VEPËR E KËPUTUR

Diskutimi për poemën e Kadaresë – po e quaj sërish “Pashallarët” për hir të shkurtësisë – gjithnjë i tejkalon caqet e një diskutimi letrar; sepse nuk i përmbahet vetëm tekstit të poemës, madje as modifikimeve të tij në rrjedhë të viteve, por kalon me lehtësi te reperkusionet e poemës ndaj autorit dhe jo vetëm. Dhe këtu nuk është fjala se poema, në kohën kur u shkrua, u lexua nga fare pak vetë, por më tepër se ai lexim tejet i kufizuar i poemës ia kushtëzoi asaj fatin e mëtejshëm madje vazhdon t’ia kushtëzojë edhe sot. Pra nuk e trajtojmë dot si një poemë të mbetur dorëshkrim në një sirtar dhe që më pas gjeti dritën e botimit; por si një poemë që ishte destinuar për botim dhe u ndalua nga autoritetet më të larta të shtetit dhe ky ndalim, si akt policor, administrativ, politik, ideologjik, le ta quajmë çfarë të duam, u bë pastaj pjesë e pritjes (recepsionit) së poemës nga lexuesi: më parë si një lloj letërsie imagjinare ose, në daçim, legjendare, dhe më pas drejtpërdrejt.

Dalim pra nga analiza e veprës letrare, për të hyrë në terrenin e pragmatikës së veprës letrare, meqë na duhet të marrim parasysh jo vetëm tekstin e poemës, por edhe kontekstin politik të kohës kur ajo (1) u shkrua; (2) u dërgua për botim dhe (3) u refuzua; si dhe statusin politik të autorit të saj, Kadaresë, në atë periudhë, meqë me gjasë ai status luan rol jo vetëm në interpretimin që do t’ia bëjmë poemës, por edhe në sqarimin e rrethanave të botimit/mosbotimit të saj.

Të shkruash letërsi është një gjë; të vendosësh që ta botosh një gjë tjetër. Dallimi, në rastin tonë, duhet vënë në dukje veçanërisht. Të shumtë kanë qenë ata që shkruanin, në vitet e regjimit totalitar, dhe i mbanin krijimet të fshehta; të bindur se nuk do të mund t’i botonin (vetë-censura), ose ngaqë e dinin se statusi i tyre biografik do t’ua pengonte botimin. Mund të përfytyrohet edhe dikush që shkruan sepse ia kërkon pasioni ose për t’ia bërë kujt qejfin, por që nuk ka ndonjë dëshirë t’ia lexojnë veprën të panjohurit; prandaj mjaftohet me qarkullimin e dorëshkrimeve në një rreth të ngushtë.

Ka edhe raste – besoj të shumta – kur një vepër është shkruar shumë më herët se të dërgohet për botim; meqë autori e ka mbajtur ose ruajtur për ta nxjerrë në një moment të caktuar; p.sh. një vjershë për Naim Frashërin mund të hiqet mënjanë dhe pastaj të dërgohet për botim për datëlindjen e atij poeti; ose një vjershë për Partinë të vonohet për t’u botuar më datë 8 nëntor, sikurse edhe një vjershë për Enver Hoxhën më 16 tetor. Për vepra të lidhura me ngjarje të ditës, data ose edhe periudha e botimit është pjesë e procesit letrar dhe nuk mund të shpërfillet a priori.

Prandaj “Pashallarët” duhet ta vendosim në kalendar dhe të shohim se ç’po ndodhte në atë kohë – si në biografinë e Kadaresë shkrimtar, ashtu edhe në politikën në Shqipëri. Për Kadarenë, duhet shënuar se ky sapo kish dalë nga tuneli i kritikave shumë të ashpra që iu bënë për romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, edhe në kuadrin e luftës kundër “shfaqjeve të huaja” dhe “liberalizmit”, pas Plenumit IV të KQ të PPSH. Dalja e atij romani i parapriu – për një koincidencë fatkeqe – fillimit të spastrimeve të mëdha në kulturë; ideologjikisht, vepra i përkiste periudhës së “pranverës së Tiranës” të viteve 1967-1973, ose një lloj liberalizimi të butë në kulturë; dhe lexuesve “vigjilentë” të romanit nuk u shpëtoi etosi pro-perëndimor, që shoqëronte denoncimin e Lindjes Sovjetike në vepër dhe distancimin prej saj. “Dimri” ishte romani për një Shqipëri që po afrohej me Perëndimin dhe për këtë pastaj edhe u dënua. Nëse Kadareja nuk u ndëshkua personalisht, kjo ndodhi ngaqë Enver Hoxha u angazhua personalisht në mbrojtjen e tij nga kritikat “e tepruara” nga poshtë.

Kritikat masive kundër “Dimrit” nga njëra anë, dhe atmosfera e rënduar në Tiranën e viteve 1970, për shkak të spastrimeve të mëdha – më parë në kulturë, pastaj në radhët e ushtrisë dhe më në fund në lëmin e ekonomisë dhe të tregtisë – përftuan një ndjenjë të përhapur ankthi të shoqëruar me alarm, sidomos në kuadrot. Aq më tepër që Enver Hoxha, pas infarktit që i kish rënë në 1973, kish ndryshuar karakterisht për keq dhe kish nisur të sakrifikonte, njërin pas tjetrit, bashkëpunëtorët e vet të afërt; dhe në kontekstin e frikës se, pas ftohjes me Kinën, regjimi nuk do të mbijetonte dot, pa i bërë koncesionet përkatëse. Ishin kohët kur po përgatitej pasardhja (suksesioni); një proces i përgjakshëm, që përfundoi me likuidimin e madh të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut dhe të tjerëve, në vitet 1981-1982; dhe me konsakrimin e Ramiz Alisë në krye të punëve.

Pra nuk ishte vetëm Kadareja i terrorizuar nga kritikat dhe akuzat që i vinin nga poshtë; edhe Enver Hoxha vetë ndihej – ose me të drejtë ose për shkak të paranojës – i rrethuar nga armiq dhe tradhtarë. Prandaj gjesti i Kadaresë, për ta dërguar “Pashallarët” për botim në atë moment politik specifik, do kuptuar si ftesë për aleancë, ose përpjekje për t’i thënë Enverit: mua më ke me vete, le t’u biem kokës këtyre të tjerëve. Për t’ia kthyer favorin që Enveri ia bëri, kur e mbrojti nga kritikat kundër “Dimrit”, dhe më shumë se kaq. Një lloj shprese dhe urimi për mirëkuptim midis “poetit” dhe “carit”, në kundërvënie me intrigat e “oborrit” (nga perspektiva e Kadaresë, le të them “oborreve” – sepse edhe Lidhja e kishte një të tillë). Edhe Kadareja edhe Enveri, në atë kohë, kishin ngutshëm nevojë për aleatë të besës – dhe poema mund të lexohet si një shtrirje dore, garanci, letër e hapur.

Natyrisht, të gjitha këto shkrimtari mund t’ia kish shkruar Enverit privatisht – mes tyre një lloj kanali ekskluziv komunikimi ekzistonte tashmë. Por Kadareja zgjodhi botimin, sepse në komunikimin e vet me Enverin kërkonte të konstituohej si shkrimtar (madje shkrimtar i Partisë), jo si qytetar a anëtar partie çfarëdo. Dhe shkrimtari do të mishërohej jo te një trokitje në derë a te një zarf i dërguar me postë a dorazi, por nëpërmjet fjalës së shkruar publike.

Se çfarë ndodhi më pas, pak a shumë e kanë rrëfyer në hollësi; edhe pse zemërimi i Enverit me Kadarenë nuk kuptohet menjëherë, sa kohë që poema e nxjerr të parin si “hero legjendash”, që zbret me pishë të ndezur në dorë, për të luftuar kundër së keqes së madhe në katakombet ideologjike. Për mua, Enverit nuk i pëlqeu që poema e nxirrte atë të vetmuar, përballë burokracisë; njëlloj si Maoja i viteve 1960, përballë aparatit të PKK-së. Që nga vitet 1960, lideri totalitar i Shqipërisë gjithnjë ishte identifikuar me Partinë, një organizëm mistik që – ngjashëm me trinitetin e krishterë – bashkonte në vetvete edhe individin vdekatar, edhe masën; për t’i dhënë jetë një realiteti të epërm. Për më tepër, ajo vetmi, ai izolim i liderit, për të cilin flitet në poemë, keqtingëllonin frikshëm, në kontekstin e paranojës që kish kapluar Enverin pas infarktit dhe në vazhdën e spastrimeve të mëdha, gjyqeve, akuzave për tradhti dhe pushkatimeve: natyra e kupolës totalitare ishte e tillë, që “të mëdhenjtë” ishin të gjithë të lidhur mes tyre, dhe rrëzimi i njërit komprometonte statusin dhe drejtpeshimin e të gjithëve. Në këtë kontekst paranoje, Enverit dora e shtrirë e Kadaresë as që i hynte në sy.

E dërgoi për botim – kjo shprehje mund të tingëllojë e pafajshme sot, por botimi, në vitet e regjimit totalitar, ishte gjithnjë akt politik dhe ideologjik; sepse entet botuese ishin pjesë e aparatit propagandistik të PPSH-së dhe i shërbenin “edukimit komunist të masave punonjëse”. Dhe aq më e vërtetë është kjo, për botimin te një organ qendror i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve si e përjavshmja “Drita”, ku përpunohej dhe gjente zbatim vija e Partisë në krijimtarinë letrare. Kadareja në vitet 1970 ishte shkrimtari më i njohur, më i ndjekur dhe më i adhuruar nga lexuesi shqiptar; botimet e tij në “Drita” ishin gjithnjë ngjarje të jetës letrare dhe përcilleshin me interes të jashtëzakonshëm edhe lart, edhe poshtë, edhe anash. Pikërisht për këtë arsye, autori i “Pashallarëve” me gjasë nuk dyshonte që poema do t’i botohej, sepse e kuptonte sa kompleks do të ishte refuzimi ose censurimi i gjestit të tij propozues. Madje, sikur poema të ish botuar, edhe reagimi i Partisë dhe i pushtetit ndaj saj dhe autorit të saj do të kishin qenë tjetërlloj; sepse nuk do të kish qenë e lehtë, as e volitshme që të shpjegohej pse po dënohej një vepër letrare, që e nxirrte Enver Hoxhën super-hero të luftës së klasave.

Prandaj edhe Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të asaj kohe, Dritero Agolli, në letrën që ia dërgonte sekretarit të KQ të PPSH për Tiranën Piro Kondit, për të shpjeguar arsyet e pengimit të botimit, shkruante mes të tjerash se:

Me tërheqjen nga shtypi, autori mund të bjerë në konflikt me redaksinë, mund të bëjë bujë e mund të shajë këtë apo atë!

Sepse refuzimi për botim i një poeme mirëfilli politike të Kadaresë nuk mund të kalonte lehtë – si gjest, ishte po aq politik sa edhe poema vetë.

Në po atë letër, Agolli sjell edhe një argument tjetër domethënës, për të përligjur mosbotimin:

Ne nuk mund ta botojmë edhe për arsye se partia akoma nuk ka dalë publikisht në shtyp kundër kompllotistëve politikë e ekonomikë, as në Zëri as në organe të tjera.

Dhe Agolli e di mirë për çfarë flet, duke qenë jo vetëm titullar i kulturës, por edhe anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe bashkëpunëtor në përpunimin e vijës politike dhe ideologjike të regjimit.

Në fakt, në atë periudhë Plenumet e KQ të PPSH-së mund të njoftoheshin si ngjarje, por çfarë diskutohej dhe vendosej atje mund të mbahej sekret ndaj publikut, për t’u njoftuar në një moment tjetër, më të përshtatshëm. Kështu kish ndodhur edhe me dënimin e “kompllotistëve” – Partia kish folur, por vetëm brenda për brenda; ende nuk ishte vendosur si dhe sa do të informohej “populli”. Si anëtar i PPSH-së, Kadareja me siguri ishte në dijeni të zhvillimeve politike dhe të spastrimeve, por në ato vite protokolli i ruajtjes dhe shpërndarjes së informacionit merrej tejet seriozisht: një zhvillim politik do të bëhej publik kur ta vendoste kupola. Prandaj, vendimi për ta botuar poemën duhet interpretuar edhe si vendim për t’i komunikuar lexuesit një ngjarje politike dhe ideologjike që ende nuk ishte komunikuar përmes kanaleve zyrtare. Me fjalë të tjera, letërsia militante do t’i paraprinte edhe “burokracisë propagandistike”, duke dalë në ballë të diskursit totalitar – ose duke i djegur etapat e informimit të shkallëzuar. Gjesti i Kadaresë, i parë nga ky këndvështrim, rezulton tejet ambicioz, në mos tejet i guximshëm; dhe shumëkush nga hierarkët e kulturës dhe të ideologjisë këtë ambicie të një shkrimtari nuk mund ta gëlltiste pa bërë pak zhurmë. Tek e fundit, prej shkrimtarëve pritej që t’u bënin jehonë vendimeve të PPSH dhe të zbatonin vijën e saj ideologjike në krijimtarinë letrare, por jo që t’ua zinin vendin udhëheqësve, si subjekte të privilegjuara të diskursit totalitar. Me fjalë të tjera, siç e shpjegon edhe Agolli në letër, kishte radhë në këto punë.

Kadareja ka aluduar më pas se, duke filluar që me “Dimrin”, ka dëshiruar që, me veprën e vet letrare dhe duke përfshirë atje Enver Hoxhën si personazh, t’i ofronte Enverit real një model të liderit (metafora e maskës për princin) i cili me kalimin e kohës të ndikonte në sjelljen politike; ose ta tundonte Enverin real që t’i ngjante Enverit epik të prozës së Kadaresë. Sërish jemi në kontekstin mitik të marrëdhënies midis “poetit” dhe “carit”, të kristalizuar brenda kulturës ruse. Që këtej, mund të deduktohet se Enveri real, si lider total i Shqipërisë së kohës, ka qenë një nga lexuesit e adresuar (destinatarë) të veprës së Kadaresë; jo vetëm si njeriu që shkrimtari i drejtohej, idealisht, me ato që shkruante, por edhe në manifestimet e tij konkrete në tekst, si lexues model (këtu po i referohem konceptit të Eco-s për këtë kategori tekstuale). Më duket se këtë ka parasysh edhe I. Yzeiri, me esenë e botuar këtu para pak ditësh: Poema me një lexues të shpallur.

Enveri krye-lexues do të vendoste drejtpërdrejt jo vetëm për botimin e veprave që e trajtonin dhe e kërkonin në këtë rol, por edhe për statusin “biografik” të autorit; sepse miratimi i tij do të shërbente, automatikisht, edhe si akordim privilegjesh. Nga ana tjetër, ishte vetë aparati ideologjik i kontrollit të teksteve të shkruara që ia impononte Enverit rolin e krye-censorit: siç e tregon vetë historia e peripecive të poemës “Pashallarët”, teksti i saj përfundoi, dora-dorës, në tryezën e liderit; meqë askush nuk guxonte të autorizonte botimin e saj ose, përkundrazi, ndalimin e saj. Para së gjithash, ngaqë në atë poemë Enveri pikturohej si heroi i luftës kundër burokratizmit. Njëfarësoj, rezistenca për botimin e “Pashallarëve”, që nga kryeredaktori i “Dritës” Duro Mustafaj që e ndali shtypshkronjën, te Dritero Agolli, Piro Kondi, Ramiz Alia e kushedi kush tjetër, mishëronte rezistencën e Partisë, thjesht si organizëm me inerci të jashtëzakonshme, ndaj gardizmit të kuq, që shfaqej te vargjet e poemës. Nëse Kadareja kërkonte ta modelonte Enverin sipas interesave të tij si shkrimtar, edhe Partia – në personat e aparatçikëve të saj – kish planet e veta, si duhej të ishte Enveri. Njerëz të zgjuar në kupolë, si Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia, e kishin konstatuar tashmë paranojën e liderit dhe frikën e tij nga izolimi; prandaj edhe ata përpiqeshin, me mënyrat e tyre, që t’i tregonin këtij se i kishte me vete.

Ajo çfarë lexojmë sot, në shënimet agresive të Enverit për poemën e Kadaresë dhe autorin e saj, patjetër duhet përfshirë në kontekstin e spastrimeve të mëdha dhe të terrorit totalitar që po ushtrohej, në vitet 1970, kundër makinës së shtetit; dhe pikërisht, kundër “burokratëve dhe teknokratëve”, të cilët e kishin kuptuar se rruga e izolimit politik dhe autarkisë ekonomike (“mbështetja në forcat e veta”) do t’i jepnin fund shumë shpejt regjimit në Shqipëri; dhe që, për këtë arsye, kërkonin ndryshim – ndryshim që Enver Hoxha, ndoshta me të drejtë, e pat lexuar si largimin e tij nga pushteti. Dhe Enveri gjithsesi e kishte të qartë se, për të ruajtur pushtetin deri në fund, vetëm miqësia dhe këshillat në distancë të Kadaresë nuk do t’i mjaftonin.

© 2019, Peizazhe të fjalës.™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi – kopjuesit do të përndiqen me rrugë ligjore.

1 Koment

  1. Padiskutim, krijimi i kesaj vjershe te dobet (edhe) nga ana artistike duhet te kete qene nen trysnine e kohes! Ishte vala e fundit e ndeshkimeve te “diktatures se proletariatit”. Ne (une) ishim akoma femije ne kete kohe dhe nuk e kemi ndjere thuajse fare kete vale (’74-’75), por ata te karrieres e kane ditur mire, ku digjte e ku piqte, e kane ditur se me te thatin digjej edhe i njomi. Ndaj nga ky fakt nuk ia vlen tani te rrime e ti kerkojme llogari Kadarese per kete vjershe. LLogaria ne kete prizem eshte e gjithe krijimtaria e tij letrare, e cila aq sa e zbukuroi diktaturen, po aq -edhe me teper biles- e zbuti permjet ketij zbukurimi. Ndaj medalja e shkrimtarit tone te degjuar i ka te dyja anet e saj. pastaj varet cilen ane vleresojme ne (sejcili) me shume. Une vleresoj ca me teper (dhe nuk e di pse kete e kam bere insiktivisht dhe jo me llogjike te kalkuluar) anen e zbutjes qe ai i ka bere diktatures, pra artin e tij krijues letrar. Sepse ne fund te fundit vete ideologjia ku mbeshtetej diktatura jone ishte te pakten teorikisht ne ndihme te demokracise dhe fjales se lire, ne ndihme te zhdukjes se klasave. Injoranca dhe makuteria per pushtet pastaj, (pa llogaritur difektet e zbatimit teorik te nje ideje ne praktike, si dhe kushtet speciale te vendit tone), e baterdisen ne nje shkop gjigand qe te rrinte gati te te binte kokes po te lejoje te te hynte shume erw brenda.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin