KUR DIELLI TË IKË

Kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin[1]

nga Ester Celami

“Le Ciel est mort.
Vers toi, j’accours! donne, ô matière,
L’oubli de l’Idéal cruel et du Péché”

Mallarmé

Le ta ndërmendim me Mallarménë se qielli ka vdekur. Njëlloj, Deleuze dhe Guattari e thonë qartë se nuk ka qiell për konceptet. Konceptet lindin vetëm mbasi t’i kemi kthyer shpinën qiellit, mbasi ta kemi tradhtuar kujtesën. Sepse sa herë që ka qiell, ka transhendencë, sa herë që ka kujtesë, ka subjekt melankolik për origjinën dhe sa herë rikthehet origjina statike, ka vertikalitet, ka fe, ka dhe ateizëm që s’resht s’u sekretuari prej vetë feve. Ndërsa plani i rrafshtë i mendimit abstrakt është e vetmja tokë absolute e theqafjes së idhujve.

Qielli është sidoqoftë përbërës i tokës. Është një epifani që banon planin e mendimit si tokë e posaçme e njeriut, prej nga rrjedhin opinionet në formën e një zbulese. Natyrisht, qielli është shtëpia e Subjektit-Diell. Por Artaud e thoshte edhe më ashpër se ne: subjekti është anusi i një miu të vdekur që rri pezull në tavanin e qiellit. Dieu est mort.

Le ta sqarojmë se figura e qiellit është ferment i procesit të sublimimit, projektim i jetës psikike të subjektit. Sublimimi në psikanalizë, si formë e realizimit të dëshirës së subjektit nëpërmjet represionit të saj origjinar, është procesi i simbolizimit që ngreh një formë anale të të dëshiruarit. Dëshira që orbiton e tëra në këtë dipolin qiell-anus, bëhet konsum i përgjithshëm dhe ekskretim. Sublimimi funksionon i tëri sipas analitetit. E paramendon dëshirën si një vrimë, një fundërri, një profanitet, një basifond dhe ngreh lartësinë qiellore ku dëshira pastrohet, kyretohet dhe bëhet fallokratike. Sublimimi është procesi i strukturimit psikik që përjashton anusin dhe ngreh fallusin. Personazhet libidinale që popullojnë këtë trekëndësh tokë-diell-qiell shpëtojnë nga anusi dhe pikërisht për këtë arsye zhyten tërësisht në m…. Prandaj nuk bën sens një artist që joshet nga figura e qiellit, edhe nëse alibia e tij është vetë pafajësia. Lëvizjet që instalojnë qiell kanë bërë historinë e robëtimit të shpirtrave. Ndërsa liria vjen nga banimi i shpirtit në sipërfaqen e vet.

Po pse ky merak ndaj frazave? Sepse meraku për frazat është fibra e filozofisë. Fraza për filozofinë është instanca ku rrënjoset intimiteti parakonceptual i njeriut me qenien, është shprehësja e një vëmendjeje intuitive ndaj Ideve që e orienton njeriun në botë. Prandaj ka rëndësi madhore që të kërkojmë shprehjet e duhura dhe të heqim dorë nga riciklimi i figurave të rreme, sepse te frazat që propozojmë luhet destini etik dhe estetik i ekzistencave tona.

Kur arti bëhet riciklim i ideologjive dhe tipave psikosocialë, ai mvishet me autoritetin e mendimit abstrakt dhe bëhet leva e preferuar e kapitalit për t’i luajtur një rreng mizor filozofisë: e hedh konceptin në treg duke e pajisur atë me imazh dhe e bën kësisoj të konsumueshëm. Por konceptet u kalojnë gjithnjë tangent të gjitha imazherive. Ndërsa imazhi ruan shumë transhendencë dhe sikurse e dëshmojmë qartë, flirton gjithnjë me qiejt. Prandaj nuk është rastësi që filozofia e mirëfilltë s’njeh kurrë sukses, ndërsa arti është bërë industria më e suksesshme e kënaqjes. Transhendenca ka fituar ndaj imanencës, garancia e kapitalit ka fituar ndaj guximit për të krijuar.

Nuk mund ta kuptojmë që me vështrim të parë pse është kaq e rrezikshme imanenca, por në fakt kështu është. Ajo gëlltit të urtët dhe zotat.”[2]

Kur matematikanët e braktisën qiellin si strehën e privilegjuar të objekteve abstrakte, ata zbuluan sipërfaqen. Kur Gaussi e çliroi gjeometrinë nga përmasa vertikale dhe e trajtoi pikën si një sipërfaqe me të drejta të plota, nuk skiconte më qiej mbi plan por merrej vetëm me relievin e planit. Duke ndryshuar postulatin e pestë të gjeometrisë euklidiane, sipas të cilit nëpër një pikë jashtë një vije, kalon një dhe vetëm një drejtëz paralele me vijën, Gaussi e çliroi pikën nga diktati i gjeo-metrikës dhe e lejoi atë që të bëjë diferencën: tashmë nëpër pikë nuk kalon asnjë ose një pafundësi drejtëzash paralele me drejtëzën e dhënë. Nëse në gjeometrinë euklidiane pika është një negativ i hapësirës, pra një zonë ku hapësira afrohet infinitesimalisht drejt zhdukjes, gjeometria diferenciale e Gaussit i jep pikës dinjitet ontologjik duke ia njohur karakterin hapësinor prolifik dhe erratik. Kësisoj pika bëhet origjina dinamike e anarkisë në plan, prej nga burojnë gjeometri nga më të pagjasshmet. Nga boshi i pikës buron hapësirë me bollëk. Big bangu është një teori e tillë e origjinës pikëlore të universit: pika zero si origjina me dendësi të pafundme që ildis pëlhurën e rrafshtë të hapësirës kozmike. Kozmogonia si një endje (ëndje) e shpërmasuar, i përafrohet shumë imagjinarit kozmik të fëmijës Jack te kënga angleze: “Jack did dream of very odd things…of a world completely unwoven…he stitched it up and a hero Jack was…”. Jacku ëndërron për botë të shthurura, të rriturit vrapojnë t’ia arnojnë ato, të ngrehin qiej ku ta strehojnë. Ndërsa artisti, sikurse matematikani, filozofi apo fëmija, si personazhe të të menduarit intensiv, nuk janë kurrsesi ata që i bëjnë thirrje qiellit, por ata që bëjnë vrima në qiell, ata që e zbresin qiellin në tokë.

Ky shkrim mëton të ndjekë plasaritjet brenda frazës së artistit dhe të ndërtojë me to një antikonstelacion filozofik.

Për shembull, togfjalshi “Kur dielli të ikë…” mund të na ndërmendë jo thjesht perëndimin e diellit, por perëndimin e perëndimeve. Në esenë “Si l’on peut penser sans corps?”, te “L’inhumain”[3], J. F. Lyotard e peshoi pasojën e vdekjes së diellit direkt mbi mendimin. Sipas tij, vdekja e diellit mbas disa bilionë vitesh, ngjarje e parashikuar nga kozmologjia moderne, duhet kuptuar si vdekja e transhendentalit të mendimit, si zhdukja e diferencës së jetëvdekjes, e për pasojë edhe e mendimit, i cili vjen në ekzistencë si mishërim i mundësisë së kësaj diference. Vdekja si motori dialektik i metafizikës perëndimore është menduar si prerogativë e njeriut, si fati specifik i tij. Vetëm njeriu vdes në këtë metafizikë sepse vetëm ai është forma singulare e jetës që e ngre vdekjen në objekt mendimi. Ndërsa zhbërja iminente e ngjarjes së mendimit, vdekja e vdekjes e cila përkon me zhdukjen e diellit, i jep një tronditje tektonike kësaj metafizike.

