“NJË EMËR NË KATËR RRUGË” NUK ËSHTË BOTUAR NË PRISHTINË

(Marrim dhe me kënaqësi botojmë këtë letër nga prof. Agim Vinca, i cili saktëson se, ndryshe nga sa thuhet në shkrimin tonë ZHIVAGO I MUNGUAR, romani Një emër në katër rrugë i Petro Markos nuk është botuar kurrë në Prishtinë.)

Lexova, me pak vonesë, shkrimin “Zhivago i munguar”, në të cilin flitet për fatin e Petro Markos si shkrimtar dhe ndalimin e romanit të tij “Një emër në katër rrugë” nga aparati burokratik i Tiranës në vitin 1973.

Është plotësisht i pasaktë pohimi se ky roman, pas ndalimit në Tiranë, qenkësh botuar në Prishtinë.

“Me sa shoh tani, – thuhet në shkrimin tuaj – kopje të romanit e gjetën rrugën fshehurazi për në Prishtinë dhe vepra u botua dhe u lexua në Kosovë, pa “lejen” e autorit Marko dhe të autoriteteve në Tiranë. Nuk kam të dhëna të tjera për këtë incident, por mund të them se vetë fakti që një vepër letrare e asgjësuar në Shqipëri kapërceu kufirin dhe u botua gjetiu, madje në një shtet “armik” si Jugosllavia, mund të ish shfrytëzuar më tej nga agjentura jugosllave dhe jo vetëm, për të minuar pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë, qoftë edhe në kundërveprim me çfarë kish ndodhur deri atëherë, me përkthimin e “Gjeneralit” të Kadaresë në Francë (1970)”.

Për hir të informimit të drejtë të lexuesve të revistës “Peizazhe të fjalës”dhe adhuruesve të veprës së Petro Markos, e shoh të udhës të ndërhyj për ta sqaruar këtë çështje.

Nuk është e vërtetë se romani “Një emër në katër rrugë” i Petro Markos është botuar në Prishtinë. Kjo është, thjesht, një dezinformatë.

(Ilustrimin e ka vënë në dispozicion prof. Vinca)

Në Prishtinë qe botuar, në vitin 1972, nga “Rilindja”, kompleti i Petro Markos në 9 libra, ku bëjnë pjesë: vëllimi me poezi “Horizont”, romanet: “Hasta la vista”, “Qytetit i fundit”, “Stina e armëve”, “Ara në mal”, “Halimi” dhe “Ultimatum”, libri me skica me titull “Gazetari, mbreti e uria” dhe libri me tregime me titull “Tregime”, por jo edhe romani “Një emër në katër rrugë”. Ky i fundit nuk është botuar jo vetëm në kuadër të kompletit prej nëntë librash, sepse ende nuk kishte “dalë” as në Tiranë (1973), por as më vonë (si libër i veçantë).

Asnjëherë deri më sot ky libër nuk ka parë dritën e botimit në Prishtinë dhe njihet fare pak këndej, vetëm nga ekspertët e letërsisë. As romanet “Nata e Ustikës” (Një natë dhe dy agime) e “Çuka e shtegtarit” dhe as vepra autobiografike “Retë dhe gurët” (Intervistë me vetveten) nuk janë botuar në Prishtinë. Vetëm romani për fëmijë “Shpella e piratëve” është botuar si libër më vete, jashtë kompletit, në bibliotekën “Lekturë shkollore”.

Interesimi i botuesve për veprën e Petro Markos (deri në vitin 1990 në Prishtinë kishte vetëm një botues, “Rilindja”) pushoi pas botimit të ”kompletit” (1972), por në programet shkollore në fakultet dhe në shkollë të mesme ne e kemi pasur në program. Unë u kam ligjëruar studentëve të mi për veprën e Petros në tërësi, përfshirë edhe romanin e ndaluar “Një emër në katër rrugë” (në saje të botimit të vitit 2001 nga shtëpia botuese OMSCA-1 e Tiranës).

A ka pasur ndërhyrje nga Tirana që kjo vepër të mos botohej në Kosovë unë nuk e di (nuk kam si ta di)? Për këtë çështje do të duhej të prononcoheshin njerëzit që në atë kohë kanë qenë në krye të Redaksisë së botimeve të “Rilindjes” dhe individë të tjerë që kanë pasur ndikim në politikën e botimeve në Prishtinë, ku po ashtu ushtrohej censurë dhe ndalim botimi ndaj disa autorëve bashkëkohorë kosovarë, kryesisht
të burgosur a ish të burgosur politikë, si Adem Demaçi e të tjerë.

Nuk dua të zgjatem më tej me këtë çështje, por si studiues i letërsisë dhe si krijues letrar, mund të them se vetëm një regjim paranojak ka mundur të ndalojë vepra si romani “Një emër në katër rrugë”, “i bazuar në ideologjinë sunduese të kohës”, apo edhe vepra të tjera të ngjashme të realizmit socialist, përfshirë edhe poemën “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”, për të cilën u çua aq shumë pluhur.

Prishtinë, 22 nëntor 2021
Me nderime,
Agim Vinca


Shënim i A.V.: Pohimi im, për botimin e romanit në Prishtinë, mbështetej te ky paragraf, nxjerrë nga shënimet e Ramiz Alisë, drejtuar “shokut Pipi” dhe botuar në memorie.al.

Paragrafi në fakt vetëm implikon se dorëshkrimi i romanit ishte dërguar në Kosovë, por jo që ishte botuar atje. Gabimi ishte imi, që nga leximi i shënimeve të R. Alisë, kujtova se romani ishte botuar; një gabim që megjithatë nuk ngre peshë në paqartësitë e mia, siç i shpreh edhe në shkrimin e cituar; sa kohë që autoritetet në Kosovë (dhe në Beograd) e kishin në dorë romanin, paçka se dorëshkrim, dhe mund ta botonin po të dëshironin, edhe pa copyright-in nga Tirana (apo jo?). Ramiz Alia thotë se “në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që libri të botohet atje [në Kosovë, A.V.].” Me sa duket, pala shqiptare ka ndërhyrë dhe e ka penguar botimin e një teksti me potencial të madh subversiv, si romani i ndaluar i Petro Markos. Saktësimi i prof. Vincës ndreq një interpretim të gabuar timin, por hap një çështje tjetër për diskutim: si u arrit që Tirana të ndalonte botimin e romanit në Prishtinë? (A.V.)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin