ZHIVAGO I MUNGUAR

Petro Markoja nuk është çudi që të kish shpresuar që romani Një emër në katër rrugë do t’ia jepte të plotë rehabilitimin artistik dhe qytetar të dëshiruar, pas shumë vitesh peripecish dhe pengesash të mundimshme, letrare dhe politike. I dorëzuar për botim në fillim të viteve 1970, romani arriti deri edhe të dilte nga shtypshkronja, por u ndal me vendim “nga lart” në momentin e fundit dhe përfundoi në karton.

Rrethanat e një ndëshkimi të tillë kaq dramatik dhe in extremis pak a shumë përvijohen te këto dokumente të përgatitura nga Dashnor Kaloçi dhe të botuara nga memorie.al. Një arsye mund të ketë qenë trajtimi në roman i Enver Hoxhës si personazh ngjarjesh që ndodhin gjatë viteve të Mbretërisë; nëse Markoja kish shpresuar që ta kapërcente telin me gjemba të censurës, duke përdorur të njëjtin “marifet” si Ismail Kadareja me Dimrin e vetmisë së madhe, nuk i kish bërë llogaritë mirë. Në fakt romani i dënuar me vdekje i kushtoi edhe autorit shtrenjtë, në rrafshin letrar dhe atë njerëzor; madje aq sa ky të mos e merrte dot më veten, të paktën si autor.

Megjithë urdhrin që u dha për shkatërrimin e plotë të romanit, një numër kopjesh – pa kopertinë – u nxorën dorazi nga shtypshkronja (stabilimenti “Mihal Duri”) dhe qarkulluan të paktën në Tiranë. Unë që jetoja në një lagje aty afër dhe kisha shumë komshinj tipografë, mbaj mend si një nga këto kopje mbërriti edhe tek ne në shtëpi dhe u lexua me afsh. Me aq sa kuptoja unë atëherë, pavarësisht nga magjia e një romani që nuk duhej të ekzistonte, ky i Petro Markos nuk e arrinte shkëlqimin e “Dimrit” të Kadaresë dhe as më fliste mua, qytetarit të Tiranës, siç më kish folur “Dimri.”

Me sa shoh tani, kopje të romanit e gjetën rrugën fshehurazi për në Prishtinë dhe vepra u botua dhe u lexua në Kosovë, pa “lejen” e autorit Marko dhe të autoriteteve në Tiranë. Nuk kam të dhëna të tjera për këtë incident, por mund të them se vetë fakti që një vepër letrare e asgjësuar në Shqipëri kapërceu kufirin dhe u botua gjetiu, madje në një shtet “armik” si Jugosllavia, mund të ish shfrytëzuar më tej nga agjentura jugosllave dhe jo vetëm, për të minuar pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë, qoftë edhe në kundërveprim me çfarë kish ndodhur deri atëherë, me përkthimin e “Gjeneralit” të Kadaresë në Francë (1970).

Te kjo histori gjej disa pika të përbashkëta me fatin e dorëshkrimit të Doktor Zhivagos, që u kontrabandua në Perëndim dhe përfundoi i botuar – në anglisht dhe në rusisht dhe pastaj në gjuhë të tjera – me mbështetjen e fuqishme të CIA-s. Boris Pasternaku ish orvatur disa herë më kot që ta botonte romanin në Bashkimin Sovjetik; ia kishin kthyer mbrapsht me kërkesat për redaktim të thellë, që ai kish refuzuar t’i merrte parasysh. Por botimi i Doktor Zhivagos në Perëndim do t’i kushtonte shtrenjtë Nikita Hrushovit, i cili deri atëherë ish përpjekur fort për t’i treguar botës imazhin e një lideri liberal dhe dashamirës, aq në kontrast me Stalinin. Kur Pasternakut i dhanë çmimin Nobel për letërsi – me vendim qartazi politik të jurisë së Nobelit – establishmenti politiko-ideologjiko-letrar në Moskë i bëri autorit presion të jashtëzakonshëm për ta refuzuar çmimin, çfarë do të ngjallte zemëratën dhe neverinë e liberalëve në Perëndim me metodat koercive të Moskës.

Tani që kanë kaluar shumë vjet nga incidenti me Zhivagon dhe Nobelin, të gjithë praktikisht e pranojnë se Doktor Zhivagoja nuk është dhe aq i mirë si roman, dhe Pasternaku prozator nuk e ka as artin, as forcën me të cilën e skalit fjalën e vet si poet. Ka studiues që gjykojnë se virtyti i romanit, si armë ideologjike dhe politike, kish të bënte me distancën që zgjidhte të mbante rrëfimi, nga realiteti politik sovjetik; ose me përpjekjet e autorit për ta injoruar qëllimshëm protagonizmin dhe arrogancën e totalitarizmit sovjetik në jetën e përditshme të vendit. Paradoksalisht, suksesi politik i Doktor Zhivagos në shkatërrimin e mitit kulturor sovjetik i detyrohej natyrës apolitike të romanit! Thonë se Hrushovi, që e lexoi pasi ish fashitur pak zallahia me refuzimin e Nobelit, iu hakërrua keqazi personit përgjegjës për mosbotimin e romanit në Bashkimin Sovjetik, i bindur pas leximit se në roman nuk kish asgjë që ta përligjte këmbënguljen e refuzimit. Më mirë ta kishim nxjerrë, i tha; do t’i kishim shpëtuar vetes shumë telashe…

Pyetjes nëse Një emër në katër rrugë e Petro Markos mund të kish luajtur rolin e një Doktor Zhivagoje për letërsinë e Tiranës dhe shtetin totalitar të Hoxhës nuk mund t’i jepet veçse një përgjigje e arsyetuar. Petro Markoja e kish një farë ekspozimi si shkrimtar nga më të nderuarit në Shqipëri dhe, me gjasë, edhe në Kosovë; po ashtu, si ish-vullnetar i Luftës së Spanjës dhe protagonist i rrallë, nga Shqipëria, i një drame antifashiste ndërkombëtare; e megjithatë, romani i tij i fundit mbetej i realizmit socialist, i konceptuar me teknika disi tradicionale (realiste-kritike) dhe i bazuar në ideologjinë sunduese të kohës. Nga sa lexoj tani në recensionin e atëhershëm të Dalan Shapllos, edhe rrëfimi rezultonte pak i shpërndarë, kompozicioni i pa-lidhur mirë dhe teksti kish ende nevojë për redaktim të fortë – tek e fundit, njëlloj si Doktor Zhivagoja i Pasternakut. Me intuitë, nuk besoj se përkthimi i romanit në një gjuhë të madhe perëndimore do të kish ngjallur drejtpërdrejt interes; për nga ethosi dhe estetika, Petro Markoja ishte më shumë Shollohov, se Pasternak; dhe ndjeshmëritë e tij mbeteshin, në thelb, të provincës fshatare ortodokse së Shqipërisë së Jugut.

Gjithsesi, nuk arrij dot të shpjegoj pse agjentura jugosllave, ose edhe ajo greke (duke qenë autori nga Dhërmiu), nuk bënë më shumë, për ta përdorur romanin e Markos si armë kundër regjimit të Hoxhës; qoftë edhe duke shtypur dhe shpërndarë kopje në Shqipëri, ose duke financuar përkthimin dhe botimin e veprës në Perëndim. Aq më tepër që pas vitit 1973, Shqipërinë e përfshiu një valë terrori politik e shkallëzuar, që i shkatërroi elitat liberale të Tiranës dhe e frikësoi për vdekje shtresën e teknokratëve të formuar profesionalisht në universitetet e Lindjes. Tek e fundit, Një emër në katër rrugë kish dalë tashmë në Prishtinë. Të jetë ngaqë palët e interesuara nuk e gjetën romanin me vlerë, ose të përshtatshëm si armë kundër regjimit Hoxha? Apo ngaqë në ato vite e kishin nuhatur ftohjen e Hoxhës me Pekinin dhe nuk donin të ndërhynin në trajektoren e tatëpjetës të regjimit?

Aq pak dihet, për politikat kulturore të Perëndimit ndaj Shqipërisë së atyre viteve, sa njeriu e ka të vështirë të mos nxjerrë përfundimin se ato politika mund të përmblidhen me një fjalë të vetme: indiferencë. Duke u tërhequr nga çdo lloj aktiviteti në skenën politike ballkanike, kontinentale dhe më gjerë – në dallim të plotë nga Jugosllavia e Titos – Shqipëria ishte vetë-neutralizuar dhe ndoshta këqyrej si krejt e padëmshme për të dy kampet, Perëndimin dhe Lindjen; si një lloj toke e askujt, në hapësirën që ndante dy pllakat tektonike. Te ky përfundim më shtyn edhe fati i romanit të Markos, që – në rrethana të tjera – mund të kish shërbyer si një Doktor Zhivago shqiptar.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin