LOJËRA SHQIPTARE TË MIJËVJEÇARIT TË KALUAR

nga Tea Hodaj

Lojërat: kënaqësi përligjur më së shumti me fëmijët dhe hera-herës me të rriturit, të cilëve koha u premton të bien në limontinë e tyre ngacmuese. Jo më kot, prindërit e vëmendshëm ose edukatorët po të atillë, vëzhgojnë me kujdes sjelljet e para të fëmijëve teksa luajnë, me dëshirën e mirë për të dritësuar karakterin e tyre. Dhe në të vërtet, lojërat nxjerrin në dritë jo vetëm zhvillimin mendor të fëmijëve teksa rriten, sjelljet shoqërore në lidhje me bashkëmoshatarët e tyre e kështu me radhë, por dhe atë të të rriturve kohanikë. Shpeshherë mund të jemi gjendur në një pamje bukolike si në një mriz e teksa kemi qenë duke luajtur një lojë të dashur për ne, një mik ose mikeshë mbase ka gjakuar fitoren më shumë seç pritet dhe kështu, ka orkestruar një fitore në mënyra jo fort të hijshme. Krejt natyrshëm, në këto raste, ne hidhemi për të gjykuar se miku ose mikesha jonë vuan nga trazira të vetëbesimit.

Por le të shkëputemi nga mrizi bukolik e të kthehemi përsëri në çerdhe e kopsht bashkë me edukatorët e prindërit. Çfarë vlen për t’u mbajtur në mendje gjatë leximit të mëposhtëm, pavarësisht se shkrimi nuk do të jetë në gjendje për t’i dhënë një përgjigje, është një shtojcë në idenë e mësipërme: po lojërat në vetvete, si ndikojnë tek zhvillimi mendor i fëmijëve (njerëzve), sjelljet e tyre shoqërore dhe karakteri në tërësi? Është një pyetje mjaft e rëndësishme, por teksa do të jeni duke lexuar në vijim, ajo do të marri një trajtë thuajse gazmore. Kjo trajtë gazmore mbetet e qenësishme për këtë shkrim, pasi shikimi më i gjerë i marrëdhënieve mes lojërave e njerëzve në marrëdhënien lojëra e popuj, e vesh bisedën tonë me një mantel brengëmadh . E prandaj, të pasurit të trajtë gazmore drejtpeshon të hidhurën e paevitueshme.

Para se të hedhim sytë në trojet shqiptare, më duhet të qartësoj se nëpërmjet një fjalori të veçantë, të quajtur Fjalorth i fjalëve të rralla i shkruar nga Abdullah Zymberi më 1979 në Prishtinë, kam mundur të mbledh e grupoj disa lojëra të vjetra shqiptare (kryesisht të krahinës së Kosovës e Malësisë së Madhe). Nuk dimë shumë për këto lojëra dukë qenë se janë fare rastësisht të përfshira në këtë fjalor, i cili në vetvete është i ndërtuar në bazë të fjalorëve të kahershëm. Më rëndësishmi, ne nuk dimë vitet në të cilat këta njerëz janë zbavitur me këto lojëra, por dimë mjaft saktë vendin se ku kjo ka ndodhur. Gjithsesi, duke i hedhur një sy viteve të botimit e mbledhjes të së dhënave të fjalorëve e librave bazë, mund të themi me siguri se asnjëri prej tyre nuk është më i hershëm se viti 1941. Mbajmë në konsideratë se gjatë kohës së grumbullimit të të dhënave, autoret e fjalorëve ose librave mund të kenë përfshirë dhe lojëra të vjetra ndër breza. Ndaj, le t’i quajmë lojërat e mëposhtme: lojërat shqiptare të mijëvjeçarit të kaluar.

Nën petkun e oborreve mbretërore e gjer në kakofoninë e ashklave të punishteve, bota ka luajtur. A po vjen të humbasim në labirint të luleve apo ulemi luajmë cic-mic? Marrim Manhattan apo Berlin, kuvendonte Leonard Cohen. Mein Kampf qe loja e Adolf Hitler. Shtatë Minuta në Parajsë luajtën buzët e njoma dhe Murlan luajtëm ne ditëve të plazhit. Më pas, lojën e dashurisë.

Gjatë kohës që në trojet shqiptare gëzoheshin lojërat e mëposhtme, ata ose të huajt, gëzonin disi më ndryshe. Mes shekullit të pesëmbëdhjetë e atij të nëntëmbëdhjetë, lojëra të njohura si Bingo, Hangman, Sudoku, Nintendo, Whist, Flinch e të tjera shquhen. Në thelb, këto lojëra kanë një natyrë strategjike, të kulluar ose ndryshe, fiksojnë proceset e të menduarit. Krejt larg lojërave më sportive të së kaluarës, shohim se mendja është mjeti protagonist. Në mijëvjeçarin e kaluar, përmendim Monopoly, Scrabble, Tactics, Risk, Twister, Spacewar, Battleship e kështu me radhe. I grupova këto lojëra për të treguar një lloj kronologjie ose ndryshimi kohor, në mënyrë që të shikojmë se edhe para mijëvjeçarit të kaluar, lojërat janë veshur më elegancë. Teksa kam grupuar lojërat shqiptare të gjetura në këtë Fjalorth, parimisht puna ka qenë mjaft e lehtë. Mjetet rrethanore si shkopinjtë, gurët e tjerë, më kanë shërbyer si nënndarje të vlefshme për të vazhduar një lloj tentative shtjelluese.

Kala Dibrançe mbetet një lojë e njohur për ne: një lojë e zhurmshme, gati në krrokatë por shumë argëtuese për djemtë e bankave shkollore. Tri të ngjashme gjenden në Fjalorth, të cilat na e kujtojnë Kalanë Dibrançe. Siç dhe kjo e fundit ka një fjalëformim të veçantë, tre të mëposhtmet çelin pastërtinë dhe thjeshtësinë e emërtimeve të lojërave shqiptare. Shokahipas, duke i hipur shokëve; Kapërcymas, duke kapërcyer; Shalas, si një shalë. Në grupimin e tyre shohim një veçori trupore dhe të mishtë, të atypëratyshme dhe të ngutshme.

shokahípas ndajf. lojë barinjsh. Lojtarët rrethohen. Një palë syresh ju hipin të tjerëvet, duke e mbajtur një shokë dhe, e lëshon shokën, shokët e tij duhet t’i bartin kundërshtarët. (Brezne, Opojë)

kapërcýmas ndajf. lojë fëmijësh madje edhe sot po ashtu luhet në shkollë. Loja luhet kështu: njëri syresh kërruset, e tjetri kërcen mbi të dhe secili njëri-tjetrit i kërcen në mënyrë të vijueshme. Hajde t’lujm kapercymas! (Trepetnicë, Prizren)

shálas ndajf. lojë meshkujsh. Dy-tre syresh kërrusen duke u bërë si shalë, ndërsa të tjerët u hipin. Nëse njëri prej këtyre që kanë hipur i puq këmbët për toke, atëherë duhet t’i bartin të tjerët. (Korishë, Prizren)

Në të njëjtën linjë gjejmë lojëra të ngjashme me mundjen dhe luftimin trup më trup. Primitivizmi i lojës në kuptimin kohor të fjalës, na rikthen në arenat e dyluftimit, jo të atij kalorësiak me shtizë, por në thellësinë e antikitetit klasik ose zënkave mes vëllezërish. Përsëri vjen mjaft i veçantë fjalëformimi ose emërtimi vetë shpjegues i lojës.

 shókaz ndajf. stil mundjeje (rrokjeje) i barinjve. Kundërshtarët kapen për shokë. A po vjen t’rrokem shokaz. (rrethi i Pejës dhe i Istogut)

púlaz ndajf. remi. Në stile të ndryshme mundjeje, kur asnjëri nuk e rrëxon tjetrin, kur që të dy bien baraz, në krah, gjithandej thonë meten pulaz. Rroknu edhe ni her rroknu, se jeni ra pulaz! (Ruhot, – Pejë)

 rruzpërrúze ndajf. stil mundjeje i barinjve. Diku-diku thuhet edhe shtataz, pra, kapen për shtati, duke i vënë duart pas shpinde që të dy kundërshtarët. (Vërmicë, – Prizren)

rrýpaz ndajf. stil mundjeje. Kundërshtarët kapen për rrip, ndaj edhe është emërtuar loja kështu. Hajde, a po vjen t’rrokem rrypaz? (Ruhot, – Pejë)

 shkékas ndajf. stil mundjeje i barinjve. Që të dy kundër shtarët kapen për shkekash, ndaj edhe është emërtuar loja kështu. Shkekas s’ka kush me ja çit shpinen n’tok Kadris, mes t’rrehet as per ket mahall, as per at mahall. (Ruhot, Pejë)

shpinaz ndajf. stil mundjeje. Që të dy kundërshtarët kapen shpindë për shpindë për ta rrëzuar njëri-tjetrin. Shpinaz muj met rrxu. (Ruhot, – Pejë)

shqélmas ndajf. lojë burrash. Kundërshtarët shqelmohen. Kjo lojë fort i përngjet asaj lojës -karat. (Pllajnik, – Opojë)

Për arsye gazmore e komike vijojmë me grupimin e mëposhtëm, i cili na shkund e rrëzon botëkuptimin e lojërave të burrave këtë mijëvjeçar të ri. Ende ngelet i paqartë emërtimi Hoxhaz, ngjashmërish me titullin Hoxhë, i lojës ku fëmijët i sulen njëri tjetrit si qentë kudrës. Kjo mund të jetë një rastësi, një dukuri jo e zakonshme për emërtimet e thjeshtëzuara siç kemi parë deri më tani, ose një fjalë dialektore e ndryshme nga titulli fetar. Në të gjejmë një ngjashmëri kuptimore me lojën Lopas, e cila mund të vijë si variant krahinor (Pejë-Prizren).

hóxhaz ndajf. lojë fëmijësh, ku njëri qëndron me prapanicë prej të tjerëve e ata i gjuhen si qentë kudrës. (Ruhot, Pejë)

karambýthas ndajf. lojë fëmijësh. Ata i gjuhen shoqi shojt mu si qentë kudrës pas. (Ruhot, – Pejë)

lópas ndajf. lojë barinjsh. Njërit ia mbyll sytë një lojtar duke e kthyer me prapanicë nga të tjerët dhe këta si qentë kudrës i hedhen pas. (Vërmicë, – Prizren)

Meqenëse jemi në këtë bisedë me përmendje të fesë, më vjen çuditshëm gjetja e vetëm një loje të ndërlidhur me fenë në Fjalorth. E mbase, argëtimi ka qene një fushë e jetës fshatare ku feja nuk ka mundur të rrah. Kulti i njeriut në lojë. Pavarësisht kësaj, shikojmë se në thelb të saj, loja nuk hijeshon Zotin ne asnjë mënyrë, fëmijët luajnë më rrasa të gurtë.

sheqéraz ndajf. lojë fëmijësh. Për festën e bajramit fëmijët e luanin këtë lojë. Rrasat e sheqerit i vargonin dhe prej një largësie, kush i rrëzonte me rrasë të gurtë i fitonte. Per bajram dojm me lujt shiçeraz! (rrethi i Pejës dhe i Istogut)

Siç dhe u përmend më lart, mjetet rrethanorë lehtësojnë këtë grupim të parë për lojërat e Fjalorthit. Guralecët, të kudogjendur e miqësorë, kanë shoqëruar brezat në kërkimin e kënaqësisë. Një shumëllojshmëri mënyrash se si mund të luash me ta gjendet në Fjalorth dhe emërtimet e kësaj galerie shquhen përsëri për thjeshtëzim e pastërti. Përgjithësisht, koncepti bazë i lojës me guralecë qëndron në hedhjen në shenjë të tyre, pra përsëri një trajtë sportive dhe trupore.

grópaz ndajf. lojë fëmijësh. Gropëzohen gropëza të vogla në tokë dhe në to qiten guraleca. (Ruhot, – Pejë)

karradúcaz ndajf. lojë e cila luhet duke gjuajtur shenjë në një gur të caktuar. A po shkom me lujt karraducaz? (Kojush, Has)

guranána ndajf. lojë fëmijësh me guraleca. (Opojë)

gur-n-bírë ndajf. lojë fëmijësh që luhet me do guraleca, duke i shtënë në gropëza. A po vjen t’lujm gurnbir, a jo? (Ruhot, – Pejë)

bíras ndajf. lojë fëmijësh. Ata i gropëzojnë do bira në tokë dhe nëpër to i qesin guralecat. A t’lujm biras? (Ruhot, Pejë)

guramblédhsa ndajf. lojë fëmijësh. Ata e mbarojnë një gropë dhe në të i hedhin gurët. Ai që bie më afër gropës i mbledh dhe i hudh në gropë. (Bllacë, Suharekë)

gúrcup ndajf. lojë fëmijësh guracak. (Vuthaj, – Plavë)

kasóllash ndajf. lojë vajzash. Ato me gurë mbarojnë kasolla. (Lubeniq, Pejë)

kúlla ndajf. lojë fëmijësh. Ata ndërtojnë kulla me gurë. (Zym, Has)

arúshas ndajf. pjesë e lojës së guracakëve. Guralecat vihen rreth gishtave. (Ruhot, – Pejë)

çndërrójsa, -t f. pjesë e lojës së guracakëve që shkohet duke i ndërruar guralecat një nga një. (J. e Madhe, Pejë)

doraplóte ndajf. pjesë e lojës së guracakëve. Çetahi jem to lujt doraplote. (Bellobrad, Opojë)

dúerzas ndajf. pjesë e lojës së guracakëve. (Bellobrad, Opojë)

dygíshtzas ndajf. pjesë e lojës së guracakëve. Një guralec qitet në shpinën e dy gishtërinjve, ndërsa 4 guralecat e tjerë mbahen në dorën tjetër. Un çetai jem n’dy gishtzas. (Pllajnik, – Opojë)

káçkas ndajf. pjesë e lojës së guracakëve që luhet më katërsh. Çetahi jem to lujt kaçkas. (Brezne, Opojë)

ndërróçkllas ndajf. një pjesë e lojës së guracakëve. Nga se ndërrohen aty, është emërtuar kështu. (Brezne, Opojë)

ndërrófçe, -t f. pjesë e lojës së guracakëve, ku një e lëshon e tjetrin e merr, domethënë i ndërron, nga edhe është emërtuar loja. (Zgatar, – Opojë)

paprékas ndajf. pjesë e lojës së guracakëve, ku lojtari duhet t’i lëshojë guralecat pa mos e prekur tokën me dorë. (Bellobrad, – Opojë)

pikadérra, -t m. pjesë e lojës së guracakëve. Nga se guralecat shpërndahen është emërtuar loja kështu. Un jam met n’pikaderra. (Ruhot, Pejë)

shpinzas ndajf. pjesë e lojës së guracakëve, ku gurët qiten në shpinë të dorës. Çetahi jem n’shpinza. (Pllajnik, Opojë)

tópas ndajf. pjesë e lojës së guracakëve. (Brezne, Opojë)

tréçkas ndajf. pjesë e lojës së guracakëve, më tresh. (Brezne, Opojë)

unázash ndajf. pjesë e lojës së guracakëve. Gishtërinjtë marrin formën e unazës (i madhi dhe treguesi) dhe nëpër ato unaza duhet të kalojnë të gjithë guralecat. Çetahi jem to lujt unazash. (Bellobrad, – Opojë)

hot-hot ndajf. pjesë e lojës së guracakëve vetëm se lojtarja shkon duke i ndërruar 2-3 guraleca. (Lubozhdë, Istog)

Me të njëjtin shpjegim rrethanor, atë të fjalëformimit dhe atij kuptimor, vijojmë me lojëra të cilat vinë në jetë prej shkopinjve. Këtu, shkopi dhe hedhja në shenjë e tij (ose ngjashmëri të tjera), përbëjnë galerinë e mëposhtme. Padyshim, loja me shkop pëson rafinim dhe arrijmë të shikojmë në fund të listës më poshtë disa variante tërheqëse. Për shembull, loja Tokas mund të na kujtojë një variant tepër të thjeshtëzuar të lojës Monopoly dhe loja Vorbas kërkon shpjegime më të shtjelluara për t’u kuptuar qartazi. Këto shembuj tregojnë shkarazi se koklavitja e lojërave është një zhvillim kohor, sado i vonuar mund të vijë.

brínca ndajf. lojë barinjsh që luhet me shkopinj. Merret një shkopth prej nja 15-20 cm. dhe ngulet në një vijë. Secili nga lojtarët i bie me shkopin e vet dhe kush e hudh më larg del fitues (Bellanicë, Suharekë).

bújas ndajf. lojë barinjsh me shkopinj. Njëri syresh e gjuan shkopin, të tjerët mundohen që ta qëllojnë me shkopinjtë e tyre. Hajde me lujt bujas! (Vërmicë, Prizren)

çégëz ndajf. lojë barinjsh me shkopinj. Lojtarët renditen, duke qëndruar në gjunj në tokë dhe i hudhin shkopinjtë e tyre. Kush e hudh më pak, shërben. Hajde t’lujm çegez! (Glloboçicë, – Kaçanik)

dóçkas ndajf. lojë barinjsh me shkopinj. Secili nga lojtarët e ka nga një gropzë dhe aty e fut shkopin e vet, ndërsa në mes është një gropë e madhe. Ai që shërben në lojë mundohet që me doçkë (topth i rrumbullakët i drunjtë) ta cokë (ta prekë) ndonjërin nga lojtarët. Krahasoje lojën doçarrekas. (Opojë)

dókrras ndajf. lojë fëmijësh e barinjsh me shkopinj. Shih lojën doçkas. (Raçe, Shkup)

dhambndhé ndajf. lojë fëmijësh e barinjsh. E gropëzoj në një gropëz dhe aty pastaj hudhet kuja, e cila mpre het në njërën anë. Hajde t’lujm dhamndhe! (Tomoc, – Istog)

gúxhaz ndajf. lojë barinjsh me shkopinj. Krahaso lojën doçkas. Ramiz, o Ramiz, hajde a po vjen me lujt guxhas n’Livadh t’Bardhecve! (rrethi i Pejës dhe i Istogut)

gjytétaz ndajf. lojë barinjsh. Një shkop ngulet në mes, ndërsa njëri nga lojtarët e ruan dhe, po e preku ky ndonjërin, ai pastaj rri si rojtës. (Lluga, Istog)

hardhécaz ndajf. lojë fëmijësh. Merret një kuj dhe gjuhet tri herë për të shtënë në një birë që bëhet në tokë. (Trubuhovc, – Istog)

hardhúcaz ndajf. e njëjta lojë. (Tomoc, Istog)

karazgátar ndajf. lojë barinjsh. Luhet në këtë mënyrë: bëjnë gara se kush po e hudh shkopin më larg. (Zap luxhje, – Opojë)

 kryembýllaz ndajf. lojë barinjsh me shkopinj. Loja është emërtuar në bazë të poenave, se kush humb i merr 10 krimba (gjithandej krymbyll). (Ruhot, Pejë)

krýmbaz ndajf. lojë fëmijësh me shkopinj. Gropëzohet një gropëz dhe kush e fut në të shkopin, fiton, ia jep krimbat kundërshtarit. Hajdin, hajde a po vjen me lujt krymaz. (Sverkë, – Pejë)

lang-lang ndajf. lojë fëmijësh e barinjsh me shkopinj. Duke i prekur shkopinjtë për toke hudhen sa më larg dhe kush e hudh më pak është i shtërnguar t’i mbledhë shkopinjtë, duke shtuar -lang-lang, nga edhe është emërtuar loja. (Krajk, Has)

pétaz ndajf. lojë barinjsh me thupra. Secili nga lojtarët, kur të masin, përpiqen për të gjuajtur më larg thuprën, duke e prekur në tokë dhe, kush e gjuan më pak, ai del dhe e ndjek lojën, shërben. Kush po vjen me lujt petaz? (Tomoc, Istog)

píca ndajf. lojë barinjsh që luhet me klincë (shkop sa një shuplakë dore i gjatë) dhe bëjnë gara kush e hedh më larg. Loja është emërtuar në bazë të shkopit që hidhet picit. A po vjen me lujt pica! (Romajë, – Has)

picúrras ndajf. lojë barinjsh me shkopinj. Diku-diku kësaj loje i thuhet guxhas, po edhe doçkas. (Vërmicë, Prizren)

pikërdhíjas ndajf. lojë barinjsh me shkopinj. Lojtarët përpiqen që t’i hudhin më tepër shkopinjtë, duke i ngulur në tokë. Kush e hedh më pak ai e ndjek lojën. (Vërmicë, Prizren)

pógaz ndajf. lojë barinjsh. Përkujtoje lojën dockas. (Plançor, – Gjakovë)

qit-e-prit ndajf. lojë barinjsh që luhet me shkopinj. Njëri lojtar qet shkopthin, ndërsa tjetri e pret, duke i rënë me shkopin e tij. Hajde t’lujm çiteprit! (Ruhot, Pejë)

qúllaz ndajf. lojë barinjsh me shkopinj. Loja luhet duke i prekur shkopinjtë për toke dhe kush e hudh më pak, del të shërbejë. Loja është emërtuar në bazë të poe navet, se, ai që humb merr qull -a 1. 10 etj. (rrethi i Pejës dhe i Istogut)

 rramadák ndajf. lojë barinjsh me shkopinj. Shkopi hidhet duke zënë në tokë dhe, kur të ndalet, të tjerët mundohen t’i bien me shkopinjtë e tyre. (Has, Ruhot, – Pejë)

sahánza ndajf. lojë barinjsh që luhet me shkopinj. Të gjithë lojtarët ulen në gjunj dhe, duke e prekur shkopin në tokë provojnë cili syresh e hudh më shumë. Kush e hudh më pak, del të shërbejë. A po vjen me lujt sahanza? (Planejë, – Has)

sórraz ndajf. lojë barinjsh me shkopinj. Shkopinjtë hidhen në ajër. I pari e hedh shkopin, e të tjerët mundo hen ta prekin në ajër po atë shkop, për t’i dhënë poena (sorra). Loja, pra, është emërtuar në bazë të poenave (sorrave). (Ruhot, — Pejë)

spilíkaz ndajf. lojë barinjsh me shkopinj. Loja është emërtuar në bazë të shkopthit-spilik-ut. Mbi një shkop vihet spiliku dhe lojtari i bie spilikut, ndërsa lojtarët e tjerë e presin prej një lartësie, për ta prekur pa rënë ende në tokë. A po vish me lujt spilikaz?! (Vërmicë, – Prizren)

shkopangúlas ndajf. lloj kërcimi, gara në të kërcyer në largësi. Secili që kërcen e ngul shkopin deri ku ka kërcyer. Sa kërcime bëhen, aq shkopinj ngulen. (Opojë)

shtagashtérrpas ndajf. lojë barinjsh me shkopinj. Lojtarët ulen të varguar gjunjaz dhe i hedhin shkopinjtë, duke i prekur në tokë. Kush e hedh më pak, del pas lojës, shërben. (Voksh, Deçan)

shtágzas ndajf. lojë barinjsh me shkopinj. Shih shtagashterrpas. (Bellobrad, Opojë)

shtizash ndajf. lojë barinjsh me shkopinj. Nga se shkopinjtë hedhen drejt si shtizat, ndofta, loja edhe është emërtuar kështu. A po vjen t’shkojm n’livadhe t’lujm shtizash! (Tomoc, Istog)

táka ndajf. lojë barinjsh. Merret një shkop dhe ngulet në tokë, ndërsa mbi të vihet një shkopth prej një shuplakëz dore. Njëra palë e lojtarëvet del dhe e pret shkopthin për t’i rënë në ajër, kur e hudh ky lojtari që gjendet te shkopi i ngulur. Shaçir, hajde t’lujna taka! (Kervasari, Suharekë)

tokaríma ndajf. lojë barinjsh me shkopinj. Cili nga lojtarët mbetet prapa, kur të masin, është i shtrënguar ta qesë kësulën për ta qëlluar me shkopinj. Hajde lujna tokarima! (Raçe, Shkup)

thelbínas ndajf. lojë barinjsh me shkopinj. Lojtarët vargohen, duke u ulur në gjunj. Kush e hedh më pak shkopin, ai duhet të shërbejë, ndaj edhe e quajnë lopar. (Vërmicë, Prizren)

varravishtas ndajf. lojë barinjsh, por edhe e fëmijësh që luhet në disa gropëza me shkopinj. A tot shkojsh me lujt varravishtas? (Zapluxhje, Opojë)

vórbas ndajf. lojë fëmijësh. Ata rreshtohen dhe secili syresh i mban nga dy shkopinj në këmbë. Fëmija që e ndjek lojën, vjen për të blerë vorba dhe i pyet – ku të punon baba. (Opojë)

fuz ndajf. lojë barinjsh me shkopinj. Njëri syresh e hedh shkopin, ndërsa të tjerët përpiqen ta prekin me shkopin e tyre. Nga se shkopinjtë shkojnë fuz, për këtë edhe është emërtuar kështu loja. (Ruhot, – Pejë)

tókas ndajf. lojë fëmijësh. Ata e mbarojnë një rreth në tokë dhe e ndajnë në pjesë të barabarta të vijëzuar. Njëri syresh e merr shkopin e vet dhe e hedh në to kën e kundërshtarit e ky, nëse me këtë shkop e prek atë që e ka më afër, ia merr atë pjesë të tokës. A t’lujm tokas? (Lubeniq, Pejë)

shallahámza ndajf. lojë barinjsh me shkopinj. Lojtarët vargohen dhe rrinë gjunjaz. Shkopinjtë i hedhin duke i prekur në tokë. Kush e hedh më pak, e ndjek lojën. (Zym, Has)

Çuditërisht, fjalorthi mbart vetëm tre lojëra të frymëzuara nga topi. Loja e parë, Shalahipas, n’ a rikujton ‘lojën me pasa’ dhe thjeshtëzime të tjera. Pak a shumë dhe lojërat e tjera ngjasojnë me të por vlen të ndalemi tek emri ‘Shkodraz’. Scodra e himnizuar në një lojë të Hasit apo një rastësi e papërfillshme? Gjithashtu vlen të përmendet formula e ‘topi bie në tokë, njëra palë i hipën të tjerëve’.

shalahípas ndajf. lojë barinjsh. Njëra palë lojtarësh hip mbi tjetrën ashtu në formë rrethi dhe hudhin një topth prej leshit dhe, po u ra topthi, atëherë janë të shtërnguar t’i bartin këta të dytët. (Opojë, rrethi i Pe jës, Deçanit etj.)

shkódraz ndajf. lojë barinjsh. Luhet me 4 vetë. Dy në njërën dhe dy në tjetrën anë. Dy syresh u hipin dhe ashtu të hipur e hedhin topthin dhe, po u ra topi në tokë, i bartin këta që ju patën hipur më parë. A po vjen t’lumj shkodrez! (Gjonaj – Has)

 topashálas ndajf. lojë barinjsh. Ata ndahen në dy grupe dhe luajnë me topth të mbaruar prej leshit të lopëve. Njëra palë i hip tjetrës dhe e hedhin topin këta të si përmit, po, nëse u bie, atëherë këta të përfunshmit u hipin atyre të sipërmve. (Rrethi i Pejës dhe Opoja)

Mbase si rrjedhojë e varfërisë ose pamundësisë për të zhvilluar lojëra më të ndërlikuara, vëzhguam për së largëti se si fëmijët ose çobanët i besuan argëtimin e tyre mjeteve rrethanore si guralecët ose shkopinjtë. Një fije ndërlikimi të të mësipërmeve e marrim nga bërja bashkë e disa materialeve për të krijuar një lodër të re. Në kuptimin kohor të zhvillimit, kjo nuk është një hallkë e habitshme ose për t’u përgëzuar, pasi shembuj të atillë janë gjendur në hapat e parë të njerëzimit. Gjithsesi, mendoj se vjen e rëndësishme këtu për të theksuar dhe njëherë pamundësinë e popullit për të njëtrajtësuar një lodër, e cila mund të krijohej nga një zdrukthëtar a zanatçi, për t’u blerë më pas në tregje. Krijimi i këtyre lodrave vjen i rastësishëm dhe prej imagjinatës së popullit në një moment e vend të caktuar. Më poshtë vinë disa shembuj të atillë, të cilët janë tepër të këndshëm për t’u përfytyruar në mendjet tona, paçka se ngjasojnë ose janë thuajse të njëjtë me njëri-tjetrin.

bjúzë, -a f. sh. a, -at lodër fëmijësh. Mbarohet prej një dërrase shpatuke dhe të zgrapcuar, së cilës i bëhet një vrimë, për t’u lidhur me pe. (Vërmicë, – Prizren)

cifúrre, -ja f. sh. -e, -et lodër fëmijësh në formë të rrotëzës me të cilën luajnë duke e sjellë. (Mazrrek,- Has)

çekörrk, -u m. sh. -a, -at 1. lodër fëmijësh prej druri që, kur të sillet, lëshon një zhurmë. 2. fig. mundësi. S’kam çekerrk çe vi ksi shteki te ju. (Ruhot, Pejë)

 çifúrr, i m. sh. -a, -at lodër e drunjtë fëmijësh. Merret një gogël dhe shpohet me një kujë, e cila sillet. (Planejë, Has)

 filifújzë, -a f. sh. -at lodër fëmijësh e zgrapcuar përreth prej druri. Në mes, atje te kryet, i futet një pe e sillet pastaj për të lëshuar zë. (Krajk, Has)

fjúzë. -a f. sh. -a, -at lodër fëmijësh prej dërrase. Zgrap çohet përreth dhe i futet një pe për të sjellë që të lëshojë një zhurmë, prej nga edhe është emërtuar. (Ku shni, Has)

 frrúzë,-a f. sh. -a, -at lodër druri fëmijësh. Shih fjuzë. (Korishë, Prizren)

 kambëkacél ndajf. lojë fëmijësh. Mbarohet një vizak dhe me një rrasë prej guri luhet në të. (Drenicë)

 rrokáçe, -ja f. sh. -e, -et 1. lodër fëmijësh e mbaruar prej druri, e cila si të lëkundet lëshon një zë për të mashtruar fëmijën. 2. emër molle me vizla të kuqe. Si të lëkundet pakëz farat e saj lëvizin brenda dhe lëshojnë një zhurmë. Shko binaj do molla rrokaçe! (Ruhot, Pejë)

rrokotél, i m. sh. -a, -at rreth me të cilin luajnë fëmijët qoftë i drunjtë, qoftë i hekurt. Nga se rrethin e rrokotelin (rrokullisin), është emërtuar rrokotel. Leni ma ata rrokotela more firauna, se naj lujt met. (Ruhot, Pejë)

sjellëse, -ja f. sh. -e, -et rrëfojkë, lodër fëmijësh, Dërrasë shpatuke që vrimoset dhe për atë vrime futet një pe për të sjellë. Lëshon një zhurmë. (Has, Opojë)

stërpíkëse, -ja f. sh. -e, -et lodër fëmijësh në formë të pushkaliqes, por kjo mbushet me ujë, për t’u lagur fëmijët. (Trepeticë, Prizren)

Një tjetër nënndarje e lojërave të popullit tone vjen nga shëmbëlltyra e kafshëve. Bualli, breshka, kali, lepuri, zagari, macja dhe qeni, përfaqësojnë mbretërinë e kafshëve në lojërat e fëmijëve. Qartazi, emërtimet e tyre mbartin emrin e kafshës si rrënjë bashkë me prapashtesën -az/as, duke thjeshtëzuar dritësimin e tyre. Në rastin e buallit, briri i tij është mjet në lojë dhe jo imitim, siç shohim në kafshët e tjera. Por dhe në këto të fundit, imitimi i kafshëve shërben si mjet loje dhe nuk përbën lojën në vetvete.

brinabúllaz ndajf. lojë fëmijësh e barinjsh. Briri i buallit ose i kaut a lopës vihet në një largësi. Kush e rrëzon i pari bririn, e fiton lojën. Zenel, hajde a po vjen t’lujm brinabullaz! (Ruhot, Pejë)

bréshkas ndajf. lojë burrash. Dy prej tyre i lidhin këmbët, duke ndenjur ulur dhe i bien me këmbë njëri-tjetrit. Ai që rrëzohet, duhet të shërbejë në lojë. Fituesi quhet breshkan, ndërsa të tjerët breshka. (Planejë, Has)

brínaz ndajf. lojë fëmijësh e barinjsh, ku prej një largësie gjuhet briri me gur. (rrethi i Pejës dhe i Istogut)

kálaz ndajf. lojë fëmijësh. Fëmijët e marrin nga një shkop dhe i hipin, duke vrapuar si kali. Pajazit, hajde t’lujm kalaz! (Shushicë, – Istog)

lepraz ndajf. lojë fëmijësh. Njëri syresh bëhet lepur, ndërsa të tjerët zagarë. (Ruhot, Pejë)

mácas ndajf. lojë fëmijësh. Njëri syresh bëhet mace dhe të tjerët i bien me dorë në kokë. Ky që bëhet mace duhet të rrijë në mes, pastaj po e hetoi se kush i ka rënë, atë e qet në vend të vetin. Ata që i bien bëjnë si macja mjau-mjau. Çetahi tot lujm macas. (Brezne, – Opojë)

 qénaz ndajf. lojë fëmijësh. Njëri syresh rri në mes tyre dhe me një shkop përzien thuase po ju qet qenve të hanë. Këtij i kërkon diçka një tjetër, por s’i jep… (Rrethi i Pejës)

Më poshtë, renditur i qëndrojnë kohës lojëra të ngjashme ose vetë syllambyllazi dhe bëz.

biz ndajf. lojë barinjsh. Njëri prej lojtarëve i mbyll sytë me njërën dorë, kurse tjetrën e vë nën sjetull të kthyer me shuplakë kah lojtarët. Kur t’i bien lojtarët, bërtasin: – biz. (Tomoc – Istog)

blétaz ndajf. lojë burrash. Njëri nga lojtarët i mbyll sytë me njërën dorë, ndërsa tjetrën e vë nën sjetull për t’u rënë të tjerëvet. Kur e qëllon se kush i ka rënë, atëherë ai që zihet rri në vend të tij. (Shushicë, Istog)

fshehalógas ndajf. lojë fëmijësh – symbyllazi. A po vish me lujt fshehalogas? (Brezne, Opojë)

pështymas ndajf. lojë fëmijësh, symbyllazi. Nga se vrapon secili syresh për të pështyrë në cakun e caktuar, atëherë për këtë edhe është emërtuar kështu. Hajde t’lujm pshtymas! (rrethi i Pejës dhe i Istogut)

qok ndajf. lojë fëmijësh lojë fëmijësh symbyllazi. (Mazrrek, Has)

súmbullaz ndajf. lojë fëmijësh me sumbulla. Hade a vini t’shkojm n’lam me lujt sumllaz! (Ruhot, – Pejë)

symshélaz ndajf. lojë fëmijësh, symbyllazi. Kush po vjen me lujt symshelaz? (Ruhot, Pejë)

Përpara fjalëve përmbyllëse, më poshtë vijon një pjesë e lojërave të mbetura, të cilat nuk kanë mundur të përfshihen në nënndarje të caktuara. Për qartësi dhe saktësi, Fjalorthi mund të përmbajë edhe pak lojëra të tjera, të cilat për efekt volumi nuk janë përfshirë këtu:

shok-shok ndajf. lojë burrash. Lojtarët rrethohen, ndërsa njëri syresh e mban një shall të nyjëzuar, për t’u rënë atyre që s’dinë ta gjejnë shallin. (Trepeticë, Prizren)

karambythamshéhas ndajf. lojë fëmijësh edhe barinjsh. Luajnë 2 veta. Ata i gropëzojnë tri gropa, ku në dy vënë fekalet e njeriut (të fëlliqtë), ndërsa në të tretën e fshehin një brisk. Nëse e gjen briskun kundërshtari, e merr përgjithmonë. (Vërmicë, Prizren)

 kasóllash ndajf. lojë vajzash. Ato me gurë mbarojnë kasolla. (Lubeniq, – Pejë)

 árraz ndajf. lojë fëmijësh me arra. Arrat i rendisin, ndërsa secili syresh mat me një rrasë të gurtë dhe kush bie më afër cakut ai gjuan me të gjitha rrasat. Ke mir me lujt arraz. (rrethi i Pejës dhe i Istogut)

duqmbasbýthe ndajf. lojë fëmijësh. Ata rrethohen, ndërsa njëri syresh e merr një faculetë të duquar (të tutluar) dhe heshtazi ia lëshon dikujt pas. Hajdin, o Hajdin, thirri çata thmi e t’lujm duçmasbythe! (Ruhot, Pejë)

flamúraz ndajf. lojë fëmijësh e edhe barinjsh. Lojtarët ndahen në dy grupe, ndërsa në mes tyre në tokë ngulet një shkop mbi të cilin vihet një faculetë, shami, dhe një nga një vrapojnë për ta marrë më parë. (Lluga, Istog)

 gíshtas ndajf. lojë fëmijësh. Njëri syresh e qet dorën me shuplakë kah toka, ndërsa të tjerët, radhazi, me gishtin tregues ia prekin dorën dhe, ai, cili ta zërë atë e vë në vend të tij. Hajde tot shkojm me lujt gishtas! (Opojë)

 gurangréhas ndajf. lojë barinjsh e edhe fëmijësh. Në të dy anët vihen nga tri rrasa prej guri dhe ndahen sa lojtarë janë. Duhet hudhur secili lojtar nga tre gurë. Cila anë i rrëzon rrasat më parë, e fiton lojën dhe për dënim u hipin në shpinë atyre që kanë humbur. A po shkojsh me lujt gurangrehas, a? (Brezne, Opojë, Nashec, Prizren)

kalamináre ndajf. lojë fëmijësh. Njëri hip në një majë më të lartë se të tjerët dhe ajo majë u quaka kalaminare, nga edhe është emërtuar loja. Lojtarët e tjerë bëjnë përpjekje ta rrëzojnë atë prej asaj lartësie. Haj de t’lujm kalaminare. (Mazrrek, Has)

kungújz ndajf. lojë fëmijësh. Ata vargohen, ndërsa njëri syresh i merr dy shkopinj, duke u rënë fëmijëve mbi kokë i pyet: -a je pjek? dhe pastaj të pjekurit i ndan në një anë. Kush po vjen me lujt kungujz? (Ruhot, Pejë)

mjáltaz ndajf. lojë barinjsh e fëmijësh. Njëri prej lojtarëve e heq plisin, ndërsa tjetri e ruan këtë, (qyp me mjaltë). Ky që e ruan i pret të tjerët të mos e prekin këtë. Nëse rojtësi e prek ndonjërin prej lojtarëve, atë herë i zëni do të bëhet qyp, por nëse lojtarët do ta preknin qypin pa mos e hetuar rojtësi, atëherë vetë rojtësi duhet të bëhet qyp. (Lluga, Istog)

pendë a ka? ndajf. lojë fëmijësh me kokrra të misrit a të groshës. Ja se si luhet loja: Njëri fëmijë i fsheh kokrrat në grusht dhe e pyet kundërshtarin pen a ka? nëse ia qëllon kundërshtari ia merr, e nëse jo, atëherë duhet dhënë aq. Sot do t’i thoshim qift a tek. Në matematikë parë a cub -te numrat. (rrethi i Pejës dhe i Istogut)

tërkúzas ndajf. lojë fëmijësh që luhet me litar a krrup najë duke e sjellë dy, ndërsa i treti kërcen. (Opojë)

thíkaz ndajf. lojë me thika. Caktohet një vend, a vrimë, dhe aty hedhet thika prej një largësie. (rrethi i Istogut)

Shumëkush mund të mendojë “… Shumë lehtë për të gjykuar varfërinë dhe skamjen e popullsisë sonë fshatare në ato vite të shkreta”. E padyshim, ajo çfarë për mua nisi si një dëshirë për të formuar një galeri lojërash të vjetra shqiptare, rrjedhimisht më bëri të vërej një thjeshtëzim material e kuptimor të tyre. Teksa vazhdova t’i grupoj, frika se mos po gjykoja si qesharake frytet e imagjinatës së fëmijëve e të rriturve, mbase gjyshërve tanë, më ngurtësoi duart. Të përfytyrosh paraardhësit e tu duke u argëtuar në lojëra kaq të çiltra e jo dinake, padyshim të ngroh zemrën dhe të sjell një buzëqeshje në fytyrë. Por pavarësisht kësaj, nuk munda të mos mendoj, se si gjatë kohës kur në botë lojëra shumë më strategjike, të komplikuara, pse jo dhe të ambalazhuara në dyqane preferoheshin, në vendin tonë nuk gjendeshin. Dhe rrjedhimisht, mendja më vajti në treguesit e pasojat e kësaj së vërtete.

Pikë së pari, qëndron mundësia që autorët e këtij Fjalorthi të kenë punuar mbi një grupim të zonave fshatare e më të varfra. Siç u tha dhe në fillim, asnjë tregues i saktë i atillë nuk është dhënë në përshkrimin e punimit. Gjithashtu, përderisa nuk është dhënë dhe koha të cilën këto lojëra përligjin, nuk dimë të themi me saktësi nëse zhvillime politike të mijëvjeçarit të kaluar mund të kenë pasuruar galerinë. Disa nga lojërat e përmendura më lart, tregojnë një ndërlikim ose koklavitje të imagjinatës së popullit dhe mund të n ‘a bëjnë të kujtojmë lojëra më të vona. Prandaj, do të ishte e gabuar të themi se të gjitha lojërat vijnë të thjeshtuara për gjykimin tonë. Për më tepër, lojëra shumë të thjeshtëzuara dhe të çiltra i gjejmë dhe tek fëmijët e sotshëm, me pakicë.

Duke ri-përmendur dhe njëherë varfërinë e popullit tonë në atë kohë, cektazi mund të gjykojmë se mungesa e argëtimeve ‘të huaja’ në galerinë e lojërave shqiptare është tregues i prapambetjes zhvillimore kohanike të vendit. Kjo fare qartë lidhet me arsimimin dhe vetë-mbylljen e popullsisë në një territor a vend të caktuar. E për mos ta përmbyllur këtë ri-sjellje a dritësim të argëtimit tonë të dikurshëm me fjalë të rënda, le të lëmë imagjinatën e dëlire të gjyshërve a stërgjyshërve tanë të hijeshojë frymën e një populli. Uroj që ky kalim fluturimthi nga një lojë në tjetrën të ketë qenë një lexim i këndshëm.

(c) 2022 autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

(Shënim redaksional: me kërkesën tonë, autorja ka shpjeguar se shembujt janë nxjerrë elektronikisht nga origjinali i Fjalorit dhe ruajnë drejtshkrimin që kanë në burim.)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin