FOLKLORI, NGA LOKALJA TE UNIVERSALJA

Shënime për monografinë e studiueses Arbnora Dushi “Folklori kujtesë e praktikë”

nga Dr. Olimbi Velaj

Monografia “Folklori kujtesë e praktikë” e studiueses së mirënjohur, prof. dr. Arbnora Dushi, pasqyron një punë disavjeçare të autores dhe sjell një material dhe analizë të thelluar të gjendjes aktuale të folklorit para audiencës profesionale, por edhe para lexuesit të interesuar.

Në monografi pasqyrohet me një saktësi mjaft të madhe prirja e sotme e folklorit dhe kapet në bashkëkohësi çdo zhvillim i ndodhur në harkun kohor të dy dekadave. Sqarohet katërçipërisht gjendja aktuale e folklorit në gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan e më gjerë dhe një nga risitë e mëdha të saj është se në çdo hap të vëzhgimit e interpretimit mbahet parasysh edhe prirja botërore e folkloristikës si disiplinë, edhe diskutimet e nxehta për definimin aktual të kësaj fushe të dijes.

Kësisoj kjo monografi shënon një hop në punën e studiueses dhe më gjerë, parë në rrafshin e folkloristikës shqiptare, e rendit kërkimin në këtë fushë në të njëjtat hulli e nivele me studimet bashkëkohore që ndodhin sot paralel në botë, referuar edhe vendeve më të zhvilluara në fushë të studimeve të folklorit, siç janë për shembull vendet nordike, apo ato të Amerikës së Veriut. Kjo edhe falë specializimeve dhe dijeve shumë të thelluara të autores në universitetet dhe institucionet kërkimore në vende mjaft të zhvilluara dhe njohjes mjaft të thellë të disiplinës nga ana e saj.

Mund të thuhet me plot të drejtë se ajo është pioniere në fushën e historisë gojore ndër shqiptarë për sa i përket aplikimit të mbledhjes e studimeve, inteligjencës për të përkapur prirjen botërore dhe nevojën imediate të pasqyrimit të kësaj dege të folkloristikës edhe në këtë hapësirë kulturore.

Që në kapitullin e parë, autorja përcakton me saktësi kontekstin aktual dhe definimin e folklorit në kohët e sotme, referuar studiuesve më në zë sot në rang global. Duke qenë edhe vetë pjesë e këtyre rretheve shkencore, ajo njeh jashtëzakonisht mirë debatin për definimin aktualë të disiplinës dhe gjithashtu arrin t’i tregojë me shumë kompetencë koordinatat aktuale të disiplinës në hapësirën shqiptare.

Dushi arrin të na bindë me fakte se folklori modern, ai i kohëve të internetit dhe posaçërisht ai i kohëve të pandemisë, po lind e po jeton njëlloj si në çdo pjesë tjetër të botës dhe po qarkullon njëjtë si kudo, e kjo është edhe një paralele që tregon se ne nuk jemi më në epokën e folklorit tradicional, të rapsodëve të fundit në Evropë, por njëherësh me këta rapsodë, ndër ne po qarkullojnë edhe format më bashkëkohore të folklorit me larminë e tyre të madhe dhe me rrokjen e fashave të gjera të grup-moshave, që mbërrihet nga kushdo që arrin të përdorë teknologjinë dhe rrjetet sociale.

Kapitulli i parë i monografisë na bën të qartë vendin që zë rrëfimi dhe kujtesa në kontekstin e folkloristikës e të historisë gojore. Autorja definon sfondin teorik për trajtimin e zhanrit narrativ të të rrëfyerit të përvojave personale në folkloristikë. Ajo rendit nëntemat dhe i trajton me mjaft zhdërvjelltësi e saktësi gjithë zhvillimet, duke na dhënë një panoramë gati si në skaner të ndërlidhjes së lokales me ndërkombëtaren. Tregon fillesat e teorive mbi zhanret narrative personale në folkloristikën botërore, rrugën historike e ndërtimit të zhanrit gojor të rrëfimit personal deri tek emërtimi dhe definimi i zhanrit të rrëfimit personal gojor. Mandej kalon te folklori dhe historia gojore në raporte ndërlidhëse, te një histori marrëdhëniesh ndërdisiplinore, te dallimet dhe afritë në qasje dhe në metodologji deri te historia gojore në kontekstin e praktikës lokale.

