DJERRINA E POEZISË SHQIPE

nga Erl Kodra

Çfarë shkruhet rëndom nga njerëz që mëtojnë të shkruajnë poezi, por që akoma mbeten vargëzues të zakonshëm fjalësh, shpesh herë pa kuptim, ose me kuptim të reduktuar – deri në naivitet?

Letërsia shqipe nuk ka ndonjë problem pse ka me shumicë njerëz që shkruajnë vjersha, tregime apo novela. As pse ka autorë të njohur dhe disa më shumë të njohur. Sot problemi i madh është se ata që shkruajnë paguajnë paratë dëng në dorë të botuesit – dhe fap – lind një yll i ri që nuk ndrin. Mund të jesh bërë i njohur në rrethana specifike, por jo domosdoshmërisht për arsye letrare, ashtu siç mund të njihesh vetëm pas vdekjes. Rasti i Martin Camajt e ilustron më së miri faktin se pavarësisht vlerave, ti injorohesh në të gjallë, për t’u vlerësuar vetëm kur ke ikur nga kjo botë.

Ngjashëm ka ndodhur edhe me autorë të tjerë – që janë mohuar për shkaqe jashtë letrare, duke vlerësuar disa të tjerë po për shkaqe jashtë letrare. Të mohuarit për shkaqe jashtë letrare janë emra të rëndë si At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli, Anton Pashku, Faik Konica, Martin Camaj, Bilal Xhaferi etj.

Emrat që morën vlerësime të pamerituara për shkaqe jashtë letrare gjenden me shumicë mes nesh, dhe ironikisht, një pjesë e tyre vazhdon të vlerësohet për inerci. Provat e kësaj letërsie shterpë në kufijtë e mediokritetet gjenden gjithandej në rrëpirën tonë letrare, aq sa të krijohet përshtypja se gjendesh në një peizazh të vdekur eksperimental, ku biologë të dështuar përpiqen të kultivojnë bimësi hibride përmes shartimit, që gjithsesi rezulton e pasuksesshme.

Sot, një ndër format e njohura të botimit është edhe publikimi në rrjet (rrjetet sociale) ose revistat letrare online. Të njëjtët autorë që nuk mbahen mend për asgjë speciale, vazhdojnë të publikojnë dhe të “vlerësohen” online për shkaqe jashtë letrare. Tradita e krijuar – domethënë tradita e vlerave pa vlerë – e kombinuar me lirinë që të jep rrjeti, lejon të krijohet peizazhi i rrejshëm i suksesit dhe rëndësisë së një autori, pavarësisht se ai nuk përmbush asnjë element origjinaliteti.

Për shembull: “Dy mollë në një degë/ Njera pjeshkë e tjetra shegë” është një përzierje e folkut metaforik, që ngjanë shumë me kulturën hip-hop. Shpesh nga poetë dhe poetesha hasim poezi të tilla, domethënë shumë afër këtyre vargjeve, vargje të cilat Faik Beu do t’i quante vargje me tytyty e tatata. Por kjo lloj vjershe qëndron shumë larg artit poetik, ose më mirë të thuhet se e thjeshtëzon poezinë deri në atë masë, sa e kthen në diçka jo serioze.

Por çudia e madhe është se jo rrallë herë këto rima marrin kaq shumë pëlqime dhe komente, shoqëruar me zemra dhe gift-te si reskpekte, je i/e madh/e, bravoo, super etj. Pastaj, adhuruesit e një arti kaq të thjeshtë marrin zemër. “Qenka shumë e thjeshtë. Edhe unë mund të shkruaj kështu” – dhe fap, të nesërmen kemi një poet/e të ri.

Le të mos harrojmë se edhe një poet i madh ka shkruar vargje të ngjashme rreth një dashurie të pafat, sa në përpjekje për të krijuar metaforën e madhe, ai rrëshqet në një banalitet grotesk:

“Tani kërkoj unë posht’ e lart
një vend ku ty të të lëshoj.
Një strofë a notë a një brilant
ku të të lë, të puth, të shkoj”
(I. Kadare, poezia Brilant)

Këto vargje mund t’i vendosësh edhe në kontekstin e një situate kriminale, ku autori ka vrarë të dashurën, dhe nën panik kërkon poshtë e lart të zhdukë gjurmët e krimit.. Edhe kjo është metaforë, sigurisht, por mjaft e dobët dhe groteske njëkohësisht.

Poezia është art shumë afër subkoshiencës, që qëndron diku mes ndërgjegjes dhe nëndërgjegjes, që vjen vetëm në gjendje specifike, kur dashuron, kur vuan, kur gëzon. Nëse në prozë autori edhe mund ta bëjë kompromisin – domethënë të shkruaj rreth gjërave të cilat mund të mos rrinë rehat në brendësinë e tij – në poezi ai kurrë nuk mund ta bëjë të njëjtën gjë.

Ka edhe njëlloj tjetër poezie, që mund të quhet poezia e thatë. Kjo lloj poezie është pa nerv, pa atmosferë, pa lëndën që e lidhë vargun, që nuk thotë asgjë të veçantë, ose edhe kur e thotë – ajo gjëja është kaq e ftohtë dhe pa ngjyrë – sa lexuesi mbetet krejt indiferent prej saj. Fjalët duket sikur janë vendosur pranë njëra tjetrës pa rezonancë dhe pa dëshirë. Dhe e bukura është se ky lloj vjershërimi vlerësohet herë si modernizëm filozofik, herë si stil bashkëkohor. Fjalë që gjuhësisht mund të qëndrojnë pranë njëra tjetrës, por që nuk ngjiten dot me njëra tjetrën. Kështu krijohet njëlloj bollguri që nuk shtyhet me asgjë.

Një poezi e mirë është si muzika e mirë – e para operon me fjalën dhe e dyta me tingullin. Por fjala dhe tingulli ngjasojnë në harmoni, ngjyrë dhe koncept. Ashtu siç muzika nuk e duron stonaturën, edhe poezia nuk i pranon fjalët e tepërta ose fjalët pavend. Poezia e mirë duhet të jetë si muzika e mirë – vetëm e përsosur. Është krim kulturor të shkruash poezi të keqe duke e shërbyer atë si “të mirë”. Si çdo art tjetër, edhe poezia është art serioz, kompleks dhe delikat.

Poezia ka hierarkinë e vlerave. Dhe vlerat nuk mund të interpretohen si “shije personale që nuk diskutohen”, Shijet edukohen dhe kultivohen me kohë, vite dhe dekada.

Po si mund të edukohen dhe kultivohen shijet?

Një ndër kulmet e artit që njerëzimi ka njohur është muzika klasike dhe klasicizmi. Mund të kalojnë edhe mijëvjeçarë të tjerë – por muzika e Beethoven-it, Mozart-it, Bach-ut, Wagner-it, Tchaikovsky-t, Chopin-it nuk do të vdesë. Përsosmëria e artit të tyre është si diamanti – në çdo notë dhe tingull ajo ka arritur lartësinë dhe thellësinë e universit. Vetëm Zoti mund të jetë sipër tyre. Ai që nuk ka dëgjuar ndonjëherë muzikë klasike e ka të pamundur ta pëlqejë atë. Nëse do të gjendet në një vend ku dëgjohet Wagner-i me siguri që ai do të reagojë i bezdisur, ose do të jetë krejt indiferent nga tingujt e mjeshtrit. Po ashtu, nëse atij njeriu do t’i lexosh një poezi të Eluard-it ose Prévert-it ai do të mbetet si dru, pa lëvizur. Krejt ndryshe ndodhë me njeriun që ka mësuar të lexojë letërsi të mirë që fëmijë, ose është edukuar me muzikë të zgjedhur. Veshët e tij janë mprehur për të përthithur tinguj të sofistikuar, njësoj siç është edukuar me fjalën e zgjedhur, frazeologjinë dhe lakonizmin plot sharm. Prandaj shijet edukohen dhe përsosen.Të shkruash për poezinë ngjanë sikur po rropatesh kot në një monopat me driza, ku lulet e bukura janë mbuluar nga ferrat. Dëshmitë që të dalin përpara nuk mund të përkufizohen si art poetik që mbetet. Në rastin më të mirë, djerrina e drizave është e thatë dhe e ftohtë. Por çuditërisht, poezia vazhdon të shkruhet dhe të publikohet masivisht, duke promovuar vargje dhe autorë që zor se do të mbeten në mendjen e lexuesit.

© 2022 Erl Kodra. Të gjitha të drejtat të rezervuara

Rreth Autorit

Erl Kodra është poet, shkrimtar dhe gazetar i pavarur. Ka publikuar një numër të madh artikuj dhe analiza politike në rrjedhë të viteve.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin