PATRIOTIZMI & SPORTI

nga G. K. Chesterton

shqip nga Arben Dedja

Kohët e fundit kam vënë re që disa fletushka, sidomos ato të vetëshpallura patriotike, janë pataksur nga fakti që në botën e sportit jemi mposhtur plot dy herë: një francez na ka mundur në golf, belgët në vozitje. Ma do mendja se këto ndodhi janë të rëndësishme për çdokënd që beson, i vetëkënaqur, në një legjendë angleze me të tillë përmbajtje. Më duket se ka nga ata që besojnë, ashtu turbull, që ne kurrë s’mund të mposhtemi nga francezi, me gjithë faktin që ne shpesh jemi mposhtur nga francezi dhe bile një herë edhe nga një franceze. Në vizatimet e vjetra të Punch-it gjen një satirë që përsëritet shpesh. Karikaturistët anglezë pandehin që francezi nuk i ndërsen dot zagarët dhe nuk zbavitet nga gjuetia angleze. Atyre nuk u rezulton që tërë ata burra që themeluan gjuetinë angleze qenë francezë. Mbretërit dhe fisnikët që fillimisht i ndërsyen zagarët flisnin frëngjisht. Një numër i madh anglezësh që sot e gjithë ditën ndërsejnë zagarë kanë emra francezë. Më duket e rëndësishme kjo për të gjithë ata që janë injorantë në një çështje kaq të qartë soje. Ma merr mendja se nëqoftëse dikushi ka besuar gjithmonë që ne anglezët kemi një të drejtë të shenjtë e të përveçme për të qenë atletë, e kundërta i ka ngjarë e llahtarshme, tronditëse. Ata kujtojnë se teksa dielli i vërtetë ndriçon në lindje, një tjetër diell i papritur ndriçon edhe në veri-veriperëndim. Për të mirën e tyre, për të mirën morale dhe intelektuale të këtyre njerëzve, do të kish vlerë të theksonim që anglosaksoni në kësi rastesh është mposhtur pikërisht nga ata kundërshtarë që ai i ka parë gjithmonë si jashtëloje; nga latinët, dhe nga latinët më të qetë e të kapitur; jo vetëm nga francezët, por nga belgët. Them se tërë kjo histori i flet bindshëm gjithëkujt me dy fije mend që ende beson teorinë kryeneçe të epërsisë anglosaksone. Asnjë anglez i njëmendët nuk besoi në të. Në këtë mes, anglezin e njëmendët këto humbje nuk do ta tmerronin aspak.

Patrioti i vërtetë anglez e di fare mirë që fuqia e Anglisë nuk është varur kurrë nga këto gjëra, lavdia angleze nuk ka pasur kurrë të bëjë me to; përjashto mendimin e një shtrese të gjerë të kamurish dhe të një shtrese të shprishur të varfërish që kopjon kotësinë e të kamurve. Sigurisht, këta njerëz do ta vrasin shumë mendjen për dështimet tona, siç e vranë për arritjet. Bash ata patriotë fanatikë, që aq shumë i kanë lëvduar bashkëkombasit e tyre kur kanë dalë fitues, i përbuzin tash njësoj, kur munden. Por anglezi me njëfarë ndjenje për Anglinë e di mirë që humbjet atletike nuk provojnë që Anglia është e dobët, ashtu sikurse fitoret atletike nuk provojnë që Ajo është e fortë. E vërteta është që atletika, si çdo gjë tjetër posaçërisht moderne, është individualiste gjer në marrëzi. Anglezët që fitojnë kupa sportive janë të jashtëzakonshëm midis anglezëve për arsyen e thjeshtë se janë të jashtëzakonshëm midis njerëzve. Atletët anglezë përfaqësojnë Anglinë poaq sa trillet e Mr. Barnum-it përfaqësojnë Amerikën. Ka kaq pak njerëz të tillë në krejt botën, saqë është rastësi nëse qëllojnë në këtë apo atë vend.

Po deshët një provë të thjeshtë për ç’po them, kollaj ta gjejmë. Kur atletët e mëdhenj anglezë nuk janë anglezë të jashtëzakonshëm, ata përgjithësisht nuk janë fare anglezë. Shpesh bile janë përfaqësues racash niveli mesatar i të cilave është i papajtueshëm me atletikën. Thuhet, bie fjala, që anglezët i sundojnë vendasit në Indi saje qëndrueshmërisë më të lartë, aktivitetit më të madh, një shëndeti më të mirë trupor dhe mendor. Thuhet që hindutë janë robërit tanë sepse janë më pak të dhënë kah aksioni, kah të qenit i hapur, kah ajri i hapur. Me një fjalë, më pak të dhënë kah kriketi. Dhe, në thelb, është me gjasë e vërtetë që indianët janë më pak të dhënë kah kriketi. Mirëpo po të pyesni ndër anglezë se cili është lojtari më i mirë i kriketit, del që ai është indian. Ose, një tjetër rast: është e vërtetë, në vija të trasha, që çifutët janë, si racë, paqësore, intelektuale, mospërfillëse ndaj luftës si indianët ose, ndoshta, përçmues ndaj luftës si kinezët: prapëseprapë, ndër boksierët më të shkëlqyer një ose dy kanë qenë çifutë.

Ky është një nga shembujt më të qartë të kësaj të keqeje që lind nga mënyra angleze e adhurimit të atletikës. Përqendrohemi pak si tepër në suksesin e individit. Fillon, me të drejtë dhe natyrshëm, duke dashur të fitojë Anglia. Hapi i dytë është që dëshërojmë të fitojë ndonjë anglez. Hapi i tretë është (në ekstazën dhe agoninë e një gare të veçantë) që dëshërojmë të fitojë posaçërisht ky apo ai anglez. Dhe hapi i katërt pastaj është që, pasi ai ka fituar, zbulohet që as nuk është fare anglez.

Mendoj se kjo është njëra nga pikat ku vërtet mund të thuhet diçka mbi Lord Roberts-in dhe idetë e tij të mjegullta që variojnë nga klubi i gjuetisë te thirrja nën armë. Cilado qofshin të mirat e të metat përtej kësaj ideje, së paku është një ide që sjell barazi dhe një farë mesatarizmi në kapacitetin atletik të njerëzve; kuptohet duke vepruar si qortues ndaj prirjes sonë të natyrshme për të parë vetveten te disa atletë të jashtëzakonshëm. Kështu, ka miliona anglezë që kujtojnë se janë vërtet racë nuskuloze sepse C.B. Fry është anglez. Dhe shumë prej tyre kujtojnë, ashtu turbull, që atletika duhet t’u përkasë anglezëve sepse Ranjitsinhji është indian.

Por fuqia e vërtetë historike e Anglisë, fizike apo morale qoftë, nuk ka pasur kurrë të bëjë me këtë specializim atletik; përkundrazi, është penguar nga ai. Dikush ka thënë që Beteja e Waterloo-së u fitua në fushat e lojrave të Eton-it. Është një vërejtje shumë e pavend, sepse ndihmesa e Anglisë në fitoren e Waterloo-së u var, shumë më tepër se ç’ndodh zakonisht në një fitore, te qëndresa e luzmës në një situatë të dëshpëruar. Beteja e Waterloo-së u fitua nga këmbëngulja e ushtarit të thjeshtë – pra u fitua, të themi, prej atyre që s’patën qenë kurrë në Eton. Është absurde, pra, të thuash që Waterloo-ja u fitua në fushat e kriketit të Eton-it. Bukur do të ish të thuhej që Waterloo-ja u fitua në lëndinat e fshatrave, ku djem të plogët luanin një kriket mjaft të plogët. Me pak fjalë, qe e përgjithshmja e kombit që qe e fortë dhe lavditë atletike nuk para tregojnë shumë për të përgjithshmen e një kombi. Waterloo-ja nuk u fitua nga lojtarë të mirë kriketi. Porse Waterloo-ja u fitua nga lojtarë të këqinj kriketi, nga një turrmë burrash që kishin një minimum zakonesh e shprehish atletike. Është ogur i mirë për një komb kur ca gjëra bëhen keq. Tregon që të gjithë reken t’i bëjnë. Dhe është ogur i keq për një komb kur do gjëra bëhen mjaft mirë, sepse tregon që vetëm pak ekspertë a ekscentrikë i bëjnë, ndërsa kombi thjesht rri e i vështron. Le të pandehim për një çast që sapo dëgjojmë të flitet për ecjen në Angli: kjo gjithmonë nënkupton të ecësh pa u lodhur dyzetepesë milje në ditë. Të jeni të sigurt që do të ecin vetëm pak burra, kurse gjithë britanikët e tjerë do t’i gjëmojnë nga pas me karroca. Por kur ne dëgjojmë për ecjen kjo nënkupton ecje të ngadalshme, ecje të mundimshme, lodhje të vazhdueshme, dhe atëhere e dimë që masa e kombit ende po ecën. Ne atëhere dimë që Anglia është me tërë kuptimin e fjalës më këmbë.

Problemi, pra, është që rritja aktuale e standartit të atletikës, me gjasë, i ka bërë keq atletizmit kombëtar. Në vend që turnetë të jenë një mêlée e shëndetshme ku çdo njeri i rëndomtë të vrapojë kur t’i jepet rasti, ato janë kthyer në një arenë të mbrojtur e të gardhuar për përplasjen e kampionëve të veçantë me të cilët asnjë njeri i rëndomtë nuk do të mund të matej dhe as do të lejohej të matej. Nëse vërtet Waterloo-ja u fitua në fushat e kriketit të Eton-it, kjo ndodhi, me gjasë, sepse kriketi i Eton-it atëhere qe shumë më i shkujdesur se sot. Për sa kohë që loja ishte lojë, të gjithë donin ta luanin; kur ajo kthehej në art, të gjithë donin ta shihnin. Kur loja merrej me të lehtë mund të fitohej Waterloo-ja; kur bëhej serioze dhe e stërholluar humbitej Magersfontein-i.

Në kohën e Waterloo-së ekzistonte një pështjellim i përgjithshëm atletizmi tek anglezi i mesëm. Ky pështjellim nuk rikrijohej dot nga kriketi, nga thirrja nën armë apo nga çdo mjet tjetër artificial. Qe diçka e shpirtit. Çlirohej nga hareja, besimi dhe fryma e vendit. Qe si dueli i sotëm francez – çdokujt mund t’i ndodhë. Sikur të isha gazetar francez mund të më ndodhte vërtet që Mësjè Clemanceau të më grishte në një duel me pistoleta. Por nuk besoj që mund të më ndodhë ndonjëherë që Mr. C.B. Fry të më grishë të matemi me palla kriketi.


Marrë nga libri me ese “All things considered” (1908)

 

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: