JU FLET AUTORITETI

Përfytyroni një situatë krize, për shkak të një katastrofe natyrore, p.sh. një përmbytje ose një zjarr në pyll, dhe një ministër që del para kamerave për të deklaruar:

Ju siguroj se i kemi marrë të gjitha masat për të përballuar…

I shkreti ministër. Fjalët që thotë dëshmojnë kolonizimin e gojës së tij, në mos edhe të mendjes, nga gjithfarë pushtetesh e agjencish, reale dhe imagjinare, duke filluar nga ligjërimi.

Dhe ja pse. Të filloj me vetën e parë shumës: “i kemi marrë”, e cila i referohet një kolektivi, por edhe një kolegjialiteti; ministri flet në emër të dikujt tjetër, të një grupi (ne), çfarë ia heq përgjegjësinë e drejtpërdrejtë, ose të paktën e ndihmon që ta shpërndajë mes kolegëve.

Të vazhdoj me kohën e kryer: “i kemi marrë” (dhe jo të tashmen “po i marrim”, dhe as të ardhmen “do t’i marrim”). E kryera shënjon një veprim që tashmë – siç e thotë edhe vetë termi – është kryer. I kemi marrë masat, do të thotë që kemi bërë ç’mund të bënim; por tashmë kemi mbaruar – nuk kemi ç’të bëjmë më.

Kur marrin fjalën në publik, politikanët detyrimisht lëkunden mes kohës së kryer dhe kohës së ardhme; e kryera konoton “llogaridhënien”, ose paradën e arritjeve; e ardhmja “premtimin”, që duhet të jetë aq i fortë, sa t’ia zërë vendin realitetit. Por një situatë urgjente e përjashton vetvetiu kohën e ardhme; sepse kjo e fundit gjithnjë ka lidhje me aftësinë parashikuese të politikanit, në mos edhe me aftësinë për ta krijuar realitetin; në një kohë që urgjencat ose katastrofat janë jo vetëm të paparashikueshme, por edhe – thjesht ngaqë ndodhin – i japin qeverisë alibinë se, deri sa nuk kishin ndodhur, punët po shkonin mirë, “sipas parashikimeve”.

Të shkojmë më tej: masat. Çfarë janë “masat”? Një term me kuptim aq të vakët, sa mund të vlejë për t’i vënë etiketë çdo lloj veprimi dhe gjesti. Masa mund të jenë edhe një telefonatë, ose vetë vendimi për të folur për mediat. Ministri preferon të mos e konkretizojë se çfarë po bën ose ka bërë qeveria e tij – mjaftohet të thotë se po bën atë që duhet.

Dhe pse të mos thoshte, bie fjala, se zjarrfikësit po punojnë për ta fikur zjarrin? Ndoshta, ngaqë nuk është i qetë, po t’ua kalojë “meritat” zjarrfikësve; ndoshta ngaqë po të tregojë se ç’po bëjnë zjarrfikësit, do t’i ripërmasojë “përpjekjet” titanike të tij dhe të qeverisë; ndoshta ngaqë fjala e vagullt, masat, ka vlerë ngaqë i jep përballimit të urgjencës atribute teknike, gati formale.

Po përemri i pakufishëm të gjitha? Vërtet i ka marrë qeveria të gjitha masat? Natyrisht jo. Ka marrë ato masa që i ka gjykuar të nevojshme, por edhe e sidomos ato masa që është në gjendje t’i marrë. Përdorimi është nga ato raste kur fjala konoton të kundërtën, dhe pikërisht se qeveria – përfshi këtu edhe ministrin që flet në emër të saj – nuk janë në kontroll të situatës.

Ministri e di këtë. Dhe ndoshta as do të ishte gati ta thoshte, po të mos ia impononte “automatizmi” ligjërimor, i njëjti që e detyron të përdorë vetën e parë shumës, kohën e kryer dhe fjalën e vagullt masat. Qëllimi i këtij automatizmi, është të përftojë një ligjërim që, në thelb, ta mbrojë ministrin dhe qeverinë e tij nga përgjegjësia.

Tani le të kthehem te fillimi i thënies, parazitarja “ju siguroj se…”, e cila mëton të themelojë një marrëdhënie mirëbesimi mes pushtetarit dhe publikut; ku i pari jo vetëm paraqitet si i besueshëm në rolin e vet, por edhe e ekspliciton këtë, nëpërmjet një foljeje performative, e cila shënjon veprimin që po kryen thënia – në rastin konkret garancinë se çfarë po thuhet është e vërtetë, prandaj duhet besuar.

Në rrafshin denotativ, kjo “ju siguroj se” është pleonastike – mirëbesimi është kusht minimal që një ministër të komunikojë me publikun. Megjithatë, hyrja e thënies ka një funksion për të kryer, nëpërmjet konotacionit – dhe pikërisht, duke sinjalizuar që ligjërimi pasues ka natyrë “formale”, dhe ministri po flet si burrë shteti; i mbështjellë me një togë solemniteti; gjithë duke treguar se impenjimi i tij moral, ndaj publikut, i tejkalon caqet e një urgjence a situate krize.

Në qoftë se kjo “ju siguroj” është e barasvlershme me anglishten “I assure you” – sikurse duket të jetë – atëherë ia vlen të lexohet një diskutim i foljes assure nga Anna Wierzbicka (në librin English Speech Act Verbs, Academic Press Australia, 1987, f.334). Autorja vëren se ka një element “shqetësimi” (worry) te folja assure, sa kohë që folësi – në vetën e parë – kërkon të largojë çdo dyshim, tek ata që e dëgjojnë, se ato që thotë janë të pavërteta.

E transpozuar në kontekstin tonë ligjërimor, kjo do të thotë se ministri druhet se publiku mund të mos besojë që qeveria “i ka marrë të gjitha masat”, ose edhe më saktë akoma, që qeveria “do të jetë në gjendje ta vërë krizën (përmbytjen, zjarrin) në kontroll”. Nga çfarë rrjedh se “ju siguroj” tradhton pasigurinë te folësi, lidhur me efikasitetin e autoritetit ekzekutiv për të kryer detyrën e vet.

Kjo do të shpjegonte edhe dëshirën për ta përfshirë publikun drejtpërdrejt në ligjërim, nëpërmjet trajtës së shkurtër ju, një gjest ligjërimor i tepërt (pleonastik), meqë askush nuk dyshon se ministri po u flet atyre që ka përpara (edhe nga ekrani ose mikrofoni, pra me ndërmjetësimin e medias); vetëm se kjo ju përforcon – këtë herë tërthorazi – angazhimin personal të folësit (unë/ne), si kundërpeshë vetore e ju.

Ja pra, në mes të një situate të urgjencës, kur publiku kërkon të marrë vesh nga një përfaqësues i qeverisë (i ekzekutivit) se çfarë po ndodh, ky – pa e kuptuar as vetë – i bën thirrje publikut që t’i besojë dhe përfundon duke larë duart nga faji, që pa nisur t’i shfaqet faji në vetëdije.

Thjesht për t’u pasur parasysh.

© Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin