INTERNETI, E VËRTETA DHE ELITAT

(Po sjell më poshtë të përkthyer, me shkurtime, një fragment nga artikulli Free Speech on the Internet: The Crisis of Epistemic Authority, nga Brian Leiter, i botuar në revistën Daedalus. Më duket me rëndësi dallimi që autori bën mes autoritetit epistemik dhe autoritetit meta-epistemik, që merr relevancë edhe më të madhe në realitetin shqiptar, në kontekstin e çfarë kam quajtur, gjetiu, “krizë e autoritetit”. Një pjesë e madhe e mass mediave shqip, përfshi edhe ato online dhe portalet e ndryshme, janë angazhuar në një përpjekje sistematike për të minuar veçanërisht autoritetin epistemik dhe meta-epistemik, si fazë e parë drejt vendosjes të kontrollit ndaj mendjeve të pambrojtura. Ndryshe nga SHBA dhe vende të tjera perëndimore, prej të cilave kemi huazuar kornizimin rregullator ligjor të fjalës së lirë në publik, shoqëria shqiptare i ka shumë të brishta institucionet meta-epistemike. Shtyrja e tyre drejt irrelevancës dhe rrëzimi i tyre do ta degradonte shoqërinë shqiptare dhe veçanërisht brezin e ri në RAJÁ të Europës dhe të botës së zhvilluar, duke i përjashtuar radikalisht nga dija dhe teknologjia. Çfarë është edhe më keq, institucionet tona meta-epistemike, si Akademia e Shkencave dhe Universiteti, ose përpiqen ta injorojnë krejt këtë rrezik që u kanoset atyre dhe shoqërisë shqiptare, ose nuk kanë fuqinë e duhur që t’i kundërvihen; edhe pse shoqëria pret prej tyre që ta përligjin rolin e tyre në mbrojtje të dijes dhe të shëndetit epistemologjik dita-ditës, me seriozitet dhe përkushtim. Lexuesin e ftoj që t’i referohet artikullit të plotë; përkthimi im më poshtë nuk mjafton përveçse si antipastë. Nga ana tjetër, edhe pse mendoj që autori ngre çështje me interes vendimtar për statusin e dijes dhe së vërtetës në një shoqëri të dominuar nga mediat sociale, unë nuk jam dakord me disa prej premisave të tij dhe as me disa prej përfundimeve që nxjerr – sa kohë që besoj se në vendet perëndimore, prej kohësh, autoritetet meta-epistemike shpesh janë rreshtuar me korporatat dhe grupet e tjera të mëdha të interesit, sa herë që situatat i janë afruar krizës, duke i lënë interesat e publikut të gjerë në plan të dytë; dhe se humbja e besimit, nga masat, tek autoritetet edhe epistemike, edhe meta-epistemike, lidhet me gjëra dhe skandale reale, po aq sa ç’lidhet me teori komploti dhe fantazi të konspiracistëve. A.V.)

Çdo shoqëri ka mekanizma për t’ua ngulitur në mendje qytetarëve të vet besimet rreth botës, rreth çfarë është me gjasë e vërtetë dhe e ditur. Këto mekanizma epistemologjikë përfshijnë, në radhë të parë, mass mediat, sistemin arsimor dhe gjykatat. Ndonjëherë këta mekanizma socialë ngulitin besime të vërteta, ndonjëherë besime të rreme, dhe më shpesh një përzierje të këtyre. Çfarë shumica dërmuese beson si të vërtetë rreth botës (ndonjëherë edhe kur kjo nuk është kështu) ka rëndësi kritike për paqen sociale dhe stabilitetin politik, pavarësisht nëse shoqëria është apo jo demokratike. Në vende kapitaliste të zhvilluara, që janë relativisht të lira nga shtypja politike – si SHBA – këta mekanizma socialë kanë vepruar, deri vonë, në mënyra të parashikueshme. Ata kanë siguruar që shumica e njerëzve të pranojnë legjitimitetin e sistemit të tyre socio-ekonomik, të njohin hierarkinë ekonomike ku e kanë gjetur veten, të pranojnë rezultatet zyrtare të zgjedhjeve dhe që gjithashtu të zhvillojnë një numër besimesh të vërteta për strukturën shkakësore të botës natyrore, rregullsitë e zbuluara nga fizika, kimia, shkencat mjekësore, e kështu me radhë.

Teksa elitat sunduese, në rrjedhë të historisë, gjithnjë kanë synuar të ngulitin besime morale dhe politike në popullsitë përkatëse, të tilla që të garantojnë vazhdimin e sundimit të tyre, ka ndodhur poaq, sidomos në botën pas revolucionit shkencor, që elitat sunduese të kenë qenë të interesuara për të mbajtur në këmbë një konceptim korrekt të rendit shkakësor të natyrës. Nuk mund të nxjerrësh pasuri nga natyra dhe as të mbrohesh ndaj katastrofave fizike ose biologjike, në qoftë se nuk kupton si punon vërtet bota natyrore: çfarë bëjnë tërmetet, si përhapet një sëmundje, ku gjenden karburantet fosile dhe si mund të nxirren ato. Kjo është arsyeja pse edhe regjimet autoritare (si Kina) edhe regjimet demokratike neoliberale (si ai në SHBA) investojnë kaq fort në shkencat fizike dhe biologjike.

Në gjysmëshekullin që kaloi nga fundi i Luftës II Botërore deri aty nga viti 2000, mekanizmat epistemologjikë më kryesorë në shoqëri përgjithësisht ndihmuan për të siguruar që bota e të vërtetave shkakësore të funksiononte si monedhë e përbashkët këmbimi së paku në disa pjesë të politikave publike dhe të ligjërimit, në shoqëritë relativisht demokratike, edhe pse përjashtimet nuk kanë munguar… Si rregull, mekanizmat socialë ngulitën shumë besime të vërteta për mënyrën si punon bota natyrore dhe, deri diku, edhe në ato sfera ku vepronin ndikimet e interesave të fuqishëm socialë dhe ekonomikë.

Interneti e ka përmbysur këtë situatë: duke u kthyer në katastrofën epistemologjike të ditëve tona dhe duke normalizuar mekanizma të tillë që të sigurojnë që miliona njerëz (ndoshta qindra miliona) të kenë besime të rreme për rendin shkakësor të natyrës – rreth ndryshimit klimatik, efekteve të vaksinave, rolit të seleksionit natyror në evolucionin e specieve, faktet biologjike rreth racës – edhe kur nuk mes ekspertëve nuk ka ndonjë mosmarrëveshje. Në të vërtetë, një arritje e spikatur dhe e rrezikshme e epokës së Internetit ka qenë diskreditimi i idesë së “ekspertizës”, ose idesë se, në qoftë se ekspertët besojnë diçka, kjo është një arsye që edhe të tjerët ta besojnë. Ekspertët, në këtë cyber-botë paralele, portretizohen si partizanë të maskuar, konspiratorë dhe pretendues të privilegjit epistemik, në një kohë që partizanët dhe konspiratorët e mirëfilltë supozohet se janë sjellësit e dijes.

Filozofi Joseph Raz ka ndihmuar për të sqaruar se çfarë kemi parasysh, kur i drejtohemi idesë së “autoritetit” në kontekste epistemike, d.m.th. në kontekste ku duam të dimë se kujt t’i besojmë, kur kërkojmë të vërtetën. Sipas tij, autoritet epistemik është ai që, duke udhëzuar njerëzit se çfarë të besojnë, e bën mjaft më të gjasshme që këta njerëz do të besojnë atë që është e vërtetë, se në rastin kur lihen që ta gjejnë të vërtetën me mjetet e tyre.

Ta zëmë se unë dua të kuptoj çfarë është “konstantja Hubble”, e cila shpreh masën e ekspansionit të universit. Mund të provoj të lexoj artikuj të ndryshëm teknikë në revista shkencore, për të marrë vesh diçka, por me gjasë nuk do të kuptoj gjë, ngaqë më mungon përgatitja përkatëse në matematikë dhe në astrofizikë. Por mund edhe t’i drejtohem një koleges sime, që ka punuar në këtë fushë, dhe që unë e njoh si autoritet epistemik për konstanten Hubble dhe kozmologjinë, në raport me mua.

Pse jam kaq i sigurt që ajo kolege është autoritet epistemik për mua? Natyrisht, jo ngaqë unë vetë kam ndërmarrë një vlerësim të kërkimeve të saj shkencore dhe të rezultateve të këtyre kërkimeve, diçka që nuk jam në gjendje ta bëj edhe po të doja. Në fakt, unë këtu mbështetem në opinionin e të tjerëve, që mund t’i quajmë autoritete meta-epistemike: ata që janë në gjendje të tregojnë se kush ka autoritet epistemik në një fushë të caktuar. Në rastin e koleges sime, unë mbështetem në pozicionin e saj si profesore në një universitet kërkimor nga kryesorët dhe zgjedhjen e saj si anëtare në Akademinë Kombëtare të Shkencave, si dhe në këshillën nga një filozof i shkencës me të cilin kam punuar dhe i besoj, në rolin e tij si autoritet meta-epistemik, në bazë të eksperiencave të shkuara.

Ja çfarë ka rëndësi në këtë mes: pothuajse gjithçka që pretendojmë të dimë rreth botës në përgjithësi – botës përtej eksperiencës sonë të pandërmjetme – na kërkon që t’u besojmë autoriteteve epistemike. Kjo përfshin besimet tona rreth mekanikës së Newton-it (e vërtetë për objekte fizike të madhësisë mesatare, por e rreme në nivelin kuantik), evolucionin me seleksion natyror (fakti qendror në biologjinë moderne, edhe pse mund të mos jetë mekanizmi evolucionar më i rëndësishëm), ndryshimin e klimës (po e shkakton njeriu), ringjalljen e të vdekurve (nuk ndodh), ose Holokaustin (ka ndodhur). Shumica e shkollimit në shkencat e natyrës, me përjashtim të disa eksperimenteve laboratorike të thjeshta që nxënësit i kryejnë vetë, ka të bëjë me pranimin e asaj çfarë thonë autoritetet epistemike lidhur me strukturën nomike dhe shkakësore të botës. E njëjta vlen edhe për shumicën e arsimit në lëmin e historisë dhe shkencave sociale empirike.

Por autoriteti epistemik nuk mund të mbahet vetëm me kritere empirike. Dëshmitë anekdotike me natyrë empirike, vegla e preferuar e propagandistëve, i apelohen besimit tonë të zakonshëm ndaj shqisave, paçka se ky besim mund të shfrytëzohet lehtë, ngaqë shumica e njerëzve nuk i kuptojnë as rreziqet e induksionit, as aspektet e imta të kampionimit dhe të inferencës bayesiane. Autoriteti i njohur epistemik varet, në mënyrë kritike, nga institucionet sociale, të cilat ngulitin norma të besueshme të rendit të dytë, lidhur me kujt i duhet besuar; me fjalë të tjera, nga ekzistenca e autoriteteve të njohura meta-epistemike. Në epokën moderne demokratike, këto norma i kanë përhapur arsimi para-universitar dhe sidomos mass mediat.

Por Interneti tani e ka intensifikuar sulmin ndaj dijes dhe, veçanërisht, ndaj kujt ka qenë njohur si autoritet epistemik. Interneti, në analizë të fundit, është eliminuesi i madh i ndërmjetësimeve, përfshi natyrisht ata që përcaktojnë se kush ka autoritet epistemik dhe ashtu i duhet dëgjuar zëri dhe, ndoshta, besuar fjala. Kjo gjithnjë e ka bërë Internetin tejet tërheqës, për ata që deri dje e shihnin veten të përjashtuar nga diskursi publik. Tani që cyber-hapësira, me mungesën e ndërmjetësimeve dhe të filtrave, është bërë burimi parësor i informacionit, aftësia e saj për të minuar edhe autoritetin epistemik dhe, si rezultat, edhe dijen alarmon: ajo amplifikon padijen dhe budallallëkun dhe tani po ndikon në atë që miliona njerëz të veprojnë nën ndikimin e autoriteve epistemike të rreme dhe botëve fantastike që ata ndërtojnë.

Mungesa e kontrolleve dhe verifikimeve do të thotë se cilido ka akses në Internet, pavarësisht nga ndershmëria, saktësia dhe shëndeti i tij mendor. Si rezultat, Interneti po bëhet gjithnjë e më shpesh një medium i padenjë për t’i besuar, për të krijuar besime të vërteta rreth botës. Siç e thotë një studiuese e fushës, “Mediat sociale i kanë shpërbërë mekanizmat që deri dje e mbanin shoqërinë në kontroll. Po pse duhen vallë këta mekanizma? Në vija të trasha, ngaqë edhe ata që kanë arsye të jenë të zemëruar me botën, janë zakonisht të zemëruar për arsye krejtësisht të gabuara: duan të vrasin, bie fjala, njerëz të një feje të tjetër, jo shtypësit e tyre. Shkatërrimi i një shoqërie pa arsye nuk është synim “progresiv” – prandaj mirëmbajtja e mekanizmave të kontrollit nuk mund të injorohet nga doktrina e lirisë së fjalës.

(Ky përkthim i jepet lexuesit for fair use only. Imazhi në kopertinë është realizuar me Ideogram)

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin