1×10: PORTRET VRASËSISH NË GRUP

Titulli: Portret vrasësish në grup.

Autori: Dashnor Kokonozi

Botues: UEGEN

 

 

“Portret vrasësish në grup” është historia e pa rrëfyer kurrë e një grupi studentësh, të cilët duke zgjedhur të mos largohen nga vendi vihen në kërkim të një të ardhmeje tjetër, këtë herë nisur nga zbulimet më të fundit të antropologëve. Ishin këta që duke vëzhguar primatët kishin zbuluar se edhe paraardhësit tanë, kur punët nuk shkonin mirë, ndodheshin para mëdyshjes nëse duhej të braktisnin koloninë, apo t’i zgjidhnin problemet duke vënë në jetë protokollet e ritualeve të tyre, mjaft të lashtë.

Veçse asgjë nuk do të zhvillohet ashtu siç mendojnë ata.

Ideja e shprehur se me këtë roman thjesht jemi përpara historisë së shpagimit vetëvrasës të një vajze, dashuria e së cilës vdes në zyrat e policisë, mbetet për t’u vërtetuar, sikundër për t’u vërtetuar mbetet edhe ideja se në origjinë të dramës është ambicia e dikujt që kërkon të mbrojë doktoraturën e tij duke u ofruar vendeve të dështuara për eksperimentim një alternativë të demokracisë athinase.

Kriteri i vetëm i fragmenteve të zgjedhur më poshtë është veç barazlargimi nga njëri tjetri.

1

Ai nuk tregoi asnjë entuziazëm për t’ju bashkuar lëvizjes së studentëve. Alma qe ndierë e fyer. Nuk jeni ju të parët, deshi ta qetësojë profesori i saj. Krerët e lëvizjeve të studentëve sistematikisht kanë përfunduar si anëtarë të parlamentit. Ngrihen dhe fitojnë, por gjithnjë për vete. Përndryshe, ju sot nuk do të kishit nevojë të ngriheshit përsëri… Të paktën jo për të njëjtat kërkesa…

2

Që kur mori vesh për vdekjen e saj, Almës i qëllonte të dëgjonte edhe fraza të shkëputura: Ah, nuk e dija se ishin bashkë. Bënin aq shumë për njëra tjetrën… E, pra, kishte arsye të dyshohej, rrinin përdore gjithë ditën!  Ndokush argumentonte se nuk qe e habitshme që në atë kohë aq të ashpër të rinjtë të rishikonin edhe parapëlqimet seksuale që kishin. Pas përvojash traumatike, vajzat ndiheshin më të sigurta midis tyre…

3

Ai nuk doli nga taksia. Uli xhamin dhe e përshëndeti me dorë. Ajo qëndroi një çast me dorën lart dhe nxitoi drejt hyrjes plot flamurë të hotelit.Tek mbylli derën e ashensorit, nuk ishte shumë e qartë se çfarë duhej të mendonte për atë mbrëmje që kaloi në shoqëri të profesorit të saj. Nuk e kuptonte mirë sjelljen e tij. I dukej se rrethohej nga një hapësirë tepër profesionale, ku nuk lejonte të hynte njëri. Nuk mendonte se do të shkonte në shtrat me të, por nuk do të ndihej keq nëse ai do t’ia kishte kërkuar një gjë të tillë. Kjo e turbulloi disi…

4

– Atëherë a mund të thuhet se edhe veprimtaria, të themi politike e majmunëve është provë tjetër e prejardhjes sonë prej tyre? – pyeti Kloteska duke qeshur.

– Ne nuk rrjedhim nga majmunët, – tha prof. Waal, duke e kërkuar me sy nëpër sallë, – ne jemi majmunë. Bashkë me ta, majmunët, njerëzit bëjnë pjesë në klasën e hominidëve. Më thjesht nuk bëhet.

Në sallë shpërthyen të qeshura, që u shoqëruan nga duartrokitje të gjata.

5

Nuk kishte pse dyshonte më gjatë: ai burrë që iu afrua ishte në kërkim të një shoqërie për atë natë. Të një prostitute, përsëriti me vete.

– Nuk di si rregullohen këto punë. – i tha ai duke ia përforcuar mendimin, – Kam frikë se mos tregohem i pasjellshëm. Nuk e kam idenë e çmimeve që aplikohen këtu.

O Zot, tha ajo duke mbyllur sytë.

– Kush ju tha se duhet të paguani?- e pyeti pastaj.

Ai e pa si i trembur.

– Sot është falas, – vazhdoi ajo.

– Gjithsesi, dua të shtij edhe unë diçka, – ia bëri ai duke futur dorën në xhepin e këmishës së tij nga ku nxori një qese të vogël plastike.

Amfetaminë, tha me vete Alma, drogë adoleshentësh, që nuk kishin mundësi të paguanin një dozë kokaine. Në mos diçka tjetër që u jep një farë sigurie burrave të moshës së tij në rravgimet seksuale.

6

– Formula që përdoret këtu, – iu drejtua atyre të dyve Noemi,- është sex à la carte. Qëllimi është realizimi i fantazmave që popullojnë natën trurin e secilit. Ata tundën kokën, në përpjekje për të treguar se kishin një farë përvoje në të tilla gjëra, por që sigurisht ishin të interesuar të mësonin ndonjë detaj më shumë.

– Është formula që këtu nuk njeh kufij, sikundër në ëndrrat erotike, – ndërhyri zonjushe Dina. – Mund të kërkoni të kaloni një natë me  Ahmet Zogun por edhe me nënkryetaren e  parlamentit, madje edhe me vetë Marilin Monroen, që nuk do të mungojë të vijë, po qe se gjen taksi.

Tani i jepni Dinës emrin e fantazmës suaj erotike dhe do të shoh ç’mund të bëjmë për ju.

7

Pas çdo frenimi të autobusit ai ngjeshej gjithnjë e më tepër pas saj. Qe e sikletshme, edhe nëse ishte e rastit. Shufrat mbajtëse prej duralumini nuk e lejonin të lëvizte përpara dhe ajo ndjeu duart e tij në ije. Vetja iu duk si një copë mishi e vënë në banakun e një kasapi ku të gjithë kanë të drejtë ta kundrojë dhe ta kthejnë gjithandej për të parë sa e majme është.

Ia kapi me inat dorën dhe u kthye menjëherë nga ai.

– Dora juaj është kjo, zotëri?

– Do ta verifikoj, – ia bëri ai krejt gjakftohtë, duke parë me vëmendje të shtirur dorën e tij, por pa u nxituar ta tërheqë. – Ku e gjetët?

Ajo nuk diti ç’të thotë.

– Atje ku e kishit harruar ju! – ia bëri së fundi.

8

– Ju lutem, ndaloni këtu, – e ndërpreu gazetari Masar Heba. – Në zhvillimin e një vendi partitë politike kanë një rol. Pranojeni këtë.

– Ju flisni në parim, zoti Heba, – i tha ajo. – Harroni fuqinë korruptuese të qeverisë që nuk i kursen një deputeti opozitar të bezdisshëm disa fonde për të përfunduar kanalin e ujërave të zeza të lagjes që e ka votuar, që një tjetri i kujton hesapet jo të qëruara me drejtësinë… Me kohë të gjithë shndërrohen në klientë të qeverisë.

– Gjithsesi, nuk mbyllet aty. Nuk duhet harruar se vendi ka edhe një shoqëri civile…

– Shpresoj se po bëni humor.

– Jo.

– Atëherë për kë e ke fjalën? Për atë kryetarin e forumit të Free speech që nuk dihet se ku i ka humbur fjala që ditën kur i emëruan gruan ambasadore?

9

Flashkësia që ndjente mendoi ishte pasojë e një ngërçi të brendshëm që duhej ta shporrte sa më parë. Bëri një frymëmarrje të thellë dhe u ndie më mirë, por vetëm për pak sekonda. Mendja iu turbullua përsëri; ishte në shtrat me nënën e shokut të tij më të afërt.

U përpoq përsëri të harrojë, por kjo vetëm se i la vendin një skene të vërtetë keqkuptimesh, kërkimi ndjese, fillimi nga e para dhe e nxitimit për të treguar një lloj maestrie prej kali race, por pak të lodhur e gjysmë të dehur.

– E shoh se duhet t’i marr vetë punët në dorë, – ia bëri ajo, duke u përpjekur të tregojë gjithë mirëkuptimin e një gruaje të matur. – Por t’i duhet të më premtosh se nuk të mbetet hatri dhe do të bësh çfarë të them unë.

Ai e pa me ankth.

– Gjithmonë kështu ndodh herën e parë, – e qetësoi ajo, – gjithçka bëhet fugimthi, rrëmbyeshëm. Në moshën tënde nuk i lë kohë vetes të krijosh njohje me lëkurën që rrëqethet, me aromën e trupit me të cilin je bashkuar, nuk di ende të lexosh mesazhet e tij… Atëherë nis e shfaqet diçka tjetër…

Së fundi ai e lëshoi krejt veten, duke u përpjekur të mos mendojë më për asgjë, veç asaj gruaje të mrekullueshme me emrin Noemi.

10

– E njoh zërin tënd, – tha dikur Adrian Dombrovski. – Këtë dhimbje në kokë e kam prej teje…

– Po, – i tha ai.- Prej meje e ke.

– Mizore.

– Qëllimi ishte humanitar, – i ktheu Grisha.- Duke humbur ndjenjat, nuk do të vdisje në agoni të ngadaltë brenda një makine që zhytej në lumë.

– Pse nuk thua se më duhet të të falënderoj? – ia bëri Dombrovski, duke ngritur pak qafën, në pamundësi të bënte lëvizje tjetër.

– Nuk je i detyruar, – i tha ftohtë Grisha, që nuk i kaloi pa vënë re ironinë e tij.

– Çfarë kërkoni prej meje? –

– Po bën të paditurin, zoti President. Eshtë e pamundur që ndihmesat të mos ju kenë folur për ne.

– Di për një grup që më ka dënuar me vdekje. Më kanë lënë edhe një raport, por nuk kam gjetur kohë ta lexoj.

– Nuk je dënuar me vdekje… Ti nuk je fajtor më shumë se të tjerët… Edhe pse ç’është e vërteta duhet të vdesësh.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin