MODUS MORIENDI

Kur Ai erdhi dhe u plak e u rrëgjua aq sa të mos shfaqej dot më në publik pa hapur vrima thithëse në buxhetin e shtetit, të huajt që vizitonin Shqipërinë filluan të pyesin me këmbëngulje të dyshimtë: çfarë do të ndodhë me ju, “kur Ai të mos jetë më”?

Dhe ne mblidhnim veten e përgjigjeshim duke u përpjekur të tingëllonim të tronditur: Ai nuk vdes, sepse Ai do të rrojë sa malet tona dhe se populli Atij i jep ditë nga ditët e veta. Por të huajt tundnin kokat me ironi dhe thoshin: e megjithatë rrjedha e kohës, vitet bëjnë të vetën, trupi i njeriut, entropia, një ditë prej ditësh…

Kur tensioni në këto marrëdhënie ndërkombëtare nuk mund të përballohej më, na thirrën një ditë te Salla e Mbledhjeve të Mëdha, dhe aty na foli shkurt por rreptë Shefi i Marrëdhënieve me ata të tjerët, për të na thënë pak a shumë kështu:

Kini kujdes. Këta të huajt që pyesin se çfarë do të ndodhë kur Ai… (dhe këtu shefi fshiu me shpinën e dorës një lot të vetëm që iu rrëkëllye në faqen e rruar taze), pra kur Ai të mos jetë më; këta të huajt, pra, janë të porositur dhe të organizuar që të veprojnë kështu.

Para se të vijnë tek ne, mblidhen edhe ata te një sallë si kjo, dhe aty u del kundër-kolegu im për t’u thënë: kur të shkoni në Shqipëri, e para gjë që do të pyesni, është se ç’do të ndodhë kur të vdesë Ai.

Harroni fustanellat, kështjellat, fanellat, ombrellat, shpellat, të mbjellat, zgafellat, kërshëndellat dhe dantellat, dhe përqendrohuni te kjo pyetje: ç’do të ndodhë kur të vdesë Ai.

Shqiptarët, do t’u thotë kundër-kolegu im, vazhdoi shefi, janë aq politikisht supersticiozë, sa kanë frikë se po të flasin ose edhe vetëm të aludojnë për vdekjen e Atij, do ta ndjellin këtë kob vërtet dhe ashtu edhe do të marrin ndëshkimin maksimal si atë-vrasës, edhe në këtë, edhe në atë botë.

Ashtu shqiptarët, do t’u thotë kundër-kolegu im, vazhdoi sërish shefi, nuk do t’i përgjigjen dot kësaj pyetjeje pa rrezikuar përgjimin, arrestimin, dëbimin, internimin, burgun. Për një fjalë goje, mund të përmbysen dinamika të tëra demografike dhe të ketë ndodhin të mëdha fisesh dhe popullsish.

Le të mos ua kursejmë këtë pyetje, pra, do t’u thotë kundër-kolegu im, që të krijojmë kushtet objektive për kundërrevolucionin, siç e ka shpjeguar ai Lenini i tyre.

Mos kini asnjë iluzion, na tha shefi: ata vijnë këtu për të turbulluar ujërat dhe për të na provokuar të gjithëve, duke përhapur helm. Jo vetëm sepse ata prandaj vijnë këtu, për të përhapur helm, por edhe ngaqë ata, si gjarpërinj që i ka bërë nëna, nuk munden veçse t’i mbeten besnikë gjenit të tyre dhe ta përhapin helmin ngado që shkojnë.

Prandaj edhe ne duhet të jemi të përgatitur mirë dhe të ruhemi e të mos biem në grackën e tyre, por përkundrazi, ta përdorim grackën e tyre për t’u ngritur një grackë tonën.

Ata presin prej nesh që t’u përgjigjemi se Ai nuk vdes, sepse Ai do të rrojë sa malet tona dhe se populli Atij i jep ditë nga ditët e veta. Le t’i kapim pra në befasi dhe t’u përgjigjemi ndryshe. Le t’u themi atëherë: rrini të qetë e mos e prishni gjakun, këtë çështje Partia e ka në kontroll.

Le t’u themi: rrini të qetë, vdekja fizike nuk ka lidhje me leadership-in.

Le t’u themi: ne jemi materialista dhe marksista dhe ndjekim parimin e shëndoshë filozofik që qenia shoqërore përcakton ndërgjegjen shoqërore. Por në momente gjëmash të mëdha, ne dimë të jemi edhe idealista dhe ta vëmë energjinë e supersticionit në shërbimin tonë, duke lejuar përkohësisht që të jetë ndërgjegjja shoqërore, që të përcaktojë qenien shoqërore.

Na e shpjego pak më mirë, shef, thamë ne. Çfarë qenka ky muhabet me supersticionin?

Po ja, tha shefi. Nëse ata kërkojnë prej jush që t’ua shpjegoni pak më mirë, se çfarë qenka ky muhabet me supersticionin, ju do t’u thoni kështu: nëse ndodh që Aivdesë – dhe këtu jeni të autorizuar që ta përdorni fjalën vdes – atëherë është vendosur që të gjithë të huajt që gjenden ato ditë në Shqipëri do të varrosen të gjallë me të.

 


© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet çdo lloj riprodhimi në mediat.

2 Komente

  1. Tregimi sa vinte e behej me terheqes, me terheqes, por ne fund … nuk e di pse i ra shkurt!

  2. Per te qare e per te qeshur. Te dyja me lot.
    Ka nje cike zoti Shyti nga fundi.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin