I ZOTI E SHET, TELLALLI S’E JEP

Ja një shembull si mediat shqip i shtrembërojnë shkrimet që botojnë nëpërmjet manipulimit të titujve, duke kërkuar me ngulm kinse “thjeshtësinë”, por në fakt provokimin e lexuesit.

Emil Lafe boton një opinion te “Dita”, ku polemizon me një ide të Fatos Lubonjës, se Kosova do të kish bërë mirë të mbante gegnishten letrare si standard të vetin, meqë kjo do të ishte “pasuri” për kombin.

Ideja meriton edhe vëmendje edhe debat, dhe Lafe e parashtron qartë pozicionin e vet të njohur edhe më parë.

Por vëreni tani titullin që ia vë shkrimit “Dita”:

Ky titull e kthen përmbys artikullin, meqë Lafe asgjëkundi nuk sqaron as kundërshton, në shkrimin e vet, tezën se “gegërishtja është pasuri.”

Përkundrazi, ai autor polemizon me idenë tjetër, se dy standarde të shqipes do të ishin pasuri.

Nuk ka dyshim se “gegërishtja” – pavarësisht nëse quajmë kështu tërësinë e dialekteve gege, apo variantet letrare të mbështetura mbi to, është pasuri. Këtë Emil Lafe i pari do ta kish mbrojtur, sepse pakkush i njeh pasuritë dialektore të shqipes si ai.

Çfarë diskutohet, në artikull, janë dy standardet të cilat i përsiat Lubonja (dhe të tjerë), jo pasuria e gegnishtes.

Çështja e standardit – një ose dy ose dyzet – i ka rrënjët në kulturë, por është në thelb politike. Përkundrazi, pasuria gjuhësore i përket kulturës kombëtare dhe nuk përcaktohet as ka lidhje me politikën.

Titulli sikur kërkon të provokojë drejtpërdrejt të gjithë ata që kërkojnë sot e kësaj dite, kryesisht në media dhe në rrjetet sociale, që të vënë në vend padrejtësinë që i është bërë “gegnishtes” nga standardi.

Argumenti i tyre është se imponimi forcërisht i standardit në vitet 1970, me qëllim ose me nxitje drejtpërdrejt politike, i shurdhoi e i fundosi vlerat kulturore tashmë të krijuara nga variantet letrare të gegnishtes (shkodranishtja, elbasanishtja, kosovarishtja) dhe ua zuri fjalën në fyt të gjithë atyre që e kishin përqafuar gegnishten letrare si mjet shprehës, ose që do ta kishin përqafuar më pas – duke ua hequr të drejtën e botimit rishtas.

Ky argument qëndron. Mbetet e hapur për diskutim nëse kjo katastrofë kulturore mund të zhbëhet sot, nëpërmjet reformave të drejtshkrimit ose miratimit të një standardi të ri në Kosovë.

Lafe është mbrojtës i bindur i standardit ekzistues dhe arsyetimet e tij duan vëmendje, edhe nga kundërshtarët, qoftë edhe vetëm sepse ai mban gjallë një debat të vyer për gjuhësinë, kulturën dhe politikën.

Por “Dita”, me titullin që i ka vënë shkrimit, dashur pa dashur e përçudnon pozicionin e autorit, duke ia kundërvënë këtë mbrojtësve të gegnishtes dhe të pasurive të saj.

Këtë lloj manipulimi – që unë uroj të ketë ndodhur pa dashur – e gjen rëndom në mediat shqip, të adoptuar si teknikë polemizimi nga shumë gazetarë që duhej të ishin të vetëdijshëm se po e shkelin etikën dhe po e ndërsejnë publikun kundër një armiku imagjinar.

Them uroj të ketë ndodhur padashur, në kuptimin që gazetari që e ka formuluar titullin të mos e ketë lexuar mirë artikullin e Lafes dhe të mos e ketë interpretuar dot, për shkak të inkompetencës.

Nuk mund të vë dorën në zjarr dhe të them se titullin shkrimit nuk ia ka vënë vetë Emil Lafe – por mund të them me siguri se asgjëkund atje nuk flitet për “gegërishten që është pasuri” dhe as polemizohet me ndokënd që mendon se “gegërishtja është pasuri.”

Profesor Lafes i kanë bërë një padrejtësi të madhe: ia kanë kthyer shkrimin kokëposhtë, duke ia përdorur si benzinë, për të ushqyer një zjarr mendjesh të varfra dhe fanatike.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin