“FLAMA” E KUKËS

nga Eda Derhemi

(kujdes: përmban spoilers)

Flama e Tom Kukës (botimet Pegi, 2021) nuk është roman pa gjë. Ka një butësi narrative joshëse, në kuptimin që rrjedh qetë e ngadalë si t’ia kish hipur karrocës së Tom Kukës. Është një ngadalësi njerëzore dhe e njerëzishme, ngadalësi me ca tronditje e një Tirane shtruar me gurë e me baltë ku ndihet se shkrimtari e kontrollon mirë frerin e kalit, organizon si duhet ndalesat, rinisjet, kthimet mbrapa, endjet ndonjëherë si në jerm të ritmit të kallëzimit; më jep ndjesinë e një filmi noir xhiruar natën në rrugë të vjetra me vapë e sëmundje. Romani sjell personazhe origjinalë sido që shpesh duken si heronj mbirë nga legjenda e përralla, emra personash që ia dalin të të sjellin buzagazin veç për bizarllëkun e vet tipik, karakteristik për një Tiranë të harruar. Ka edhe diçka tjetër që i arrin si ndjesi pozitive ngjitëse lexuesit: romanthi është shkruar me dashuri. Jo vetëm për Tiranën, por kryesisht për njerëzit në të. Për të gjithë pa përjashtim. Dhe për të shkuarën. Në fakt, romani paraprihet prej dy vargjesh të Greblleshit që i kam pasë lexuar më parë – vargje të rëndomta krejt, por të ndjera fort nga një njeri i mrekullueshëm si Greblleshi, Liu Cakut, që, kur i shkroi, e ëndërronte Tiranën e vet që pas hekurave të burgut. Ndoshta ka kuptim edhe si një dedikim për një penë interesante që s’u la të rritej por që prapë se prapë na la kujtime dokumentare me shumë vlerë për Tiranën. Ndoshta autori Kuka ka kthyer sytë nga Greblleshi edhe sepse kish nevojë të gjente një shëmbëllim real të asaj Tirane të shkuar që t’i shërbente si dritë për të zbuluar udhët e errëta të romanit dhe Tiranës së hershme që kish vendosur ta përshkonte nga një cep te tjetri, natën, mes e përmes Pazarit, godinave të qendrës, lagjes së Tabakëve, Lanës, Rrugicës së Saraçëve, Xhamisë së Et’hem Beut, Rrugës së Kavajës dhe Bërrakës së kuplarasë e ekstremeve ku jetonin fallxhorë e kurbatka. Gjithsesi, marrëdhënia sentimentale e autorit me Tiranën e panjohur, nuk e pengon të mbetet realist në përshkrimin e prapambetjes, varfërisë dhe pashmangshmërinë e baltës, llucës, dhe moçalit.

Më krijohet ideja se autori ka dashur të rrëfejë një si ëndërr, si edhe një kërkim më sistematik të vetin për Tiranën si ishte, që t’u sjellë të sotmëve Tiranën që s’e njohim, si lëvizte dhe si jetonte ajo, si merrte frymë nën flamë, dhe, njëfarësoj, edhe para e pas flame. Madje, më shumë, me këtë tregim më bëhet se autori ka dashur t’ia tregojë këtë Tiranë vetes së vet si një sfidë e dëshiruar prej kohe. Si një tekë, a një kuriozitet, a një nevojë e brendshme. Dhe, teksa ia tregon vetes, t’ia përshkojë rrugicat e të shohë si e pillte jetën dhe ditë-natën ajo Tirana që s’dimë, por që patjetër jeton diku padukshëm përmes së sotmes. Ka mjaft fragmente ku ndjesia ime më thotë që TK po shkruan për veten e vet, dhe të tjera ku del sipër shkrimtari që shkruan për publikun. Nuk e di në fakt sa e vërtetë është Tirana e Kukës. Por nga romani kuptoj që autori e ka kërkuar dhe shfletuar; ndoshta nëpër arkiva, ndoshta në shtypin e asaj kohe, kronikat e zeza e ato më pak të zeza, planimetritë, qendrat e tregtimit dhe llojet e tregtimit, qeverisjen dhe jetesën e përditshme. I ka kërkuar dhe ka arritur një rezultat të kënaqshëm; një Tiranë ashtu si ka qenë: e përzier mirë me jabanxhinjtë, zanatçie, e butë, e njerëzishme, me vese, supersticioze, dhe me pak zhvillim. Kryesisht kjo del nëpërmjet përshkrimeve të asaj që i dilte para syve Di Himës, që është kamera filmike e shkrimtarit. Sepse romani nuk i jep ngjarjet si shkrepje fotografike. Siç thashë më parë, ai është si një film shumë i ngadalshëm në vapë, natë dhe sëmundje; ca si të ecurit në ëndërr.

Nga ana tjetër, nuk e kuptoj pse shfaqet një personazh historik si Mit’hat Beu që vështirë t’i ngelë kujt në mendje po s’ia pat ditur emrin e që nuk e ndihmon aspak narracionin. Çfarë nevoje plotëson ky në libër? Është veç një thyerjeje që vret harmoninë e plogështinë e ambientit që lidh aq mirë gjithë karakteret e romanit dhe përthith brenda vetes lexuesin. Ndoshta një tekë e autorit, kjo, a dobësi për këtë personazh politik dhe kulturor shqiptar. Por hyrja e tij në këtë libër kërcet. Ia ul vlerën kallëzimit që, ndonëse realist, nuk ka natyrën e tregimit historik, por më shumë karakterin e përrallës. Tirana e “Flamës” nuk ka kohë, nuk është historike, siç nuk është as politike. Është një Tiranë thjesht sociale e kulturore, ahistorike, gjë që e bën edhe më të çuditshme fanitjen rastësore të këtij personazhi.

Tirana e atëhershme shfaqet edhe nëpërmjet personazheve të librit, që ndërtohen si skica të shpejta, edhe kur na shfaqen me një farë historie, më shumë sesa si portrete me hollësi e kompleksitete. Di Hima e Sadija para të tjerëve, janë thelbi i familjes ngjizur me dashuri dhe moral tradicional, i mirësisë, paqes, përzierjes pa frikë me të ardhurit, kujdesit për fëmijët, dashurisë njerëzore dhe bamirësisë si tradita tiranase. Pastaj janë zanatçinjtë që shfaqen njëri pas tjetrit, Bedri Tauka (Bedri hunderri), Rustem Marangozi, Cen Mëhalla, doktori Spiro Kutleshi dhe xhandari i mjerë mbushur me të thatë që rrjedhin qelb të zi. Të gjithë e ndihmojnë autorin të endet me ta a në kërkim të tyre, duke na dëftyer kështu Tiranën. Pa na e thënë deri në fund cili prej tyre mund të ish fajtori; por duke krijuar një tension të përllogaritur.

Në të kundërt me llojin e rrëfimit dhe atmosferës në tekst, përmbajtja e librit dhe ndërtimi i fabulës themelore realiste në të, le për të dëshiruar. Autori përshkruan një Tiranë nën flamë, dyndur nga minjtë që kanë tashmë kurajën e njerëzve, që duket se mendojnë dhe organizohen të marrin qytetin duke marrë një pas një jetët e qytetarëve. Deri këtu gjithçka shkon për bukuri! Nuk ka rëndësi nëse ka pasur apo jo një flamë të këtyre përmasave në Tiranë e se kur ka qenë. Ky nuk është prej atij lloj romani ku një pyetje e tillë do kish kuptim. Ndaj edhe them, duke pasur në dorë (jo thjesht penën por) lirinë e fuqinë që ta kallëzojë fabulën ashtu si do, brenda atmosferës aq të pakufi që krijon ky tip rrëfimi gati përrallesk me njerëz plot bestytni e frikëra joshkencore, autori zgjedh të formojë si linjë qendrore të romanit të vet atë të një misteri realist të tipit thriller me heroin kryesor një detektiv që përçapet të ndërtojë një linjë logjike të krimit duke përdorur vëzhgime e hulumtime forensike të ngjashme me ato të historive që gjenden me shumicë në Netflix e Hulu. Kërkimi dyqan më dyqan i teheve të mprehtë, i “divave” që lëvizin nëpër Tiranë, pyetjet bërë doktor Kutleshit dhe përgjigjet e tij po aq banale lidhur me mprehtësinë e objektit dhe llojin e prerjes së rrylit, marrja e atij filxhani kafeje të përmbysur si provë, dhe mbajtja e tij në xhep (bashkë me hidet) për disa ditë, (ndërkohë që harta e kafesë në filxhan mbetej e patundur e nuk shkundej prej tij), bredhja nëpër brima fallxhoresh, janë copa qesharake dhe infantile letrare që nuk puqen gjëkundi me karakterin e romanit.

E vërteta është se Di Hima si investigues kriminal nuk e ka haberin (megjithëse TK e ka zbukuruar që të jetë intelektual i vogël i Tiranës së kohës, me një eksperiencë studimi jashtë Shqipërisë së pashkencë), sepse edhe shkrimtari nuk di si të shkruajë një roman thriller dhe as një roman hetimi kriminal. Ai e ka ngatërruar veten në një zhanër që nuk e njeh aspak, dhe sigurisht nuk e zotëron në të shkruar. E gjithë kjo linjë themelore e romanit është një artific i shtuar që e shëmton tregimin dhe tregon papjekurinë e penës së TK. Dhe në fakt elementet që përmenda brenda kësaj linje janë aq të pavlera në roman, sa nuk përdoren aspak për të zgjidhur këtë linjën “shkencore” të krimit. Se nuk bën dot një roman detektiv me zor! Zgjidhja në të gjitha rastet kur shfaqet në roman, vjen si Deus ex Machina: Di Hima ose e merr vesh çfarë ndodhi nga ëndrrat e veta, ose prej hijeve që i shfaqen në oborr në gjysma-ëndrrat, ose TK vetë (me kollajllëk të tepërt) fut pasazhe ku krimineli dora vetë (pa emër e pa tipare që ta tradhtojnë para lexuesit) tregon se çfarë është duke bërë apo si ndihe teksa kryen aktet e fëlliqura. Është pastaj edhe Kumtmadhi të cilit era (apo thashethemet) i sjellin lajme, një figurë kadareeske që në këtë roman mund edhe të mos ishte. Ai ka dy funksione: atë të një tjetri instrumenti zgjidhjeje Deus ex Machina, që na dëften ne lexuesve atë që autori me këmbët dhe marifetet -prej hetuesi kriminal të Di Himës dështon që ta bëjë; së dyti, shërben edhe si një simbol i thashethemnajës që përhapej pa rregull si era në Shqipërinë e kohës ku format e tjera të komunikimit dhe njoftimit publik ishin thuajse joekzistuese. Në këtë funksion të dytë dhe dytësor, ai ka një lloj vlere sepse na tregon si jetohej, dhe çfarë lloj historish përbënin ngjarje për kohën. Por në tërësinë e zbulimit të krimit, forca omnisapiente dhe omnipresente e autorit, është keqpërdorur.

Dua të shtoj edhe se Flama është një roman i tipit moralist. Dhe këtu i mëshoj rishtas faktit se, edhe për këtë arsye, s’ka fort rëndësi a ka pasur apo jo një flamë të tillë Tirana, dhe as nëse minjtë vërtet e kishin mbytur dhe minimizuar jetën e qytetit duke përhapur vdekje, në shkallën që rrëfehet në roman. Edhe në këtë rast, tema moralizuese e autorit vjen në formë legjende dhe jo-historike: një gjëmë ndodhi, e një babë la shtatzënë bijën e vet uloke, dhe si ndëshkim flama mbyti qytetin. Pa e vrarë në mënyrë sa më brutale e rrënjësore atë përbindësh, flama nuk ikën, qyteti nuk shpëton, e njerëzit do vazhdojnë të ndëshkohen. Di Hima luan kështu edhe rolin e një shëlbuesi, dhe obsesioni dhe mundimet e tij siç i jep autori, lidhen edhe me këtë barrë që shkrimtari i ka vënë mbi shpinë. Unë kështu e justifikoj disi hakmarrjen brutale fizike të Di Himës ndaj burrit që shkaktoi flamën, fëmijën e të cilit me të bijën, Di Hima e kish bërë tashmë bijë për shpirt. Pra është hakmarrja prej “shpëtimtari hyjnor” por edhe prej babai ndaj aktit çnjerëzor kryer ndaj së bijës (tashmë). Në një moment kur Rustem Marangozi nis punën me këngë në gojë dhe harrohet në të duke harruar edhe fëlliqësinë e natyrës së vet, duket sikur edhe forca morale mbi kryet e qytetit e fal për pak sekonda dhe bën të zhduken minjtë. Shkrimtari, nuk ka dyshim që dëshiron të marrë një rol moralizues, dhe pa dyshim shprehja e kësaj ideologjie konservatore në formën që ai ka zgjedhur është me vend. Vërtet, një shoqëri pa sens etik e pa dinjitet, herët a vonë korret nga vdekja që ajo e pjell vetë pa ndihmën e Zotit. Familja është për autorin zemra e linjës moralizuese të romanit. Prishja e saj është fatale, mëkati më i madh është shkelja e lidhjeve brenda saj. Vetëm më pas vjen porosia e dytë: “Mos vrit!”

Duke kaluar tani tek stili dhe gjuha e romanit, mendoj që romani, ndonëse i shkruar me kujdes dhe i redaktuar me vëmendje, ka dobësitë tipike të botimeve në Shqipëri. Dialekti tiranas (dhe dialekte të tjera përdorur më pak), ia rrisin vlerën tregimit. Por përdorimi i dialektit është jokonsistent. Personazhet herë flasin në dialekt e herë harrojnë. Gjithashtu, në faqe të ndryshme, e madje edhe brenda së njëjtës fjali, tiparet e dialektit lëvizin e përplasen (në të njëjtën fjali tiranase gjen: gru” dhe “punuar”). Në faqet 6, 7 dhe 8, për shembull, përdoren në dialektin tiranas në gojën e të njëjtit personazh fjalë si “tanët”, “kanë”, “bërë”, pastaj “pranej”, “notën”, “ondrra”, “kan”, pastaj “kon”, “jon” dhe “men” (këto të fundit, për “kanë”, “janë” dhe “mend”. Nuk do ndaloj këtu në shpjegimet gjuhësore të pasaktësive dialektore në disa prej këtyre përdorimeve, por duket qartë që përdorimet nuk janë konsistente.

Gjithashtu, siç thashë, autori i kushton rëndësi gjuhës, por jo rrallë shfaq karakteristika rishtari. Krahasimet me “si” janë të mbipërdorura, përshkrimet krahasuese shpesh të ekzagjeruara e pa vend. “Gruaja mori filxhanin dhe ia nguli sytë si shqiponja breshkës.” “…i vareshin gjinj të mëdhenj si kodrat që rrethonin qytetin.” Kujtoj për shembull, përshkrimin krahasues të Ali Cen Mëhallës në faqen 49 që s’i hyn në punë as lexuesit as autorit. Ndërkaq ai i së voglës në shtëpinë e kurbatkës në f. 21 është shumë më i mirë. Përdorimet e fjalëve me “-an” janë gjithashtu të tepruara në përdorim: “shkurtan”, “shkretan”, “vigan”, “katallan”, “mjeran”.

Dhe gjithashtu nuk e kuptoj përse ky volum është konsideruar roman. Në fakt është një novelë. Është novelë. Jo veç nga gjatësia, por edhe sepse karakteret sa ceken, kallëzohen e rrëfehen pa ndryshime të mëdha, janë ashtu si janë e kanë lindur për t’u rrëfyer si nëpër përralla. Ja kështu e ashtu kish ngelur i ve, kështu e ashtu ia punoi të marrit, kështu e ashtu e hodhi foshnjën në lumë. Dhe s’ka asgjë të keqe me këtë lloj rrëfimi. Gjithashtu mendoj se autori ndihet mirë me këtë formë të shprehjes së ideve të veta dhe fabulës. Si nga përmbajtja ashtu edhe nga thellësia e karaktereve, kjo prozë është novelë. Ku humbën novelat e pse askush nuk i do më?! Thua se romani është më i rëndësishëm e me vlerë! Ky roman është novelë. Dhe shumë mirë që është novelë.

Në fund dua të flas shkurtimisht për çmimet letrare në Shqipëri. Ndoshta romani Flama qe më i miri dhe meritonte të merrte çmimin Europian. Çdo çmim është relative e subjektiv, në fund të fundit. Por nuk është e shëndetshme mungesa e kritikës për letërsinë, atë me dhe pa çmime. Ndoshta, në Shqipëri, nuk ekziston më as në fusha të tjera; por artet dhe letërsia kanë nevojë për kritikë publike, se ndryshe nga shkencat janë krijuar për konsumim publik. Ku shkohet në këtë farë situate ku sapo gazetarët televizivë apo politikanët bëhen të njohur dalin me romane apo monografi shkencore që pastaj edhe marrin çmime?! Dhe nuk është se rrëfejnë jetën e vet! Në Shqipëri kjo është bërë normale. Jo të gjithë mund apo dinë të shkruajnë. Fama dhe miqësitë nuk mund të jenë bazë për prodhim shkrimtarësh e studiuesish.

Flama, të them të drejtën është më i mirë se shumë botime të fundit. Më vjen ndërmend këtu Amygdala Mandala (m’u desh ta kontrolloj emrin para se ta shkruaja këtu) e Loer Kumes. Është një vëllim për të vënë kujën, edhe ky me çmim letrar. Nuk kam lexuar gjë më joartistike, më pa interes e me stil banal. Arsyeja pse e lexova është se ishte nga i njëjti emër prej të cilit pata lexuar (e dëgjuar të recituar) poezinë “Reja” që më kish lënë mbresë. Thashë ta shoh në prozë, se atë poezi e kish qarë. Humbje e madhe. Si thotë në parathënien e vet të ekzaltuar për librin shkrimtari Preç Zogaj? Thotë se dikur Tolstoi vëzhgonte se duke shkruar përsoset stili, por se “në kohën tonë, autorët startojnë me një stil mjaft të përpunuar” – dhe këtu e kish fjalën për romanin e LK. Ndoshta edhe atë të TK. Por, në të dy rastet besoj problem më i madh i tyre është se pranohen për publikim për hir të emrit, pa ua kaluar punën në një rrjetë kritike të domosdoshme për të rritur cilësinë dhe për të ndihmuar shkrimtarin. Jo kushdo mund të shkruajë, dhe s’është aspak mëkat a dështim të mos jesh poet a prozator, apo të mos botosh e marrësh çmime. Ndërkaq mund të jesh shumë poeteshë e prozatore e mirë, dhe bëhesh edhe më e mirë nga kritika. Publiku, çdo publik, meriton punë letrare të krehura e gjykuara mirë. Do doja që kështu ta mendonin jo veç shkrimtarët, por edhe botuesit.

© 2022 Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autores.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin