A MUND TË NA SHPËTOJË ARTI?

nga Irma C.

Kultura është ajo, që jo rrallë irriton, ajo që takon komiken dhe që nuk mund t’i përgjigjet pyetjes «mirë» apo «keq». Kultura nuk është pyetje: kjo lypet të jetë një dhuratë e domosdoshme e njeriut vetes së vet, ajo që mundëson një hapësirë për të menduar e reflektuar, mund të jetë busull dhe mund të asgjësojë.

Tek Aby Warburg lexojmë se vetëm nëpërmjet kulturës, njeriu është në gjendje t’i japë një drejtim tjetër agresioneve dhe përgjithësisht reflekseve të tij shkatërruese. Në momentin e takimit me muzikën, teatrin, pikturën, të shkruarit, sportin, apo kishën e të tjera, njeriut i mundësohet ndjekja e ritualeve të caktuara, të cilat i lejojnë që në mënyrë intensive të shprehë dhe të përjetojë emocionet e tij, duke mundësuar nga ana tjetër, të ndjerin e Tjetrit, vëzhgimin e qetë, thërritjet, apo të ngriturin mbi veten. E gjitha kjo bën që njeriu të mundet të vërejë, çfarë mund të rrezikojë pa reshtur dhe menjëherë bashkëjetesën njëri me tjetrin. Shkaktimi i të keqes së pariparueshme tek tjetri, mund të mënjanohet nëpërmjet kulturës, sipas Warburg: nëpërmjet kulturës njeriu jeton bashkërisht, plotësisht dhe mund dhe të rifitojë të humburën. Mangësia e ritualeve artificiale i jep jetës domosdoshmërisht ngjyra ligësie.

                                                                        * * *

            Sipas Edmond Husserl, mundësia e të përshkruarit të një fenomeni, na qenka aktiviteti, i cili çliron filozofin. Sepse edhe një shkrimtar shkruan, kështu na çlirohet dhe ai nëpërmjet këtij veprimi, pretendon Jean-Paul Sartre, i mahnitur nga ky mendim. Lidhjen ndërmjet të shkruarit dhe lirisë Sartre do ta vëzhgojë imtësisht në veprën e tij. Në romanin Neveria[1] fitohet çlirimi nëpërmjet artit, sepse ky i fundit i përshkruan gjërat siç janë, dhe u jep këtyre në të njëjtën kohë një domosdoshmëri të brendshme.[2] Gjërat nuk janë më të neveritshme dhe të paforma: ato marrin një kuptim.

Antoine Roquentin-it të përmbushur prej neverisë i lejohet një pushim i shkurtër ndërsa dëgjon këngën melankolike «Some of these days». Tingujt e pianos dhe zëri i ngrohtë i këngëtares bëjnë që bota e Roquentin-it të jetë për një çast në rregull: ai mundet t’i shmanget neverisë. Nga domosdoshmëria e kësaj kënge, dhe ekzistenca e Roquentin-it bëhet e domosdoshme[3]: në këtë moment, çdo gjë duket të ketë kuptim, asgjë nuk ndodhet në vendin e gabuar, përkundrazi duket e domosdoshme.

Sapo mbaron kënga, çakërdiset çdo gjë rreth Roquentin-it dhe ai i kthehet dhe një herë neverisë. Fakti që ndjeu këtë domosdoshmëri të artit, e sjell Roquentin-in në përfundimin se vetëm arti mund të jetë rrugëdalja, dhe vendos kështu të shkruajë një libër: ai do të shkruajë një histori, «siç nuk mund të ketë [një tjetër]». Nëpërmjet artit krijohet kështu për Roquentin-in mundësia e të kapërcyerit e kufijve të imanencës si condicio humana, në të cilën njeriu është i detyruar, dhe të arrijë kështu transhendencën, nëpërmjet së cilës vetëm mund të shpëtojë.

© 2022 Irma C. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1]Jean-Paul Sartre, La nausée, 1938 Gallimard, Paris, përkthyer në shqip nga Diana Çuli, Shtëpia botuese Fan Noli, 2014

[2]Sarah Bakewell, At the Existentialist Cafe: Freedom, Being and Apricot Cocktails, 2016, Chatto & Windus, UK

[3]Po aty

Rreth Autorit

Irma jeton si artiste e pavarur në Gjermani. Dedikimi i saj i përket kryesisht fotografisë dhe tekstit. Fotografia e Irmës hulumton vështirësinë e harresës përkundrejt kujtimeve joekzistuese. Ka studiuar Gjuhë të Huaja dhe Letërsi në Itali, si dhe pjesërisht Filozofi në Gjermani. Mbi shiun që derdhet mbi dritaren nën çati përgjatë një mbrëmjeje vere, nuk vë asgjë. I pëlqen të përtypë ndonjëherë një croissant aux amandes duke u endur tutje-tëhu nëpër Le Marais, apo të gëlltisë ekzistencën para një vinili me Goldberg Variationen të Bach-ut, që ndoshta nëpërmjet interpretimit të një Glenn Gould-i bëhet më e durueshme.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin