REGRESIONI NË GJUHËSI

Qasja që e quajtëm “analogjike” ndaj realitetit, veçanërisht në kontekstin e historisë së fjalëve, ndryshon nga ajo “gjenetike” edhe ngaqë bazohet në identitete jo dinamike por mekanike, por sidomos ngaqë marrëdhëniet midis dy formave të ndryshme të një “fjale” ose “rrënje” i themelon jo mbi rregullsitë e shndërrimeve (fonetike, morfologjike, semantike) por mbi subjektivitetin e interpretuesit, i cili luan një rol të ngjashëm me atë të astrologut, të mjektarit dhe të shamanit.

Kjo qasje i ka fillimet e veta që në lashtësi, te Kratylus-i i Platonit, dhe artikulohet veçanërisht qartë te vepra e Varronit, një gramatikan latin (116-27 BC), disa nga etimologjitë e të cilit po i sjell më poshtë për ilustrim:

Sol quhet kështu… sepse ai vetëm (solus) ndriçon në mënyrë të tillë që të japë dritën e ditës. Luna quhet kështu, pa dyshim, sepse vetëm ajo lucet (ndriçon) natën.

Lacus (“liqen”) është një lacuna (“zgavër”) e madhe, ku mund të mblidhet uji.

Crus (“këmbë”) vjen nga crux (“kryq”), sepse “për nga gjatësia dhe fortësia, këmbët janë më të ngjashme se gjymtyrë të tjera të trupit me drurin e kryqit”.

Bellum (“luftë”) vjen nga bellus (“i bukur”), sepse “lufta nuk është gjë e bukur” (e ashtuquajtura etimologji antifrastike).

Urbs (“qytet”) nga orbis (“rreth”) ngaqë vizatohet një rreth përqark vendit ku do të ndërtohet qyteti.

Në këto raste, mund të ndodhë që një ngjashmëri mekanike (cruscrux) çon tek etimologjia përkatëse, nëpërmjet një krahasimi implicit (“këmba është po aq e fortë sa druri i kryqit”); ose përshkrimit të një akti që e themelon objektin përkatës (urbs ≈ orbs).

Nëse etimologjia “historike-krahasuese” e shekullit XIX bazohet në rregullsitë formale të korrespondencës midis dy njësive (fjalës që etimologjizohet dhe fjalës që etimologjizon; ose fjalës dhe rrënjës përkatëse), etimologjia e bazuar në analogjinë i sheh dhe i interpreton fjalët si të jenë tekste “poetike”. Edhe njëra metodë, edhe tjetra, i vë fjalët të tregojnë një “histori”, të rrëfejnë diçka – por historia që tregon etimologu krahasimtar, p.sh. që “shqipja gjel vjen nga latinishtja gallum nëpërmjet palatalizimit të grykores g-, para një zanoreje gjysmë të lartë; dhe metafonizimit të a-së tematike për shkak të ndikimit të një prapashtese -i të shumësit, e cila pastaj ka rënë” ndryshon rrënjësisht nga historia që tregon etimologu “analog”, p.sh. që latinishtja crus (“këmbë”) vjen nga crux (“kryq”), sepse këmba është e fortë si druri me të cilin ndërtohet kryqi”; e para themelohet mbi verifikimin nëse ndryshimet formale mes dy skajeve të etimologjizimit (gjel dhe gallum) janë të rregullta ose konfirmohen nga shembuj të tjerë huazimesh latine të shqipes; e dyta themelohet mbi një krahasim ose metaforë. Ky lloj interpretimi, që e sheh marrëdhënien etimologjike si një formë të gjëzës (p.sh. “çfarë është ajo që ndriçon (lucet) natën? – Luna) mbështetet në alegorinë, një procedurë retorike.

Teknika e etimologjizimit të fjalëve, në bazë të ngjashmërisë mekanike dhe interpretimit alegorik, dikur mbizotëruese, sot ndeshet vetëm në periferi të përpjekjeve etimologjike, e preferuar nga amatorët dhe nga ata që e konsiderojnë metodën historike-krahasuese si të pamjaftueshme ose qorrsokak dhe që kërkojnë etimologji të tilla që të mbështetin hipotezat e tyre për historinë e gjuhëve dhe të popujve.

Këtë teknikë e ndesh në shumë vepra të “albanologëve alternativë”, të cilët kërkojnë shtigje të reja për të ndriçuar enigmat e parahistorisë së shqipes.

Njëri prej këtyre, ndoshta më i respektuari në nivel kombëtar, Petro Zheji – në veprën e vet Shqipja dhe sanskritishtja[1], e shpjegon kështu shqipen themel:

themel > them-el > yll i thym

dhe shqipen rrotull:

(r)rotull > rot-ull > yll (-ull) r­āt > fr. étoile tombée pra (“yll i rënë” AV; kjo ngaqë Zheji ka zbuluar “ekuivalencën e rëndësishme simbolike… që krahason lëvizjen rrethore me një rënie” f. 217); ku -ull është një prapashtesë a mbaresë-nyje që përdoret rëndom në shqip si e tillë dhe që duhet identifikuar me fjalën tjetër brenda shqipes yll. Jashtë shqipes e gjejmë në latinishte në trajtën ille, në italisht në trajtën il, nyje e gjinisë mashkullore. Në rumanisht haset shpesh si nyje e pasvënë. Krahaso në këtë vështrim në shqip fjalët: uth-ull, kumb-ull, shëmb-ull, kun-g-ull, etj.[2]

ndërsa latinishten distantia:

distantia > dis-tan-tia[3]

ku dis- është shqipja dysh, tan një operator i lirë i shqipes me kuptimin “e tana, e tëra”), meqë është “ndarja ajo që e krijon distancën.”

Sipas këtij autori ky operator, tan, që ndonjëherë del edhe në formën tin, si në italishten destino (des-tin-o) dhe mund të jetë edhe identik me Tao-n e kinezçes.

Po ashtu, frëngjishtja discret dhe latinishtja discretus, që kanë kuptimin “i ndërprerë, jo i vazhdueshëm”) shpjegohet si më poshtë:

Discret > dis-cret > dysh-krejt

Ndërsa frëngjishtja discrimination (lat. discriminatio) shpjegohet si më poshtë:

Discrimination > dysh-krejt-jamun

Zheji e përdor këtë metodë kryesisht për të analizuar dhe “shpjeguar” fjalë të sanskritishtes, të cilat ai ka nxjerrë nga një fjalor; por edhe të hebraishtes dhe, sipas rastit, gjuhëve të tjera.

Por ndryshe nga etimologët e lashtësisë (grekë dhe latinë) dhe ata të Mesjetës (si shën Izidori i Seville-s), të cilët zakonisht etimologjizonin duke kërkuar lidhje fjalësh brenda një gjuhe, Zheji dhe disa prej ndjekësve të tij sot përdorin të njëjtën metodë analogjike-alegorike, për të shpjeguar gjuhë të tjera nëpërmjet shqipes, duke e kapërcyer kështu barrierën që ndan një gjuhë nga tjetra. Ky lloj gjakimi vjen e u ngjan, kësisoj, përpjekjeve që bëheshin në Mesjetën e vonë dhe në Kohën e Re, për t’i nxjerrë gjuhët e ndryshme të Europës nga hebraishtja, që ishte edhe gjuha e Biblës (dhe e Adamit).

 

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Shembujt më poshtë i kam nxjerrë nga Shqipja dhe sanskritishtja, pjesa e dytë, Tertiumdatur, Tiranë 2006. Nuk e kam të qartë pse, mes shumë gjuhëve të botës, Zheji pat zgjedhur pikërisht sanskritishten, për ta shpjeguar nëpërmjet shqipes, sikurse nuk e kam të qartë sa e njihte ai atë gjuhë. Por jam në gjendje të them se pohimi i tij, që sanskritishtja është “trungu i përbashkët i të gjitha gjuhërave indo-evropiane” (vep.cit. f.273, shënim) nuk qëndron (më).

[2] Për një linguist, ky pasazh nuk ka kuptim, sepse nuk shpjegohet marrëdhënia mes “yllit” dhe nyjes shquese, aq më pak midis gjuhëve, dhe aq më pak krahasimi me rrokjen fundore pa valencë morfologjike, të disa fjalëve ku është vështirë në mos e pamundur të gjendet lidhja kuptimore me yllin. Jam i vetëdijshëm se argumentet e Zhejit do të kuptohen më mirë në kontekstin e tërësishëm të studimit, ose në marrëdhënie me qasjen e tij teorike të përgjithshme; kureshtarët i ftoj ta bëjnë këtë vetë.

[3] Nga pikëpamja e paradigmës së sotme të gjuhësisë historike-krahasuese, latinishtja distantia nuk ka nevojë të shpjegohet nëpërmjet shqipes, sepse gjen vend për bukuri brenda sistemit morfo-leksikor të latinishtes. Gabimi i rëndë metodologjik i Petro Zhejit (sikurse edhe i autorëve të tjerë të kësaj kategorie), është se refuzon të marrë parasysh dijen ekzistuese, qoftë edhe thjesht për ta hedhur poshtë, para se të ndërmarrë analizat e veta alternative. Për të njëjtën arsye, sanskritishtja është gjuhë e analizuar mirë, madje edhe nga vetë gramatikanët indianë të lashtësisë (p.sh. Pāṇini, që thuhet se ka ndikuar deri edhe Saussure-in); ri-analizimi i saj masiv prej Zhejit do të kishte nevojë edhe për justifikim edhe për referenca, që të merrej seriozisht nga dija.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin