndryshëm nga ai shqiptar dhe për mënyrën si veprojnë atje ligjet dhe gjyqësori.

Siç mund të pritej, mediat shqip i ranë shkurt dhe, në vend që të merrnin mundimin të sqaronin publikun e tyre për efektet dhe implikimet e këtij vendimi, parapëlqyen tituj të tipit:

I marrë literalisht, ky titull keqinformon, sepse gjykata e lartë e SHBA nuk ka ndaluar asgjë, dhe as mund të ndalojë; nga ana tjetër, pjesa më e madhe e konsumatorëve të këtij lajmi, mes publikut shqip, nuk e dinë se çfarë mund të bëjë dhe çfarë nuk mund të bëjë gjykata e lartë e SHBA. Prandaj edhe formuluesit e titujve të tillë ndoqën një rrugë të shkurtër dhe ua dhanë lexuesve lajmin të thjeshtuar – gjykata ndalon abortin. Paçka se, për faj të këtij thjeshtimi, publiku rezultoi i gënjyer.

Shpesh këto thjeshtime i gjen në titujt dhe në vetë lajmet, që mediat online i marrin nga portale të huaja, si rregull duke i përkthyer si mos më keq dhe, jo rrallë, në mënyrë krejt të pakuptueshme.

Lexoja pak më parë këtë titull:

Që linte të kuptoje sikur Lufta III Botërore kish nisur tashmë. Në fakt, bëhej fjalë për lajme – të ngjitura bashkë – për skena të luftës në Ukrainë; por formuluesi i titullit kish zgjedhur që Ukrainën të mos e përmendte fare dhe t’i identifikonte efektet e armëve të ndryshme me origjinën e tyre. Ashtu mbase një ditë do të lexojmë edhe se “vetura koreane shkatërron biçikletën italiane” – te kthesa e Kamzës.

Titulli, nga vetë natyra e tij, duhet të jetë i shkurtër; dhe formuluesi është i detyruar të shkurtojë, duke hequr, nga versioni i plotë dhe analitik, ato pjesë që i duken më pak të rëndësishme. Në shembullin e mësipërm, ky fat i është caktuar teatrit të konfliktit: Ukrainës.

I njëjti efekt vepron edhe në titullin më poshtë:

I cili e shtrembëron të vërtetën, sa kohë që bëhet fjalë jo për raketa bërthamore, por për raketa që versionet anglisht të lajmit i quajnë “nuclear capable” – pra raketa që teknikisht mund të transportojnë edhe mbushje bërthamore. Krahasoni:

I thjeshtuar, titulli i lajmit shqip keqinformon duke alarmuar, në emër të banalitetit të clickbait-it. Formuluesi i lajmit shqip mund të ish përpjekur të shpjegonte dallimin mes “raketave bërthamore” (nuclear missiles) dhe “raketave që mund të transportojnë mbushje bërthamore” (nuclear-capable missiles), por do ta ketë penguar frika se një shpjegim i tillë do ta mërziste lexuesin, do ta bënte që ta linte lajmin përgjysmë dhe, në analizë të fundit, do ta relativizonte rëndësinë e informacionit. Tek e fundit, për lexuesin model të këtij titulli, i vetmi dallim që ngre peshë është ai mes armëve bërthamore (si bomba atomike) dhe armëve jo bërthamore (hanxhari); dhe çdo nuancë, e vjetër ose e re, shihet me dyshim si përpjekje për ta fshehur të vërtetën.

Ekziston edhe një mundësi tjetër: që vetë formuluesit të lajmit shqip kjo nuancë t’i jetë dukur e tepërt, e panevojshme, në mos e pakuptueshme dhe ta ketë lënë jashtë.

Rreziku më i madh i teknikave të clickbait-it është se e sakrifikojnë informimin për hir të mbajtjes së lexuesit në faqe; sikurse sakrifikojnë shtjellimin e argumentit, për hir të rehatimit të lexuesit. Nëse publiku e zgjedh një faqe ose një portal në bazë të bindjeve që ka, atëherë portali do të bëjë të pamundurën për t’i ushqyer dhe konfirmuar këto bindje. Ashtu përftohet një rreth vicioz, ku përdoruesi i medias ose i portalit e shfrytëzon informacionin që i jepet jo për të modifikuar dhe pasuruar njohjen e vet për botën, por thjesht për të riprodhuar botëkuptimin dhe identitetin e vet ekzistues.

Natyrisht, teknika të tilla janë përpunuar gjetiu dhe në brigjet tona mbërrijnë tashmë të përdorura dhe të thjeshtuara në maksimum. Mund të sillet këtu edhe argumenti se publiku shqip nuk i ka kapacitetet për të përballuar, në mënyrë të shëndetshme, një numër kaq të madh, dhe artificialisht të madh mediash online dhe portalesh; të cilat nga ana e tyre nuk mund të mbijetojnë, pa u degraduar në misionin e tyre si media. Situata e tanishme pa precedent, disa aspekte të së cilës u trajtuan më lart, mund të ketë efekte edhe në kapacitetet kognitive të publikut, ose në aftësinë sidomos të brezit të ri për të menduar në mënyrë kritike, çfarë do të sillte pasoja serioze edhe për vetë sistemin pluralist dhe demokratik, që duam të mirëmbajmë.

© 2022 Peizazhe të fjalës™ dhe Instituti Shqiptar i Medias. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: Ky shkrim është pjesë e një projekti të Institutit Shqiptar të Medias dhe botohet njëkohësisht edhe në faqen e atij instituti.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin