RRUGË INOVUESE NË ALBANOLOGJI

(falënderojmë Lumnije Jusufin për këtë material përmbledhës të konferencës)

„Innovation Paths in Albanology“: International Online Conference for Young Researchers
Organizatorë: Christian Voß, Lumnije Jusufi, Evelyn Reuter
Donatorë: Humboldt-Universität zu Berlin, Südosteuropa Gesellschaft
Kooperacion: Friedrich-Jena-Universität Jena
Raport nga Evelyn Reuter; përktheu nga gjermanishtja Lumnije Jusufi

Konferenca me temën „Rrugë inovuese në albanologji“ u zhvillua në datën 14 dhe 15 tetor 2021 si aktivitet online nëpërmjet platformës Zoom. Në konferencë prezantuan projektet e tyre inovuese dhe ndërdisiplinore 17 hulumtues të rinj: doktorantë, postdoktorantë dhe asistentë/profesorë.

Përveç organizatorëve, referentëve dhe drejtuesve të paneleve, në konferencë morën pjesë edhe pjesëmarrës të interesuar, të cilët u angazhuan në mënyrë aktive në pjesët e diskutimit. Afërsisht morën pjesë 50 pjesëmarrës. Për shkak të përbërjes internacionale të pjesëmarrësve gjuha e konferencës ishte anglishtja, por pati edhe dy kumtesa në gjuhën shqipe.

Dita e parë e konferencës u çel me fjalë mirëseardhjeje nga ana e organizatorëve dhe me një njësi meet-and-greet, për t’u njohur më mirë pjesëmarrësit. Më pas vazhdoi Christian Voß me kumtesën e tij (keynote) me titullin „Re-Inventing Albanian and South-Slavic Studies in Berlin“. Ai dha një pasqyrë mbi rrethanat historike dhe resurset institucionale në vendet gjermanishtfolëse (Berlin, Grac, Jena, Munih, Vjenë) dhe më gjerë. Më tutje ai prezantoi projekte aktuale në Berlin dhe theksoi, duke iu referuar qendrës ndërdisipilinore „Border Crossings-Crossing Borders. Berliner Zentrum für transnationale Grenzforschung“, domosdoshmërinë për tejkalimin e qasjeve monolinguale të linguistikës tradicionale dhe filologjike nacionale. Në vend të saj do të duhej të hulumtoheshin tematikat gërshetuese, si për shembull ndërmjet albanologjisë dhe sllavistikës jugore, Border Studies dhe studime migracioni.

Blloku i parë mbante titullin „Innovation Paths through Language Studies“ dhe përbëhej nga dy panele. Paneli i parë mbi sociolinguistikën u hap me kumtesën e Elona Gjatës (Tiranë) me titull „The Language Situation of the Macedonian Minority in Albania”. Ajo përshkroi gjendjen aktuale të goranëve në trekëndëshin shtetëror Shqipëri-Kosovë-Maqedoni e Veriut dhe ndikimin e lartë të shqipes mbi gjuhën e goranëve, të ashtuquajtur „našinci“ (< sllav. naši‚ ‚të tanët‘) në territorin shqiptar. Përveç faktorëve gjeopolitikë, ka edhe faktorë të tjerë ndikues, si feja, arsimi dhe puna. Më pas vazhdoi Bora Shpuza Kasapolli (Zagreb) me kumtesën e saj „The Linguistic Dependence of an Independent Country – State of the Language and the Linguistic Fluidity of Kosovo Albanians”, ku theksoi fluiditetin e gjuhës si përparësi për mendim inovativ dhe për zgjidhje të problemeve sociopolitike. Në fund mbajti kumtesën Delina Binaj (Berlin) „The Visibility of Gender Identities and Linguistic Practices for Naming People in Albanian” dhe tregoi pasojat e një gjuhe të ndjeshme gjinore të futur nga shteti, si nxitja e proceseve emancipuese ose dukshmëria e identiteteve gjinore.

Në panelin „Quo Vadis Linguistic Tradition?” vijoi Albana Muco (Milano) me kumtesën e saj mbi „Phraseological Units with Colour Naming: A Contrastive Analysis of Albanian and German”. Ajo iu afrua temës nga këndvështrimi pluricentrik, ku tregoi disa varietete interlinguistike dhe intralinguistike. Kadire Binaj (Prishtinë) vazhdoi me kumtesën e saj me titullin „Structural Sentence Patterns in Albanian Language – The Semantic Roles of Complements in Sentences with Bivalent Monotransitive Verbs”. Ajo theksoi, se përveç agens dhe patiens ka edhe role të tjera semantike, si: përjetuesi, stimuluesi, motivi dhe shkaktari. Philipp Wasserscheidt (Berlin) sqaroi në kumtesën e tij me titull „Digital Language Corpora of Albanian” anët pozitive dhe hapat e parë të përpilimit të një korpusi digjital. Ai përmendi po ashtu edhe database për korpuse të gjuhës shqipe dhe sfida në lidhje si me gramatikën e gjuhës shqipe, ashtu edhe me teknikën.

Blloku i dytë prezantoi „Innovation Paths through Interdisciplinary Studies” me një panel për studimet e migracionit. Fillimisht ligjëroi Blerta Ismajli (Prishtinë) në „,Kadale, kadale, wie war noch mal dein Name?’ – Bilingual Linguistic Features in Albanian Pop Music Lyrics” me anë të disa rastesh studimi mbi transferin gjuhësor që shkaktohet nga lëvizjet migratore dhe kontakte të tjera gjuhësore të shqipes me gjermanishten. Blerina Kelmendi (Munih) në prezantimin e projektit të saj „Language-mixing in Albanian-German Bilingual Families”, theksoi se languageswitching dhe codeswitching varen nga komunikimi ndërmjet brezash, por rëndësi kanë edhe rajonet ku janë socializuar folësit e incizuar. Agata Rogoś (Berlin) prezantoi në kumtesën e saj „Patterns of Albanian Occupation of Space in Neukölln (Berlin) and Bronx (NYC)” pjesëmarrjen e migrantëve në jetën e përditshme nga perspektiva ekonomike dhe kulturore. Jetën e përditshme ajo e definoi duke pasur parasysh rrethanat specifike, si: qyteti, lokaliteti urban dhe migrimi.

Dita e parë u përmbyll me një takim virtual në mbrëmje, i cili shërbeu për intensifikimin dhe ruajtjen e kontakteve sociale dhe rrjetëzimin e pjesëmarrësve.

Dita e dytë e konferencës nisi me bllokun e tretë „Innovation Paths through Literary Studies” dhe panelin „Quo Vadis Literary Tradition?”. Belfjore Zifla (Qose) (Tiranë) dha me „Issues Emerging from Albanian Transnational Literature” një pasqyrë të autorëve të diasporës transnacionale. Duke vepruar kështu, ajo u përqendrua kryesisht në idetë e atdheut, identitetit dhe ndrydhjen/shtyrje në harresë, si dhe ndjenjën e të qenit në mes. Abdulla Rexhepi (Prishtinë) prezantoi „A Review to the Literary Work of Naim Frashëri”. Ai tregoi se Frashëri futi shumë tema dhe personazhe nga letërsia persiane. Në veçanti, Frashëri ushqeu idetë mistike lindore në letërsinë shqipe. Eljon Doçe (Tiranë) paraqiti karakteristika të ndryshme të veprës së Migjenit në kontributin e tij „Discovering a New Migjeni, Under the Light of Textual Reading ”. Këto përfshijnë, ndër të tjera, formën e shkurtër prozaike, e cila ishte atipike në atë kohë, rrëfimet e fragmentuara, narracionin e parodizuar dhe temat blasfemuese. Shpeshherë ato shiheshin si „shtesë”, edhe pse ishin karakteristika themelore.

Blloku i katërt mbi „Innovation Paths through Cultural Studies” filloi me panelin „Print Culture”. Në këtë panel, Ervina Halili (Prishtinë) mbajti kumtesën e saj „The Publishing House Rilindja and the Formation of a Codified Language”. Fillimisht ajo paraqiti një pasqyrë të komunikimit të përbashkët letrar që e ka krijuar shtëpia botuese „Rilindja” në Kosovë pas vitit 1945 dhe e cila pasqyron rrethanat shoqërore dhe politike të asja kohe. Yll Rugova (Prishtinë) hodhi më pas në „Punchcutting of Two Original Albanian Alphabets from the 18th and 19th Century” një dritë të re mbi një nga tipografët e parë, Alois Auer, i cili zhvilloi shkronja për dy alfabetet origjinale të shqipes, nga Naum Vexhilharxhi dhe Theodor Haxhifilipi.

Paneli i fundit i titulluar „Culture in the Media“, për të cilin Evelyn Reuter ishte përgjegjëse dhe moderatore, zgjeroi qasjet kryesisht gjuhësore dhe letrare të konferencës me perspektiva të ndryshme kulturore dhe shkencore, si: sociologjia, studimet fetare, gazetaria, kulturat e kujtesës, të cilat ofrojnë perspektiva inovative. Së pari, me kontributin e tij „Religious Fundamentalism in Kosovo and the Impact of Media”, Ferdi Kamberi (Prishtinë) u ndal në arsyet e pjesëmarrjes në luftën në Siri dhe Irak, reagimet dhe pasojat politike bazuar në një analizë kuantitative të anketave me rreth 500 të anketuar nga Kosova. Jeta Abazi Gashi (Leipzig) tregoi me „Secularity from the Lenses of the Online Media (2009–2019). Kosovo and Albania” rëndësinë e Nënë Terezës dhe Skënderbeut për negocimin e identiteteve kombëtare në kontekst fetar. Duke vepruar kështu, ajo mori parasysh të kaluarat e ndryshme sociale dhe politike të të dy vendeve, të cilat ndikuan në perspektivat e elitave (jo) fetare. Zsófia Turóczy (Leipzig) në „,O moj Shqypni’ as an Albanian memory side”, prezantoi shembuj të ndryshëm nga politika dhe muzika, në të cilat citohet vargu poetik „Feja e shqyptarit asht shqyptarija”.

Në diskutimin përfundimtar, të moderuar nga Evelyn Reuter, pjesëmarrësit përmblodhën se cilat tema dhe qasje ishin veçanërisht frymëzuese dhe inovuese për ta. U përmendën temat, të cilat deri më tani nuk janë hulumtuar pothuajse fare, si: minoritetet, qasjet pluricentrike, ndërdisiplinore, këndvështrimet diasporike, transnacionale dhe perspekiva të tjera gërshetuese, si dhe qasja për krijimin e një korpusi dixhital. Qasje të tjera inovuese u panë edhe kur flitej për vetë termin „inovacion“, për shembull bashkëpunime kërkimore në vend të idesë konkuruese. Kjo përfshin gjithashtu edhe idenë e komunikimit të përbashkët kërkimor dhe shkencor me audiencë joakademike përmes mediave sociale ose podkasteve. Për më tepër, formati online u perceptua se kishte një të ardhme premtuese, duke e parë të mundur zhvillimin e aktiviteteve të tjera në Zoom. Një anë tjetër pozitive e realizimit online u pa në mundësinë e pjesëmarrësve të tjerë, pjesërisht edhe në mënyrë (spontanisht) aktive.

Christian Voß prezantoi perspektivat dhe mundësitë e ardhjes në Gjermani me një projekt të financuar nga palë të treta, për shembull nëpërmjet Shërbimit Gjerman të Shkëmbimit Akademik (DAAD) ose Fondacionit Gjerman të Kërkimeve (DFG). Si partner bashkëpunimi nga Universiteti i Jenës, Christoph Giesel raportoi shkurtimisht për konferencën e mëparshme në Jena me qëllim të mbledhjes së ideve të mëtejshme për ndërtimin e një rrjeti të qëndrueshëm kërkimor. Lumnije Jusufi dha një vështrim mbi botimin e planifikuar në serinë „Studies on Language and Culture in Central and Eastern Europe”, e cila drejtohet nga Christian Voß dhe botohet nga shtëpia botuese Peter Lang.

Feedback-u i fundit nga pjesëmarrësit ishte mirënjohja e tyre për organizimin e një konference të tillë, për mundësitë e rrjetëzimit dhe për të mos mbetur vetëm në kohë pandemike. Të kënaqur me këto komente organizatorët e përmbyllën konferencën.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin