BUTRINTI I EPIRIT

Një artikull në The Times, me titullin Gërmimet nxjerrin në dritë të kaluarën greke të qytetit të lashtë shqiptar (Excavations reveal the Greek past of ancient Albanian city, paywalled) u shoqërua me disa reagime sipërfaqësore sot në mediat e Tiranës. “A nevojitet një debat për identitetin kulturor të Butrintit?” pyet Gazeta Dita. Ndërsa TemA: ‘Provokon’ The Times: Qyteti i lashtë shqiptar, Butrinti, është grek. Pas pozave të zakonshme të indinjatës (“po na e marrin edhe Butrintin”) përvijohet një sfond klishesh dhe kundër-klishesh ideologjike, që ka edhe ai nevojë për pak arkeologji (në kuptimin foucauldian).

Si qytet dhe si objekt arkeologjik dhe historik, Butrinti i lashtësisë doemos i përket qytetërimit greko-romak; roli i përbërëses jo-greke, nëse ka pasur të tillë, në zanafillën dhe jetën e qytetit mund të ndiqet vetëm tërthorazi, sa kohë që nuk gjenden mbishkrime a të tjera dëshmi të shkruara në një gjuhë të ndryshme nga greqishtja e vjetër dhe latinishtja.

Gjeografikisht, Butrinti i përket krahinës së Epirit; dhe tabloja etnike për Epirin e lashtë nuk është fare e qartë, sikurse nuk është e qartë natyra etnike e fiseve epirote – nëse kanë qenë greke, jo-greke, ilire, etj., kjo nuk përcaktohet dot me siguri, edhe pse qytetërimi në Epir ka qenë doemos grek. Por le të mos ngatërrojmë qytetërimin me prejardhjen; meqë i pari është proces, ndërsa e dyta tipar. Nëse historikisht Epiri i lashtësisë i përket botës helene, kjo nuk e bën automatikisht dhe thjesht “grek”, veçanërisht në kontekstet e ndezura të debateve kombëtariste në Ballkan.

Për Butrintin (Lat. Buthrōtum, nga greqishtja e vjetër Βουθρωτόν) faqja anglisht e Wikipedia-s thotë se ishte një qytet “grek i lashtë”, i banuar që në kohë prehistorike dhe qyteti i “fisit grek të kaonëve”, me kontakte të ngushta me koloninë korintase të Korkyrës[1]. Ky cilësim i kaonëve si grekë më vuri në dyshime; shkova të shoh në faqen gjermanisht të Wikipedia-s për Butrintin, dhe aty lexova që Butrinti ishte “në origjinë” (ursprünglich) qytet epirot, me popullsinë nga Iliria dhe Greqia. Butrinti, thotë kjo faqe, ishte një nga kryeqendrat e kaonëve, një nga tri fiset e mëdha epirote (dy të tjerat: thesprotët dhe molosët). Faqja gjermanishte për fiset epirote i referohet një Illustriertes Lexikon des Altertums, ku lexohet, mes të tjerash, se. popullsia “kryesisht ilire” (hauptsächlich illyrische Bevölkerung) e Epirit zgjati deri në shekullin IV p.e.s. Edhe faqja italisht e Wikipedia-s thotë për Butrintin se ka qenë, gjatë shekujve, “qytet epirot”, pastaj koloni romake dhe më pas peshkopatë; duke shtjelluar më pas se, në zanafillë, Butrinti ishte qytet i krahinës historike të Epirit[2], me kontakte me ngulimin grek të Korfuzit dhe me fiset ilire në veri. Edhe faqja anglishte, që i quan kaonët “grekë”, i referohet për këtë Gjeografisë së Strabonit, pa çka se ky shkruan që “deri në ditët e sotme, trakët, ilirët dhe epirotët jetojnë në kontakt me grekët – edhe pse më pak tani se në të shkuarën”, dhe se i dallon fiset epirote nga ato greke.

Se çfarë ishin në origjinë kaonët, këtë nuk e themi dot; përcaktimi i tyre si epirotë do të mjaftonte. Që këta, si shumë fise të tjera të Epirit, me kohë u greqizuan – në kuptimin që adoptuan qytetërimin grek – kjo nuk duhet ngatërruar me çështjen e origjinës së tyre, e cila mbetet e paqartë. Edhe vetë greqizimi nuk është e thënë të dëshmojë ndërrim gjuhe: aq më tepër që greqishtja ishte, në periudhën klasike, një lloj lingua franca e Mesdheut. Prandaj le të themi për Butrintin që u bë qytet helen (cilësimi “grek” është anakronizëm), në rrjedhë të një procesi qytetërues (helenizues) që përfshiu krejt Mesdheun. Këtë e dëshmon edhe arkitektura dhe urbanistika e qytetit vetë dhe implikimet përkatëse.

Për fiset epirote, siç përmenden në burimet antike, Katicic-i[3] shkruan se “këto fise nuk konsideroheshin si helene. Shkrimtarët klasikë janë shumë të qartë, kur i quajnë barbarë… Vetëm banorët e Hellopia-s, në qendër të Epirit përreth faltores së Dodonës njiheshin, që në kohë të lashta, si helenë.” Megjithatë, ai vazhdon më pas: “Edhe pse autorët e vjetër i konsideronin epirotët si barbarë, duket se vendi i tyre ishte integruar plotësisht në zonën e gjuhës greke. Kjo konfirmohet nga zbulimi i mbishkrimeve nga vitet 370-368 në Dodona. Fiset e përfaqësuara atje janë mollosët dhe thesprotët. Këto tekste janë të gjitha në greqishte, të llojit veri-perëndimor, dhe emrat e njerëzve janë të gjithë grekë… Këto fise me siguri flisnin greqisht edhe para periudhës së Thuqididit. Si pasojë ky i pat quajtur barbarë pa pasur parasysh me këtë ndonjë gjuhë jo-greke.” Pastaj Katicic-i u referohet disa analizave onomastike të Nilsson-it, sipas të cilit disa prej emrave të krerëve epirotë, të përmendur nga Thuqididi, nuk janë grekë; dhe pastaj përmend se, sipas Strabonit, disa prej epirotëve ishin dygjuhësh, çfarë sugjeron praninë e një elementi aloglot në Epir. Si përfundim, ky dijetar nuk e pranon mendimin e Kretschmer-it dhe të disa të tjerëve, se Epiri ishte ilir në lashtësi, por pranon mundësinë që disa prej fiseve të kenë qenë jo-greke dhe që të ketë pasur edhe imigrim nga një zonë gjuhësore në veri… “Epiri mund të përmendet si shembull një vendi me një popullsi jo-greke në kufi të botës greke” shkruan Katicic-i.

Tani, se çfarë ishin banorët e Butrintit në rrjedhë të shekujve, këtë vetëm mund ta marrim me mend[4]; por si për çdo qytet bregdetar, duhet të supozojmë një larmi etnish, të ardhur nga deti dhe nga (prapa)toka: helenë, epirotë, ilirë (edhe liburnë), latinë, fenikas dhe kushedi ç’tjetër, me elitat që me siguri ishin më greke se popullsia tjetër. Arkeologjia klasike nuk mund të na ndriçojë shumë për këtë përbërje etnike, për shkak të çfarë e kanë quajtur selection bias: të trajnuar në universitetet europiane, arkeologët klasikë janë të specializuar për kulturën dhe qytetërimin e lashtë grek (helen) dhe latin (romak), meqë kjo kulturë dhe ky qytetërim u japin bazën kërkimore; dhe instrumentet e kërkimit i kanë gjithashtu të kalibruara për atë realitet specifik, sikurse edhe fondet i sigurojnë më lehtë par kërkime të tilla. Në këtë kuptim, do të shkoja deri atje sa të thoja se këta arkeologë, sado të paanshëm në përpjekjet dhe qëllimet e tyre, zbulojnë vazhdimisht gjëra greke ose pothuajse greke, sepse ato mund t’i dallojnë dhe t’i identifikojnë dhe t’i klasifikojnë më lehtë e më mirë[5]. Ekziston një traditë jashtëzakonisht e pasur e studimeve të antikitetit në Europë dhe gjetiu në Perëndim, e bazuar në arkeologjinë, filologjinë dhe kulturologjinë greko-romake. Për shembull, gjithnjë te faqja e Wikipedia-s anglisht për Butrintin, lexoj se gërmimet në Butrint kanë nxjerrë në dritë poçeri proto-korintase të shekullit VII dhe pastaj korintase dhe atikase të shekullit VI; çfarë konfirmon lidhjet tregtare dhe kulturore-materiale të Butrintit me kulturën helene[6]; por objekte të ngjashme, me prejardhje nga prapatoka, mbase nuk do të identifikoheshin kaq lehtë dhe sidomos kaq me zell, meqë arkeologëve do t’u mungonin modelet dhe paradigmat, por edhe motivimi.[7] Për fat të keq, nuk njihet një traditë e konsoliduar e arkeologjisë jo-greke dhe jo-romake në Ballkanin Perëndimor; edhe pse përpjekjet e disa brezave të arkeologëve (ilirologëve) nga Shqipëria dhe ish-Jugosllavia do të meritonin shumë më tepër vëmendje akademike se ç’u është dhënë deri më sot.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht kopjimi pa leje.


[1] Këtu dhe më tej u referohem faqeve të Wikipedia-s i vetëdijshëm se këto mund të shkruhen dhe të rishkruhen nga kushdo dhe të rekrutohen në shërbim të ideologjive; por, mbase pikërisht për atë, informacioni në këto faqe tregon çfarë konsiderohet si me rëndësi, nga aktivistët akademikë përkatës. Aq më tepër, dallimet mes trajtesave për të njëjtat hyrje me natyrë historike, në gjuhë të ndryshme, lënë hapësirë për të kuptuar konfliktet në botëvështrim, sipas interesave edhe gjeopolitike.

[2] Për Epirin e lashtë, Wikipedia italishte thotë se banorët kishin emra grekë, edhe pse përshkruheshin ndonjëherë si “barbarë” nga historianët klasikë.

[3] Katicic, Radoslav, Ancient Languages of the Balkans, Part one, 1976, Mouton, The Hague-Paris, ff. 120-128.

[4] Shih për këtë edhe Demiraj, Shaban, Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët, Infbotues, Tiranë 2008, ff. 52-68.

[5] Dukurinë e ilustron më së miri alegoria e atij të dehurit që kërkonte për çelësat e humbur poshtë një drite, jo sepse aty i kish humbur, por sepse aty mund të shihte më mirë.

[6] Neritan Ceka shkruan për një ekspeditë të përbashkët shqiptaro-greke të fillimviteve 1990, e cila zbuloi në Butrint një shtresë të hershme të shekujve XI-X p.e.s. të karakterizuar nga “qeramika lokale e punuar me dorë dhe mungesa e plotë e qeramikës së importuar greke. I vetmi objekt i importuar ishte një majë heshte bronzi e tipit të Europës Qendrore.” Përfundon Ceka: “Butrinti i kësaj periudhe ishte kështu një fshat i thjeshtë peshkatarësh dhe barinjsh” (Ceka, Neritan, Ilirët, Migjeni, Tiranë 2005, f. 22).

[7] Pjesëmarrja e Butrintit në qytetërimin klasik grek dhe më pas romak dhe gjithsesi mesdhetar nuk është dhe aq interesante – njëlloj sikurse nuk është interesante që në Tiranën e sotme ka shumë televizorë të markës Samsung. Një qytetërim mbizotërues i rrafshon dallimet lokale. Nëse diskursit kulturor “turistik” edhe në Shqipëri mund t’i vijë për mbarë që ta paraqitë Butrintin si një shembull tjetër të arkitekturës dhe të qytetërimit “grek”, studimeve arkeologjike vendëse besoj se duhet t’ju interesojë më tepër se çfarë e bën unik Butrintin, ose çfarë e dallon nga qytete të ngjashme anembanë Mesdheut; meqë te ky unicitet mund të ketë edhe gjurmë a fillesa jo-greke. Dhe kjo jo ngaqë duhet provuar patjetër pjesëmarrja e një etnie jo-greke në ngjizjen e Butrintit, por ngaqë për parahistorinë e shqiptarëve dimë kaq pak… Çfarë do të thotë se, megjithë solidaritetin dhe nevojën për bashkëpunim, interesat e arkeologëve nga universitetet europiane nuk do të përkojnë doemos me interesat e arkeologëve nga institucionet universitare dhe akademike në Shqipëri, të cilat i japin ose të paktën duhet t’i japin përparësi orientimit albanologjik.

9 Comments

  1. Ca herë vërtetë pyes, a ia vlen të shpenzosh energji për gjithçka që del nga shtypshkronja apo nga ekrani. Nuk e lexoj dot artikullin në origjinal, se nuk kam ndër mend ta paguaj. Por, duke lexuar çfarë shkruhet rrotull, e duke lexuar më sipër, kuptoj se autori i referohet, kryesisht, periudhës heleno-romake të Butrintit. Gjasat që të ketë shtuar miell nga xhepi janë të vogla, po të marrim parasysh se qarkullon lirshëm literaturë profesionale edhe on-line (do të mjaftonte një enciklopedi e kulturës helene, romake, apo e historisë së teatrove). Jemi në sezon turizmi. Ç’e keqe erdhi nga ca promovim? Ja, të paktën një kafe dhe një ujë kanë për ta pirë turistët tek shkojnë nga porti i Sarandës, Butrint e kthim. Kur të mbërrijnë në Trojën e Re, kanë për të parë edhe elementë të qytetërimit bizantin, do të shohin edhe mozaikun e baptisterit, edhe bazilikën, edhe vilën romake, edhe kullën venedikase. Ndoshta, buzë rrugës, tek shkojnë për Butrint, do t’u kapë syri edhe ndonjë xhami të këtyre 20 viteve të fundit. Teksa vazhdojmë ta shesim veten si vend ekzotik, duke thënë se jemi “vendi i vetëm evropian me shumicë myslimane”, vetvetiu asgjë të keqe nuk ka kur “inglizit” i duket Butrinti grek. (E de, vend mysliman, antikitet helen, si shkon kjo?) Matanë shakasë, një artikull në gazetë nuk është certifikatë nga të Aluiznit. Po me ato pallatet përbindësh që i marrin frymën gjirit të Sarandës, si do bëjmë? Ka ndokush përgjegjësi për atë shkatërrim të frikshëm të një fshati të mrekullueshëm bregdetar që mori trajtë qyteti të ëmbël vetëm në fillim të viteve 1940? E pra, Butrintin s’e ka greku me letra shteti. Shkatërrimin e Sarandës e ka bërë shqiptari me duart e veta, dhe ia ka certifikuar nga shteti. Për ujërat e zeza të Sarandës, që verën e shkuar u vizitua nga 800,000 turistë, ujëra që derdhen në ujërat e Ksamilit, ka merak kush? Ky duhet të jetë shqetësim më i madh se folklori patriotik, sepse bëhet fjalë për pastërtinë e natyrës, cilësinë e jetës, garancinë e shëndetit. Të tjerat janë dëngla.

    1. Unë jam shumë skeptik ndaj këtyre promovimeve “turistike” – që konfeksionojnë për konsum vlera përndryshe të konsideruara si kulturore. Dhe mendoj se, në thelb, nuk ka ndonjë dallim kushedi çfarë midis atyre që i nxjerrin grekët si pellazgë, dhe atyre të tjerëve që thonë “ça kemi qenë, një mut, asgjë s’kemi qenë”. Të dyja këto botëvështrime i bashkon një raport i sëmurë me të kaluarën dhe janë të dyja mendërisht të gjymta. Ka një bazë të përbashkët midis dëshirës për t’u shtrirë në gjithë hartën e Europës dhe konstatimit dëshpërimtar se nuk gjendesh asgjëkundi në hartë. Propaganda turistike nuk do të kishte “të keqe” po të shoqërohej dhe të kundërpeshohej nga ndonjë përpjekje serioze për të studiuar ato që të tjerëve nuk u interesojnë shumë – nëse anglezët duan të shohin Butrintin grek, albanologjisë nuk është se duhet t’i dalë gjumi natën për Butrintin grek. Është kollaj ta kalosh tërë verën me gërmime në Butrint, sepse ashtu ke edhe plazhin afër, madje edhe Korfuzin. Më e vështirë ta hedhësh kazmën në ndonjë bokërrimë në fund të dynjasë, ku edhe ujin të ta sjellin me mushkë. Sërish ajo alegoria e të dehurit me çelësa më vjen në mend.

      1. Shumë, po shumë interesante që sërish, pothuaj 10 vite më pas, lexoj të njëjtat tone me 10 vjet më parë, si tek:

        [https://peizazhe.com/2009/11/17/ku-ta-hedhim-kazmen/?fbclid=IwAR2mibzlvSYXSAmbJvhTxDSlOASkXd-VPu41sds9DadcQv90OlxFeEoCt8Y].

        Veç habisë, më vjen një çikë keq, në fakt, tek shoh Ardian Vehbiun mendjehapët të udhëhiqet nga ideologji që qoftë kërkimin shkencor e çorientojnë, qoftë inteligjencën e varfërojnë… Tashti mbeti të citojmë shokun Enver që i dhuroj Kadaresë një kopje të Zaharia Manjanit me fjalët “Mbaje, Ismail, mbaje. se kam dy, tjetrin e kam nën jastëk” (thotë legjenda, se nuk isha atje).

  2. Kerkoj ndjese per nderhyrjen, paksa edhe palidhje, por nqs keni nge e kohe hidhini nje sy shkrimit te ketij tipit, Mihalis Ntinopoulos tek Quora, poshte tek komentet e temes ‘What are Epirotes ethnically? Greek or Albanian?’, mbase ka te drejte ?!

  3. Një entitet i flashkët si ilirishtja («slippery entit»), po të huazojmë një term të Eric Hamp-it, është zor të ravijëzohet, edhe nëse gjenden mjaftueshëm indikacione për idioma jo-greke në Epirin klasik. Vonë pata fatin të shfletoja një studim të autorit gjerman Jürgen Schmid-it me titull « Akarnanien.: Eine Landschaft im antiken Griechenland. (botim i Ergon, 1996). Në të, ai me mjaft diligjencë arrin të shquajë gjurmë ilire edhe përtej Epirit, madje edhe në një zonë të mugët siç ishte Akarnania. Alkimia metodike e autorit gjerman mbase mund të duket paksa alla-Krahe, por sidoqoftë shtjellimet e tij nuk janë për t’u hedhur poshtë kur gjen paralele onomastike mes Ilirisë dhe Akarnanisë. Megjithatë, meqë tema është për Butrintin, guxoj të kuturisem në disa observime vetjake, që sot po i ndaj këtu në blogun e z.Vehbiu. Nga leksikoni i Stefan Bizantit gjejmë një grusht toponimesh që kanë si rrënjë *bou-. Kështu kemi:

    1. Bouthoe, qytet në Iliri (Βουθόη, πόλις ‘Ιλλυρἰδος)
    2. Bouneima, qytet në Epir (Βούνειμα, πόλις ‘Ηπείρου)
    3. Bounnos, qytet i ilirëve (Βοῦννος, πόλις ‘Ιλλυρἰας)
    4. Bounomos dhe Bounomeia ishin emrat e motshëm të Pellës në Maqedoni (Πἐλλα, πὀλις Μακεδονίας…ἡ δἐ Μακεδονίας Βούνομος τὀ πρότερον ἐκαλεῖτο καἰ Βουνὀμεια).
    5. Në greqishten e vjetër βούνομος shpjegohet si “grazed by cattle”, kurse βουνόμος “of oxen at pasture”, përderisa në shqip bun-i (= kasolle barinjsh në stane; shtëpi e ulët e ndërtuar me gurë të pagdhendur).

    Cilado të ketë qenë e vërteta, disa dialekte i.e që rrethpriteshin në zonën e ndërmjeme ilire-epirote-maqedone shfaqin raste kur buzoprapaqiellëzorja *gʰu̯- herë përfundonte si buzore /-b-/ (dukuri kentum), herë si velare e zëshme /-g-/ (dukuri satem).

    Shembuj iliro-mesap: Otto Hass e V.Cimochowski e rindërtojnë glosën mesape sybina ,heshtë derri’ përmes paravendimit *su-gʰu̯ono-s, *su-gʰu̯onā, *su-gʰu̯oni̯o-s, nga *gʰu̯ono- *gʰu̯en- ,,derr’’. E njëjta në ‘ilirisht’ mendohet se është edhe te glosa e Hezikut për gjarpër αβεις•εχεις (abeis, ekheis) që, sipas Fick, vjen nga një < *n̥gʷʰi-.

    Shembull në maqedonisht: oronimi Βέρμιον mendohet se është zhvillim nga një *gu̯ora- (shih derivatet konjate me gora- në gjuhët sllave).

    Unë mendoj se Βουθρωτόν/Bouthroton mund të prapakthehet tek një e supozuar PIE *gu̯ōu- ‘lopë’. Vladimir Orel te ‘A concise historical gramar of the Albanian language…’ gjen një rindërtim të përbashkët për shqip ,gak’ (der) g.

    1. Nje pjese e paragrafit të fundmë të artikullit nuk qenka postuar (mbase faji i asaj që simbolet diakritike shpesh nuk përthyhen në wordpress). Por e ripostoj paragrafin e plotë:

      Unë mendoj se Butrint mund të prapakthehet tek një e supozuar *gu̯ōu- ‘lopë’. Vladimir Orel te ‘A concise historical gramar of the Albanian language…’ gjen një rindërtim të përbashkët për shqip ,gak’ (derr) nga *gauka dhe për maqedonisht γοτᾶν (derr).

      Që ta shpleksim këtë problem, këtu ka dy mundësi:
      1. Ilirishtja, siç përpiqej të tregonte dikur Cimochoëski, mund të ketë pasë edhe reflekse kentum, edhe satem, të buzoprapaqiellzoreve.
      2. Një rremb i ilirishtes së skajme ruajti /-b-/ për buzoprapaqiellzoren /*gu̯/, kurse një varietet i saj (protoshqipja) si dhe maqedonishtja u satemizuan *gu̯ : g.

      Sado konjekturale dhe e jokoherente që mund të duket, kjo është ajo çka ofron analiza fonologjike (pa ngarkesa shovene e as emocione). Tjetra se cili element ishte më i shumtë e cili më i paktë ishte në Epir, e veçmas në Butrint, është diçka tjetër. Se një atendant i shqipes së sotme, një protoshqipe, një ur-Albanisch, një ilirishte, etj, flitej në Epir, kjo s’është as iliromani, as albanocentrizëm e as fantazmagori pseudoetimologjike. Nëse indoevropianisti polak K. Witzak venturon deri atje sa analizon fjalë shqipe në dorishten e Alkmanit, pse Epiri duhet përjashtuar nga debati për shqipen?

      Shëndet
      Coli
      Prishtinë

      1. Teknikisht nuk mund te kete edhe dukuri kentum edhe dukuri satem meqe behet fjale per shkrirje te ndryshme te 3 kategorive te dorsaleve indoeuropiane. Reflekse te ngjashme me kentum e satem / centum-like dhe satem-like duhet te jene teorikisht te kufizuara ne dialekte kufitare me gjuhe te huaja kentum e satem. Nje pjese e mire e etimologjive te ilirishtes jane per tu ripare nqs pranojme barazimin ilirisht=protoshqipe. Kalimet k->p e g->b jane supozuar per ilirishten po nuk japin ndonje rezultat te mire per shqipen (ne fakt nuk japin fare), gje qe me shume duhet te jete e lidhur me dialekte periferike ilirike ne kontakt me gjuhe kentum, pra te jene centum-like. Teorikisht meqe hititishtja u kthye ne kentum nga protoanatolishtja pre/kentum-satem, nuk do te ishte e pagjase qe dialekte te protoshqipes te jepnin dialekte apo gjuhe kentum apo satem, po ne cdo rast kalim nga centum like ne kentum apo nga satem like ne satem do te supozonte shkrirje te dorsaleve, keshtu qe do te kishim ndonje bije te protoshqipes qe eshte moter me shqipen gego-toske, gjithsesi gjuhe e zhdukur. Nqs epirotishtja nuk ka qene dialekt centum-like por gjuhe kentum atehere mund te kete qene gjuhe moter e gego-toskes, qe eshte zhdukur. Duhet pare me shume kujdes kjo pike dhe etimologjite e propozuara. Eshte e lehte te biesh ne pozita alla latine ku cdo bashketingellore kthehet ne cfare ti doje qejfi latinologeve dhe perdorimi edhe kentum edhe satem eshte pikerisht ajo qe nuk duhet. Kujtojme qe ne afersi te Butrintit jetonin edhe perrebejte, te permendur si prasaebi nga autoret antike dhe perrebejte jane fis shume antik te permendur shume heret ne Thesaline Veriore dhe ne mit Perrhaebi si nje nga djemte e Ilirit. Ne trajtimet e fiseve duhet pasur parasysh se fiset e medha ishin rregullisht te perbera nga nenfise dhe perfaqesonin me shume nje hegjemoni rajonale te nje fisi dominant, sesa nje fis me shtrirje te gjere. Teorikisht Butrinti mund te kete qene qytet i perrebejve/prasaebi , te cilet kane qene per shekuj nen hegjemonine kaone. Kjo ka me shume gjasa sesa ndonje invazion i perrebejve ne shekullin e 2 p.l.k nga nje zone e panjohur e Ilirise, per te cilin nuk flet askush nga autoret antike. Butrinti si qytet i perrebejve do vuloste iliresine e banoreve te hershem te zones dhe do bente te domosdoshme nje etimologji ilirike.

  4. Dies irae
    Ke bere disa poenta me vlere por qe per ceshtje hapesire nuk replikoj dot te gjitha me radhe. Une vazhdoj t’i mbahem argumenteve te Jokl-it, Mayerit dhe, vecanarisht, Ion I. Russu (qe ka nje monografi 200 faqeshe enkas per ilirishten) qe mbeshtesin mendimin se idiomat me ne jug perfaqesojne nje tip satem (sikurse edhe mesapishtja). Se kjo dukuri u pershfaq nga kontakti ne nje period prehistorike para ardhjes se tribuve i.e ne Ballkan apo ishte proces dytesor i mevonshem, ilirishtja ose ajo idiome qe flitej ne Illyris shfaq depalatalizim (khs. /kl/) dhe ruajten e dallueshme te tri radheve te tektaleve (megjithate ky argument s’eshte qe flet shume se perben tipar konservimi dhe jo risimi). Megjithate disa gjera jane mese te qarta per realitetet gjuhesor ne Epirin preklasik. Fakti qe ne jug te Epirit kemi hidronimin Akereont (qe ne mitologji ndjesohej si kufiri i tejme i gjithckaje helene, ose dicka e tjeterbotshme) si zhvillim kentum te PIE *aģher- ,,liqe”, kurse me ne veri, ne Iliri, kemi nje etnike si Osseriates (popull liqeni literalisht), si tipar satem, nuk eshte gje gand e rastit. Para se gjithash flet edhe per faktin ku rrethpriteshin gjuhet e c’procese fonologjike te ndryshme pesonin hapesirat ne veri e ne jug te kesaj vije (Akereonti). Ne Dodone, sic veren Vladimir GEORGIEVI, kemi sellejtë (Selloi) qe ruajne nje /-s-/ prevokalike e te cilin greqishtja e ka humbur (khs. Sirras > Hirras; Sellopia > Hellopia etj). Per autorin, kjo /-s-/ prevokalike mund te jete ruajte vetem nga “pellazget ose iliret ne Dodone”. Ka edhe shume gjera qe me sillen ndermend, por kam frike se nikoqiri, z.Vehbiu, mund t’i gjeje si jo relevante per temen e mbareshtruar ketu. Shpresoj qe mund t’i kembejme mendimet per keto perpleksitete! Shendet

    1. Col, nese ilirishtja ishte kentum apo satem kjo eshte çeshtje e pazgjidhur, qe do te thote se etimologjite nuk jane te qelluara. Ne keto kushte nuk perjashtohet qe mund te kete qene as kentum, as satem, dmth te gjitha mundesite jane ne loje.
      Ceshtja kryesore ketu eshte nese b e Butrintit vjen nga g apo vjen nga bh.
      Nqs kemi g>b atehere kalimi qe njihet ne disa gjuhe kentum mban hapur diskutimin per natyren kentum apo satem te ilirishtes dhe nqs ilirishtja do te ishte satem atehere emri i Butrintit nga lope guows>bous do ta bente sipas gjasave me etimologji greke, meqe ne greqisht e osko/umbrisht kemi nje kalim te tille dhe osko/umbret nuk kane pase pune ne Butrint.

      Nderkohe qe nqs b e Butrintit vjen nga bh i.e atehere etimologjia do te drejtohej tek i.e bhudh- nga vijne anglishtja bottom, latinishtja fundus, greqishtja puthmen e shqip buzë dhe bythë.

      Nqs b vjen nga bh atehere greqishtja del jashte loje meqe bh jep ph/f apo p dhe jo b.

      I njejti arsyetim vlen edhe per malin Bermion ne Maqeoni, qe e permende me siper. Nqs duhet doemos etimologji me shtaze Bermion rri me mire per berr me nje bh i.e sesa me guows, dmth kalimet fonetike jane shume me pak te nderlikuara.

      Nga pikepamja kuptimore nje vendbanim bregdetar mund te kete çdo kuptim te mundshem, por nqs eshte per tu zgjedhur mes lopes/ guows dhe konceptit te fundit, kufirit/ bhudh, ky i dyti duket me i pranueshem.

      Krahasimi me Buduan/Budven do te bente me te kenaqshem per rrenjen e perbashket bhudh- i.e sesa guows.

      Pra nje diskutim kentum/satem per ilirishten per te zgjidhur etimologjine e Butrintit do te ishte i tepert ne rast se kemi bb ne ilirisht eshte i verifikuar, ndersa ne greqisht i pamundur, cka edhe e nxjerr greqishten jashte loje.

Comments are closed.