Sa kohë ka diell, ka jetëvdekje dhe ekzistenca e njeriut vijon potencialisht në pafundësi si hallkim kronologjik i fundësisë njerëzore. Po mbas ndalimit të orës diellore, mbas ndoca biliona vitesh? Lyotard druhet se horizonti i ngjarjes së mendimit është pikërisht horizonti diellor. Mesa duket, me vdekjen e diellit mendimi zbulon vdekshmërinë e vet…. Për Lyotardin nuk mund të ketë biografi të mendimit mbas vdekjes së Subjektit-Diell. A thua se mendimi filozofik është formësuar nën garancinë se do të ketë gjithnjë diell. A thua se mendimi filozofik është themeluar nën garancinë e funksionimit in perpetuo të trurit. Për filozofinë ka qenë gjithnjë e qartë se dielli mund edhe të mos lindë nesër. Po ashtu, prania e trurit s’ka garantuar asnjëherë asgjë për lindjen e mendimit. Por (ah, por, kjo pjesëz që kondenson fuqinë absolute të mendimit filozofik), kjo s’e ka penguar aspak filozofinë. Dielli është kushti i trurit, por sikurse prania e trurit s’garanton asgjë për ushtrimin e mendimit, as vdekja e Diellit apo edhe e mbarë Universit s’garanton asgjë për zhdukjen e mendimit si virtyt ontologjik.

Sidoqoftë, plaga që merr cogito është e pashmangshme: subjekti bëhet hemorragjik për shkak të vdekjes iminente të diellit. Gjithçka ka vdekur tashmë, thotë Lyotard, në qoftë se dielli vdes. Fakti që e dimë se dielli do të vdesë, do të thotë se ai ka vdekur tashmë. Bëhet fjalë për një vdekje që e përjetojmë si formë paraardhjeje të kohës. Vdekja e diellit ka ndodhur tashmë. Atëherë mendimi përballet me traumën sizmike të çdo filozofie: zhdukjen e transhendentalit nën forcën korrozive të boshit. Mendimi e mbartka shenjën e zhdukjes së jetëvdekjes që prej fillimit: vdekja e diellit qenka trauma aborigjinale që mendimi kur ngjizet e lë të pamenduar. Mendimi është i rrethuar nga horizonti i ngjarjes së vet. Ky horizont qenka i fundëm. Vdes siç vdes gjithçka, madje edhe vdekja. Forca rrafshuese dhe barasvlerëse e zhdukjes, e hiçësimit, përfshin gjithçka. Madje, kozmologjia moderne parashikon ngjarje shumë më të kobshme se vdekja e diellit. Parashikon vdekjen e vetë universit. Thanatropizëm kozmik. Pra, vdekja, ose më mirë (meqë edhe vdekja zhduket), boshatisja, zbrazja, qenka thelbësisht aftësi universi, fat universal, mbasi boshi qenka hija që e shoqëron ekzistencën e gjithçkaje që prej fillimit të saj. Në këtë pikë, vdekja e programuar e universit i përngjan tmerrësisht apoptozës qelizore si mekanizmi biologjik nëpërmjet të cilit qeliza vjen në ekzistencë pasi ka përbrendësuar metodën e saktë të fundit të vet. Prandaj kozmologjia moderne është njëlloj kozmobiologjie. Qielli po vrapon drejt zhdukjes së tij me të njëjtën siguri e saktësi me të cilën rruaza e kuqe e gjakut përgatitet të jetojë vetëm 120 ditë. Kjo apoptozë kozmike mbase mundet të na ngushëllojë, se në fund të fundit njeriu vdiska i shoqëruar nga një marsh funebër i tërë universit që përshpejton drejt zhdukjes së vet. Në fund të fundit, vdekja nuk duhet marrë personalisht. Vetë energjia e errët kozmike, mbasi thërrmon jo vetëm trupat kozmikë, por edhe gërshetimet kuantike grimcë-antigrimcë, pra mbasi shfaros edhe pluhurin kuantik, vetë kjo energji me gjasë zhduket duke lënë pas vetëm hiçin. Dhe në këtë kozmologji pa eskatologji, paradoksalisht, vetë ligjet e fizikës “vdesin”. Dihet se inkonsistencat e ligjeve fizike fillojnë që te vrimat e zeza ku ekuacionet e relativitetit s’funksionojnë më sepse graviteti nuk shpjegohet dot më gjeometrikisht. Por kjo inkonsistencë rëndohet kur me fundin e vetë universit, përfundon legjitimiteti i vetë ligjeve fizike të cilat janë konservatore në natyrë (ligjet e ruajtjes). Shkenca përballet me detyrën për t’i lejuar legjitimitet vetëm lokal ligjeve fizike globale. Të menduarit e qenies vetëm në kuadrin e ligjeve nuk mjaftoka.

Inkonsistenca e vetë ligjeve që postulon shkenca prej mungesës së auto-referencës së sistemeve të saj formale është provuar thuajse një shekull më parë nga Gödel. Atëbotë Gödel zbuloi po ashtu ngjashmërinë midis estetikës transhendentale të Kantit dhe relativitetit të përgjithshëm të Ajnshtajnit. Sipas tij, të dy e relativizojnë dimensionin e kohës, e shohin si realitet të derivuar, dytësor, e zhveshin nga roli fizik dhe e degdisin në një iluzion metafizik. Mbasi filozofi dhe shkencëtari e kanë përzënë kohën absolute nga universi fizik, koha mbetet thelbësisht e lidhur me mendjen si sensi i brendisë, dhe të dyja bashkë mbeten të përjashtuara nga kozmologjia moderne. Në metrikën qiellore të Minkowskit, sigurisht nuk ka vend për çastësinë absolute, për Kohën e tanishme. E tanishmja është e pamendueshme në fizikë sepse ajo është fuqi e Kohës absolute, ndërsa kjo e fundit është përzënë që prej aty.  Por, ajo që fitohet mbas përjashtimit të kohës dhe mendjes nga realiteti themelor i kozmosit është zbulimi se këto të fundit nuk bashkëndajnë me të fatin e zbrazjes. Ndodh një rikthim i përforcuar i mendjes si fuqi e Kohës së zbrazur nga kozmosi: jo se koha është vetëm iluzion i mendjes, por se te mendja përkryhet shpalosja e realitetit absolut të Kohës, e absolutit që Koha është.

Në një përmbysje të mirëfilltë kopernikane të Kantit, Einsteinit dhe Gödelit, do të themi se nuk është mendja ajo që e sekreton kohën si një iluzion të domosdoshëm, por është Koha që e ngjiz mendjen si përgjigje të një problemi ontologjik. Është mendja si formë brendie që orbiton rreth Kohës si struktura dinamike që e ngjiz atë, si referenti i saj ontologjik imanent. Pra mendja është thelbësisht problem i Kohës. Madje, mendja është Koha që shpalos vetveten si struktura e auto-referencës, si fuqia e vetëreflektimit të qenies. Po, koha e universit mund të zhduket, por vetë Koha e kulluar si parim dialektik i individuimit ontologjik nuk ka as fund e as fillim sepse ka konsistencë në vetvete. Ndërsa mendja njerëzore është pikërisht një kristalizim i kësaj lëvizjeje ideale për konsistencë, prandaj dhe gëzon formën e vet të “pavdekësisë”.

Vetëm filozofia mundet t’i japë konsistencë pafundësisë absolute të mendimit sepse vetëm koncepti është autoreferencë me shpejtësi të pafundme, si qenia. Kohësia e posaçme e konceptit është ajo e çastit absolut, jo ajo e dritës prej së cilës kufizohet edhe vetë truri. Dikujt mund t’i tingëllojnë si dokrra: të flasësh për shpejtësi të pafundme kur kozmosi e ka një censurë të qartë ndaj shpejtësisë: atë të dritës. Mirëpo studimi i energjisë së errët kozmike tregon se shpejtësia e kësaj energjie e tejkalon shumë atë të dritës, e madje është duke u përshpejtuar në mënyrë konstante. Prandaj karakteri i këtyre censurave është vetëm relativ. Vetë kozmosi i thyen rregullat e veta. Rregullat janë bërë për t’u thyer dhe kanë vlefshmëri vetëm të përkohshme. Duket se aksiomatika kozmike tejkalohet kudo nga problematika ontologjike. Duket se kaosi futet kudo nëpër poret e kozmosit. Prandaj dhe shpejtësia e pafundme e konceptit nuk ka pse të habisë askënd dhe as të kalojë si një tekë e filozofisë. Ajo është thelbësisht aftësi qenieje.

Vetë shkenca kur intensifikohet, përballet me këto aritmi, atëherë kur i resht përpjekjet për t’i normalizuar pafundësitë.

Le t’i përfytyrojmë vrimat e zeza si grisje të pëlhurës qiellore, si mbartëset e peshës absolute të Kohës së kulluar. Aty shfaqet trashësia e plotë e çastit që shtriqet deri në absurd: aty koha nuk rrjedh më sepse koha bëhet prani. Ndërsa për hapësirë gjeometrike s’ka kuptim të flasim sepse te vrimat e zeza hapësinorizimi është vetëm në syth.

Prandaj mendojmë se vrimat përbëjnë laboratorë interesantë për përfytyrimin, bash sepse e tradhtojnë gjeometrinë e vazhduar të qiellit.

Meqë vrima e zezë është siti ku hapësirë-koha përthyhet në pafundësi, shkencëtarët mendojnë se prej saj mund të “përfytyrohen” topologji nga më të çmendurat, nga më të pamundurat, struktura hapësinoro-kohësore që s’ngjajnë aspak me ato të universit tonë, por që qarkullojnë si informacion mes vrimës së zezë dhe simulakrave të veta. Veçse nocioni i informacionit në këtë skenar hipotetik, s’ka qenë ndonjëherë më i ngjashëm me ëndrrën. Antikonstelacioni i vrimave të zeza kozmike duket sikur përbën një topologji të hapësirës onirike të qenies.

Sipas ekuacioneve të kozmologjisë moderne dhe një teknike të huazuar nga teoria e fijeve dhe e holografisë, entropia e rrezatimit të vrimave të zeza (Renyi entropy) mund të llogaritet nëpërmjet rregullit të ishullit (Island Rule), që është siti brenda vrimave: singulariteti. Singularitetet e vrimave të zeza duke qenë se përkufizohen vetëm në formë relacionale, në fqinjësi me një tjetër singularitet, mendohen të lidhura në formë labirintike mes tyre, nëpërmjet tuneleve të krimbit (wormholes). Çdo vrimë e zezë përfytyrohet e lidhur me disa simulakra të vetat, vrima të tjera qiellore si projeksione holografike të cilat përmbajnë informacion për njëra-tjetrën, duke qenë se mendohen të ngatërruara kuantikisht mes tyre. Atëherë entropia e rrezatimit të vrimës së zezë përllogaritet si integrali i udhëve të shumta gravitacionale që projekton, imagjinon apo ëndërron vrima. Ndodhemi përballë një dramaturgjie gati metafizike: graviteti nuk shpjegohet më gjeometrikisht, por rezulton si një forcë emergjente, e përftuar në rrugë dinamike nëpërmjet entropisë së brendshme të vrimës e cila është funksion i mbivendosjes së topologjive të shumta të hapësirë-kohës. Kjo entropi e brendshme ose negentropi përbën fuqinë e vrimës për të procesuar informacion, infodinamikën e saj, një thuajse-cerebralitet. Kështu, integrali i udhëve gravitacionale (nën shembullin e integralit të Feynmanit në mekanikën kuantike), pra integrali që përllogarit shumësinë e këtyre topologjive virtuale, na jep gravitetin entropik. Kjo origjinë gati onirike e gjeometrisë së kozmosit, shpie te aksi i kohës së kulluar, e cila në këtë skenar hipotetik, nuk paraqitet më si dimensioni i katërt i hapësirës qiellore, por si parametruesja e divenirit të gjeometrive universale. Vrimat e zeza qenkan si kratere ku Koha e kulluar ëndërron format. Principi i individuimit topologjik të universit qenka Koha si informalitet (shformësí) absolut dhe njëherësh si fuqi cerebraliteti (neg-entropie). Mbase pikërisht Koha si cerebralitet e realizon ngatërrimin kuantik të entropisë gravitacionale me gravitetin entropik (ligjësia e relativitetit të përgjithshëm) duke vepruar kësisoj si gjeneruesja e thurimës së mikrokozmosit me makrokozmosin, si aksi i rezonancës se realitetit material me atë mendor.

Koha i bën bashkë këto dy vetmi: vetminë e mendimit në tokë, vetminë e vrimës në qiell.

Le të rikthehemi strategjikisht te qielli si problem i rremë për të çuar përpara një arkeologji të përfytyrimeve të vërteta.

A mund të ngjyroset më qielli kur arsyeja njerëzore të reshtë së ekzistuari? Penelata supreme është ajo e arsyes. Po pas saj? Lautmani e shpjegon raportin e Ideve dialektike me teoritë matematike nëpërmjet strukturës dinamike të transhendencës ontologjike hajdegeriane. Për Heideggerin, transhendenca është kahu i lëvizjes ontologjike të çdo enti teksa ky tejkalon vetveten dhe është njëherësh referenti fundor imanent i çdo enti, kushti i transformimit të tij. Kjo lëvizje karakterizon raportin e teorive matematikore me Idetë dialektike. Pra, transhendenca nuk nënkupton më një qenie që e tejkalon botën dhe e qeveris atë nga jashtë, por një akt që e banon botën së brendshmi, e themelon dhe e çthemelon njëherësh. Ky akt Daseini i atribuohej fillimisht njeriut. Por te Heideggeri i vonë, Daseini shkon përtej strukturës së ekzistencës njerëzore dhe bëhet impersonal, strukturë anonime, Kohë e kulluar. Transhendenca shenjon pikërisht strukturën dinamike të kohësisë së Daseinit. Nëse Daseini resht së qeni njeriu dhe bëhet vetë Koha si realiteti i Ideve, atëherë themi se bota e Ideve nuk zhduket me zhdukjen e mendimit cerebral. Penelata e arsyes do të vazhdojë ta përbëjë qenien si aftësi qenieje, si vektor i një lëvizjeje dialektike anonime që është vetë Koha.

Filozofi pikturon me koncepte, piktori arsyeton me ndijime ngjyrash, shkencëtari sheh te frekuenca arsyen e mjaftueshme të ngjyrës. Një refren ekzistencial i mbështjell gjestet e secilit: Daseini i Kohës.

Daseini është dramaturgji e ekzistencës, shoshë ekzistenciale ku filtrohen diferencat.

Plani i imanencës së mendimit kalon nëpër pikën zero të çastit absolut: Now-here, Nowhere. Te ky çast absolut si pikë koincidence, pikë e përkimit të Ideve ontologjike, mendimi është mëkëmbësi i një dinjiteti të posaçëm të qenies së njeriut. Mendimi e mëkëmb njeriun si intensitet të kohës së kulluar. Mendimi është sinteza e pamundur, e megjithatë reale, e kohësive antitetike të fundit dhe të pafundësisë, formë absolute që përsërit Kohën e pafundme si kushtin e risive ontologjike, por po ashtu edhe kushtin e shfronëzimit të çdo subjekti autoritar, të çdo uni, qoftë mikroskopik a kozmik, individual a kolektiv. Mendimi shpalos një histori të Kohës, ndërsa Koha sjell pabarazitë, asimetritë tona në raport me faktin gjithnjë rastësor të ekzistencave tona. Kjo Kohë nuk vdes por është kushti i vdekshmërisë.

Vdekja e diellit është ngjarje metafizike dhe estetike përpara se të jetë parashikim i shkencës. Po çfarë vajtojmë vërtet te vdekja e diellit? Natyrisht që vdekjen e cogitos. Pyetja mund të transformohet: kur të vdesë dielli, kush do ta bëjë cogiton? Mendimi i mbijeton vdekjes së subjektit të cogitos, sepse ai është thelbësisht virtyt i qenies, ai është fuqia absolute e Kohës boshe. Te mendimi, cogiton e bën Koha si fuqi anonime e qenies, ndërsa njeriu është thjesht figurë e (për)kohshme e mendimit.

Nëse shfaqja e trurit është përgjigjja e një Ideje si problem ontologjik, me zhdukjen e përgjigjes a mos duhet menduar se zhduket edhe problemi? Çdo dukje dhe zhdukje është gjithnjë dukje-zhdukje e përgjigjeve. Problemet janë të pakohshme në sensin që nuk janë në kohë por janë vetë Koha, fuqia e saj shprehëse. Prandaj qenia e tyre është gjithkund-askund dhe askurrë-gjithnjë. Prandaj themi se problemet janë për natyrë imune ndaj forcës së zhdukjes. Madje madje, kjo forcë e zhdukjes së zgjidhjeve është vetë qenia e problemit. Forca e mendimit filozofik është se ai përmbys raportin mes përgjigjeve dhe pyetjeve dhe i përgjigjet përgjigjes me pyetje, si për t’i thënë se ekzistenca e saj nuk e shteron dot qenien e pyetjes. Streha e filozofisë është tepria e problemit. Do të teprojë gjithnjë një problem si lëndë potenciale filozofemash. Prandaj edhe kur të ketë vdekur truri, qenia e Kohës do të vijojë të ekzistojë si idealitet problematik. Mendimi njerëzor nuk është i vetmi që shtron problemet e qenies. Qenia vetë e mbart problemin e mendimit. Mendimi është virtyt ontologjik.

Filozofia lind kur mendimi njerëzor vendoset transversal me rendin e gjërave, kur mendimi zbulon vijën abstrakte të qenies, kur mendimi nga cerebral bëhet ontologjik. Arti po ashtu ka kohë që e ka zbuluar diagonalen: vija abstrakte e Kleesë. Edhe matematika e Lautmanit e përfytyron qenien si lëvizjen tangente me të gjitha teoremat. Pra, mendimi merr pjesë te qenia dialektike duke e patur atë si referent imanent strukturor, një referent që është edhe imanent, edhe transhendent, pra edhe merr pjesë me të drejta të plota te ideja e qenies, edhe nuk e shteron dot atë qenie nëpërmjet koncepteve. Sepse lëvizja ideale e qenies është e tillë, e pashterueshme. Nëse fundi i kozmosit vjen si pasojë e ligjeve të tij dhe këto ligje marrin fund me vetë kozmosin, atëherë qenia nuk merr fund me fundin e kozmosit, sepse qenia e fundit nuk është fundi i qenies. Këtë e dimë me Cantorin. Cantori është ai që artikulon fundësinë me pafundësinë në teorinë moderne të bashkësive dhe e pajis nocionin matematik të limitit me fuqinë gjeneruese të pafundësisë së radhës. Kalimi nga alefi 1 te alefi 2 e kështu me radhë fut një hierarki të saktë mes pafundësive. Nocioni i transfinitit është absolut dhe është ai që e bën pafundësinë ontologjike lëvizje dinamike të përsëritjes së diferencave ideale. Kështu e rrethon qenia e mendimit njeriun, njëlloj sikurse numrat irracionalë i rrethojnë numrat natyrorë, njëlloj sikurse pafundësia e mbështjell një tjetër pafundësi në transfinit. Pra e vërteta e fundit nuk përkon me fundin e së vërtetës. Dhe sa kohë që mendojmë, ekzistojmë si të pakohshëm.

Prandaj transhendenca duhet lënë bosh dhe nuk duhet absolutisht të mbushet. Ky është imperativi absolut i mendimit. Jo të pyesim për qiellin, po për Kohën e boshatisur nga transhendenca. Jo për njëshin por për zeron. Ekzistenca inaugurale e zeros në teorinë e numrave e çkushteton njëshin si kategori ontologjike. Vërtet moderniteti i zeros e shfronëzon klasicizmin e njëshit. Prandaj edhe Frege e rikonceptualizon numrin si fuqi të diferencës dhe jo të identitetit. Njëlloj sikurse koncepti i zeros e çthemelon identitetin si parim ontologjik dhe epistemik, ashtu edhe lëvizja universale e zerimit nuk duhet kuptuar si një barasvlerës i përgjithshëm i qenësorëve por si imperativi për të bërë diferencën që rëndon te secili prej tyre. Zero është fuqia e imanencës por njëherësh edhe transhendenca e kulluar: bashkësia boshe, qielli i përmbysur platonian.

Kur të zhduket kushti i ekzistencës faktike të cerebralit njerëzor, a do të marrë fund edhe ideja e njeriut? Nëse fati i gjithçkaje është zhdukja, pse vazhdojmë të luajmë në teatrin mizor të dukjes? A do ta përzgjedhë Koha si kthimi i “përjetshëm” niçean diferencën e bërë prej njeriut? Nëse qenia është shosha e ekzistencave, a do t’ia mbërrijë njeriu të filtrohet me format që kanë dinjitet ontologjik? A do ta bëjë dot njeriu në kohë diferencën nga vetja? A do t’i tradhtojë qiejt e transhendencës që ia garantojnë dobësinë e tij për t’u subjektivuar në mendim, apo do ta gjejë forcën për të qenë diell i vetvetes, lëvizje drejtvizore e mendimit që mbush pafundësinë në çastin zero?

Mbase do të zhdukemi përpara se të kemi mëkëmbur një Ide të njerëzimit që rri në vetvete pa u garantuar nga asnjë qiell providencial. E drejta e njeriut për të qenë është çështje sineidosi, çështje e sintezës së Idesë së drejtësisë te forma njeri, që sekretohet kur njeriu jeton intimitetin e tij me Idetë. Të ngjizim një Ide të njeriut që nuk prehet në kohë por që e bën Kohën të shprehet. Çdo ikje tjetër do të jetë e parakohshme. Nëse ikim të ngopur me Idenë e drejtësisë ndaj qenies së njeriut, një Ide që s’vjen si epifani qiellore por është autoreferenciale, e vetë-ndërtuar, nuk do të zhdukemi dot sepse do të kemi zotëruar artin e dukjes në Kohë.

Po, vdekja e diellit është vdekje e trurit sepse truri është ekologji diellore, e madje kozmike. Ndërsa mendimi ontologjik vetëm sa fillon me zhdukjen e jetëvdekjeve. Fundi i sferës diellore hap lëvizjen e pafundme të abstraktes në mendim. Requiemin e diellit mendimi e ka kompozuar që me lindjen e filozofisë. Filozofia është “dielli” i zi që ndriçon të padukshmen dhe synon përkryerjen e Idesë nën horizontin e fundeve që parasheh fizika. Bufi i Minervës i hap krahët vetëm në muzg (Hegel), mbas perëndimit të diellit dhe idhujve të tij. Çdo riprojektim i qiejve e prish zinë e mendimit. Mendimi duhet të jetë i pangushëlluar. Njeriut duhet t’i ushqehet një empati ndaj Ideve. Vetëm në planin e Ideve i duhet bërë thirrje njeriut, ajo është toka e tij. Ai është aktiviteti posaçërisht njerëzor.

Çfarë pretendon kjo formë intensive e të menduarit? Të zhgjetojë rrufeshëm mbërjen më infitesimale të njeriut, të shoqërojë dhe të nxisë shndërrimet e tij, ta bëjë ekzistencën e njeriut që të qëndrojë më vete në kohë. Ta mëkëmbë atë. Vetëm Koha e ka fuqinë ta mëkëmbë njeriun dhe mendimi është mjeti i kapjes së rezonancave ontologjike, i krijimit të refreneve të reja ekzistenciale mes njeriut dhe qenies.

Kur “… njerëzit nuk pushojnë së fabrikuari tendën nën të cilën strehohen, në pjesën e brendshme të së cilës ata vizatojnë sferën qiellore dhe shkruajnë marrëveshjet e opinionet e tyre; … poeti, artisti, kryen një çarje në ombrellë, madje e gris të vërtetën e qiellit për të lënë pak rrymë kaosi të lirë…”[4].

Pyetja atëherë është: pse gjithnjë e më shumë artistët i arnojnë çarjet e qiellit me klishe psiko-sociale? Shkenca ka që prej thuajse një shekulli që përfytyron vrima në qiell. Klee e pati zbuluar pafundësinë e lëvizjes së vijës abstrakte të artit. Për të imperativi i artit është Baraz Pafundësi.

Kopertina: Photo by Elizabeth Lewis on Unsplash

© 2022 Ester Celami. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Kjo është fraza e instaluar nga artisti P. Halilaj në taracën e Hotel Grand, në Prishtinë, në suazën e pjesëmarrjes së tij në Mannifesta Biennal, event artistik që po mbahet në qytet që prej muajit Korrik 2022.

[2] Deleuze, G., Guattari, F., “Ç’është filozofia?”, bot. Zenit

[3] Lyotard, J.F., “L’Inhumain”, bot. Galilee

[4] Deleuze, G., Guattari, F., “Ç’është filozofia?”, bot. Zenit

About the Author

Ester Celami ka vijuar studimet universitare (licénce/master) për Filozofi, në Paris 8, Université de Vincennes- Saint Denis, Paris, Francë dhe aktualisht po zhvillon studimet doktorale në filozofi pranë Europa-Universität Viadrina Frankfurt (Oder), Gjermani.

Author Archive Page