Kapitulli i dytë shpërfaq rezultatet e një pune mjaft origjinale dhe të prekshme, duke na dhënë për herë të parë në studimet shqiptare një material dhe interpretim konkret dhe krejt të plotë të historisë gojore, në dallim nga ndonjë sprovë e mëparshme që mund të jetë bërë përgjatë dekadave nga shkencëtarët më në zë të folklorit ndër shqiptarë. Duhet vënë në dukje edhe mënyra shumë efikase me të cilën autorja i qaset këtij zhanri duke e bërë mjaft të receptueshme çdo ide e evidencë, çdo përfundim e vlerësim, qoftë për profesionistët e fushës, qoftë për një lexues thjesht kureshtar. Stili dhe raportet e sakta mes së diturës e risisë e bëjnë këtë kapitull të jetë një ndër më interesantët në gjithë monografinë. Të mos harrojmë se kemi të bëjmë me ngjarje faktike e kujtime të njëmendta që në një formë ose në një tjetër çdo shqiptar i ka përjetuar. Kapitulli i emërtuar: Triptik ose tri këndvështrime rreth një teme: kujtesa për kufirin me Shqipërinë, merr në shqyrtim së pari kufirin e transmodeluar në mall për atdheun e munguar, sfondin historik, nostalgjinë si emocion për humbjen dhe të jetuarit “matanë vendlindjes”. Mandej në një përvijim të mëtejshëm kalohet te kujtimet për kufirin me Shqipërinë nga perspektiva e kujtesës ndërbreznore, te korniza teorike për kujtesën ndërbreznore, te “Zonat kufitare nuk janë vende, por procese sociale”, te kujtesa për kufirin nga perspektiva e dëshmitares së parë, te kujtesa për kufirin nga perspektiva e brezit të dytë dhe të tretë e në fund, nga kujtesa për kufirin te përvoja me kufirin: një perspektivë auto-etnografike. Kjo është edhe një ndër risitë më të spikatura, pikërisht auto-etnografia, për të cilën mund të themi se shfaqet për herë të parë në studimet tona.

Në kapitullin e tretë shohim se si këto nocione të cekura më sipër, i gjejmë të jetësuara edhe në disa zhanre fort të lëvruara, që i përkasin folklorit tradicional, siç është rasti i baladës. Ky kapitull na sjell në vëmendje simbiozën në kohë e në hapësirë të asaj që jemi mësuar ta shohim si të mirëqenë dhe tradicionale, me atë që është bashkëkohore dhe ende jo e pranuar krejtësisht ndër ne (jo në botë) si pjesë e folklorit (historia gojore). Balada dhe kënga popullore ndërmjet kujtesës personale dhe kujtesës kolektive na jep pikërisht këtë lidhje dhe në interpretimin e studiueses Dushi ne arrijmë ta gjejmë të natyrshme lidhjen mes personales e kolektives, tashmë brenda një zhanri të mirëstudiuar edhe më herët, siç është rasti i baladës. Në nëntrajtesat brenda kapitullit studiuesja ndalet te: Balada e murimit në traditat gojore të Ballkanit: çështja e origjinës nën dritën e disa interpretimeve. Mandej ajo merr në konsideratë një tjetër baladë të mirënjohur: Maxharr Pasha ndërmjet kujtesës personale dhe kujtesës kolektive. Më tej në kapitull shohim trajtimin e një tjetër balade: Kënga e Halit Gashit: performancat paralele të interpretimit në zhanrin e muzikës popullore dhe popullarizuese. Me tej akoma: Balada popullore si kujtesë kolektive: Halili e Hajria. Më pas: Kënga për Krushqit e ngrirë të Dardanisë: konteksti i receptimit dhe jehona e kujtesës. Dhe e mbyll me nëntemën: Kompleksiteti i raportit motër-vëlla: një vështrim antropologjik mbi baladat shqiptare. Të gjitha këto trajtime i lidh filli i pashkëputur i personales së shkrirë me kolektiven dhe i transpozuar në forma të njohura të folklorit tradicional. Çfarë ne na bën t’i shohim ndryshe këto balada të mirënjohura, është pikërisht forma e interpretimit që na paraqet studiuesja, duke na shpërfaqur një këndvështrim krejt të ri dhe shpesh të panjohur më parë. Por në çdo qasje ajo na bën me dije kontributin e mëparshëm të punëtorëve të shkencës në brezat paraardhës dhe mandej kalon në atë çfarë ka të rë në mënyrën si ajo e vetë e sheh nga këndvështrimi i sotëm çdo baladë.

Në kapitullin e katërt autorja shpërfaq studimin që i ka bërë folklorit në vitet e fundit, të pandemisë, nën titullin: Folklori i pandemisë: praktikat e reja të krijimit të folklorit në rrethana karantinimi dhe trendet globale të regjistrimit të tij. Këtu qëndron edhe një risi tjetër shumë e spikatur e autores, por njëherësh edhe një guxim për të raportuar, studiuar e pranuar tashmë diçka që është e mirëqenë, por që rrethet tona shkencore nuk arrijnë ende ta artikulojnë me emrin që ka: format e reja në folklorin bashkëkohor, që në ndërkohë ne i lëvrojmë dhe i vërejmë të gjallojnë në shoqëri, por që studiuesit shqiptarë nuk po munden ende t’i pranojnë si objekt studimi.

Si përfundim, mund të themi se prof. dr. Arbnora Dushi, edhe me këtë monografi dëshmon njohjen e thellë shkencore të objektit që studion, sjell një këndvështrim të ri në qasjen ndaj gjithçkaje që trajton, përqas atë çka është lokale në perceptimin dhe studimin e deritashëm ndër ne me atë që është ndërkombëtare dhe ia gjen vendin në kohë e hapësirë, duke e referuar si diçka që është pjesë e së tërës, e jo si diçka që ndodh larg të tjerëve. Kjo e bën monografinë e saj jo vetëm një vepër studimore brenda kontekstit shqiptar, por me një receptim dhe rezonancë që i ka kaluar me kohë kufijtë lokalë. E orientuar jashtëzakonisht mirë dhe në rrjedhë të pandarë me çdo zhvillim të studimeve bashkëkohore për folklorin, studiuesja Arbnora Dushi dëshmon edhe një herë se shkenca shqiptare ka kapacitetin dhe cilësinë të renditet denjësisht me shkencën botërore bashkëkohore, madje të jetë mjaft e suksesshme në mbledhjen dhe interpretimin e materialit të vjetër, po aq sa edhe të atij që prodhohet e ndodh në bashkëkohësi, duke arritur të ecë në një hap me prirjen bashkëkohore të studimeve të folklorit sot në botë. Nga kjo pikëpamje, kjo monografi shënon një moment mjaft fatlum në raportin tonë me botën, pas gjithë asaj kohe të gjatë izolimi, qoftë për rrethana objektive, qoftë për rrethana subjektive.

Monografia e fundit e prof. dr. Arbnora Dushit shërben edhe si një referencë shumë e pasur dhe e qartë për shumë studiues të tjerë në hapësirën shqiptare, pavarësisht stadeve që ata kanë në karrierat e tyre.

(c) 2022 Olimbi Velaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin