HIPOKRIZI LETRARE

nga Erl Kodra

Kam mendimin se autorët tanë të traditës janë autorët më fatlum në botë. Naim Frashëri, Çajupi, Asdreni, Fan Noli, Migjeni, Fishta, Mjeda, Koliqi, Konica, Poradeci, Pashku dhe Camaj ishin banorët e parë që populluan planetin tonë letrar, megjithatë, shumë pak autorë të tjerë kanë mundur të bëhen banorë të atij planeti. Autorët tanë të traditës patën fatin e madh se kritika letrare (edhe albanologjia) në Shqipëri dhe Kosovë u mor shumë dhe gjatë me veprën e tyre. Pavarësisht se Fishta, Koliqi, Konica dhe Camaj nuk morën vlerësimin e duhur përgjatë viteve të komunizmit, ata njiheshin gjerësisht në rrethet letrare të kohës, dhe padyshim që janë vlerësuar dhe admiruar në heshtje.

Kritika e realizmit socialist i veshi një uniformë përçudnuese letërsisë, duke e kthyer në një lloj letërsie eunuke, shterpë dhe pa emocione. Letërsia masive që u shkrua atyre viteve, në masën më të madhe nuk përmbushë kriteret minimale estetike për t’u quajtur letërsi. Sigurisht që gjatë kësaj periudhe u shkruan vepra të spikatura nga disa autorë, por shpesh nën prangat e një autocensure të pashoqe. Kritika letrare e realizmit socialist nuk përdorte kritere letrare në analizën e një vepre, por metoda të tjera jashtë letrare, që shpesh nuk i përgjigjej as standardeve të shkollës së realizmit (socialist).

Është e kuptueshme heshtja e kritikës menjëherë pas rënies së sistemit, por nuk është e justifikueshme zhdukja e saj për tre dekada me radhë. Letërsia nuk funksionon sipas parimeve të ekonomisë së tregut – si tregu i karburanteve ose shtëpive të banimit. Letërsia ka ligjësi të tjera, rregulla të tjera zhvillimi – ajo nuk bën asnjë hap pa kritikën serioze, pa studime, teza dhe analiza krahasuese. Letërsia ka kritere estetike gati të padukshme, që mund t’i dallojë vetëm kritika serioze dhe e paanshme. Letërsia nuk mund të zhvillohet pa ndershmëri, sidomos ndershmëri.

Shumë shtëpi botuese janë kthyer në njësi tregtare që grijnë dhe lyejnë letër me bojë të zezë përkundrejt parave kesh që paguajnë autorët e shkretë, pa patur fare parasysh kritere letrare. Është trishtuese se si autorë të para viteve 90-të vazhdojnë të cilësohen si “poetë dhe shkrimtarë me emër të madh” – kur ata nuk kanë asnjë lidhje me madhështinë. Ata vazhdojnë të ndjehen të parrezikuar nga autorë të tjerë, sepse botuesit vazhdojnë të promovojnë dhe botojnë njëlloj bërllogu letrar të pangrënshëm, që nuk ka lidhje me letërsinë.

Dikush mund të thotë se “koha është ilaçi më i mirë”. Në fakt nuk është ashtu – të paktën jo në rastin e letërsisë. Një komb dhe gjuhë e vogël ka nevojë ulëritëse për kulturë të njëmendtë dhe kritikë serioze letrare. Gjuha dhe letërsia krijoi kombet, ajo qëndron në themel të identitetit kulturor të çdo vendi.

Unë jam i ndërgjegjshëm se kjo është një temë e madhe, por edhe disi tabu për shumë autorë. Sigurisht që kritika nuk bëhet me urdhër, as me të lutur – sepse letërsia ka ligjësi të tjera. Në të vërtetë janë shumë aktorë që mund të bëjnë ndryshimin e madh – por që kjo të ndodhë – duhet të largojmë hipokrizinë.

 

© 2021, Erl Kodra. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin