MENDIME TË PAKREHURA (LXXIX)

(nga Stanislaw Lec*)

Rregull i optikës: gjithçka duket më e madhe, kur e sheh për së largu.

Njerëzit e mëdhenj nuk i lind nëna, por Plutarku.

Po e gatuanin me zjarr të ulët, që t’ua nxirrte më lehtë gështenjat.

Historia: një koleksion faktesh që nuk kishin ndonjë detyrim për të ndodhur.

Të këndoj për shurdhët? Dakord, por më siguroni se janë të gjithë ashtu.

Jemi dy hapa larg gjithçkaje: një hap përpara, një mbrapa.

Nëse shpirti ia arrin të jetë i pavdekshëm, kjo ndodh ngaqë është i padukshëm.

As ferri nuk do t’i shpëtojë dot dorës së njeriut. Vallë nuk zotëron depozita të pasura squfuri?

Kush kapet pas jetës, mund të zhduket njëkohësisht me të.

E mban veten për monument, sepse është fosilizuar.

Më pyet pse u hodhën pasagjerët në ujë, sa kohë që anija nuk po mbytej? E panë se ku po i çonte.

Satiristi vdes duke shkelur syrin.

Kam parë marioneta që, në vend të spangove, kishin vargonj.

Skllavëria i ka ca gjëra të mira. Tirani nuk mund të thotë se sundon mbi njerëz të lirë.

Jam peripatetik? Kjo varet nga drejtimi ku eci.

Bëj kujdes, ata që ti fyen mund të skuqen me gjakun tënd.

Gjaku është i lëngshëm, tha; si të mos derdhet?

Ata që dehen nga fitorja, përfundojnë të alkoolizuar.

Mos e kryqëzo shpatën me ata që shpata nuk kanë.

Harabeli në kafazin e shqiponjave është i lirë.

Nëse po të përdorin si vegël, mos prit derisa të mbarojë kënga.

Burgu nuk të veçon nga historia.

Kur rrëfen kujtimet, mos i përziej klishetë.

Futeni gjuhën brenda, para se të shtrëngoni dhëmbët.

Ana e tretë e medaljes? Gjoksi ku mbështetet.


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin