SHËLBIM PËRMES LEXIMIT

Thonë se James Joyce-i e pat shkruar Finnegans Wake për “një lexues ideal, që vuan nga një pagjumësi ideale” (that ideal reader suffering from an ideal insomnia). Vështirë të arrij të jem ndonjëherë lexues i tillë – gjithnjë do të gjendet diçka që të më tërheqë më shumë se teksti i padeshifrueshëm i atij libri; por më ngacmon lidhja mes leximit dhe pagjumësisë, madje edhe për ato raste kur njeriu lexon thjesht për ta afruar gjumin.

Dhe nëse leximi njëfarësoj mund ta zëvendësojë gjumin, atëherë libri i ndërvendosur mes lexuesit dhe botës mund të përfytyrohet si një lloj surrogatoje e ëndrrës; edhe pse e ëndrrës së dikujt tjetër, ku jemi lejuar të hyjmë. Njëlloj si ëndrra, edhe libri (fiction) na shpie në një territor fluid, ku ndoshta e gjejmë veten më fort se në atë të zhgjëndrrës.

Freud-i e pat përkufizuar ëndrrën si “mbrojtje të gjumit” – në thelb, si mekanizëm mbrojtës. Psikanaliza ka përpunuar teknikat e stërholluara që përdor ëndrra, për të mos lejuar zgjimin nga një stimul çfarëdo, psikik ose fizik, nga jashtë ose nga brenda; dhe sot këtë hipotezë duket se e kanë përqafuar edhe shumë neuroshkencëtarë.

Po leximi nga çfarë na mbron pikërisht? Nëse na mbron vërtet? Duke ia kërkuar përgjigjen këtyre pyetjeve, do të shkonim sakaq te roli i librave të shenjtë në histori, sa kohë që miliona e miliona kanë gjetur mbrojtje duke lexuar fjalët e Biblës ose të Kuranit.

Ricardo Piglia, tek El Último Lector, e ilustron këtë efekt duke zgjedhur si pikënisje pyetjen klishé se “çfarë libri do të merrje me vete në një ishull të shkretë?”, pyetje që e shpie në faqet e Robinson Crusoe-s. Tek ai roman, Robinsoni arrin të shpëtojë një Bibël nga mbeturinat e anijes së mbytur; dhe kjo Bibël pastaj arrin ta shpëtojë Robinson-in nga marrëzia e vetmisë (vëreni ndërsjellësinë e shpëtimit).

Protagonisti i romanit e përdor Biblën si të ishte libër i shkruar për të, si një shpjegim të asaj çfarë po përjeton si lundërthyer në ishull; dhe duke lexuar, “kurohet” nga ligështia shpirtërore që e pat kapur. Nga ky aspekt, “është e kundërta e Don Kishotit, që sëmuret sa herë që lexon”, vëren Piglia.

Megjithatë, Robinsoni asnjëherë nuk e lexon Biblën për t’u humbur në rrëfim – në luftë për të mbijetuar, ai rekruton edhe leximin vetë, duke e trajtuar librin e shenjtë si të ishte po aq i dobishëm për të, sa edhe një thikë, një qese baruti ose pako duhani. Piglia citon këtë pasazh nga libri:

“[N]atyra dhe eksperienca më kishin mësuar, si kisha reflektuar për to, se gjërat e kësaj bote nuk kanë vlerë, nëse nuk mundemi t’i përdorim në ndonjë farë mënyre.”

Dobia e Biblës për besimtarët nuk vihet në dyshim – por ç’të thuash për ata që nuk i lexojnë më shkrimet e shenjta për të gjetur përgjigje, ose të paktën ngushëllim për moskuptimet, vuajtjet dhe zhgënjimet?

Piglia citon historianin Lionel Gossman, i cili te Between History and Literature përsiat se leximi i letërsisë ia ka zënë vendin edukimit fetar, në ndërtimin e një etike personale. Dhe përmend pastaj poetin Ossip Mandelstam, që vdiq në kampet staliniane të punës, dhe që për herë të fundit e patën parë të ulur me të dënuar të tjerë, rreth një zjarri, diku në Siberi, duke u folur këtyre për Virgjilin.

Lexim në situatë rreziku, e quan Piglia; lexim, i cili i kundërvihet një bote armiqësore, njëlloj si kujtimet e një jete tjetër.

Mua këtu m’u kujtuan rrëfimet e pasura, të disa ish-të dënuarve politikë në gulagët e regjimit enverist, për marrëdhëniet e tyre me librin – edhe ato një mekanizëm për t’u mbrojtur nga dhuna e së përditshmes policore, por edhe një përpjekje për të ruajtur mendjen përballë asgjësimit dhe për të ruajtur njeriun brenda vetes, përballë çnjerëzores së eksperiencës përjashta.

Sikurse m’u kujtua edhe Novela e shahut, e Stefan Zweig-ut, me protagonistin e burgosur që gjen strehë te një libër shahu, por jo shpëtimin; sepse nuk arrin dot ta ndajë shahun nga dhimbja e persekutimit dhe torturës.

Visar Zhiti ka shkruar për përkthimin në burg (Përkthimi – Strehë apo Itakë?), për ata të burgosur politikë që detyroheshin të përkthenin për nevojat e regjimit; dhe që unë i përfytyroj si ndonjë komunitet murgjish, që arrijnë të ruajnë, me mënyrën e tyre, kultin e librit edhe në rrethanat më ekstreme.

Më vijnë në mendje edhe I quaderni del carcere, të cilat Antonio Gramsci pjesërisht i shkroi kur ishte i burgosur nga regjimi fashist i Mussolini-t, në Itali; ato shkrime autori i konsideronte pothuajse si “ushtrime” kundër ashpërsimit, shterjes dhe tharjes, ndaj të cilave e ekspozonte jeta në burg. Atë dorëshkrim Gramsci e ushqeu, dora-dorës, me librat që përpinte në qeli.

Gjithnjë më ka bërë përshtypje pasioni i të burgosurve politikë në Shqipëri për librin; dhe tani e kam të lehtë ta krahasoj gjakimin e tyre me përdorimin që ia bënte Robinsoni Biblës, në ishullin e vet të shkretë. Në burgjet totalitare as që mund të mendohej që të qarkullonin shkrimet e shenjta, edhe pse klerikët e burgosur kanë arritur ta sjellin e ta riprodhojnë fjalën e shenjtë edhe në mungesë të librave. Përndryshe, shumë të tjerë e kanë gjetur shpëtimin – shpirtëror, a nëse duam, moral, te letërsia.

Sërish Visar Zhiti, që përshkruan efektin magjik të poezisë Invictus, në burgun ku vuante dënimin (Invictus: Poezia që na erdhi në burg). Citoj:

Poezia “Invictus” ishte në burg. Aty e gjeta. Ia kalonin dorë më dorë njëri-tjetrit. Anglisht. Natyrisht mes atyre që ende vazhdonin të lexonin, nga më të vjetrit tek të rinjtë, jo si moshë, por si kohë ardhjeje në burg, që mësonin, aq sa mundej, fshehurazi, ndonjë gjuhë tjetër, pas punës rraskapitëse në minierë. Nuk dihej si dhe qysh gjendej ajo poezi aty, kur kishte ardhur, nga cili, si e solli, ku e gjeti dhe ku e la? Poezia ishte aty. As autori i saj s’dihej, kush e kishte shkruar? Megjithëse kujtoj që autori s’kishte aq shumë interes në burg. Le të ishte kush të donte, rëndësi kishte kumti, poezia dhe në burg. Madje burgu ka aftësinë t’i anonimizojë krijimet e pakta në qarkullim ose t’i konsiderojë kolektive, të të gjithë të dënuarve.

Tashmë e transformuar në lutje dhe e riprodhuar si lutje, letërsia është gati të ofrojë shëlbim.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin