NGA MAGJIA NË HISTORI

Brenda gjuhësisë historike-krahasuese, përdoren metoda specifike që lejojnë të rindërtohet historia e një fjale -ose e një forme – në rrjedhë të shekujve; këto metoda, të cilat funksionojnë në bazë të premisës se fjalët dhe format gjuhësore ndryshojnë në rrjedhë të kohës, sot synojnë të ndriçojnë si evoluon një gjuhë, në vetvete dhe në krahasim me gjuhë të tjera. Megjithatë, krejt hipoteza e gjuhëve indo-europiane, mbi të cilën mbështetet indo-europianistika, ngrihet mbi parimin se gjuhët e një familjeje kanë lidhje gjenetike mes tyre dhe vijnë nga një gjuhë e vetme e lashtë – e cila mund të rindërtohet së paku pjesërisht. Ndaj fjalëve të veçanta të leksikut të një gjuhe, qasja historike merr formën e etimologjisë, e cila rindërton historinë e fjalës duke renditur kronologjikisht një numër formash që kjo fjalë ka marrë në kohë, së bashku me kuptimet përkatëse. Për shembull, shqipja gjel mendohet se ka ardhur nga latinishtja vulgare (ballkanike) gallum (kallzorja e gallus), me të njëjtin kuptim. Këtu etimologu supozon se kalimi nga a-ja e fjalës latine në e-në e shqipes, ka ndodhur nën ndikimin e një prapashtese të vjetër të shumësit, -i, e cila pastaj ka rënë; ndërsa zbutja e g-së në gj- i detyrohet e-së. Tani, meqë në historinë e fjalëve shqipe ka edhe shumë raste të tjera kur një a- tematike është kthyer në e nën ndikimin e një prapashtese të shumësit (plak > pleq, dash > desh, etj.) dhe kur një g është zbutur në gj- në kontakt me një zanore si ­e-ja ose i-ja (të njohura edhe si zanore të larta, për shkak të pozicionit të gjuhës afër qiellzës gjatë shqiptimit të tyre), atëherë etimologjia mund të qëndrojë. Edhe nga pikëpamja kuptimore, nuk habit që shqipja e lashtë ta ketë marrë një fjalë si gjel nga latinishtja vulgare, meqë edhe fjalën pulë nga ajo gjuhë e ka marrë (pulla, cf. frëngjishtja e sotme poule), çfarë edhe lejon të supozohet se praktikën e pularisë, si lloj teknologjie, shqiptarët e hershëm e adoptuan gjatë kontakteve me latinët në Ballkan. Të vërehet, nga sa më lart, se të gjitha ato gjëra që ne sot i marrim të mirëqena, duke filluar nga ndryshimi i formës së një fjale në rrjedhë të kohës (gallum > gjel), te rregullsia në ndryshimet e tingujve (teknikisht: fonemave) dhe mundësia që gjuhët të shkëmbejnë fjalë mes tyre i detyrohen qasjes historike ndaj botës, në rastin konkret gjuhës; pa çka se sot na duken të natyralizuara. Tani, meqë shqipja nuk është e dokumentuar për periudhën e lashtësisë, trajtimi që u ka bërë huazimeve latine ndihmon për të formuluar disa rregulla të shndërrimeve fonetike të cilat mund të përdoren për të rindërtuar edhe forma fjalësh që nuk janë huazime latine; p.sh. një folje si gjej, lë shteg për të menduar se mos ajo gj- nistore i detyrohet e-së tematike; dhe mos vjen nga një g- më e lashtë; çfarë edhe çon pastaj në krahasimin e foljes shqipe me anglishten get, greqishten κτήση dhe sllavishten (sllovenishten) gádati. Ndonjë etimolog shkon edhe më tutje dhe sendërgjon pastaj një proto-indo-europianishte *gʰed-, e cila ka dhënë në shqipen e lashtë gʰédnje/o – të dyja këto, forma të rindërtuara, ose më mirë formula përkimesh fonetike. Çfarë na intereson në këtë trajtesë, është se proto-indoeuropianishtja *gʰed- shërben si “rrënja” që ka rrezatuar një numër formash të ndryshme, në gjuhë të ndryshme (h-ja në superskript pas g-së tregon se bëhet fjalë për një lloj të caktuar g-je); duke shërbyer pastaj si strumbullari që i lidh këto gjuhë gjenetikisht. Rregullsitë fonetike karakteristike, për njërën gjuhë dhe për tjetrën, kanë bërë që e njëjta rrënjë i.e. të ketë dhënë gjej/gjenj në shqipe dhe get në anglishte dhe gádati në një gjuhë sllave. Në këtë rast, marrëdhënia mes gjej dhe get, përkime, është e ndryshme nga ajo mes gjel dhe gallum, ku e para është huazim i së dytës në shqipe. Natyrisht, të marra veçan, këto përkime nuk kanë ndonjë vlerë; por marrin vlerë, në qoftë se në to aktualizohen të njëjtat rregullsi formale (fonetike, morfologjike). Le të mbajmë pra, parasysh, këto parime të qasjes historike ndaj fjalëve: që (1) fjalët ndryshojnë formë dhe kuptim në rrjedhë të kohës, në mënyrë jo rastësore, por duke iu bindur rregullave specifike dhe (2) që një fjalë gjithë duke ndryshuar e ruan (e trashëgon) një thelb të vetin konstant, çfarë edhe na lejon – në analizë të fundit – të flasim për ndryshim dhe jo për, të themi, zëvendësim. Për shembull, fjalën shqipe hudhër e kanë shpjeguar si fjalë të substratit mesdhetar, të rindërtueshme si *skʰor(o)d-, në kuptimin që kalimi nga *skʰor(o)d- te hudhër ka qenë i rrjedhshëm dhe në pajtim me rregullsitë e fonetikës historike të shqipes, edhe pse rezultati, hudhër, ka shumë pak ngjashmëri të dukshme me pikënisjen. E njëjta fjalë substrati ka dhënë në greqishte σκόρδο (skórdo). Gjithsesi, ky lloj barazimi dinamik, *skʰor(o)d- = hudhër, ku shenja e barazisë njëkohësisht parakupton -> (*skʰor(o)d- -> hudhër), është themelisht karakteristik për qasjen historike ndaj realitetit dhe metodën historike në përgjithësi.

Për t’u shënuar, në kontekstin tonë, është se kjo qasje historizante ndaj fjalës dhe, në përgjithësi, gjuhës, u kristalizua në shekullin XIX, si pjesë e konsolidimit të metodës historike, ose të idesë se përshkrimi i ndryshimit të një objekti në kohë është mënyra kryesore për t’iu afruar së vërtetës rreth atij objekti; ose, nëse dëshirojmë, të bindjes se pyetjes “çfarë është?” mund t’i përgjigjemi edhe duke iu përgjigjur pyetjes “nga vjen?”. Vetë gjuhësia historiko-krahasuese (indo-europiane) u zhvillua në lidhje të ngushtë metodologjike me shkencat biologjike, teorinë e evolucionit dhe të origjinës së specieve dhe taksonomitë përkatëse; aq sa sot e kësaj dite flitet për “pemë” të gjuhëve indo-europiane dhe për “familje” të gjuhëve indo-europiane (kladistika). Kjo qasje ka në themel kërkimin për një origjinë të përbashkët; dhe përtej biologjisë, u adoptua jo vetëm në gjuhësinë historike, por edhe në antropologji, arkeologji, studimin krahasimtar të mitologjisë, përrallave dhe letërsisë, e më tej. E zbatuar në historinë e qytetërimeve e të kulturave dhe në antropologjinë fizike, e njëjta qasje përftoi ndonjëherë racizëm, madje edhe në çështje aq dukshëm asnjanëse si klasifikimi tipologjik i gjuhëve; dhe u përdor si bazë teorike e kolonializmit.

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin