SHQIPJA, MES ILIRISHTES DHE TRAKISHTES

nga Radu Crăciun

(TITULLI ORIGJINAL: ORIGJINA E GJUHËS SHQIPE E REFLEKTUAR NË MBETJET GJUHËSORE TË ILIRISHTES DHE TRAKISHTES)

Çështja e origjinës së gjuhës shqipe është një temë mjaft e debatuar në hapësirën publike në Shqipëri dhe Kosovë. Ndonëse opinioni publik mbështet normalisht teorinë e prejardhjes ilire të saj, shpesh promovohen edhe teori të dyshimta, të hedhura nga diletantë të cilët deklarohen hapur si armiq të gjuhëtarëve të njohur shqiptarë Eqrem Çabej dhe Kolec Topalli, të cilët akuzohen se kanë mbështetur teorinë sipas të cilës gjuha shqipe ka një numër të madh fjalësh të huazuara nga gjuhë të tjera. E thënë ndryshe, nga padija, ata shprehin publikisht revoltën e tyre për faktin se në fjalorin etimologjik të K. Topallit, vetëm rreth 900 fjalë bazë konsiderohen si autoktone, pra i përkasin fondit pararomak të fjalëve të trashëguara nga gjuha proto-indoevropiane.

Për sa i përket çështjes së lidhjes mes gjuhës ilire dhe shqipes, është domethënëse deklarata e gjuhëtarit kosovar Rrahman Paçarizi, i cili në emisionin VOYAGE të datës 21.03.2021, (min. 19:09) me titull “Sa është e vjetër gjuha shqipe?”, tha: “Meqenëse nuk kemi dokumente të shkruara të ilirishtes dhe ka një shkëputje të madhe të vazhdimësisë, atëherë, ne, hipotezat (lidhur me origjinën e gjuhës shqipe) i ngremë në bazën e të dhënave të tjera, qofshin ato historike, arkeologjike, pastaj demografike, të lëvizjes së popullsisë, e të tjera”.

Padyshim që gjuha ilire njihet vetëm nëpërmjet mbetjeve gjuhësore, të cilat janë kryesisht toponime dhe antroponime të mbledhura në monografi nga gjuhëtarë jashtë Shqipërisë, si Hans Krahe, Anton Mayer dhe Ion I. Russu. Me gjithë varfërinë e materialit në gjuhën ilire, E. Çabeji gjithsesi arriti të identifikojë 26 bashkëpërkime mes termave ilirë dhe shqip, duke përfshirë tre prapashtesa specifike për gjuhën ilire.[1]

Edhe pse gjuhëtarët shqiptarë e kanë mbështetur pa dallim teorinë e prejardhjes ilire, teoritë alternative nuk kanë munguar. Paraqesim më poshtë një listë e shkurtër të mbështetësve të tezave kryesore.

Teza ilire është mbrojtur kryesisht nga studiues si G. Stadtmüller, R. Katičić, A. Desnitskaja, P. Di Giovine, N. Malcolm, E. Çabej, Sh. Demiraj dhe Rr. Ismajli, teza trake nga H. Hirt, W. Tomaschek, G. Weigand, G. Schramm, H. Barić, A. Rosetti, D. Detschew, G. Reichenkron, B. P. Hasdeu, I. I. Russu, G. Brâncuș, G. Bonfante dhe M. Gabinschi. Teza dako-mize nga V. Georgiev dhe I. Duridanov kurse teza e sintezës trako-ilire nga F. Nopcsa, N. Jokl, S. Mladenov, T. Capidan dhe pjesërisht nga E. Çabej dhe G. Brâncuş. Një paraqitje më e detajuar e këtyre tezave na ofrohet nga veprat e gjuhëtarit austriak Kurt Gostentschnigg.[2]

Një këndvështrim të veçantë ka paraqitur gjuhëtari amerikan Eric Hamp. Ai përcakton një “fashë” që shtrihet nga pjesa veriore e Karpateve dhe që zbret në jug-perëndim, deri në Shqipërinë veriore, si një zonë ku identifikon ekzistencën e një popullsie që flet një gjuhë “protoalbanoide”, e afërt gjuhësisht si me atë dako-mize, ashtu edhe me ilirishten. Teza e Hamp-it (2007) u pranua nga Kortlandt-i (1988), i cili përdor në studimet e veta termin “dako-shqiptare”, duke e dalluar këtë idiomë nga trakishtja.

Kundër origjinës ilire, por edhe kundër origjinës trake të gjuhës shqipe, është shprehur në disa artikuj gjuhëtari dhe albanologu austriak Joachim Matzinger, i cili në fund të vitit 2021 ka botuar një studim mbi ilirët ku trajton edhe problemin e gjuhës ilire[3]. Konkluzioni i Matzinger-it është se gjuha shqipe rrjedh nga një gjuhë e Ballkanit qendror, e papërmendur në burimet historike, e ndryshme nga ilirishtja dhe trakishtja. Si territore të krijimit të protoshqiptarëve, Matzinger-i propozon një zonë mjaft të madhe, të përbërë nga provincat e Mezisë së Epërme (Moesia Superior), Dacia Ripensis, Dacia Mediterranea dhe Dardania[4], një tezë mjaft kontradiktore nëse kemi parasysh se këto provinca ishin të banuara me siguri nga trakë dhe ilirë. Duke qenë se qëllimi i këtij shkrimi nuk është të paraqesim me hollësi tezat mbi origjinën e gjuhës shqipe, do të kufizohemi vetëm në paraqitjen e disa aspekteve problematike, të cilat duhen pasur parasysh gjatë analizimit dhe interpretimit të mbetjeve gjuhësore të ilirishtes dhe trakishtes.

Në librin e përmendur më lart, Matzinger-i[5] vë në dukje se mbetjet gjuhësore ilire janë transmetuar përmes filtrit të folësve të latinishtes dhe greqishtes, të cilët, kur hasën fonema të panjohura për gjuhët e tyre, përdorën fonema të afërta nga repertori i gjuhës së tyre. Kështu, afrikatet *ts dhe *dz janë transkriptuar me fonemat t ose s përkatësisht d ose z. Një shembull domethënës, që pasqyron pasigurinë në riprodhimin e saktë të disa termave ballkanikë, është rasti i toponimit dako-miz Dierna, që ndodhet në brigjet e Danubit, i cili paraqitet edhe në format Tierna, Tsierna dhe Zerna. Matzinger-i vë në dukje edhe një pengesë tjetër në interpretimin e mbetjeve të gjuhës ilire, e cila vjen nga fakti se ndonjëherë emërtimet, duke ruajtur nga pikëpamja fonetike dhe morfologjike një trajtë më të vjetër, humbasin kuptimin e tyre origjinal për folësit sepse nuk kanë qenë më pjesë e zhvillimit të natyrshëm të gjuhës së folur. Përveç dy pengesave kryesore të përmendura tashmë, duhet të kihet parasysh edhe fakti që toponime ose antroponime të caktuara mund të jenë ose mbetje të trashëguara nga gjuhët e vjetra nënshtresore ose mund të huazohen nga gjuhët ndajshtresore, të marra në kohën e bashkëjetesës e dy grupeve të ndryshme etnike. Gjithashtu duhet pasur parasysh se në një territor kaq të gjerë, siç është Gadishulli Ballkanik, ka pasur sigurisht dialekte të ndryshme të gjuhëve ilire dhe trake, dialekte të cilat nga vetë ndryshimet mes tyre përbëjnë një burim elementësh leksikorë divergjentë. […]

lexoni artikullin të plotë duke klikuar këtu:
Origjina e gjuhës shqipe e reflektuar në mbetjet gjuhësore të ilirishtes dhe trakishtes

Kopertina: veshje trake dhe shqiptare (dërguar nga autori)


[1] E. Çabej 2017, fq. 53-58

[2] Gostentschnigg 2006, 2018, 2019

[3] Matzinger 2006, 2009, 2012, 2016, 2016 b dhe Matzinger 2021 “Die Illyrer” (Ilirët)

[4] Matzinger 2016 fq. 12

[5] Matzinger 2021 fq. 142-143

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin