MITE DHE BËMA TË LEKËS SË MADH

nga Bardhyl Demiraj

Tema e këtij shkrimi ka të bëjë në thelb me fillesat dhe vijimësinë e debatit intelektual albanologjik ndër shqiptarë. E bëj qëllimisht qysh në fillim këtë ndërhyrje, meqë objekti dhe synimi i tij: Leka i Madh (= Aleksandri i Madh i Maqedonisë) dhe vendi i tij në historinë e mendimit intelektual shqiptar mund të keqkuptohen si një lloj provokimi ndaj politikave etno-nacionale të kohës në Maqedoni dhe Greqi, e sidomos si një lloj reagimi negativ ndaj projektit të dikurshëm “Shkup 2014”, që vijon të diskutohet ende sot e gjithë ditën sidomos në diskursin publik, sikurse edhe ne forumet (ndër)kombëtare të internetit.

E në rast se lejohem tash të hap edhe një parantezë për rolin dhe funksionin e Lekës së Madh në historinë e mendimit intelektual shqiptar, atëherë kjo temë fiton në dukje të parë karakter të mirëfilltë historik, meqë si emri ashtu edhe bëmat e tij feksin e tingëllojnë sot në sytë e veshët tanë, në mos të huaja, të paktën janë të natyrës enciklopedike. Si dëshmi të dorës së parë mund të sjell me këtë rast botimin e ri trivëllimësh të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (FESH), në të cilin portretizimi i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë është rrudhur në 10-13 rreshta të një kolone, pra në përmasat e një liliputi historik, më saktë të një lloj atavizmi në historinë e kulturës shqiptare, pasi ngërthen jo vetëm njërin ndër zërat më të shkurtër të mundshëm, por nuk gëzon kurrfarë bashkëlidhje qoftë me historinë e popullit shqiptar ashtu edhe me atë të mendimit intelektual-albanologjik, përkatësisht me historinë e kulturës shqiptare në përgjithësi. Prashtu, lexojmë aty që:

“Aleksandri i Maqedonisë (Aleksandri III, 356-323 p.e.r.). Mbret i Maqedonisë në v. 336-323 p.e.r., i mbiquajtur Aleksan­dri (Leka) i Madh. Ishte biri i Filipit II dhe i princeshës epirote Olimpia, e cila e edukoi me karakter të fortë. U edukua dhe u arsimua nga Aristoteli dhe u përgatit si ushtarak në një varg luftërash. Pas vrasjes së Filipit në v. 336. p.e.r. mori pushtetin në Maqedoni dhe u zgjodh komandanti i përgjithshëm i forcave greke kundër Persisë. Ndërmori një fushatë në V[eri] të Maqedonisë më 335, kur rrethoi edhe qytetin ilir Pelion. Më 334 p.e.r. nisi fushatën kundër mbretërisë persiane, të cilën e nënshtroi dhe krijoi një perandori të gjerë që shtrihej nga tokat e mbretërisë maqedonase në Europë e deri në brigjet e lumit Ind në Azi, e të Nilit në Afrikë.” (vëll. I, f. 50)

Shumëkush që lexon këtë prezantim të thukët krijon në fakt një përfytyrim fals, sikur pakkush ndër lexuesit shqiptarë është i vetëdij­shëm se si emri ashtu edhe bëmat e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë nuk janë assesi nocione të huaja në historinë e kulturës shqiptare, përkundrazi ato kanë shoqëruar shekuj me radhë rrjedhën e mendimit intelektual-albanologjik, duke arritur një pikë vërtet kulmore në kapërcyell të shek. XIX, bash në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, kur emri dhe portreti i tij erdhën e fituan përmasat e asaj simbolike që sendërtoi më pas themelet e mitologjisë shtetërore mbi etnosin dhe kombin shqiptar. Kjo simbolikë u përkujdes me thuajse të njëjtin intensitet edhe më vonë, gjatë përftimit të disa formacioneve shtetërore, madje deri në fazën e fundme të mbretërisë shqiptare, nën Zogun e saj të Parë e të fundit, Ahmet Zogollin dora vetë, për të vijuar me një farë rrudhjeje të vazhdueshme aty nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar, më saktë pas Luftës së Dytë Botërore, kur në Shqipëri erdhi e mori formë e hodhi shtat një mitologji e re shtetërore-kombëtare, që e konsiderojmë sot si trashëgimia kulturore-historike, përkatësisht vijimë­sia gjuhëso­re-gjenealogjike iliro-/dardane-shqiptare.

Miti i Lekës në dëshmitë e para të mendimit intelektual shqiptar

Pa dashur të ndalemi shumë më gjatë në këtë aspekt të mendimit intelektual shqiptar në kohë e hapësirë, lejohemi të përmbledhim thukët se ky mendim ka përcjellë disa shekuj me radhë emrin e Aleksandrit të Madh – së bashku me atë të Pirros së Epirit, të Konstandinit dhe të Justinianit e sidomos atë të adashit të vet në mesjetën e vonë, Skënderbeut dora vetë (= Aleksander prej turq./osm. Iskander Beg). Bëjmë fjalë për atë simbolikë të mitit kombëtar, në të cilën kërkoi e gjeti vetveten matriksi i kulturës etnike shqiptare, që vjen me thënë u sendërtua fillimisht vullneti i elitës intelektuale shqiptare për të fiksuar te kjo figurë historike-legjendare përkatësinë etnike-kulturore të mbarë bashkësisë shqipfolëse në hapësirën e saj sa jetike aq edhe kompakte në perëndim dhe qendër të Gadishullit Ballkanik.

Kështu p.sh. nuk kemi përse të bëjmë sot aspak çudi, kur Marin Barleti në veprën e vet mbi historinë e Skënderbeut (1508, [shqip] 1964 105) vë jo rrallë në gojën dhe pendën e Gjergj Kastriotit kumte të tilla si “Aleksandri ynë” për Aleksandrin e Madh, sikurse edhe ëndrrën e tij të ngahershme, që paska përcjellë madje bash në fjalën e vet programatike [në Kuvendin e Lezhës: 2 mars 1444], ku mëton me zë të lartë, se:  “Etërit dhe gjyshërit tuaj – më lejoni ta them – s’e patën menduar, por ju [= prijës shqiptarë – B. D.] vërjani vetes për qëllim që me këtë bashkim ta rikrijoni gjendjen e dikurshme të Maqedonisë, nënës së kryetrimave…”.

Një shekull më vonë kemi Frang Bardhin, i cili në apologjinë e tij mbi origjinën shqiptare (= epirote) të Skënderbeut (1636, [shqip] 19993 99) duke përmendur kujtimet e Papa Piut II, bashkëkohës dhe mik i Gjergjit tonë, shpejton të përzgjedhë sidomos një citat nga një letër, pas gjase autentike e vetë Gjergjit, dërguar kundërshtarit të tij, princit të Tarantos, në të cilën ai i qenka përgjigjur në mënyrë therëse, si vijon: “Në thënç se Arbëria është një pjesë e Maqedonisë, atëherë ti i pranon të parët tanë [të jenë – B. D.] shumë më fisnikë, sepse ata nën Aleksandrin u futën deri në Indi, duke i nënshtruar të gjitha fiset, që u dilnin përpara, me lehtësinë më të madhe.” Vetë Frang Bardhi e mbyll këtë pasazh duke shtuar, se: “Prej atyre kanë zbritur këta njerëz etj., deri te Skënderbeu [dora] vetë”

Për Frangun tonë – jo më larg se një vit më parë, kur u botua fjalori i tij latinisht-shqip (Ditionarium latino-epiroticum, Romæ 1635) – ishte e vetëkuptueshme prejardhja e tij, si: Jam i Dheut cë Matsedoniesë, i shkodërnjanë, f. 221), ndërkohë që vendlindja e Aleksandrit të Madh Pella, nuk ishte tjetër veçse shkurtimi i toponimit Petrela në jug-perëndim të Tiranës, khs.: “Pella (illustrate magni Alexandri Macedonum Regis natali) Pella, Petrela.”  (f. 198).

Të njëjtin qëndrim mban jo më larg se fundi i po atij shekulli Pjetër Bogdani, i cili fikson, madje në frontespicin e veprës së vet – sigurisht jo pa qenë krenar –, prejardhjen e vet maqedonase: <Cuneus Prophetarum de Christo Salvatore Mundi… a Petro Bogdano macedone …. Patavini 1685>. Në libër, në pjesën e kronologjisë së historisë së botës ose “Jetët e shekullit”, ai saktëson gjithashtu që: “[Në vitin] 3623 Leka i Madh prej Petrele nd’Arbënë zu fīll monarkīn˜e vet ndë Matiet” (CP I 181 6).

Në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare

Mund të vijojmë sigurisht me mendimin intelektual shqiptar mbi Aleksandrin e Madh, sikurse edhe mbi trevat origjinare dhe përbërjen etnike-gjuhësore të Maqedonisë në periudhën e antikitetit, të cilat vijojnë të përcillen me interesin erudit-enciklopedik përkatës edhe në shekujt e mëpasëm, kur përjetojmë një kristalizim të mendimit rilindës mbi qenësinë kombëtare shqiptare në gjithë atë simbolikë që përhapte pikërisht ajo vello nebuloze sa historike aq edhe mitike, që rrethonte sikurse e rrethon sot e gjithë ditën këtë hero legjendar të antikitetit.

Origjina e tij shqiptare u përcoll si një fakt historik-gjenealogjik i mirëqenë e i dhënë njëherë e përgjithmonë. Këtë e ndeshim gjithkund kulturën e shkrimit shqip gjatë gjithë periudhës së Rilindjes, duke filluar me traktatet e mirëfillta politike-ideologjike (Pashko Vasa 1878; Sami Frashëri 1899) e duke përfunduar në krijimet letrare patriotike, si p.sh.: te Naim Frashëri (Istori e Skenderbeut, 1898; kënga I, 33-39):

Ishte vënt’ i Perëndisë            Aleksandr’ i Math e burrë
Që së pari Shqipëria.              I cili s’pat shok ndë jetë,
Mëmëdheth i urtësisë             Nukë ka pasur kurrë,
Që del soje mirësia.                Dhe kurrë do të mos ketë.

(Marrëdhëniet e tij me Skënderbeun: K III 384 – 391)

Ngaha vënt’ i Perëndisë          Skënderbe’ u bë i parë
Skënder’ i math prapë dolli    Mi ushtërit të Tyrqisë
E i dha nder Shqipërisë           Mi mijëra ushtëtarë
se ajo sërish e polli                   Kryeprens’ i Shqipërisë

Meqë bashkëlidhja me Petrelë si emër vendi dukej tashmë paksa e vështirë, vendlindja e Aleksandrit të Madh dhe kryeqyteti i dikurshëm i perandorisë së Maqedonisë: Pella shihet tashmë si pinjolli antik i emrit të thjeshtë shqip pelë, meqë ai vend, pra zemra e Maqedonisë antike, shquhej atëbotë sidomos për rritjen dhe mbarështimin e kuajve të racës I tillë është edhe kali po aq legjendar i Aleksandrit të Madh me emrin e famshëm Bukéfalos, i cili për rilindasit tanë shpjegohej fare natyrshëm, sigurisht vetëm me mjetet e shqipes, si qenie me përmasa gjysmë-mitologjike falë ushqimit me bukëvale.

Në themelet e mitologjisë shtetërore shqiptare 

Në vitet e brishta të Shqipërisë si shtet nacional sovran (1912-1944) miti i Aleksandrit erdhi e zuri rrënjë të forta në të gjitha trevat shqiptare. Atë e njohim tashmë më fort me shkurtimin Leka i Madh, i cili na shfaqet jo vetëm si emër personi, por edhe si titull reviste apo emërtim shoqate kulturore shqiptare. Rëndësi të veçantë fiton ky emër edhe me vetë konsolidimin e shtetit shqiptar, duke u shndërruar si njësi bazë në shkëmbimin monetar shqiptar. Monedha e parë shqiptare lek mbartte atëbotë (prej vitit 1925) në formë të stilizuar në anën e parme Aleksandrin e Madh mbi kalin e tij legjendar në pozicion luftarak dhe në anën e prapme portretin e tij të stilizuar. Kjo monedhë njëlekëshe si monedhë bazë gëzonte një vlerë aspak të vogël; mjafton të mbajmë këtu parasysh se rroga ditore e një mëditësi atëbotë nuk shkonte assesi më shumë se gjysmë leku.

Gjatë periudhës së okupacionit italian në Luftën e Dytë Botërore, monedha njëlekëshe mbeti si vlerë por jo edhe në pamje, meqë vendin e Lekës e zuri Vittorio Emanuele III.

Rrëzimi nga froni mitologjik

Në shtetin e ri komunist vlera e Lekës sonë erdhi e u rrëgjua gjithnjë e më shumë, ndërsa monedhat dhe kartëmonedhat një-, dy- a mëshumëlekëshe ndryshuan sigurisht formë dhe design. Megjithatë emërtimi monetar mbijetoi. Shumëkush  sot në Shqipëri nuk e gëzon më statusin e dëshmitarit okular se si leku i ri shqiptar erdhi u vjetrua shpejt, sepse në vitin 1964 sistemi financiar në Republikën Popullore (Socialiste) të Shqipërisë përjetoi një inflacion të dukshëm, gjë që çoi në rivlerësimin e tij një me dhjetë. Një lek i ri si njësi monetare bazë u barazua (sikurse edhe sot e gjithë ditën) me dhjetë lekë të vjetra, pasojat e së cilës i vuajmë edhe sot e gjithë ditën, meqë jo rrallë na duhet të pyesim disa herë për vlerën e një malli që duam të blejmë, nëse bëjmë pazar me lekë të vjetra apo të reja. Megjithatë, pas vitit 1964 një lek i ri thyhej zyrtarisht me plot 100 qindarka, pra kishte ende një vlerë deri diku të perceptueshme, në kuptimin që me një monedhë njëlekëshe arrije të blije diçka.

Edhe me kthesën demokratike që përjetoi Shqipëria në fillim të viteve 90-të të shekullit të kaluar, sikurse edhe sot e kësaj dite, Leka ynë u rrudh në lek, pra vetëm si njësi monetare, veçse vlera e tij mori tamam “rrokapjek­thi” në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, duke u përthithur në depozitën nën sqep të pelikanit që zëvendëson ndërkohë në faqen e prapme ndërkohë heroin historik dhe mitik. Nuk di nëse sot Banka Kombëtare e Republikës së Shqipë­risë emeton ende monedhën njëlekëshe, veçse – sikurse qindarkën dikur – me të s’blen dot gjë, madje në shumë njësi tregtare nuk e përdorin fare në shitblerjet e mallit. Parë nga kjo perspektivë – e për t’u bërë ndoshta edhe paksa provokues!!! – mund vijmë patëkeq në përfundimin se rrëgjimi i rolit të Lekës së Madh në matriksin e kulturës etnike-gjuhësore të kombit shqiptar eci në proporcion të drejtë me rrëgjimin e vlerës së lek-ut si njësi monetare bazë në sistemin financiar të Republikës së Shqipërisë.

Në mbyllje të këtij digresioni historik perspektiv mbi rolin e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë në historinë e mendimit intelektual shqiptar mund të mëtojmë tash pa cenuar sadopak atë frymë pozitive, me të cilën edhe e hapëm, që ky personazh sa historik aq edhe legjendar i antikitetit ndikoi që elita intelektuale shqiptare të fiksonte me gojë e me shkrim atë shqisë të gjashtë që sendërtonte matriksin e kulturës etnike-gjuhësore mbarëshqiptare: vullnetin për të qenë bashkë dhe në paqe me tjetrin brenda asaj hapësire jetike kompakte, që mendohej t’i takonte.

  1. “Kontakte të mëhershme” të Aleksandrit të Madh me albanët (= shqiptarët)

Momente pak a shumë të kësaj natyre përjetojmë edhe gjatë analizës së njërit prej kumteve më të hershme informative lidhur me matriksin e kulturës etnike shqiptare, të cilin e kemi bërë gjithashtu objekt diskutimi në këtë shkrim. Siç tingëllon edhe në nëntitull, bëjmë fjalë këtu për një dorë shënimesh mbi Albaninë dhe albanët e Ballkanit mesjetar, që i ka lënë në dorëshkrim një autor anonim (pas gjase i huaj) aty nga viti 1308. Teksti i dorëshkrimit, përmban në vetvete përshkrimin më të plotë dhe autentik të albanëve, d.m.th. (të një shtrese sociale) të popullsisë shqiptare që gjëllinte atëbotë sikurse edhe sot e gjithë ditën në pjesën perëndimore të Ballkanit. Ndër komponentët themelorë në matriksin e kulturës së tyre etnike, autori dallon ndër të tjera:

  • shtrirjen e konsiderueshme gjeografike të “Dheut të Arbënit”, që përshkohet prej lumenjve Erzen, Mat, Shkumbin dhe Osum, duke e kufizuar atë gjeografikisht me mbretërinë e Rashës dhe të Bizantit,
  • si një vend ku kalonte rruga kryesore tranzite [= Via Egnatia] për në Konstandinopol,
  • si një vend që në fakt gëzonte statusin e mbretërisë, por që ndërkohë s’kishte një mbret të vetin, dhe si i tillë ishte copëzuar ndërmjet fisnikëve vendas, të cilët kishin zgjedhur me vullnet të mirë si të parë të tyrin princin e Taranto-s, të birin e mbretit të Sicilisë,
  • si një vend i pasur në prodhimin e mishit dhe të produkteve të qumështit, por jo i begatshëm në kultivimin e drithit dhe të rrushit, edhe pse dyert e fisnikëve i kishin ato me bollëk, dhe ku
  • bashkësia shqiptare përbënte shtresën (sociale) rurale, ku mbizotë­ron­te ekonomia malore dhe transhumanca, duke përkujdesur kështu marrëdhënie tregtare intensive me Durrësin, si qendra kryesore urbane e gjithë rajonit e cila ishte nën juridiksionin latin (= të Mbretërisë së Sicilisë), nga ku furnizoheshin me tekstile e prodhime fabrikate;
  • një bashkësi kjo e njohur si për aftësitë luftarake, duke venë kështu nën vasalitetin e tyre qendra të tilla urbane si Pulti, Dibra etj.,
  • ashtu edhe për pozicionin e saj të veçantë në çështje të konfesionit, duke u lëkundur vazhdimisht ndërmjet katolicizmit dhe ortodoksisë, megjithëse parapëlqente të anonte më fort drejt Kishës Katolike-Romake, e për më tepër
  • një bashkësi kjo që komunikonte në një gjuhë, e cila e dallonte atë kryekëput nga fqinjët lëtinj (= romanë), grekë dhe shqe (= sllavë).

Në këtë përshkrim etnografik sa befasues aq edhe marramendës të Albanisë në fillim të shek. XIV dhe të banorëve të saj anas, albanëve, anonimi ynë nuk mungon të përmendë as legjendën – pas gjase të përhapur dikur në mjediset intelektuale-klerikale – mbi burimin e toponimit Albania, sikurse edhe kontaktin e tyre të parë me Aleksandrin e Madh të Maqedonisë. Sipas tij:

“Kjo provincë quhet Albania sepse banorët e këtij rajoni lindin me flokë të bardhë. Qentë këtu [= në Albaninë e Ballkanit – B.D.] kanë përmasa gjigante dhe janë aq të egjër, saqë të mbysin si luanët. Sikurse përmend Plini, albanët i çuan një qen të tillë Aleksandrit të Madh, i cili mundte në arenë luanë, elefantë dhe buaj. Ata kanë sy të ngjyrosur, me bebëza bojë hiri, të tilla që mund të shohin më mirë natën se sa gjatë ditës. Ka dy Albani: një në Azi pranë Indisë, për të cilën ne nuk po bëjmë fjalë këtu, dhe një në Europë, e cila është pjesë e Perandorisë Bizantine dhe për të cilën jemi duke folur këtu.” [1]

Vërtetësia e shumë të dhënave dhe fakteve që përcjell teksti në tërësinë e vet si përshkrim etnografik, e nxit lexuesin sqimatar që t’i kushtojë vëmendjen e duhur informacionit që kumton ky pasazh, madje edhe të zhbirilojë ndërmjet rreshtash, ku feks ndoshta jo më kot vetë emri i Plinit (të Vjetër apo të Ri ?), i cili paska pasur edhe ai dijeni për këta albanët e Europës, të mirënjohur në kohën e Aleksandrit të Madh për rritjen e një race qensh të llahtarshëm, e që për t’i bërë qejfin kishin shpejtuar t’i bënin edhe dhuratë një sosh.

Sa i besueshëm është edhe ky informacion që na kumton anonimi ynë në përshkrimin e tij përgjithësisht të patëmetë që i bën provincës ballkanike me emrin Albania dhe vendasve të saj, albanëve? Vërtetësia e tij nuk do të ishte aspak pa rëndësi në hetimet tona mbi paleoetnologjinë e Ballkanit antik, pasi jo vetëm e plotëson, por e shtyn edhe më thellë në kohë atë regjistrim thuajse fluturak të fisit të Albanëve me qendrën e tyre urbane Albanopolis që trashëgojmë prej gjeografit aleksandrin në shek. II e.j. Rëndësi jo të vogël do të bartte vërtetësia e këtij informacioni edhe në hulumtimin e fazave të hershme në etnogjenezën e adashëve të tretë: albanëve mesjetarë, përkatësisht shqiptarëve të sotëm, vendndodhjen e të cilëve arrijmë ta saktësojmë me siguri në trojet e tyre të sotme të paktën për periudhën në kapërcyell të antikitetit dhe fillimet e mesjetës.

Ishin pikërisht këto momente diskursi me vetveten që na nxitën në punën e mirëfilltë lidhur me verifikimin e vërtetësisë ase të falsitetit në informacionin në fjalë. Dhe rezultati nuk mungoi. Këtë kumtim e ndeshim vërtet te Plini i Vjetër (= Gaius Plinius Secundus maior: ca. 23 – 79 e.j.) në veprën e tij madhore “Naturalis historia”, bash në bleun VIII të emërtuar “Animalia terrestria”, ku jepet informacion i hollësishëm për kafshë të ndryshme të steresë, ndër to në kreun nr. 61 edhe për qenin a) me cilësitë e tij si kafshë shtëpiake; b) me shembuj për marrëdhëniet e tij me të zotin, sikurse edhe c) për popuj të ndryshëm që rrisin qentë për qëllime lufte. Pikërisht në këtë detaj të fundit përmendet edhe episodi, të cilit i referohet anonimi ynë, e që po e riprodhojmë tani në përkthimin tonë, si vijon:

“[149] Kur Aleksandri i Madh ishte në ekspeditën e vet në Indi, atij iu dhurua prej mbretit të Albanisë një qen me përmasa të pazakonshme; Duke qenë shumë i mrekulluar me paraqitjen e tij fisnike, ai urdhëroi të liheshin të lirë para tij arinj, dhe pas tyre derra të egjër e më pas drerë; por qeni rrinte shtrirë dhe i vështronte ata pa lëvizur me një lloj mospërfilljeje. Shpirti fisnik i gjeneralit u irritua prej përtacisë së manifestuar në mënyrë të tillë prej një kafshe të atyre përmasave të mëdha, andaj urdhëroi ta vrisnin. Kumti i kësaj [ndodhie – B.D.] arriti te mbreti, i cili dërgoi me këtë rast një qen tjetër, e në të njëjtën kohë çoi fjalë, që fuqia e tij duhej provuar jo me kafshë të vogla, por me luanë ose elefantë; duke shtuar gjithashtu, që ai kishte fillimisht vetëm dy [qen – B. D.] dhe se në rast se edhe ky do të vritej, atëherë do të shuhej ajo racë. [150] Aleksandri, pa vonuar, porositi një luan, i cili në praninë e vet u bë menjëherë copa-copa. Pastaj ai urdhëroi të sillej një elefant dhe vërtet më parë nuk ishte mrekulluar më shumë me ndonjë spektakël; sepse qeni, duke iu ngritur leshrat përpjetë në gjithë trupin filloi të lehte aq fort sikur bubullinte dhe sulmoi pastaj kafshën, duke iu hedhur herë nga një anë e herë nga ana tjetër e duke e sulmuar në mënyrën më mjeshtërore e duke tërhequr rishtas në momentin e duhur, derisa në fund elefanti, duke iu marrë mendtë prej të rrotulluarit lart e poshtë u palos përdhe duke shkaktuar një oshtimë të madhe me rrëzimin e tij.” (lib. VIII, cap. 61)

Mjafton gjithsesi leximi i rreshtit të parë – shumë-shumë edhe i të dytit – që të ngjizim menjëherë bindjen, se kumtimi i lënë në dorëshkrim nga anonimi ynë përcjell në vetvete një rrethanë kundërthënëse deri në falsifikim të të dhënave të trashëgimisë kulturore-shkrimore të antikitetit, meqë në të bëhet fjalë për fushatën e Aleksandrit në Indi, përkatësisht një dhuratë të bërë atij prej mbretit të Albanëve të Kaukazit. Duke lexuar në vijim krejt pasazhin te Plini, i cili përkon fund e krye me përshkrimin e bërë në dorëshkrim prej anonimit, lejohemi të bluajmë tash patëkeq në mendje, se mos ndoshta kjo “lajthitje” e anonimit tonë vjen thjesht nga mosnjohja e drejtpërdrejtë e veprës së Plinit, përkatësisht bëhet tërthorazi, nëpërmjet transponimit – e pse jo! – të (pa)kujdesshëm të asaj pjese të debatit intelektual që zhvillohej atëbotë në mjedisin kulturor shqiptar ose albanologjik, të cilit i takonte.

Facit

Se ç’drejtim morën në shekujt në vazhdim historitë dhe mitet e Lekës së Madh në debatin intelektual shqiptar dhe si ka përfunduar ai sot “zyrtarisht” në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar për këtë mjafton të përmend atë çka u prek në pjesën e parë të këtij shkrimi. Gjithsesi lejohem t’i rikthehem tash atij befasimi që përjetova në mars të vitit 2014, gjatë një vizite në Shkup, kur u gjenda përballë statujës rrokahyjëse të “Kalorësit mbi kalë”, një ngrehinë marramendëse në pozicion luftarak aty te 22 metrat e lartë. Një koleg shqiptar nga Shkupi që më shoqëronte më tha buzagaz në mirëbesim: “Ne kemi Lekën tonë!”, d.m.th. statujën e Skënderbeut zulmëmadh me jo më shumë se 4-5 metra lartësi, i cili merr vend në pozicion ceremonial po ashtu mbi kalë e më shpatë ngrehur, aty pranë Pazarit të Vjetër, në lagjen Çair. Simbolika e të dyja statujave ushtron në instancë të fundit të njëjtin funksion: vullnetin për të qenë bashkë e në bashkëjetesë me tjetrin. Shqiptarët e kanë shumë më të lehtë t’i pranojmë e të krenohen njëlloj me të dy, e për këtë na ndihmon vetë trashëgimia e mendimit intelektual shqiptar në kohë e hapësirë.[2]

© 2022 Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit.


[1] Informacion i plotë mbi tekstin origjinal latinisht me përkthimin gjegjës anglisht (prej R. Elsie-t) kumtohet në një studimin tonë të zgjeruar në “Hylli i Dritës” 3-4 [2013] 204-216.

[2] Variant i përshtatur dhe i përmbledhur prej studimit tonë: Mite dhe fakte në mendimin intelektual-albanologjik – Vendi i Aleksandrit të Madh në kulturën shqiptare-arbërëshe, në: (Demiraj, B. & Mandalà, M. & Sinani, Sh. – bot.)  “Studi in onore del prof. Francesco Altimari in occasione del 60° compleanno”. Tiranë 2015, S. 179-191

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin