MENDIME TË PAKREHURA (LXXVI)

(nga Stanislaw Lec*)

“E megjithatë, rrotullohet!” Por në ç’drejtim?

Njeriu e ka akoma këtë epërsi ndaj makinës, që di si ta shesë veten.

Tmerri nga e ardhmja: monumente që flasin.

Nuk kthehemi dot më në shpella! Nuk na nxënë dot të gjithëve.

As yllësitë nuk janë shoqërime të lira yjesh.

Ndonjëherë instinkti i vetëmbrojtjes është motori i vetëvrasjes.

Ha nga dora e tjetrit: di si të jetojë.

Njeriu e ha veten me dhëmbë gjithë jetën, që të mos bëhet kanibal.

Satiristi e vret veten me thikën e çmprehur të satirës së vet.

Bota nuk mund t’ua falë kurrë atyre që nuk kanë bërë asnjë faj.

Qitësit më të mirë nuk kanë nevojë ta dinë kalibrin e kokëve që vënë në shënjestër.

Edhe republikat qeverisen ndonjëherë nga mbretër lakuriq.

Të mendosh që frikacakët nuk kanë kurrë frikë të prehen në varrezat e heronjve!

Të gjitha prangat në botë formojnë një zinxhir të vetëm.

Ai që nuk e nxë sirtari, të bëjë gati arkivolin!

Shpesh letërsinë e akuzojnë se u ndihmon të burgosurve të arratisen nga realiteti.

Edhe pelegrinëve u djersijnë këmbët.

Të pranosh kurorën e dafinave, do të thotë t’u japësh të tjerëve masën e kokës.

Gjithnjë mund të të varin pak më lart.

Arti ishte pasioni i tij. E persekutonte.

Ca tragjedi kombëtare nuk njohin antrakte.

Dogmat janë garancia e progresit; është e rrezikshme t’i interpretosh, duhen thyer.

Ku gjenden minierat e diturisë? Si rregull, atje ku e kanë varrosur.

Sa të vegjël bëhen shkurtabiqët, kur i zmadhon!

Për t’i bërë bilancin urtësisë sate, shto me kujdes pak nga hajvanllëku i të tjerëve.

A mund të pushojë pak satiristi, pasi të ketë parë në ëndërr gungaçin mbi deve?

Bëni kujdes, o ju që nuk keni shenja dalluese: është lehtë që t’ju njohësh.

Ki kujdes, ti mund të jesh numër për lotarinë e të tjerëve!


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin